Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ftuar në Forumin e 7-të Global të Bakusë, me temë: “Një Politikë e Jashtme e Re” vlerësoi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në fjalën përshëndetëse Meta nënvizoi se sërish e ardhmja e rendit botëror duket e pasigurt.
“Pas më shumë se 70 vitesh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, si dhe gati tre dekada pas Luftës së Ftohtë, sërish e ardhmja e rendit botëror duket e pasigurt. Fuqitë e mëdha tradicionale po përballen me probleme për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për konfliktet globale, ndërkohë që multilateralizmi nuk është më e njëjta forcë shtytëse për qeverisjen botërore”, u shpreh Meta.
Në mënyrë të veçantë Kreu i Shtetit përmendi sfidat e sotme, si siguria globale, multilateralizmi, ndryshimet klimaterike, migracionin, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm te cilat po dominojnë politikën e jashtme.
“Kërcënime të reja nga terrorizmi ndërkombëtar po përhapen me të njëjtën shpejtësi si revolucioni teknologjik dhe siguria kibernetike po bëhet një sfidë e madhe për shoqëritë dhe vlerat tona”, shtoi Meta
Ndërsa duke u ndalur në zhvillimet më të fundit pozitive në rajon, Meta nënvizoi se ato kanë gjeneruar një optimizëm të ri në rajonin tonë.
Në përfundim të fjalës së tij, ai u shpreh se, Shqipëria është e angazhuar për bashkëpunimin rajonal dhe për forcimin e mëtejshëm të multilateralizmimt.
“NATO mbetet Aleanca më atraktive për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, në kontinentin tonë dhe më gjerë. Ne kemi rritur kontributin tonë për forcimin e paqes, stablitetit dhe përparimit në rajonin tonë e më gjerë”, theksoi Presidenti Meta.
b.b/dita
