Pengmarrësit e kosovarit kundër njëri-tjetrit në gjyq

anazapta

Të arrestuar të tre si pengmarrës të një personi, kanë alibi që kundërshtojnë njëri tjetrin. Kuksianët e akuzuar për marrjen peng të një kosovari për afro 11 orë, kanë dhënë dëshmi të ndryshme para prokurorit. Ata do të qëndrojnë në burg dhe rrezikojnë që të dënohen nga 10 deri në 20 vite burg. Gjyqtari i masave të arrestit në Gjykatën e Krimeve të Rënda Dritan Halluni, ka lënë në burg pa afat Shkëlzen Durakun, Ardjan Mujën dhe Lumir Gashin, të cilët u arrestuan në një lokal në afërsi të Morinës në Kukës, nga RENEA në 26 shtator. Në seancën e masës së arrestit kanë hyrë veç e veç, ndërsa dëshmia e secilit kundërshtonte njëri tjetrin.

I pari Ardjan Muja nuk e ka pranuar akuzën. Alibija se ishtë thërritur nga Duraku në kafe dhe se nuk dinte asgjë për ngjarjen nuk e ka shpëtuar nga qelia. Vetë Duraku, pranon se kosovari Flamur Curri i kishte para borxh dhe pasi ia kishte kërkuar kishin lënë lokalin ku u arrestuan si vendin e kthimit të parave. Lekë borxh ka pretenduar edhe Gashi në seancën e masës, të cilat kosovari ia kishte për një punë të përbashkët në Itali.

Prokurorja Evjola Stoja, ka dhënë detaje në seancë rreth akuzës ndaj tre të arrestuarve të cilët akuzohen se morën peng shtetasin kosovar Flamur Curri, i cili nuk i kishte kthyer shumën e 6 mijë eurove. Pengmarrësit kanë mohuar që të kenë mbajtur peng të njohurin e tyre, të cilit i kishin dhënë lekë në këmbim të dy pasaportave kosovare.

Shpëtimi i pengut u bë nga forcat RENEA në fshatin Shtiqën të Kukësit, kur do të bëhej dhe shkëmbimi i pengut me shumën e parave. Ndërkaq, nga hetimet është zbuluar se Curri dhe Gashi kanë kryer edhe burg bashkë, ç`ka rrit dyshimet për prokurorinë se, kukësiani dhe 30-vjeçari nga Vushtria, meqë janë persona me precedentë të mëparshëm penalë, mund të jenë përfshirë sërish në ndonjë akt kriminal. Referuar të njëjtave burime, bëhet me dije se është mbajtur nën hetim edhe Flamur Curri, i cili ka dëshmuar në lidhje me përfshirjen në këtë ngjarje, por si policia ashtu edhe prokuroria, kanë refuzuar të flasin në lidhje me dëshminë e tij.

 

 

Një ditë më parë

Një ditë më parë, të shtunën,  dështoi seanca gjyqësore për dhënien e masës së sigurisë, ndaj tre të akuzuarve si pengmarrës së shtetasit kosovarë. Kjo për shkakun se gjykata kishte harruar  të dërgojë njoftim në polici për zhvillimin e masës së sigurisë ndaj tre të pandehurve, nën akuzë për pengmarrje. Të shtunën Gjykata e Krimeve të Rënda do ti jepte vendimin, në lidhje me kërkesën e prokurorisë,  por tre të pandehurit nuk u sollën në Tiranë nga qyteti i Kukësit.  Ndërsa gjyqtari i gatshëm i Krimeve të Rënda nisi seancën gjyqësore, ku pritej vlerësimi i masës së arrestit, në një njoftim të Policisë së Kukësit thuhej se,  nuk mund të dërgonte tre të pandehurit, të akuzuar për pengmarrje, pa pasur një shkresë zyrtare. Ne seancën gjyqësore, të pandehurit,  Ardian Muja, Lumir Gashi dhe Shkëlzen Duraku, do të njiheshin me akuzën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe do të merrnin masën e sigurisë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *