“Shpëto thesarin”, risia e Ministrisë së Kulturës

anazapta

Në Ditën e Trashëgimisë, 29 shtator, Ministria e Kulturës ka prezantuar portalin “Shpëto thesarin!”, ku të gjithë mund të denoncojnë çdo rast shkeljeje e dëmtimi që u shkaktohet monumenteve të kulturës.

“Trashëgiminë kulturore jemi mësuar ta shohim këto dekadat e fundit edhe si turizëm, burim ekonomik e mundësi zhvillimi. E bukur është kur e mendon kështu, por dhe në një ekuilibër shumë të brishtë, sepse ka nevojë të mbrohet, të shpëtohet dhe të dalë në dritë. Pasuria kulturore po iku, s’kthehet më. Nuk duhet ta lëmë të ikë. Nuk duhet ta lëmë të vdesë dhe as të vritet. Ajo ka nevojë për të gjithë ne që e duam. E duam për vete, e duam për brezat, e duam se na do me shkëlqimin e saj. Mos e kurseni dashurinë për të, se ajo nuk na e harron dhe na e kthen shumëfish. Mos u tut! Mbroje kulturën, mbroje trashëgiminë, mbroje monumentin, mbroje kalanë, gurin, thesarin, fuqinë magjike të kujtesës, legjendën dhe të vërtetën e saj të bukur. Janë të tuat, tonat! Shpëto monumentin! Shpëto kulturën!”, shkruhet në portalin e ri të MK.

Prezantimi është bërë ditën e djeshme nga vetë ministrja Mirela Kumbaro . “Ne sot bëmë publike një faqe online “shpëtothesarin.com” ku të gjithë mund të denoncojnë çdo dëmtim që mund t’u bëhet objekteve të trashëgimisë kulturore, kudo që ndodhen. Kështu do mbrohen ato objekte që janë vlerë e vendit dhe trashëgimisë kulturore. Hapi i parë konkret në ditët e para të detyrës dhe sfidës që kemi marrë përsipër është mbrojtja e trashëgimisë dhe rivitalizimi i saj. Ky është vetëm një hap sensibilizimi i qytetarëve lidhur me vlera e trashëgimisë kulturore. Ndërsa do vijohet me hapat e tjerë për të konkretizuar mbrojtjen e këtyre vlerave. Dhunuesit do të vihen para drejtësisë”, u shpreh ajo.

Që në orët e para të hapjes së faqes, në të kanë mbërritur edhe denoncimet e para. Rastet në fjalë kanë të bëjnë me dëmtimet në Kishën e Shën e Premtes në Elbasan, në zonën e mbrojtur në Durrës, në Kishën e Shën Gjergjit në fshatin Libofsha të Fierit apo Kishën e Shën Triadhës në Lavdar të Korçës.

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *