Kryetarja e Gjykatës së Lezhës, Ornela Naqellari u përball një ditë më parë me një seancë të dytë dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Kjo pas vendimit për rihapje të hetimeve për shkak të denoncimeve të reja të mbërritura në adresë të saj.
Denoncimet në emër të saj ishin për çështje që ajo kishte gjykuar apo kishte në gjykim dhe një denoncim shtesë nga kancelarja e Gjykatës së Lezhës, e cila po ashtu kishte bërë një sërë denoncimesh edhe në seancën e parë.
Por Naqellari ishte në gjendje të rrëzonte denoncimet e kancelares. Kjo e fundit e akuzonte se kishte qëndruar në hotele në pronësi të personve me të cilët kishte pasur çështje gjyqësore. Gjyqtarja solli argumente se në një prej rasteve nuk kishte qenë kurrë në ambientin e pretenduar, ndërsa në rastin tjetër solli prova se hoteli ku kishte kaluar pushimet me të fejuarin, nuk ishte në pronësi të personit me të cilin ajo kishte pasur çështje.
“Nxorra nga faqja online e Qendrës Kombëtare të Bizneseve se personi në fjalë nuk është as pronar, as ortak dhe as administrator i hotelit dhe se në emër të tij nuk ka asnjë biznes të kësaj natyre”, tha Naqellari.
Ndërkohë ajo vuri në dukje edhe dobësi të hetimit të KPK që duhej ta kishte kryer këtë verifikim para se t’i kalonte asaj barrën e provës.
Naqellari i shpjegoi gjykatës se për njërin prej denoncimeve, çështja ishte ende në gjykim prej saj dhe solli si provë praktikën e gjyqit, ndërsa për rastet e tjera ajo vuri në dispozicion vendimet që kishte marrë, duke shpjeguar se ndaj një pale që pretendohej se e kishte favorizuar, kishte marrë vendime kundër.
Pas shpjegimeve të gjyqtares, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori 15 minuta kohë dhe njoftoi vendim që e konfirmonte Naqellarin në detyrë, duke pranuar shpjegimet e saj.
Seanca e parë ndaj Naqellarit u zhvillua më 11 mars. Sipas relatores Suela Zhegu, deklarimet e saj përputhen sa i përket pjesës së saj takuese në tokat e familjes në Përmet, blerjes së bashku me të fejuarin të makinës së llojit “Skoda” si dhe të kursimeve me vlerë 250 mijë lekë.
Ndonëse deklarimeve të saj i mungonin detajet për vendbanimin, relatorja sqaroi se gjyqtarja Naqellari jetonte me qira në Tiranë. Edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoriati i KLD-së kishin dorëzuar raporte pozitive për kryegjyqtaren e Lezhës.
Nga 6 denoncime vetëm tre prej tyre u konsideruan se kishin hapsirë për diskutim. Naqellari përgënjeshtroi akuzat dhe dha argumentet e saj kundër tyre. Ajo shpjegoi arsyet e konfliktit me kancelaren dhe bëri me dije se kishte bërë kallëzim penal ndaj saj.
Ornela Naqellari e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2009. Ajo ka punuar si gjyqtare në Përmet dhe prej vitit 2016 e kryen funksionin e saj në Gjykatën e Lezhës.
b.b/dita

Tashti persa u informuame me kete debat pa kripe.I takon Kancelares te japin spjegime per pune minuese ndaj njerzve te ndershem ne detyre.Te dalin urgjentisht para KPK.Dhe te flaket si lecke e perdorun per mbrapeshtina te pa ndershme.Ideja e ime per te perballue dy anet e medaljes.Ana e medaljes se ornela Naqellarit rrezulton konfirmimin ne detyre.Ana tjeter e Medaljes,Kancelarja te perballet me KPK.