Ish-kryeministri britanik më në fund ka jet-in e tij privat, me sallon, kuzhinë dhe dhomë gjumi. Në aeroportet e shteteve të ndryshme nga Nju Jorku në Bangkok nuk kalon kurrë pa u vënë re. Por, sipas një zëdhënësi të tij “taksapaguesve nuk u kushton asgjë”
Kur ishte kryeministër aspiroi pa sukses për një “Blair Force One”, për të mos u ndjerë i zhvlerësuar me mikun e tij George W. Bush që dispononte avionin e tij, “Air Force One”. Në mungesë të realizimit të kësaj mundësie, Tony Blair pranoi disa xhiro me avionin privat të Gadafit, kur Koloneli libian ishte ende një mik i Londrës, ose mbi atë të Paul Kagame, presidentit miliarder të Ruandës së varfër. Tani që është i dërguari i kuartetit OKB, BE, SHBA, Rusi në Lindjen e Mesme dhe që ka një fondacion të tijin, njësoj si Bill Clinton, ish-kryeministri britanik , më në fund zotëron një jet privat, me sallon, kuzhinë dhe dhomë gjumi.
Nuk është e qartë nëse avionin “Bombardier Global Express”, me 19 vende, e ka blerë për një shumë prej 30 milionë sterlinash apo e ka marrë me qera për një vlerë prej 8 mijë sterlinash në orë. “Sidoqoftë, – është shprehur një zëdhënës i Blairit, – taksapaguesit nuk harxhojnë asgjë”. E përse duhet të paguajnë ata?
Ish-lideri laburist është kritikuar shpesh herë se ka ndërtuar një lloj perandorie, të ngritur mbi prona dhe llogari bankare, këto të fundit të plotësuara rregullisht në sajë të kontratave të tij si konsulent në vende të ndryshme të botës.
“Telegraph”-i ka shkruar se gjatë udhëtimeve të fundit, në rolin e një njeriu biznesi apo një konferencieri publik të shumëpaguar, përdor tashmë me normë Bombardierin e tij të zi me strisha të arta dhe pjesët anësore si mitikja “Lotus 72”. E kanë parë në Bangkok, në Sardenja, Zvicër, Ukrainë dhe Izrael.
“Daily Mail” bën nja dy llogari mbi ish-kryeministrin britanik, të cilin shumë e konsiderojnë si trashëgimtarin e Margaret Thatcher, pasi e “tërhoqi zvarrë” vendin e tij të pabindur drejt luftës në Irak. Më 25 gusht, Blair u fotografua me jet-in e tij në Sardenja. Pak më vonë, në një udhëtim të gjatë 8 orë, ishte në Adirondack (Nju Jork), në rreth 7 mijë kilometra distancë. Udhëtimi kishte një kosto prej 60 mijë sterlinash (më shumë se 71 mijë euro). Më 2 shtator nga Londra fluturoi në Bangkok. Kjo vizitë i kushtoi atij 90 mijë sterlina (më shumë se 107 mijë euro).
Pas vendosjes në Downing Street në vitin 2007, përllogaritet që në konferenca dhe aktivitete të ndryshme, Tony Blair të ketë fituar më shumë se 50 milionë sterlina. Avioni luksoz i përket një shoqërie angleze, “Aravco Ltd”, me seli në aeroportin e Farnborough, Hempshajër. “Daily Mail” thekson se kompania nuk deshi të bënte komente mbi avionin që është vënë në zotërim të ish-kryeministrit. Ndërkohë, Blair vazhdon me jetën e tij të shtrenjtë pa u kujdesur për kritikat e gazetave, ziliqarëve dhe thashethemaxhinjve./D.Gjuzi


Sa mire ke mbyllur kete artikull. Sikur tee ishee dhe kaq vigjilent edhe per hajdutet ee atdheut tend, qe i ushqen populli me jeten e tij.
Mos e ka shkruar Berisha artikullin>??
Ai vjen ne Shqiperi këshilltar “pa pagesë” i qeverisë së Ramës, cfare e ka nje avion privat