Të ikësh nga shtëpia në adoleshencë? Po

anazapta

Të lësh familjen dhe të shkosh të jetosh një vit në Amerikë…? Pse jo. Këtë gjë ka bërë edhe Olta Myslimi. Në moshën 17-vjeçare bëri valixhen gati dhe fluturoi drejt SHBA-ve duke e ndërruar familjen e saj me një familje të huaj dhe kjo, për nëntë muaj. Ajo  ka parë dhe mësuar më shumë se çdo kishte bërë po të mos e kishte pasur këtë eksperiencë. 18-vjeçarja sapo ka fituar të drejtën  shkollimit në fakultetin e Ekonomisë,  por më shumë ka për të treguar për Amerikën se sa për gjithë pjesën tjetër të studimeve.  Olta, është sot mysafirja jonë, për të na rrëfyer vitin e saj të artë në Ohio. Do të mësojmë jetën e një adoleshenteje që  punoi dhe studioi në tokën e ëndrrave.  Këtë që ka bërë  Olta, mund të bëjnë edhe shumë të tjerë. Pasi po të kërkosh, mundësi gjen.  Ajo u drejtua tek Programi YES, i financuar nga Departamenti i Shtetit dhe i koordinuar në Shqipëri nga Këshillat Amerikanë. Ky program jep bursa për nxënës të shkollave të mesme të moshës 15-17 vjeç, të cilët kalojnë një vit akademik në Amerikë. Drejtoresha e Këshillave Amerikanë, Linda Meniku tregon se aplikimet për vitin e ardhshëm fillojnë në 19 tetor te Marin Barleti dhe në 21 tetor në universitetin privat në Fier.

 

Olta, 9 muaj në Amerikë… si ishte për ty të strehoheshe në një familje të huaj?

Fillimi është kudo i vështirë. Dhe për mua ka qenë e vështirë jo vetëm përshtatja në një familje amerikane, por dhe në vetë komunitetin në të cilin jetoja. Familja nuk ishte krejtësisht e panjohur për mua pasi muaj para se të nisesha kisha komunikuar me ta dhe pak a shumë isha familjarizuar. Familja ku unë jetova përbehej nga prindërit (host parents) dhe dy adoleshente ku njëra ishte amerikane dhe tjetra gjermane. Duke qenë në kontakt me dy adoleshente që ndajnë pothuajse të njëjtat gjëra, të njëjtat mendime e bëri dhe më të thjeshtë jetesën time aty. Amerikanët janë njerëz shumë miqësor, të thjeshtë , të dashur dhe kjo me ndihmoi shumë që të ndihesha si në familjen time.

Po si shkove deri atje?

Programi YES më dha mundësinë për të shkuar në Amerikë dhe për të jetuar në një familje mikpritëse amerikane. Para së të shkojmë në familjet përkatëse , të gjithë “exchange students” mblidhen në Washington DC dhe më pas nisemi për në shtetet ku jemi caktuar. Në aeroport janë familjet mikpritëse që na mirëpresin.

Nga Shqipëria dhe më pas drejt e në një familje të huaj, nuk duhet të ketë qenë e thjeshtë apo…?

Amerikanët kanë një jetë shumë të zënë. Gjatë gjithë javës janë të zënë me punë dhe vetëm darkave  mblidhen për të darkuar si familje. Fundjavat janë të preferuarat e tyre, jo vetëm që largohen nga rutina e punës, por është edhe koha më mirë për të bërë aktivitete apo pikniqe me familjet e tyre. Gjatë fundjavave mundoheshin të bënim diçka ndryshe. Ata përpiqeshin gjithmonë të më kënaqnin dhe të më bënin të ndihesha vërtet pjesë të familjes së tyre.

Diçka të veçantë?

Çdo moment që kam kaluar me ta ka pasur veçantinë e saj, që nga takimi i parë në aeroport, tek fundjavat larg qytetit, pikniqet e shumta, pushimet ,krishtlindjet, festa e ndryshme që organizonin.

Në cilin qytet banoje?

Unë banoja në Pataskala, Ohio. Ishte një komunitet i vogël, por që aty kam kaluar një ndër vitet më të bukura të jetës sime.

Sa orë në ditët studioje dhe çfarë e bëje tjetër veç studimeve atje?

Pjesa e studimeve ka qenë gjithmonë një ndër pikat e mia të forta. Gjithmonë mundohem të jap më të mirën time në orët mësimore. Sistemi edukativ në SHBA është ndryshe nga i yni. Gjatë ditës kisha vetëm 7 lëndë të cilat përsëriteshin çdo ditë. Orët e studimit vareshin nga vështirësia dhe ngarkesa e lëndës, por mund të them rreth 4 orë në ditë. Gjatë periudhës Nëntor-Shkurt isha menaxherja e notit për shkollën ku bëja pjesë. Noti më zinte rreth 4 orë në ditë nga koha e lirë, por ishte diçka të cilën nuk e kisha provuar më parë dhe mësova shumë gjëra rreth këtij sporti, por mbi të gjitha kam kaluar shumë mirë.

Cila është gjëja më e veçantë që ke bërë në atë vend apo momenti më i bukur?

Janë shumë momente të veçanta dhe të bukura për të cilat nëse filloj të flas nuk do të ketë fund. Është e vështirë të përcaktosh diçka të veçantë se vetë eksperienca në Amerikë është e veçantë dhe e bukur. Çdo ditë të mësonte diçka të re. Është një kontinent tjetër, një kulturë komplet ndryshe nga ajo me të cilën isha rritur, por kjo e bën edhe më të bukur eksperiencën atje. Jetesa në shkollë ka shumë të veçanta. Çdo orë mësimi zhvillohej ndryshe. Lënda e fizikës ishte ora më e bukur pasi ato që mësojë i realizoje edhe në praktikë e nuk mbeteshin thjesht teori. Por jo vetëm, edhe lënda e biologjisë kishte veçantinë e saj me eksperimentet e ndryshme biologjike e kimike. Të qenit menaxhere noti, ishte eksperiencë e re dhe e veçantë për mua.

Po familja e huaj a u bë një familje e afërt me ty ?

Po, këtu doja ta nisja që me takimin e parë në aeroport, për të kaluar më pas me festat familjare, krishtlindjen , pushimet, fundjavat jashtë qytetit, pasditet familjare, të shkuarit në kinema. Ajo çka do të doja t’i shtoja eksperiencës sime amerikane është ajo që unë e konsideroj si qershia mbi tortë, është java e mrekullueshme që kalova në Washington DC, ku pata mundësinë dhe nderin  të takohesha me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, me senatorë dhe me përfaqësues të shtetit të Ohios. Por si momentin më të bukur të asaj jave, do të cilësoja takimin me ish-sekretaren e shtetit Zonjën Hillary Clinton. Ai ka qenë momenti më emocionues i tërë eksperiencë sime, ku vërtetë ndjeva që zemra po më dilte vendit.

Ju jeni shembulli më i mirë për të na treguar se përse një adoleshenti do t’i shërbente largimi për në Amerikë në këtë moshë?

Ta themi në gjuhën popullore, sepse vërtet ia vlen barra qiranë. Është një mundësi që nuk të jepet dy herë në jetë. Jo vetëm fakti që duhet të ndihesh krenarë që je zgjedhur ndërmjet qindra aplikantëve, dhe faktit që i ke të gjitha të paguara nga Shteti Amerikan, por është një  eksperiencë e papërsëritshme që të ndryshon jetën rrënjësisht. Jeton në një familje amerikane, ndjek një shkollë të mesme, mëson për atë kulturë, bëhesh pjesë e aktiviteteve, mëson gjuhen angleze, e cila në ditët  e sotme është gjuha bazë për të komunikuar me të huaj, por mbi të gjitha realizon ëndrrën amerikane në moshën më të bukur.

Olta, ke një vit  që je kthyer, me çfarë po merresh?

Aktualisht, jam student në vitin e parë, dega  ekonomiks, në Universitetin e Tiranës (sapo kam fituar). Gjithashtu jam dhe koordinatorja e “YES Alumni” në Shqipëri. Një organizatë që përbëhet nga të gjithë studentet që kanë jetuar në Amerikë me programin YES (për momentin jemi rreth 60 studentë). Të gjithë ata që realizojnë me sukses vitin e tyre akademik në SHBA bëhen pjesë e kësaj organizate dhe së bashku realizojmë aktivitete të ndryshme ku shkëmbejmë njohuritë dhe eksperiencën tonë amerikane me komunitetin përreth.

Do të riktheni sërish në Amerikë?

Si përgjigje do të të jap një PO të madhe. Nëse më parë e kisha ëndërr të shkoja në SHBA, kjo dëshirë/ëndërr është shumëfishuar dhe shtohet dita-ditës. Kam kaluar një vit të mrekullueshëm e të paharrueshëm dhe do të jepja çdo gjë që të rikthehesha pas në kohë për të rijetuar edhe njëherë të gjitha gjërat. Më mungojnë shumë familja mikpritëse, miqtë, mësuesit, çdo detaj i eksperiencës. Uroj që të arrij ta realizoj edhe një herë tjetër këtë dëshirë super të madhe që kam.

 

Rruga që ndiqet për në SHBA

Kjo është rruga që ka ndjekur Olta, rrugë të cilën mund ta ndjek çdo kush nga ju që është 15-17 vjeç. Olta tregon:  “Nëpërmjet programit YES si fillim,u paraqita tek Universiteti Marin Barleti, ku bëhej regjistrimi për të qenë pjesë e konkursit . Po atë ditë, pasi bëhej regjistrimi zhvillohej edhe faza e parë e konkurrimit. Konkursi përbehej nga tri faza.  Faza e parë  përbehet nga një test shumë i shkurtër i gjuhës angleze. Më pas, faza e dytë e cila konsiston në hartimin e tri eseve dhe të një mini-TOELF, zhvillohet ditën e nesërme pas daljes së rezultateve të aplikantëve fitues. Për të vazhduar më tej me fazën e tretë të konkurrimit e cila në vetvete përbehet nga dy nënfaza, ku e para  lidhet me hartimin e dy eseve dhe faza e dytë me një intervistë.  Pasi kalova këto faza me sukses, pas disa muajsh m’u komunikua lajmi që isha një  ndër finalistet e programit YES dhe në këtë mënyrë m’u dha mundësia për të shkuar në SHBA, për të jetuar në një familje mirëpritëse amerikane për një periudhë 10-mujore si dhe të ndiqja një shkollë të mesme.

 

Share This Article
1 Comment
  • pERGEZOJ GAZETAREN PER MESAZHIN FRYMEZUES QE PERCJELL NEPERMJET INTERVISTES ME OLTEN TE CILEN PER FAT TE MIRE E KAM TAKUAR SEBASHKU ME MOTREN E SAJ PATRICEN, EDHE KJO STUDENTE E SHKELQYER E JURIDIJKUT NE UT, E CILA GJITHASHTU, PJESE E NJE PROGRAMI TE AMBASADES AMERIKANE KETU NE TIRANE ME TE RINJ TE EVROPES JUGLINDORE, NE DEPARTAMENTIN E SHTETIT KA TAKUAR ISH SEKRETAREN AMERIKANE TE SHTETIT KONDOLIZA RAJS. MOTRAT JANE SHEMBULL DHE FRYMEZIM PER TE RINJTE QE E DESHIROJNE AMERIKEN. JU UROJ SUKSESE DHE NJE TE ARDME SA ME TE LUMTUR.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *