Ata… “të urtët gjer në dhimbje”

DITA Online

nga Leonard Veizi

Ata janë vërtet të urtë, e të thjeshtë gjer në dhimbje. Hera-herës deri në dhimbjen e skajshme. Në madhështi janë gjithashtu.

Duke kaluar nëpër mend këtë sentencë, modifikuar në bazë të vargjeve aq të njohura të Kadaresë, nuk është e vështirë të kuptosh gjithsesi se fati i tyre në vite ka qenë i njëjtë. I njëjtë si atëherë kur Petro Luarasi jepte mësimet shqip nën terror, si atëherë kur Migjeni i dërrmuar nga sëmundja merrte rrugën e gjatë me biçikletë, dhe si më pas në epokën e luftës kundër analfabetizmit. Sot, në mijëvjeçarin e ri, e vetmja përparësi është se për të shkuar deri tek dera e shkollës ekziston mundësia të marrësh një makinë modeste.

Është kjo pjesë e sakrificës njerëzore për të dhënë nga vetja atë që u duhet aq shumë njerëzve: “pak dritë”.

Po, po: “pak dritë”.

Janë mësuesit, të klasave të para dhe të viteve të treta të gjimnazit. Janë ata të parashkollorëve. Pedagogët e universiteteve janë gjithashtu.

Janë mësuesit e fshatit, që presin me autostop “makinat e rastit” për t’u kthyer në strehën e tyre, apo mësuesit e qytetit që nxitojnë për të kapur autobusin e pisët urban, ku shoferi arrogant mbyll dyert elektrike e largohet indiferent nga stacioni duke treguar orën, sepse i vajti orari i lëvizjes dhe dispeçeri ka mundësi t’i vendosi një gjobë të majmë. Në të njëjtën vlerë, në mes të kryeqytetit apo në fshatin më të largët të Republikës, ata janë mësues. Dhe mbeten gjithmonë të njëjtë, të pandryshueshëm njëkohësisht. Idealistë të pandreqshëm, që në jetën e tyre rreken të bëjnë të vetmen gjë: të japin mësim. Të jenë aty midis nxënësve të tyre, që rrjedhin e rrjedhin vazhdimisht si ujët e një lumi të vrullshëm, për të ndryshuar çdo vit.

Janë ata, që vazhdimisht sakrifikojnë nën moton e gjithhershme e të pandryshueshme të një mega-ideje; nxënia e dijes së pafund. Ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë kujtohet rrallë për ta, dikur në 1 shtator dhe në 7 mars. Tani akoma më rrallë, vetëm në 7 mars. 1 shtatori, prej kohësh nuk ekziston më. Është zhvendosur dhe është shndërruar në diçka të pakuptimtë dhe gati ilegale. Nuk e ka më simbolizmin e një dite të veçantë.

Por dhe kjo kujtesë ka diçka të cunguar e paradoksale, madje shumë fyese kur pranohet si e tillë. Është rasti kur prindër e nxënës bashkë, nxitojnë të bëjnë dhuratat e festës, jo më një lule natyrale a një libër prozaik të Saramagos, por një varëse floriri, një Iphone-X apo më shkurt akoma, një zarf me të holla, me të cilën mësuesi kujdestar mund të bëjë ç’t’i dojë qejfi. Është fabrikimi mostër i prindërve për të ushqyer një korrupsion alarmant dhe i atyre mësuesve që luajnë rolin e viktimës, për ta pranuar gjithsesi “ndihmën sociale” nga parellinjtë e rinj të Shqipërisë, që kanë çuar fëmijët të nxënë në shkollë. Dhe nëse ata mësues që e pranojnë këtë korrupsion të modifikuar, do t’i kthenin mbrapsht dhurata me vlera ekstreme, padyshim madhështia e gjithë korpusit të mësimdhënësve do të shkonte në piedestal.

Askush nuk ka nevojë për një përkrahje të tillë “sociale”, thjesht duhen politika më të drejta në ndarjen e të ardhurave. Por duket se rendi i gjërave nuk të lë shumë për të besuar.

Sepse akoma më tej, zyrtarët e lartë të administratës shtetërore mendohen mirë kur u bie mundësia të kujtojë këtë shtresë të shoqërisë. Sepse në të gjitha rastet u duhet të kujtojnë, gjithashtu, se janë pikërisht ata më të diskriminuarit e nëpunësve të shtetit, duke qenë më aktivët njëkohësisht.

Dhe kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Ndërsa vetë ata, mësuesit, janë gjithmonë në një lëvizje të pandërprerë, për t’u vërtitur në 45 minutat e orës së mësimit me të gjithë kapacitetin e tyre, për të duruar njëkohësisht mes energjisë së pashtershme të dhënies së mendimit të koncentruar dhe një zileje celulari që tringëllon në kulmin e patosit. Më pas tringun e një mesazhi, nëpërmjet postës elektronike, që i vjen një nxënësi të pabindur ku, përveç befasisë acaruese, ju kujton se jeta jashtë mureve të shkollës është më e ashpër nga magjia që i rrethon në folenë e tyre.

Jetojmë kohë me probleme, (kështu ka qenë gjithmonë në fakt), me nxënës më pak të bindur, me djem që tentojnë të mbajnë armë fshehur nën bluzë apo vajza me veshje ekstravagante e që mezi presin të përfundojë ora e “mërzitshme” e historisë së Shqipërisë, për të shkuar turravrap në ‘pub’-in më të afërt. Dhe atje, të çliruar nga bezdia, të kenë mundësi të shfryjnë ndaj mësuesve të tyre “të egër” e kërkues, e të dehen me paratë e prindërve, duke pirë alkool e tymosur nga pak mariuhanë.

Ndërsa ata mësuesit, të urtë e të thjeshtë deri në dhimbje, i drejtohen arkës së financës, për të marrë në sportelin e saj rrogën modeste, me të cilën mbajnë familjen.

Ironia e fatit.

Jetojmë vërtetë kohë të vështira. Por kështu ka qenë gjithmonë, dhe kur luftohej analfabetizmi me aksion të përqendruar, më tej se kaq, kur Migjeni shkonte me biçikletë nëpër shi, për t’u dhënë mësimin e vyer nxënësve të tij, dhe akoma më larg, kur Petro Luarasit i duhej të “vdiste në këmbë”, veç për të hapur një shkollë shqip.

Por jetojmë gjithashtu, kohë reformash të pambaruara. Tranzicion, që ecën pa ditur të ndalet kund. Ndërsa në Drejtoritë Arsimore të Rretheve radha e mësuesve të papunë, që presin të zëvendësojnë qoftë dhe një të sëmurë, rritet çdo ditë. Por rritet çdo ditë dhe numri i analfabetëve, çuditërisht.

Vazhdojmë të jemi vendi i ekstremeve të panumërta.

Por ata vazhdojnë të jenë të thjeshtë. Të urtë janë gjithashtu. Dhe zëri nuk u ndihet. Nuk ndërmarrin greva urie dhe as timpaneve nuk u bien me zhurmë përpara Kryeministrisë. Vetëm se, duket sikur mes asaj qetësie të brishtë dhe fisnikërie për të mos u përballur me një stres të dyfishtë, armata e tyre thotë nën zë: “Na llogarisni edhe ne”.

E mes gjithë kësaj lufte të heshtur a me zë, ata janë atje, përballë 35 apo 40 nxënësve të një klase, që kërkojnë të marrin më të mirën e mundshme, që kërkojnë të përgatiten për t’u hedhur në jetë.

Sot është 7 mars. E ata janë atje, sërish në krye të klasës, mes një gëzimi të ligjshëm, që u jep të drejtën të marrin urime pa fund, apo t’i gëzohen një tufe luleje nga nxënësit e lodhshëm. Ndërsa… presin që nga ministria e Arsimit, si gjithmonë, të vijë një mesazh urimi nëpërmjet valëve televizive, nga zyra e madhe e ministrit të radhës.

 

v.l/ Dita

Share This Article
6 Comments
  • Mos i idealizoni kaq shume. Qener te parase dhe injorante jane shumica. Iku ajo kohe kur ishin te apasionuar mbas mesimit

  • Drejt e ke. Jane prinderit qe e ushqejne korrupsionin. Mesuesit bejne gabimin e dyte qe pranojne te korruptohen

  • Hymn per mesusin!
    Perulje dhe nderim,
    mesuesit tend,mesuesit tim,
    qe drit e dituri, lane si kujtim,
    tek une e tek ti.
    Mesuesit qe sic tha poeti;
    “..Te urtet deri ne dhimbje,
    te thjeshtet deri ne madheshti..”
    Durimi juaj,per admirim,
    dhe ciltersia si shenjterim.
    Na dhate c’ka kishit pa kursim ,
    pa pyetur shume per “shperblim”
    prandaj ne sot neper poema,
    portretin tuaj si prej shenjtori,
    po e stolisim ,ne shenje mirenjohje.,
    plot dasuri e adhurim
    Refr. Lavdi mesusit ,qe ndricon kombin,
    qe zhduk erresiren e na sjell driten
    dhe na shton etjen per diturine
    na ben te denje per Shqiperine.
    Porsi heronj neper legjenda ,
    natyrshem hyte dhe ju atje,
    nga Veqil Harxhi e deri tek Ndreca,
    “Cuca e maleve” me shoqe te tjera,’
    poet Migjeni “i mjerimit”
    armata e tere e Arsimimit!
    Fatmir Xhamallati
    Tirane -Veron 2006

  • E kuptoj kendveshtrimin e gazetarit. Shkrim i mire ehste. Por mesuesit e kane bere balte me kete korrupsionin e 7 marsit. U cane kronikat televizive duke i degjeneruar.

  • Nje shprehje thote :”Pyll pa derra nuk ka”
    Sigurisht qe dhe mesuesit jane prinder qe kane femijet e tyre ne shkolle. Edhe vete ata u bejne dhurata kolegeve. Pse?
    Per fiktivitetin qe ka pushtuar arsimin tone.
    Per nxenesit qe i duan te gjitha 10 se ndryshe nuk marrin dot degen qe duan por qe nuk e merritojne sipas aftesive se 10 nuk merret njesoj si ne Tirane e ne rrethe ku korrupsioni eshte super galopant ku ne provime zgjidhen tezat e plotesohen provimet nga mesuesit.
    Duhet bere nje transformim i rendesishem per fiktivitetin ne shkolle, ti jepet mundesi mesuesit qe te punoje me nxenes qe shprehin talente te behen konkurse organizime e mesuesit te shperblehen per punen reale dhe jo per letra pa fund qe mbushin e nuk lexohen nga askush se jane objekt kontrolli nga institucione qe qelben nga paaftesia.
    Shteti mund te sanksionoje ligj per te eleminuar 7 marse te turpshme qe kalojme te kryeje reforma reale qe mesuesi te shkoje i qete ne pune pa vrare mendjen nese do ti mjaftojne te ardhurat, se po te kundershtoje ne ide drejtuesin mund ta pushojne nga puna se mund ti jerkohet ditari qe nuk e zbaton asnjehere se vetem ne Shqiperi kerkohet ditar i tille, qe profesionin ta beje te nderuar sepse nje mesues i mire eshte promotori per te gjeneruar zhvillimin e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *