Lirohen vëllezërit e akuzuar për vrasjen e inxhinierit

anazapta

Tronditës për familjarët e viktimës dhe një shuplakë e fortë për prokurorinë. I tillë ka qenë vendimi i gjykatës së Fierit në lidhje me dy vëllezërit Julian dhe Elio Ymeraj të cilët dolën të lirë nga salla e gjyqit. Vendimi u komunikua në seancën përfundimtare të procesit gjyqësor që ka nisur një vit e gjysmë më parë. Përpara seancës  gruaja e viktimës kërkoi drejtësi dhe paqe, pasi ajo dhe fëmijët e saj jetojnë me frikë . Vendimi i gjykatës së shkallës së parë në Fier u dha nga një trup e përbërë prej tre gjyqtarësh  me kryesues Roland Hysi, 2 anëtarët e tjerë të trupës gjykuese ishin Taulant Banushi dhe Pirro Sota. Zbardhja dhe argumentimi i  vendimit pritet të behet në ditët në vazhdim ndërsa pritet gjithashtu edhe qëndrimi i prokurorisë në lidhje me apelimin ose jo të vendimit.

Kjo e fundit kishte kërkuar në një seancë të mëparshme shpalljen fajtor të dy të pandehurve Ymeraj dhe dënimin e tyre më nga 25 dhe 23 vjet burg. Trupi gjykues nuk ka marrë në konsideratë provat e prokurorisë duke i konsideruar ato të pasakta duke dhenë kështu vendimin e pafajësisë për dy vëllezërit Ymeraj. Inxhinieri i njohur në fushën e naftës, Koli Veshi u qëllua për vdekje në sheshin para pallatit ku banonte  në lagjen “8 Shkurti” . Ai u vra në tentativë për të mbrojtur djalin e  tij Eni Veshi . Nga të shtënat u vra Koli Veshi dhe u plagos i biri i tij në atë kohë 21 vjeç.

Policia arrestoi 2 vëllezërit si autorë të dyshuar të ngjarjes por gjatë 2 viteve, nuk arriti të gjejë së bashku me prokurorinë,prova që të implikonin dy vëllezërit në vrasje. E vetmja provë që prokuroria i ka paraqitur gjykatës ka qenë rrëfimi i djalit të viktimës se me vëllezërit Ymeraj ka pasur konflikte dhe se ka qenë njëri prej tyre personi që ka qëlluar natën e 21 gushtit 2011 .

Në fakt sherri mes të rinjve ka qenë i dokumentuar sepse i riu ishte dënuar për plagosjen  e njërit prej vëllezërve Ymeraj të ndodhur një vit përpara vrasjes së të atit. Por pak ditë para ngjarjes Eni Veshi kishte pasur edhe një konflikt për parkim makinë me një person tjetër. Policia nuk e hetoi këtë piste duke u bazuar vetëm të rrëfimi i djalit të viktimës.

 

“Gjyqtarët e korruptuar, na kanë keqtrajtuar”

Intervista e gruas së viktimës / Elfteri Veshi flet vetëm pak minuta para se të jepej vendimi i gjykatës për lirimin e vrasësve të dyshuar

Jemi duke pritur vendimin e gjykatës sot, si ndiheni?

Jemi te vrarë shpirtërisht dhe kërkojmë drejtësi. Dy vjet nëpër dyert e gjykatës unë e di se si jam ndierë. Na kanë trajtuar shumë keq, gjyqtarët nuk janë sjellë mirë me ne. Djalin ma kanë nxjerrë me shqelma jashtë .

A besoni se sot do jepet drejtësi?
 Jo nuk besoj

Pse?
Sepse e kam parë se si na kanë trajtuar në gjyq, gjyqtarët janë blerë me para. Unë kërkoj drejtësi, po e di që ata do dalin sot .

Ku jetoni ju pas vrasjes se burrit tuaj?

Ne jetojmë në shtëpitë e të afërmve, kemi frikë të rrimë në shtëpinë tonë .

Nga se keni frikë?

Kam frikë se mos fillon ndonjë gjakmarrje, djalin nuk e kam këtu,e kam dërguar jashtë shtetit.

Çfarë kërkoni ju sot nga kjo seancë?

Ne kërkojmë që ata të dënohen ashtu si ka thënë prokurori, pak janë 25 vjet dënim për ata, po të paktën do dënohen. Po nuk besoj se do të ndodh.

Share This Article
2 Comments
  • Ne rradhe te per une mendoj se gjykata ka marr vendimin e duhur.
    perse gruaja e viktimes nuk tregon se cfare ka bere djali i saj ne te kaluaren. Ai ka qene dhe eshte nje kriminel. Ai cfare ska bere. Dhe une jam e bindur qe e jema se bashku me familjaret e tjere e dine fare mire se kush e ka vrar. Dhe djemet Ymeri nuk e besoj se e kane bere.Une mendoj se i kan mbajtur me shume se qe duhet ne burge .
    Flora-Fier

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *