Vrasja e prostitutës së luksit, çështja e fshehur për të shpëtuar pinjollët

anazapta

Gjermani, 56 vjet nga vrasja e prostitutës më të famshme të viteve ’50 në Gjermani, shfaqen transkriptimet origjinale të hetimeve. Midis klientëve të saj dalin si prej hiçit baronë dhe anëtarë të familjeve aristokrate

Është një nga rastet kriminale më misterioze në historinë e Gjermanisë: më një nëntor të 1957-s, Rosemarie Nitribitt, një prostitutë që e ushtronte zanatin e saj mes njerëzve të klasës së lartë dhe rendiste midis klientëve të saj disa prej trashëgimtarëve të dinastive industriale gjermane, u gjet e vdekur në apartamentin e saj në Frankfurt. E mbytur. Nga Kush? Ende sot nuk ka një përgjigje. Vrasja e saj shkaktoi skandalin e parë të vërtetë në Gjermaninë e mrekullisë ekonomike dhe e ktheu Rosemarie Nitribitt në prostitutën më të famshme të viteve ’50.

Tani, gjysmë shekulli më pas, rishfaqen transkriptimet origjinale të hetuesve, gjithsej 22 dokumente të fshehura për dhjetëvjeçarë, madje mungonin edhe në aktet e prokurorisë.

Ndonëse nuk e zgjidhin deri në fund misterin, aktet përmbajnë detaje interesante. P.sh. gjurmët e gishtave mbi shishen e hapur të verës “Beaujolais”, të gjetur në vendin e krimit, ishin të trashëgimtarit të familjes Krupp, Harald von Bohlen und Halbach. Në atë kohë, 40-vjeçari ishte një klient i Rosemarie dhe e kishte bërë zakon t’i dërgonte poezi. Policisë që e mori në pyetje i shpjegoi se kishte qenë në Essen në momentin kur kishte ndodhur vrasja, fjalë të cilat u  konfirmuan edhe nga persona të tjerë. Familja Krupp i druhej një skandali dhe ndërhyri për të mos lejuar që emri i saj të përfundonte në gazetat gjermane i lidhur me krimin.

1709967653

Midis të dyshuarve të marrë në pyetje nga policia ishte edhe  Gunter Sachs, fotograf, donzhuan dhe bashkëshorti i tretë i aktores franceze Brigitte Bardot (midis viteve 1966-1969). Në nëntor të vitit 1956 ai festoi 28-vjetorin e tij, një mbrëmje me shumë të ftuar meshkuj, por me pak gra. Dhe kështu Sachs hipi mbi makinën e tij sportive shkoi në Frankfurt dhe u kthye me Rosemarie Nitribitt, të cilën e prezantoi si Rebecca Wolf. Më pas, ai u largua nga festa me Rosemarie-n dhe shkoi në apartamentin e saj ku pati marrëdhënie me të dhe me një mikeshën e saj, Irene. Rosemarie nuk kërkoi pagesë, ndërsa Irene mori 50 marka. E njëta skenë u përsërit disa muaj më vonë.

Edhe Harald Quandt, anëtar i familjes Quandt, që sot kontrollon “BMW”, djali i martesës së parë të Magda Ritschel, e cila vuri kurorë  për së dyti me Josef Goebbels (ministër i Propagandës Naziste midis viteve 1933-1945), i tregoi policisë se kishte pasur raporte seksuale me Romarie-n.

Por i dyshuari kryesor për vrasjen ishte miku i saj, Heinz Pohlmann, i cili iu nënshtrua një procesi dhe u lirua për mungesë provash. Ai ishte i fundit që e kishte vizituar më 29 tetor. Disa ditë më vonë ai arriti të shlyente të gjithë borxhet dhe të blinte një makinë të shtrenjtë, por nuk shpjegonte dot origjinën e parave. U arrestua me akuzën e vrasjes, por u lirua në korrik të vitit 1960 për mungesë provash. Kur u bë e qartë se policët nuk ishin në gjendje të kapnin fajtorin, media akuzoi personalitetet e rangut të lartë se po përpiqeshin të manipulonin provat e zgjidhjes së krimit.

Shenjat e pangatërrueshme të Rosemarie : një qen qimepërdredhur i bardhë dhe “Mercedesi 190 Sl” i saj, me të cilat shkonte në kërkim të klientëve, nëpër rrugë dhe lokale. Historia e saj përfundoi në qendër të disa filmave dhe librave në Gjermani. /D.Gjuzi

 

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *