Për Danten dhe ameshimin e librave

Leda Hysa

MOIKOM ZEQO

SHKRIMTARI X3Z

Shkrimtari X3Z ishte ende i zgjuar në mesnatë.

Përballë tij qe letra e bardhë.

Ai nisi të shkruante diçka.

Diçka për kuptimin e gjërave.

Imagjinata e tij qe e skajshme, por ai synonte tek një abstragim i saj.

 X3Z shkroi si në ethe këto rreshta: Kuptimi? Ç’është kuptimi?

Ne përjetojmë ngjarje. Brenda tyre është kuptimi. Kuptimi është gravitacioni i kthyer në substancë – shpirti pa trup – fantazma më me vlerë se sa origjinali, – mali i gjeometrizuar në piramidë, – sfera e përgjithshme e bërë trekëmbësh i veçantë – guri paemër i shndërruar në kult hyjnor i një emri, – më saktë emri i panjohur i një realiteti të panjohur.

Kuptimi i botës? Thjesht një ide? Pse ekzistenca është një kacafytje idesh konfuze? Diçka kontradiktore.

Idea e jetës?

Një koleksion i rremë frymëmarrjesh?

Kuptimi i librave? Një rishkrim i pafund asaj që ishte ndaj edhe është dhe s’dihet në do të jetë?

Kuptimi i artit? Një ndjesi e vagullt estetike? Emocione të stimuluara? Një kujtesë e rreme e historisë?

Ç’është kuptimi i një luleje efemere? Po kuptimi i një ylli milionashekullor?

Ç’është kuptimi i një xixëllonje? Po kuptimi i shpërthimit në Hiroshimë?

Ç’është kuptimi i një krimi? Po kuptimi i therjes së kafshëve për ushqim? A s’janë e njëjta gjë?

Ç’është kuptimi i një anije të mbytur? Po kuptimi i një ëndrre të parealizuar?

Ç’është kuptimi i një aureole? Po kuptimi i një unaze martese?

Po kuptimi i bukës së brerë nga krimbat?

Ç’është kuptimi i një ore? Po kuptimi i kohës?

A ka hapësirë pa kohë?

Po kohë pa hapësirë?

Ç’është shija e frutave?

Po shija e mendimit të fjalëve?

Shkrimtari X3Z la stilolapsin mbi letrën e shkruar.

Pyetjet s’kanë fund se përgjigjet s’kanë fund.

Kam shkruar libra,mendoi. Libra që përshkruajnë ngjarje. Ngjarjet e jetuara dyzohen në ngjarje të shkruara. Pse? Kaq e domosdoshme është? Letërsia është një shumëfishim. Esenca është edhe pa të. Letërsia e subjektivizon historinë. Diçka groteske. Abstragimi i koncentron gjërat. Mendimi është kudo. I padukshëm. Shkrimi e bën të dukshëm. E grafikizon. Po edhe alfabetet janë abstragim.

Shkrimi është kurthi i mendimeve.

Shkrimtari X3Z psherëtiu. Kam kaq vite që shkruaj. Por mendimi më shpëton nga duart. Më ikën, i pakapshëm, përherë rrëshqitës. Mund të shkruhen shumë libra. Por asnjë të mos mbetet.

Letra e librave është katastrofa e drurëve. Ah.

Shkrimtari X3Z nuk kishte asnjë delir për veten.

Ai kishte shkruar libra rregullisht, por që s’kishin tërhequr vëmendje. Kjo nuk e trishtonte. As e revoltonte. Ai kryente një proces, as më pak, as më shumë. Ai ishte njeri normal. Nuk kishte shpërthime. As ambicie të mëdha. Qe i sjellshëm, aspak konfliktual. Një qenie e pranueshme. Thjesht një qenie njerëzore.

I pëlqente të jetonte.

Madje i pëlqente shumë të jetonte.

Jeta s’përsëritet më.

Jeta është më e rëndësishme se librat.

Shkrimtari X3Z pa orën e murit: 2 e 37’ mbas mesnatës.

Duhet të fle, mendoi, të qetësohem.

Megjithatë e kish frikë gjumin.

Sa herë shtrihej në shtrat e ndjente se gjumi do të merrte në dorëzim trurin dhe trupin e tij. Gjumi qe i pamposhtur, përherë triumfues. Por gjumi nuk njihte asnjë marrëveshje paraprake. Gjumi nuk garanton asgjë nëse do të ishte e sigurt se do të ngrihej i gjallë nga shtrati pas zgjimit. Shumë njerëz kanë vdekur në gjumë. Të vetëdijshëm para gjumit dhe asgjë në gjumë. Ah.

Gjumi është forma fantazmore e vdekjes.

Me një dinakëri të fshehtë.

Shkrimtarin X3Z e trembte kjo dinakëri. Nuk e donte. E urrente.

Ah. Gjumi është pashmangësia e vdekjes.

Shkrimtari X3Z megjithatë u shtri në shtrat.

Mbylli sytë.

A do të shoh ëndrra, mendoi. Një natë kish parë në ëndërr vdekjen e tij. Shtrati qe shndërruar në arkivol. Kurora me lule, njerëzit e trishtuar të familjes, të afërmit, kolegët. Një koleg mbajti fjalimin mortor. Foli për të, për jetën e tij si shkrimtar, për librat, për humbjen e madhe që pëson kultura me vdekjen e shkrimtarit, të talentuar dhe fisnik, familjar dhe shoqëror. Ai në ëndërr e dëgjonte me etje dhe kuriozitet këtë fjalim të fundit i përkëdhelur në sedër. Por ai e dinte se fjalët i merr era, humbasin, treten.

Atë e varrosën si një shkrimtar. Po a ishte në të vërtetë ai shkrimtar? Librat s’të bëjnë shkrimtar. Vdekja është harresa. Për çdo shkrimtar. Po për atë? Ah.

Librat janë iluzion i amshimit.

Ndërkohë edhe ëndrra edhe vdekja janë iluzione të njëra tjetrës.

Pra edhe iluzione të iluzionit të amshimit. Ah.

Shkrimtari X3Z ishte ende i vetëdijshëm përpara kaosit dhe turbullirës së hirtë dhe pa përmasa të gjumit.

Ai i përkiste rendit të përkohshmërisë. Po kjo nuk e shqetësonte. Ai ishte si shumica. Si shumica absolute e vdekatarëve.

Pse të shqetësohej? Në djall shqetësimi? Pse ta torturonte veten?

Shkrimtari X3Z qe gati ta zinte gjumi. Një dorëzim pa kushte, pa arsyetim dhe pa emocione. Pa asnjë kujtesë.

Para se të humbiste në humbëtirë, në hiç ju kujtua një mendim i Plotinit, filozof i harruar. Ai thotë: “Kujtesa është për ata që kanë harruar, ose harrojnë. Zotat nuk kanë kujtesë, sepse ata nuk kanë nevojë të harrojnë. Zotat nuk kanë kujtesë, sepse ata nuk e njohin kohën, nuk e ndjejnë nevojën të luftojnë kundër kohës, nuk janë fragmente të asaj që ka humbur për ta krijuar, ose rikrijuar kohën” Në këtë pikë vdekatarët e zakonshëm janë më të ngjashëm, dhe po aq të neveritshëm dhe të kotë sa vetë zotat. Ah.

Shkrimtari X3Z mori frymë thellë.

E pushtoi një indiferencë totale.

Gjumi po afrohej mbi të.

Gjumi sikur buronte nga muret, nga hapësira përtej mureve, mbi librat e dhomës, mbi letrat e shkruara, mbi akrepat e orës, mbi këpucët e hequra mbi dysheme, mbi syzet optike mbi komodinë, mbi abazhurin, mbi gjithçka. Ai qe i ngadaltë dhe pa peshë, i padukshëm dhe autoritar, zotërues pa emër dhe pa heraldika i universit, jashtë dhe brenda.

Gjumi, gjumi!

Absolut dhe i hiçtë.

 Gjumi i infinitit, pa përmasa, pa kohë dhe pa hapësirë. Ah.(Durrës 17 shkurt 1994)

TAKIMI I DYTË

Më 1320, Dante Alighieri, 55 vjeç, lëvizte në rrugët e Ravenës.

Njerëzit e shihnin me adhurim dhe frikë të shenjtë.

Ky njeri ka udhëtuar dhe është kthyer i gjallë nga Ferri, thoshin ata, përherë të çmeritur dhe naivë.

Por Dante nuk kishte qenë asnjëherë në Ferr.

Udhëtimi i tij i trilluar qe një gënjeshtër misterioze.

Por i solli një famë të jashtëzakonshme.

Dantja qe i lodhur nga jeta.

Poezia e kishte sfilitur dhe mplakur.

Shkoi tek katedralja e Ravenës.

Vinte shpesh këtu për të parë mozaikët e famshëm dhe tronditës të perandorit të Bizantit, Justinianit dhe të gruas së tij Teodorës. Mozaikë të shekullit të VI. Të pabesueshëm, intime dhe autokratikë.

Në dyshemenë e katedrales lëviznin vdekatarët e zakonshëm (Ferri), në lartësinë e mureve të mëdha qenë mozaikët perandorakë (Purgatori) dhe në kupolë mozaikët me figurën e Jezu Krishtit (Parajsa).

Dantja kishte përherë një Trinitet Vizionesh. Por kjo gjë në fakt e torturonte. Ah.

Mjedisi vigan i katedrales qe gati bosh.

 

Tek një stol përballë altarit qe ulur një grua që po lutej.

Ç’është kjo grua, tha me vete Dantja. Një grua e panjohur. Mbante mbi kokë një vel mëndafshi jeshil.

Befas veli rrëshqiti dhe Dantja pa nga pas flokët e saj të gjatë që i rrëshqisnin mbi shpinë, mes supeve delikate.

Dantja ndjeu një ngulç.

Këmbët i lëvizën vetvetiu.

S’e përmbante veten.

Ju afrua gruas.

Ajo ktheu kokën dhe e pa. Fytyra e saj qe e bukur.

Por kjo fytyrë nuk i sillte asgjë ndërmend Dantes. Megjithatë ndjente diçka tërheqëse, të brendshme për këtë grua. Fytyra e saj shprehte një vetmi të pafund. Një vetmi rrënuese dhe të rrezikshme.

Dantja e përshëndeti.

Ajo ja ktheu përshëndetjen duke tundur lehtë kokën.

Ç’ishte kjo grua? Pse lutej në katedrale?

– Pse po lutesh, guxoi dhe e pyeti Dantja gruan.

Ajo nuk iu përgjigj menjëherë.

Çastet që ajo ndenji e heshtur Dantes ju dukën sa disa shekuj.

– Për Teodorën, tha më në fund ajo me një kumboz dhe të qetë.

– Për Teodorën? Perandoreshën?

– Për Teodorën e Bizantit. E shoh në skenën e mozaikut mes oborrtarëve të saj. Fytyra e saj tregon trishtim të thellë. Pse vallë?

– Trishtim të thellë?

– Shumë të thellë. A besoni edhe ju se ajo qe një shenjtore e kishës?

– Një shenjtore e kishës? Ajo ka qenë një fetare e devotshme. Një grua e jashtëzakonshme. Tepër autoritare. Me pushtet të pakufizuar. I shoqi, Justiniani e ka adhuruar. Inteligjente dhe tepër e zgjuar ajo i njihte ungjijtë dhe madje qe edhe një teologe, diskutonte me priftërinjtë dhe patrikët e Kostandinopojës e mendimi i saj vendoste mbi çështjet e ndërlikuara fetare si konkluzion i debateve.

– Por po ju pyes përsëri: a besoni ju se Teodora qe shenjtore e vërtetë?

Dantja u shtang. Pastaj u nervozua. Si guxonte kjo grua të pyeste kaq haptas? Ç’dreqin është kjo grua?

– S’i përgjigjem dot kësaj pyetjeje, tha Dantja.

– As unë. Ndaj lutem për Teodorën. Çdo shenjtore është e kënaqur. Teodora nuk është. Kjo duket qartë. Për kohën kur jetoi dhe në shekuj të shekujve. Asnjë shenjtore e kishës nuk ka një portret kaq madhështor dhe të paharruar si Teodora.

Brenda Dantes regëtiu, u shpërfaq, lëvizi historia dhe epokat.

Fjalët e gruas e ndërlidhën me disa kuptime të hareshme dhe të fshehura.

Në rini Teodora qe një femër me bukuri mahnitëse, qe artiste dhe kurtizane. Derisa u takua rastësisht me Justinianin e ri. Ai ra në dashuri të papërballueshme me Teodorën. Ajo qe nga një rang i ulët, rang i përbuzshëm.

Justiniani nuk pyeti askënd.

Si perandor e quante veten të Zgjedhurin e Zotit.

U mbyll në vete. Meditoi gjatë. Teodora nuk kishte “gjak të purpurt” dmth gjak perandorak. Historitë e saj të seksit qenë skandaloze.

Justiniani e rilexoi shumë herë në ungjill parabolën e Maria Magdalenës mëkatare me Jezu Krishtin. Parabolë profetike. Një parabolë për të dhe Teodorën. Pa këtë grua jeta s’kish kuptim. Pra edhe perandoria s’kish kuptim. Por kuptimin më të paskajshëm mistik e mbartin paradokset. Pa paradokset mistika s’është asgjë. Kodet e rregullta janë rutinorë.

Justiniani e theu kodin perandorak dhe atë të kishës, u martua me Teodorën dhe e shpalli Perandoreshë, madje të barabartë me veten në pushtet. Dhe Teodora u tregua një Perandoreshë e madhe, e pakrahasueshme.

Maria Magdalena u bë shenjtore.

Po Teodora a qe një shenjtore? Kjo dilemë është e bezdisshme, ndonëse grishëse. Ah.

Gruaja ngriti duart për t’u lutur përsëri.

Dantja pa në lëkurën e krahut të djathtë tatuazhin e dy germave AD.

Dantja e dinte se këto germa në latinisht donin të thonin ANO DOMINI, dmth VITET E ZOTIT. Fjalë që përcaktonin kalendarin e krishterë. Historinë pas kryqëzimit të Jezu Krishtit.

– Ç’janë këto germa në krahun tuaj, e pyeti Dantja gruan.

– Një tatuazh që e kam bërë kur isha e re, shumë e re.

– Ju jeni një murgeshë? Ndonëse nga rrobat s’dukeni si një murgeshë.

– Kam qenë murgeshë, tani s’jam më. Unë jam thjesht një mëkatare. Madje e padenjë as për t’u lutur përballë Zotit. Ky tatuazh është një sekret intim i jetës time.

Unë kam lindur në Firence nga një familje fisnike. Në moshën 9-10 vjeç e takova një burrë të ri që më mahniti tërësisht. Nuk qe i bukur por personaliteti i tij kishte një tërheqje të madhe. Ai më tha fjalë të paharruara, që s’m’i kish thënë dhe nuk m’i tha tërë jetën askush.

Më vonë familja më martoi me një burrë po të një familje fisnike që nuk e desha kurrë. E braktisa dhe u futa shumë vjet në një manastir grash në Romë.

Aty pësova një zhgënjim të rëndë. Priftërinjtë bënin orgji seksuale me murgeshat. Kuptohet, bëra edhe unë. U bëra e dashura e fshehtë e një kardinali. Kardinali qe i rreptë, por shkruante poezi që m’i lexonte por unë nuk i kuptoja, se nuk i pëlqeja.

Me vite jetova kështu. Pastaj u shkëputa.

Erdha në Ravena për të harruar gjithçka. Për të filluar një jetë të re.

Ndrova dhe emrin. Tani quhem edhe unë Teodora. Kam një pallat timin këtu në Ravena, pasuri dhe shumë shërbëtorë.

Por nuk jam e lumtur.

S’ka se si të jem e lumtur.

– Në më lejohet të të pyes Teodora , si e keni patur emrin tuaj të parë?

– Ah, të lutem! Nuk e them. Nuk dua ta them. Është një emër i vdekur përgjithmonë. Një emër i vdekur i ëndrrave të vdekura. Një emër që s’dua ta kujtoj. Një emër që më tmerron. S’ua them dot, s’ua them dot…

– Keni të drejtë. Po a mund të vij t’ju takoj në pallatin tuaj? Ku ndodhet ky pallat?

Gruaja nënqeshi.

Kjo nënqeshje i shfytyroi tiparet e saj në tipare demoniake.

– Ju keni dëshirë të vini tek unë? Por cili jeni ju?

– Unë? Një burrë i vetmuar. Me një jetë të mbrapshtë. Jam një poet ose një askush.

– Ah, poet? Ahere ndryshon puna. Dalim jashtë ju lutem.

Gruaja u ngrit.

Duke dalë nga porta e Katedrales silueta e saj u bë më e errët nga brenda për t’u bërë më e shndritshme nga jashtë.

Dantja e ndoqi si somnambul.

Mbasi dolën tek shkallët e katedrales gruaja i hodhi Dantes një vështrim tinzar.

– S’doja të flisja brenda shtëpisë së Zotit. Pallati im ka te porta një fener të kuq. Unë jam padrone e një shtëpie kurtizanesh, ku vijnë papërjashtim të gjithë. Mund të vini edhe ju! Mirupafshim!

Në çastin e ndarjes Dantja i shastisur pa me një të mijtën e sekondës inicialet AD në llërën e gruas. Gruaja u zhduk sikur të mos kishte qenë kurrë.

Dantja ndjeu një boshllëk. Koha dhe hapësira nuk ekzistonin më. Ishte vetëm ai, Dantja. As Ravena, as gjithë qytetet e botës, as toka dhe as qielli.

Ah germat fatale AD, AD, AD. Mbrapsht (sepse çdo gjë në këtë botë qe mbrapsh!) lexoheshin DA. Inicialet e tij të nëmura: Dante Alighieri.

Pra gruaja e transformuar qe Beatriçja.

As ai nuk e njohu, as ajo nuk e njohu. Në projektin hyjnor qe futur një harresë fatale. Dantja Beatriçen e takimit të parë nuk e harroi.

U tha se mbas martesës së pafat ajo kishte vdekur herët. Në fakt familja e saj e kishte shpikur “vdekjen” e saj, sepse ajo qe arratisur, duke braktisur identitetin e saj.

Takimi i dytë me Beatriçen qe akoma më i pakuptueshëm (përsëri pjesë e projektit hyjnor). Sepse e vërteta qe ndryshe. Më e plotfuqishme se Dantja dhe vargjet e tij. E vërteta e pakundërshtueshme dhe sfiduese. E padukshmja më e fortë se e dukshmja.

Mijëra mozaikë vezullues dhe të artë të Justinianit dhe të Teodorës rrotulloheshin brenda kafkës së Dantes. Kishte në këtë rrotullim një ironi përbuzëse dhe hokatare.

Ajo që kishte ndodhur në shekullin VI nuk i parapriu asaj që ndodhi në shekullin XIII. Shëmbëlltyrat nuk përputheshin. Përplaseshin!

Zoti i ka të qarta misteret e tij, por njeriu jo.

Njeriu përafrohet me Zotin, por s‘janë identikë asnjëherë.

Është si një udhëtim, ku nuk arrihet askund. Vetëm lëvizje dhe asgjë tjetër.

Nuk do të ketë një takim të tretë.

Takimi i dytë anulonte dhe shpërbënte të parin. S’qe nevoja për një të tretë. E pse duhej?

Justiniani kishte ndërtuar Shën Sofinë në Kostandinopojë dhe kur hyri në portat e saj klithi: Ta kalova Solomon!

Dantja kishte ndërtuar një katedrale të trefishtë poetike por nuk klithi dot për t’ju mburrur shekujve apo tërë racës fantaziste të poetëve.

As vetvetes!

Historinë e kësaj ngjarjeje në Ravenë nuk e ka regjistruar askush.

Dantja shkoi në banesën e tij kaq i heshtur sikur i kishte harruar tërë fjalët.

Nuk zuri penë të shkrimit me dorë.

I urrente inicialet AD ose DA.

Shihte ëndrra me fillimin e botës përpara se sa të krijohej Adami dhe Eva.

Ai nuk qe dhe s’do të ishte asnjëherë shenjtor, ndonëse brezat e mëparshëm mund ta shenjtëronin.

Ai qe i pikëlluar.

Madje i Pikëlluari i Madh.

Një vit më pas Dantja u gjend i vdekur në shtrat.

Sytë i kishte të hapur.

Kishte vdekur në gjumë. Por me sy të hapur.

Poshtë shtratit qe rrëzuar një libër. Libri që ai e lexonte deri në çastin e fundit.

Nuk qe Bibla e Shenjtë.

Libri në latinisht titullohej “Historia Arcana” (“Historia e Fshehtë”) e historianit bizantin, bashkohës i Justinianit dhe të Teodorës, apologjetit dhe të tmerrshmit Prokopi i Cesaresë.

Ishte mëngjesi i 14 shtatorit 1321 që shkëlqeu mbi Danten e vdekur me rreze të shumëfishuara nga një koleksion mozaikësh të epërm, qiellorë, po pa figura njerëzore.(Durrës, shtator 2004)

Share This Article
2 Comments
  • Kam pase nji shoke pune qe na tregonte gallata.Ku cdo njeriut te famshem qe gezonte ne arenen boterore shqiptaret thoni qe iks njeri asht nga shqiperia.Deri edhe per Bonapartin e quajne me gen Shqiptare e sot talentin Messi po shqiptare dhe ky shoku i im i punes ne kohen e punes vullnetare ne ndertimin e shtepiave na tregoi vec te tjerave,po meqe ketu asht radha vete muhabeti qe z.Zeqo flet per Dante Ali Gerin.Deshiroj te mos na e marrin per keqe.Meqe te bajme nji cike humor pak a shume te lezetshem ne stilin shkodrane.Edhe ky shoku na thoshte qe Dante Aligeri asht shkodrane i familjes Geraj ne Shkoder.Ku ne gjendje civile asht emri i tije Dan Ali Geraj.Pra jo vetem safi shkodrane por dhe mysliman.
    Pershendetje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *