Masakra në SHBA, Nishani: Vuajtja, aq e thellë sa fjalët s’e shprehin dot

redaktor

Nëpërmjet një mesazhi dërguar presidentit Obama, kreu i shtetit shqiptar i ka shprehur ngushëllimet popullit amerikan për masakrën e kryer dje në një nga shkollat fillore në Konektikat.

“Me një tronditje dhe hidhërim të madh kam mësuar për ngjarjen tragjike në qytetin e Neëtoën të Connecticut, ku në shkollën “Sandy Hook Elementary”, kanë humbur jetën 26 qytetarë amerikanë, midis tyre dhe 20 fëmijë të pafajshëm! Më lejoni Shkëlqesia Juaj, që për këtë ngjarje tragjike që tronditi popullin mik amerikan dhe të gjithë botën, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh Juve, familjeve të viktimave, si dhe popullit amerikan, ngushëllimet më të ndjera. Fatkeqësisht, në këto raste vuajtja është aq e thellë sa që fjalët nuk mund të shprehin dot atë që ndodh.

Na mbetet vetëm të shpresojmë që gjëra të tilla nuk do të ndodhin më në shoqërinë njerëzore, e cila po përpiqet gjithmonë e më shumë të përparojë dhe nuk duhet të bjerë kurrë në nivele të tilla tmerri. Duke shprehur dhe një herë ngushëllimet e mia të sinqerta si dhe ato të familjes sime, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, ndjenjat e solidaritetit të popullit shqiptar me popullin amerikan!”, thuhet në mesazhin e Nishanit drejtuar presidentit Barak Obama.

* * *

Amerika është gdhirë e shokuar, pas masakrës së djeshme në një shkollë fillore në Konektikat. 27 persona, shumica e të cilëve fëmijë të moshës 5-10 vjeç, është bilanci i ngjarjes tragjike të mëngjesit të 14 dhjetorit.

Një person i armatosur dhe i veshur me antiplumb ka hyrë në shkollë, duke qëlluar mbi nxënësit e çdo klase. Autori është identifikuar më vonë si Adam Lanza, 20 vjeç.

Ai kishte vrarë pak para ngjarjes edhe të ëmën, mësuese në këtë shkollë. Lanza është gjetur i vrarë mes viktimav, ndërsa nuk dihet nëse është vetëvrarë apo është qëlluar nga policia.

Mësohet se mes nxënësve të shkollës ka qenë edhe një shqiptare nga Kosova. Vanesa, Baraliu, 9 vjeçe, e cila i ka shpëtuar masakrës.

Presidenti Obama është shfaqur i përlotur në një konferencë shtypi të mbajtur dje gjatë pasdites. Ai ka thënë se flamujt do të jenë sot në gjysmështizë, për nder të viktimave.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *