Moikom Zeqo
FOSHNJA QE U QUAJT GJON BUZUKU
Një foshnjë që lind mbart enigmën më të madhe dhe më të jashtëzakonshme të njerëzimit.
Ngjizja e fëmijës është diçka e pakonceptueshme dhe e pashpjegueshme deri në fund.
Në planetin Tokë kjo ngiizje duket madje si një rit vulgar, madje i përjashtuar nga meditimet filozofike të pafundme dhe nga poetika kozmike.
Gjenetistët e sotëm me shpirt të ftohtë dhe arsye matematike besojnë vetëm tek inxhinieria gjenetike, tek biologjia molekulare. Kurioziteti kështu bëhet më i panevojshëm se retorikat, frazat janë forma te boshatisura nga kuptimi i infinitit. Në një sekondë në planetin tonë lindin qindra mijëra fëmijë të racave të ndryshme.
Të lindurit është kaq i shpeshtë siç janë dukuritë metereologjike, rrëshqitja e akujve, stuhia e rërës, vetëtimat pa shi, rënia e gjetheve, ngordhja e gjarpërinjve apo lufta për jetë a vdekje e një jaguari me një antilopë. Me një syshikim akoma më vulgar lindja e fëmijëve është gati si të tështiturit, përdorimi i kartë kreditit, të ofenduarit me shkak ose pa shkak, çmënduria, menstruacionet, ëndrrat dhe tiket nervore. Lindja e një fëmije është habia më e madhe dhe më e papërsëritëshme. Vetëdija jonë për këtë gjë është tepër e mangët, konfuze dhe shpesh nekrofilike. Nuk ka si spjegohet ngulmimi idiotesk për abortin, apo për eutonazinë.
Ka dhe një çmenduri tjetër të tejskajëshme që është vetvrasja, pavarësisht me tabutë e feve dhe kodet konvencionale moralistike.
Lindja e fëmijëve ndodh sepse ekziston vetë njerëzimi, sepse edhe një njeri i vetëm është vetë njerëzimi.
Sekreti i jetës është një sekret llahtarisht e pakrahasimisht i rrallë, në një vetmi absolute dhe të frikëshme. Kjo për faktin e padiskutueshëm se ky sekret i jetës mbase nuk ekziston tek planetet e tjerë në galaktikën tonë, por dhe ndodhta në galaktika të tjera. Lindja e një fëmijë në planetin Jupiter nuk ekziston. Ç’kuptim ka yjësia e Arushës së Madhe, apo Udha e Qumështit, ku në to ngjizja e një fëmije është diçka absolutisht e paimagjinueshme?
Dhe ja erdhi çuditërisht koha kur fëmijët mund të konceptohen dhe të linden në laborator, erdhi kështu Apokalipsi i Klonimit, Fataliteti i Shumëzimit, qoftë edhe i Inteligjencës Artificiale.
Të gjitha këto na hutojnë, na zbehin, na trondisin, na marrosin, na tjetërsojnë.
E megjithatë lindja e një fëmije është më shumë nga të gjitha teknologjitë madhështore, mrekullitë paradoksale të shkencës dhe politizimit zoologjik i dijes dhe eksperimentit. Te lindja e një fëmije është zanafilla e lindjes së vetë popullit. Askush nuk e di saktësisht këtë zanafillë.
Mbase nuk do të mësohet kurrë saktësisht dhe intimisht kjo gjë.
Mbase vetë lindja e jetës do të jetë përherë e mbështjellë nga guacka agnosticiste, pavarësisht nga një tjetër guackë transcedentale.
Mbase emrin e Darvinit do ta zhdukim fare nga kujtesa e njerëzimit, por kjo nuk do të thotë se emri i Adamit dhe Evës do të shpjegojë të pashpjegueshmen.
Po as teknika blasfemuese e klonimit nuk do të arrijë të na qetësojë shpirtrat e trazuar. Gjithçka është e ndërlidhur dhe kontradiktore.
Përtej çdo trilli heraklitian, apo të kuptimit të paradokseve sipas Soren Kirkegardit ne të gjithë më tepër të pafuqishëm se sa të pavemendshëm, mundet që të ndërtojmë një ide të përafërt, që ka të bëjë më tepër me jetën se sa me vdekjen. Dhe vetëm kështu mund të arrijmë një çast fatlum por i vonuar për të kuptuar i tërë njerëzimi, se pikërisht lindja e një fëmije është gjëja më e rëndësishme e vetë ekzistencës së mbijetesës së njerëzimit.
Një parafjalë e tillë na hap një derë të mbyllur.
Duke kapërcyer pragun e kësaj dere, që është e dyfishtë materiale dhe mendore ne mund të parafytyrojmë lindjen e kombit shqiptar jo aq shumë të ndryshëm nga kombet e tjerë, por do ta kemi megjithatë shumë vështirë për të mësuar veçantitë dhe origjinalitetin e kombit tonë. Biopolitika e kapërcyer, gjenetikat racore të mitizuara kanë krijuar mite të llahtarshme.
Megjithatë kombet kanë një gjë esenciale të përbashkët: karakterin e pamohueshëm antropologjik. Jeta njerëzore është më tepër antropologjike, kurse kulturat dhe qytetërimet janë pjesë të saj, janë predikate të vetëkuptueshme. Por kjo s’do të thotë aspak se dija nuk do të merret dhe nuk ka pse të merret me zanafillën shkencore antropologjike të kombit shqiptar.
Arkeologët prehistorianë janë ngulmues deri në fund si dedektivët kriminalistë.
Ka një arsye përtë mos e shpërdoruar këtë ngjajshmëri. Por ka dhe një arsye gjithashtu, që struktura e dijes së etnogjenezës tu ngjajë ekuacioneve matematikore, pavarësisht nga emocionet dhe interesat e politizuara të krejt historisë njerëzore.
Një antropologji strukturaliste është një dimension i rëndësishëm i dijes. Arkeologjia prehistorike jep shpjegimin e saj të mangët. Por eshte dhe gjuhësia, dija e studimit të gjuhëve, që plotëson diçka herë-herë më të mangët se sa e studimit të objekteve inertë. Pse e them këtë? Për të mos u keqkuptuar. Për të mos qenë fatalist në mosdijen time, që është njëkohësisht dhe mosdije e të tjerëve sepse në fund të fundit lindja e një fëmije është vetvetiu dhe lindja e një qënie gjuhëfolëse.
Një fëmijë shqiptar lind potencialisht shqipfolës.
Mund të mos bëhet i tillë në një mjedis tjetër. Zanafilla e njeriut është në substancë zanafilla e gjuhës së tij. Madje çdo fëmijë është një qënie që potencialisht mund t’i mësojë të gjith gjuhët e popullit. Kjo shpjegon pse thashë pse çdo fëmijë lind si njerëzim. Këtu koncepti i Platonit për Njëshin dhe Shumësinë nuk ka asnjë dallim veçes dhe përjashtues në vetvete. Unë po bëj librin tim, pa patur frikë dhe as xhelozi për të tjerët, që bëjnë librat e tyre. Keshtu ky libër per Buzukun, i kushtohet një fëmije të lindur në shek.XVI. Ky që fare mirë mund të kishte lindur dhe në shek..VI.
Ky fëmijë u quajt Gjon Buzuku, ose më saktë është mbiquajtur i tillë sepse në lindjen e tij, (datën e saktë të kësaj lindjeje kurrë nuk do ta marrim vesh), prindërit e përkorë, që kanë patur dikur emra, por sot janë anonimë, mund t’i kenë vënë një emër tjetër që ka humbur. Sipas ritit kishtar në një etapë të dytë të jetës njeriu merr emrin e tij të dytë. Pa dyshim që emri i Gjon Buzukut është emri i tij i dytë. Pra ne mund të flasim vetëm për këtë emër të dytë, fantazia jonë është e pafuqishme të mësojmë atë që nuk mund të mësohet dot. Si mund të shkruhet vallë jeta vetiake e Gjon Buzukut? Ç’mund të kuptojmë ne diçka substanciale dhe vërtet të saktë për jetën e tij? Në fillimin e mijëvjeçarit të tretë jemi tejet krenarë dhe madhështorë për mundësitë e pakufishme të fantazisë, të ribërjes mendore të shekujve dhe të të së kaluarës që nuk e kemi jetuar asnjëherë. Mund të rikthehehmi në shek.XVI. Madje kjo mund të na duket një gjë relativisht më e lehtë dhe më e thjeshtë. Sepse guximi ynë është akoma më i paturpshëm dhe më sfidues, i jemi rikthyer shpesh edhe në shekullin e luftës së Trojës, në epokën e artë të princërve të Mikenës, në epokat dinastike dhe hijerënda të fareonëve në luginën e Mbretërve, ne shekullin njerëzimndryshues dhe mesianik të kryqëzimit të Krishtit, në çastet e agonisë së shenjtë të Princit Buda, në kohën e ndërtimit të qytetit më të lartë amlor Manku Pinçu të Astekëve, bile dhe në parambytjen e Atlantidës fabulore, në ngritjen e Murit të Madh Kinez, Kështjellës së Alamudit, apo të çastit të vdekjes së Çingiz Kanit, të poeteshës lezbike Safo, të Heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu, të piktorit Van Gogu, të Ajnshtajnit, dhe të Merilin Monrosë.
Ky rikthim është me sa duket i përjetshëm, është një grishje e papërballueshme. Kështu le të kënaqemi me iluzionin e kohës. Lë të flasim për vetëvrasjen e Kleopatrës apo për Aleksandrin e Madh sikur t’i kemi takuar vetë madje dimë dhe hobitë dhe veset e tyre sikur t’i kemi pasur shokë klase në adoleshencën tonë.
Historianët janë kështu të pakorigjueshëm dhe iluzionistët më kokëfortë.
Librat e tyre janë në një farë mënyre alibia e përkohëshme për të kaluarën e të hershmen. Unë gjoja nuk i takoj racës së historianëve,- ndonëse historia më ka torturuar, më ka gllabëruar, -por besoj nuk më ka tjetërsuar.
Nuk di ta shpjegoj këtë gjë por në fund të fundit nuk e vras mendjen shumë për këtë shpjegim të panevojshëm.
Dikur arketipi Plutarkian i jetës së heronjve dhe njerëzve të shquar më ka ngacmuar.
Plutarku më është dukur gjithmonë interesant, si një ciceron që flet për statujat e një muzeu arkeologjik dhe gjoja beson se këto statuja janë njerëz të gjallë, por që pozojnë si njerëz të ngrirë.
Indi qelizor dhe indi i mermerit kinse janë e njejta gjë.
Plutarku më ka çuditur sepse mendon që personalitetet në histori janë përherë si formula dyshe e binjakëve dioskurë. Kështu ai krijon jetët paralele të njerëzve të ndryshëm por që ngjasojnë për nga karakteri dhe nga veprimet e tyre të pashlyeshme. Mundet që teza e jetëve paralele të jetë tepër grishëse, madje një tipologji strukturaliste e kahershme, një lloj matematizimi i qënieve të gjalla, një klasifikim mendelejevjan i historisë. Çdo aventurë mendore më tërheq, por në çastin e duhur unë shmangem, jo aq nga moskuptimi, se sa nga mosdurimi.
Duke qenë i ndërlikuar në fund të fundit ngulmoj tek gjërat e thjeshta më shumë seç duhet, bile në mënyrë të pakuptueshme dhe ta pajustifikuar.
Me kalimin e kohës duke studjuar seriozisht jam bërë me skeptik dhe padurimi im është shtuar më tepër. Kjo është arsyeja, që e nderoj por nuk më tërheq më brutalja.
Duke u marrë për një kohë të gjatë me Onufrin unë ju shmanga apologjisë, kurse Plutarku dihet është mbreti i Apologjive.
Përvoja me Onufrin mbase më ka dëmtuar, duke më dhënë një plotfuqishmëri të të menduarit edhe më ka kufizuar, por s’kam çtë bëj, sepse jam ai që jam, më pëlqen përherë të dlirësohem por asnjëherë të skllavërohëm nga tabutë e mendimit apo strukturat ideore të gatshme.
Meqenëse Onufri i takon shek.XVI vetvetiu unë duhet të kërkoja gjurmët e të tjerëve në këtë shekull. Janë tre viganë të cilëve ne shpesh u kemi veshur kostume liliputësh, këta janë Marin Barleti, Onufri dhe Gjon Buzuku.
A ka të tjerë?
Dhe sikur të kishte shek XVI nuk është se do të bëhej më interesant.
E përmenda këtë Trinitet sepse shkrimtarët dhe studjuesit janë më së shumti rrobaqepës matrapazë.
Më shpesh thurrin dhe bëjnë kostume gjigandësh për liliputë .( 2000)
PARABUZUKIANET
Gjon Buzuku është artikuluar gjithmonë si një Fillim i Madh, botëftillëzues.
Është quajtur gati si një Zanafillë biblike e shkronjëzimit të shqipes. Metafora përcaktuese në këtë cak është e pashmangshme është e qartë por e hapur, e prekshme, e lëvizshme, e epërshme për hulumtime diturake, madje edhe me një grishje fantazmagorike të mendëtarëve të paepur. Të shumtë padyshim janë prijetarët, rrugëhapësit e përgjëruar. Nën koren e bronztë të heshtjes mundtë gjejmë akoma prushin e pashuar ende të pakthyer përfundimisht në hi. Parabuzukianët ekzistojnë. Ata janë pikërisht sepse kanë qenë. Ata nukmund t’i shpikin pavarësisht se pafuqia jonë e njohur e zbulimit është e njohur, ç’ka do të thotë se panjohshmëria e tyre nuk është absurde. Parabuzukianët janë pa zë, ashtu si kafkat e lashta janë substanca kockore të njerëzve të gjallë që kishin zë. Parabuzukianët janë të shpërndarë në thellësitë e undergraund të mijëvjeçarëve. Të madhërishëm ata mbajnë të koncentruar në skeletet e tyre enigma fosforeshente, shkëlqimet e befta dhe të zbehta të tyre janë skllavëruar egërsisht dhe pakuptim nga terri, mosdija, moskuptimi. Parabuzukianët janë një çetë e tërë e shndërruar në strall apo në rërë, hirin e tyre e kanë rrëmbyer ujëvarat, kockat e tyre janë gurëzuar nga katastrofat, emrat u kanë humbur sipas një ligjësie të hatashme që ndodh edhe me humbjen e gjatë të emrave të statujave dhe artistëve të tyre. Kam dëshirë, mall, jam i torturuar nga kurreshtja e shenjtë, jam i dëshpëruar nga ankthi për t’i ngritur ata nga pllajat, cërkat, rreshpet e pyllëzuara në breglumenjtë dhe bregdetet plot cërka dhe kaos shkatërrimi. Mund të shkohet drejt tyre me ide, në rrugëtime mendimi, në rrotullime ëndrrash e shpresash.
Mundet që nga pragnisja kalendarike, konvencionale, utilitare, e Mijëvjeçarit të Tretë të çoj figurën prej shpirti pa kocka dhe pa mish, pa portret dhe pa veshje të vetë Gjon Buzukut ashtu si dikur hyjnitë olimpike dërgonin lajmëtarin e tyre me sandale krahëfluturuese të Hermesit.
Ky Buzuk – Hermes fluturon, bën trajektore dhe flurudha në qiej duke lënë pas ylbere hamendjesh dhe debatesh.
Kur fryjnë flladet dhe erërat ne nuk duhet t’i besojmë vetëm meteorologjisë, por ta kuptojmë këtë gjë edhe nga lëvizja e pandërprerë e shpirtit që nuk gjen qetësi, që afrohet dhe largohet me shpejtësi në mënyrë të beftë në vapën e plogështisë sonë, në strëlodhjen dhe në pleqërinë tonë të parakohshme, duke na nomatisur për të na larguar sklerozat dhe pluhurëzimin e kujtesave.
Ja pra që ne përherë mund të nisim një udhëtim.
Ky udhëtim është gjithçka, sepse asnjëherë nuk mund të jetë asgjë.
Ky udhëtim na ribën të gjithëve në një botë trasncedentale, mendojmë se paraardhësit padyshim mund të quhen që të gjithë parabuzkianë, sepse pasbuzukianët vërtet i kanë çliruar këmbët e plagosura nga çarqet e egra por gjithësesi në shumicën e rasteve kanë emra.
Parabuzukianët janë gjithmonë diku sepse zanafilla e një populli është më e tejjetshme dhe më e vërtetë se sa kalendarët. Dijetarët e zymtë dhe krenarë, historianët e pafrikshëm dhe paranojakë, filologët e rreptë por dhe gnostikë e dinë se sipërfaqja e sendeve mbulon vetëm thelbin e tyre, se gjithëkohshmëria është e pamatshme dhe se skrupoloziteti është i pamjaftueshëm, i cekët, zhgënjyes, mankthprurës, se kufizueshmëria e jetëve biologjike është një fatalitet fizik por jo shpirtëror.
Ka libra dhe studime që rreken të rindërtojnë arkeologjinë madje dhe prehistorinë e gjuhës dhe të shkrimit. Këto aventura diturake janë të pranishme dhe na sjellin ngushëllime të vogla por të qarta. Çdo rindërtim mbi ide është një rikthim në kohë por dhe në hapësirë. Kështu i bëjmë një sfidë infinitit dhe përpiqemi të përballemi me totemin apo dhe tabunë e “sendit në vetvete” kantian.
Libri im për Buzukun është një lloj rebelimi që nuk duhet keqkuptuar.
I çliruar nga iluzionet unë përpiqem të moskllavërohem përfundimisht nga pafundësitë. I dua parabuzukianët ashtu si në një seancë spiritizmi një medium kërkon ndërlidhje tragjikisht të ndërprerë. Por nuk jam medium, i urrej shtirrjet dhe akrobacitë e prestigjatorëve të panaireve. Naiviteti është përherë utopik, por gjithsesi shpesh na ribashkon. Ne nuk mund të ecim përpara pa u kthyer prapa. Ne nuk mund të jetojmë pa të vdekurit, sepse të vdekurit mund të ringjallen edhe kur ne vetë vdesim. Ky panteizëm i ndritshëm, jo vetëm na mbështjell nga jashtë por dhe na shpërthen nga brenda.
Grafikisht, dy spiralet e ADN janë shkrimi më i kryehershëm gjenetiki qenieve njerëzore që mbart edhe shkrimet qoftë piktografike, qoftë fonetike.
Nëse në ditët e sotme u sbulua harta e kromozomeve, e geneve, me një fjalë tabela e mendelejeviane e gjenetikës së njeriut nuk ka pse të mos shpresojmë edhe për një pasqyrë të koduar gjenetike të gjuhës.
Në këtë kuptim Buzuku është një kod i kodeve, duke qenë një fillimështë njëkohësisht edhe një fund i madhi fillimive të tjera më të hershme.
Kjo dialektikë nuk mund të mohohet.

Te pakten ky nuk ben dem.
Demo dem ben ti si i ditur i dynjase. Merru me nje pune te hajrit mjaft germove e sulmove krijuesit.