Derbi i Torinos, Juve ka detyrë të fitojë

anazapta

Juventus pret sot Torinon në derbin e qytetit dhe fitorja është detyrim, për të mos lejuar shkëputje të kundërshtarëve. Antonio Konte e ka bërë të qartë synimin për tri pikët, ndonëse i vlerëson mjaft kundërshtarët. “E vlerësojmë Torinon, sepse është skuadër shumë e mirë dhe e organizuar. Derbi është përherë një ndeshje e veçantë dhe nëse radhisim organizimin, vlerat teknike por edhe motivimin e lojtarëve, kuptohet që është një përballje ndryshe nga të tjerat. Nuk e harroj që në vitin e titullit të parë i humbëm të dyja ndeshjet derbi, edhe pse në letër ishim ne favoritë”, thotë Konte. Juventus nuk është shfaqur në nivelin e Romës dhe Napolit deri tani, por Konte i del në mbrojtje të skuadrës. “Statistikat nuk flasin për një skuadër të rrënuar, pasi kemi fituar 4 dhe barazuar 2 nga 6 ndeshjet e fundit zyrtare. Është shumë herët për të thënë nëse Juventus lodhet shumë për të arritur fitoren. Kundër nesh luajnë të gjithë ndeshjen e jetës dhe nëse nuk do të jemi perfektë do ta kemi shumë të vështirë. Ky është një aspekt tek i cili duhet të përqendrohemi, por nuk kam dyshim se po i bëjmë gjërat për mirë”. Trajneri bardhezi nuk ka dhënë asnjë detaj për formacionin, duke thënë se do ta ndërtojë vetëm në minutat e fundit. “Kemi tri ndeshje të vështira përpara, me Torinon, Milanin dhe Gallatasarajin. Nuk mund të them asgjë, pasi po vlerësoj gjendjen e lojtarëve. Vuçiniç ka një problem fizik, por po rikuperohet me shpejtësi”. Ndërkaq, dje në krye u ngjit Napoli, pas fitores 2-0 në fushën e Xhenoas. Napolitanët kanë për momentin një pikë më tepër se Roma dhe tre më tepër se Juventus.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *