Ja si ndahen 2025 kuotat për fituesit e rinj të 2019-s

Leda Hysa

Gara për Universitetin e Mjekësisë

Pas vlerësimit të kapaciteteve pritëse, Universiteti i Mjekësisë ka miratuar kuotat për fituesit e vitit të ri akademik 2019-2020. Duke marrë në konsideratë propozimet e bëra nga të tre fakultetet që janë pjesë e këtij universiteti, Senati Akademik ka aprovuar në total 2025 kuota pranimi për fituesit e rinj që do të nisin për herë të parë studimet në një nga programet e ciklit të parë “Bachelor” si dhe të nivelit të dytë “Master”

Kuotat për pranimet në ciklin e parë

Sipas vendimit të marrë nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës bëhet e ditur se kuotat e pranimeve për programet e ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë do të jenë në total 1142. Këto kuota ndahen në 1040 kuota për kandidatët brenda trojeve, 88 për kandidatët jashtë trojeve, 3 kuota për kandidatët me aftësi të kufizuar, 6 kuota për kandidatët me status jetimi, si dhe 5 kuota për romët dhe ballkano-egjiptianët. Për program të dytë studimi do të përzgjidhen si fitues 16 kandidatë, teksa janë përcaktuar edhe 81 kuota pranimi për ciklin e transferimeve. Në tabelën në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave për secilin program studimesh, si dhe kategori studentësh. Në kuota të përcaktuar për kandidatë të tjerë përfshihen kuotat për fituesit nga Kosova, Maqedonia, Mali Zi, Preshevë, Bujanovc, Medvegjë, Shtetas të huaj, kuotat për studentët me aftësi të kufizuara, jetimët, romët, si dhe kuotat për program të dytë studimi dhe transferim studimesh.

Kuotat e pranimit në ciklin”Master”

Sa i takon ciklit të dytë të studimeve bëhet e ditur se në total do mund të vijojnë studimet për herë të parë përgjatë vitit të ri akademik 786 kandidatë. Këto kuota ndahen në 727 kuota të miratuara për kandidatët që konkurojnë brenda vendit, ndërsa pjesa tjetër prej 59 kuotash u është lënë në dispozicion garuesve që vijnë nga trojet. ndarjen e plotë të kuotave edhe për këtë cikël e gjeni të detajuar në tabelën përkatëse bashkangjitur shkrimit.

Mesatarja që duhet për konkurim

Mesatarja e kërkuar është një ndër kushtet bazë që çdo kandidat duhet të përmbushë për të hyrë në garë për studimet e larta në një nga degët e fakulteteve që janë pjesë e Universitetit të Mjekësisë. Mesatarja që kërkohet për konkurim ndryshon sipas programeve. Konkretisht, Senati Akademik i këtij Universiteti ka vendosur se kandidatët që aplikojnë për degët e mjekësisë duhet të kenë mesatare minimale si në vijim: Për degët Mjekësi e përgjithshme, Farmaci, Stomatologji, do të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 e lart. Për degën Shëndet Publik mund të garojnë kandidatët me mesatare mbi notën 8. Ndërsa për degët Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike mund të garojnë kandidatët me mesatare të gjimnazit mbi 7.5. Gjithashtu për degët Teknikë dentare, si dhe Higjienist dentar mund të garojnë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 7 e lart. Nota mesatare minimale përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollës së mesme, si dhe nga mesatarja e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore.

Tre kriteret për  shpalljen e fituesve

Përzgjedhja e fituesve që do të vijojnë për herë të parë studimet në degët e mjekësisë përcaktohet në bazë të tre kritereve. Kriteri i parë është nota mesatare aritmetike e provimeve të Maturës Shtetërore, e cila vlerësohet me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve. Nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje si: Kimi, Fizikë, Biologji, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1.4. Ndërsa kur kandidati jep lëndë me zgjedhje të ndryshme nga tre lëndët e përmendura më lart, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1. Kriteri i dytë është mesatarja e shkollës së mesme që vlerësohet me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve. Ndërsa kriteri i tretë është mesatarja aritmetike e lëndëve formuese Kimi, Fizikë, Biologji, të zhvilluara gjatë tre viteve të shkollës së mesme, e cila vlerësohet me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve. Gjithashtu, fakultetet kanë përcaktuar edhe koeficientet me të cilët vlerësohen shkollat e mesme për secilin program studimi. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar formulën finale për shpalljen e fituesve në të gjitha programet e mjekësisë, si dhe koeficientet e miratuar për llojin e shkollës së mesme që maturanti ka kryer.

KUOTAT E PRANIMIT PËR PROGRAMET “BACHELOR”

FAKULTETI I MJEKËSISË

Dega    Kuota total     Kuota për kandidatët brenda vendit dhe  Kuota për kategoritë e tjera

Master i Shkencave në Mjekësi të përgjithshme  332           260      72

Master i shkencave në Farmaci 120 100      20

Bachelor në Shëndet publik 27           20        7

FAKULTETI I MJEKËSISË DENTARE

Master i shkencave në Stomatologji 114       100      14

Bachelor në Teknikë Dentare  35       35        0

Bachelor në Higjienist dentar 70        70        0

FAKULTETI I SHKENCAVE MJEKËSORE TEKNIKE

Bachelor në Infermieri të Përgjithshme 277             260      17

Bachelor në Mami 47             35        12

Bachelor në Fizioterapi  59     45        14

Bachelor në Teknik Imazherie 57       45        12

Bachelor në Teknik Laboratori  60      45       15

Bachelor në Logopedi 41        25       16

Total                1239    1040      199

KUOTAT PËR NIVELIN E DYTË MASTER PROFESIONAL DHE SHKENCOR

Kuota total     Kuota për kandidatët brenda vendit          Kuota për kategoritë e tjera

Master i Shkencave në Shëndet Publik           30        25       15

Master Profesional në Shëndet Publik           35        30        5

Master Profesional në Menaxhim Shëndetësor 35    30        0

Master i Shkencave në Infermieri      78        75        3

Master i Shkencave në Mami 17       15       2

Master i Shkencave në Logopedi        28        28        0

Master i Shkencave në Teknikë Laboratori 38           38        0

Master i Shkencave në Teknik Imazherie       37        35        2

Master i Shkencave në Fizioterapi     48        45        3

Master Profesional në Menaxhim Infermieror          180      170      10

Master Profesional në Mami             50        46        4

Master Profesional në Logopedi        30       25        5

Master Profesional në teknik Laboratori  50             45        5

Master Profesional në Teknik Imazheri         50        45        5

Master Profesional në Fizioterapi      60        55        5

Master Profesional në Kujdesin Paliativ         20        20       0

Totali   786      727      59

Share This Article
1 Comment
  • Pse shkolla me koeficient 1.4 e tjerat me koeficient 1 ? Per te favorizuar prape bijte e bjat e millionerevee per te garantuar vendin per ta?
    Ankese per pabarazi ne gjykaten kushtetuese nuk do ishte keq…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *