Shorti i Anastasit, perandor nga Durresi

Ornela

Moikom Zeqo

Në 9 prill 491 vdiq në Konstandinopojë Perandori i Bizantit, Zenon.

Ky Perandor kishte bërë përpjekjet e pafundme për të shmangur kërcënimin e gotëve  nga kufijtë perëndimorë të perandorisë.

Dinak, inteligjent por dhe gjithmonë i pabesë, kishte arritur, më shumë sesa t’i fitonte betejat me gotët, të bënte marrëveshje me krerët e fiseve të tyre t’i mashtronte, t’i përçante, t’i sulmonte dhe t’i braktiste.

Por deri në ditën e fundit të jetës Zenuni nuk kishte mundur të qetësonte dhe të shmangte herezinë e frytshme të monofyzëve.

Kjo herezi, në kundërshti me herezinë më të hershme të arianizmit, që e konsideronte Krishtin vetëm një njeri të veçantë, profet të Zotit, por jo të barabartë me Zotin, thoshte se Ati dhe i Biri janë e njëjta gjë, e njëjta natyrë hyjnore dhe ajo që disa teologë të përshpirtshëm thonin për natyrën e dytë njerëzore të Krishtit ishte ose thjesht një metaforë, ose një aventurë tokësore e shfaqjes së Zotit përkohësisht mes botës mëkatare, të kalueshme ndryshme nga mjedisi i tij hyjnor, i amëshueshëm, madje i paperceptueshëm.

Monofyzët ishin kudo; në aristokracinë e lartë perandorake, në të gjitha hierarkitë e kishave, në Konstandinopojë, në Iliri, në Aleksandri, në ishujt e Azisë së Vogël.

Zelli për hyjnoren i bënte ata të kultivonin gjithçka, rrjedhimisht të përbuznin dhe të sfidonin çdo gjë njerëzore.

Zenoni së bashku me patriarkun Akaci bënë përpjekje që ta zbusnin këtë herezi të papërmbajtshme.

Por herezia nuk pyeste as për pushtetin e Perandorit.

Zenoni vdiq dhe mbeti Perandoresha Ariadna, një grua inteligjente ende e bukur, e lodhur nga trysnitë dhe debatet teologjike. Shpirti i saj kërkonte një paqe utopike.

Sipas ligjit ajo kishte të drejtë të zgjidhte një bashkëshort të ri që do të ishte Perandori i Bizantit.

Pak kohë mbas vdekjes së të shoqit Perandoresha urdhëroi të mblidheshin në sallën me mermer të kaltër dhe gri figurat më me emër të Konstandinopojës, pikërisht më të zgjedhurit, që të mundte të përcaktonte dhe të shpallte bashkëshortin.

Ishte një mëngjes prilli plot dritë.

Frynin erërat e Bosforit.

Megjithëse ishte mëngjes brenda sallës ishin ndezur shandanët e mëdhenj prej ari me qirinj ceremonialë afro tri metra të lartë.

Qirinjtë kundërmonin një aromë ekzotike të ëmbël por të rëndë.

Në sallë ishin 99 burra të moshave të ndryshme me rrobat e tyre të shkëlqyera plot stema dhe simbole heraldike.

Të gjithë mëtonin dhe kishin shpresë, ishin të urtë dhe të sjellshëm, krejt e kundërta e skenës homerike plot grindje dhe vrazhdësi, arrogancë dhe egersi të mëtuesve të Penelopës, së cilës i thonin se Odiseu kishte vdekur përgjithmonë.

Dihet se Odiseu nuk kishte vdekur, u kthye dhe i masakroi mëtuesit.

E kundërta e kësaj situate ishte tani.

Midis burrave plot ëndrra ishte dhe një 60-vjeçar, Anastas Flavio, i cili kishte lindur në qytetin e largët të Epidamnit, në brigjet e Adriatikut, njihej si njeri i drejtë dhe i pakorruptueshëm, qe fetar i thellë dhe kishte arritur në rangun e Senatorit perandorak.

Kur kishte marrë lajmin për t’u paraqitur përpara Perandoreshës, Anastasi qe shqetësuar.

-Është një formalitet, – mendoi i brengosur. Le ta dëgjoi Zoti lutjen time të sinqertë, – i tha vetes. Se unë tani kam njohur dhe shijuar gjithçka, kërkoj prehje dhe meditim, nuk më takon mua të bëhem perandor. Është kaq e thjeshtë, i kapërceva të 60-at. Tani konsiderohem plak, i pafuqishëm. Tani më shkon më tepër roli i një asketi të shenjtë dhe aspak roli i një perandori.

O Zot, – u lut përsëri Anastasi, -largoma dhe shpëtomë nga shorti që nuk më përket dhe që nuk e dëshiroj.

Dëgjoma lutjen Zot. Mos më braktis Zot. Zot, unë të takoj ty.

Perandoria i takon një tjetri, jo mua.

Në mjedisin e burrave vërtet Anastasi dukej më plaku.

Ai nuk kishte krehur as flokët dhe as mjekrën e thinjur në mënyrë qe pamja e tij të dukej më tepër e mplakur seç ishte.

O Zot, dëgjoma lutjen. Jam i bindur që do ta dëgjosh lutjen time. Jam i sinqertë, e them me gjitha shpirt.

Ti e di o Zot që unë nuk kam asnjë pretendim. Më mjafton kjo që kam arritur, s’dua gjë tjetër.

Më beko, o Zot!

Kur u shfaq Perandoresha Ariadna heshtja sikur u shumëfishua.

S’pipëtinte asgjë.

Ariadna i kishte kaluat të 55-at.

Qe një grua jo shumë e gjatë, kishte filluar të shëndoshej shumë por fytyra e saj krenare ruante ende hirin e saj vajzëror.

Autoritare dhe e rreptë, ajo dukej se nuk kishte asnjë dyshim për vendimin që do të merrte.

Në dorën e djathtë ajo mbante një kurorë prej ari me rubin të kuq, simbolin e përzgjedhjes.

Ajo filloi të lëvizte midis burrave që qëndronin të ngrirë si të ngurosur.

Ecte ngadalë por të gjithëve iu dukej sikur ecte jo në dyshemenë plot mozaikë të Vllahernës, por në hapësira shekujsh mistikë të Perandorisë.

Ajo u afrua tek Anastasi që shikonte me sytë përdhe, qëndroi pak, pastaj Perandoresha pa e parë fare në sy Anastasin e  dërrmuar, gati të mjerë dhe të pafuqishëm, tha me zërin e saj si zëri i vetë Zotit “Mbretëro Anastas!” dhe i vuri mbi flokët e shpupuritur kurorën fatale.

Anastasi u bind.

Lutjen e tij Zoti e kishte dëgjuar krejt ndryshe.

Nuk mund t’i shmangej shortit.

Anastasi si Perandor tregoi në energji të jashtëzakonshme.

Ai kishte një prirje të pashembullt për të rregulluar financat e perandorisë duke bërë që ekonomia të lulëzonte sikur ndonjëherë.

Qe kursimtar dhe puritan i madh.

Ai ndaloi luftimet me shtazë, festat e stërgjatura të natës, mbylli shtëpitë publike, e luftoi shthurjen tradicionale të shtetasve të tij.

Nuk dihen marrëdhëniet e Perandorit Anastas me Perandoreshën që i bëri këtë nder.

Mundet që ata të kenë jetuar të veçuar, Perandoresha hoqi dorë nga pushteti ashtu si nga një rrobë e çmuar, që e kishte dashur shumë por që e mbylli përfundimisht në gardërobë.

Perandori Anastas u përball me telashet, me sulmet e barbarëve në kufijtë e perandorisë, e fuqizoi thesarin perandorak për të mbetur në analet e Bizantit si Perandori  që e bëri arkën e shtetit më të pasurën e të gjitha kohërave.

Mbas vdekjes së Perandoreshës Anastasi nuk u martua. Ndryshe nga perandorët e tjerë, ai nuk kishte pasion për femra.

Jetonte krejtësisht i vetëm.

Kishte eliminuar çdo luks dhe kënaqësi të tepruar të jetës.

Ai ndërmori ndërtime të mëdha kudo në perandori, qytetit të tij të lindjes, Epidamnit, i bëri një kështjellë me mure dhe kulla të larta të një bukurie marramendëse.

Kaq të gjerë qenë muret e kësaj kështjelle sa kronistët thonë se mbi to mund të ecnin lirisht katër kalorës përkrah njëri tjetrit.

Anastasi ndërtoi në Epidamn edhe një hipodrom ku zhvilloheshin garat e kuajve.

Në fëmijëri ai i kishte dashur shumë kuajt, ai mendonte se garat paqësore qenë më të rëndësishme sesa përdorimi çnjerëzor i kuajve në vijat plot vdekje të betejave.

Anastasi mbretëroi mbi 20 vjet.

Por ai krijoi një shqetësim të tmerrshëm që e urryen për vdekje në rrethin perandorak.

Ndryshe nga ç’mendohej, që Anastasi do të vazhdonte hullinë e Zenonit për ta kundërshtuar dhe zbutur herezinë e monofyzëve, Anastasi qe vetë monofyz i zjarrtë.

Atë e kishin parë shumë herë që i veshur me rroba të varfra si një prift i thjeshtë të shkonte dhe të bënte litanira në altarin e katedrales së Shën Sofisë, duke e vënë në pozitë të vështirë vetë Patriarkun e madh, i cili në këtë rast e dinte se kishte përpara vetes jo thjesht një fetar të rëndomtë të perandorisë, por vetë perandorin e pakundërshtueshëm dhe absolut.

Gjatë mbretërimit të Anastasit figura e Krishtit në ikona dhe në afreske u ravizua në formën e një Kryeëngjëlli madhështor si Kryesundues i botës dhe universit, kurse skenat ungjillore të pagëzimit të Krishtit, të pagjumësisë së tij në Malin e Ullinjve, kryqëzimin e tij në Golgota, formën e Shpirtit të Shenjtë si një pëllumb i bardhë, madje dhe vetë fytyrën e e Atit artistët i shmangnin duke krijuar kështu një monografi monofyze, si për të harruar faktin se Krishti ishte rrahur nga ushtarët romakë, ishte fyer dhe poshtëruar nga priftërinjtë e Sinedridit, qe tradhtuar pabesisht nga Juda, qe mohuar tri herë nga Pjetri, kishte ndjerë etje në çastin e kryqëzimit dhe kishte thënë fjalët tronditëse “Eloi, Eloi, lama sabakthani?”. Domethënë “Zoti im, Zoti im pse më braktise?”.

Anastasi arsyetonte thjesht.

Jezu Krishti qe hyjnor në të gjitha kuptimet e përjetësisë, historitë dhe detajet që e bënin të ngjashëm atë me vdekëtarët  nuk kanë shumë rëndësi, janë anekdotike dhe të papërfillshme.

Pse duhet të kishin njerëzit kuriozitet për to?

Aq më tepër teologët dinakë dhe ambiciozë, kaq ngatërrestarë dhe kokëfortë?

Por kishte të tjerë që nuk mendonin fare kështu.

Në nëntor të viti 512 plasën trazira të mëdha në kryeqytet që zgjatën tri ditë.

Ato përkraheshin nga gjeneralët dhe figurat e aristokracisë që ishin kundër Anastasit por dhe nga Patriarku Eufemiu, i cili i urrente monofyzët.

Atëherë Perandori Anastas vajti në lozhën perandorake të hipodromit ku e shihnin sytë e 30 mijë rebelëve kundër tij.

Ata ulërinin dhe shanin.

Anastasi, i vetëm përballë tyre, foli me një zë të vendosur dhe bindës.

Ai hoqi nga koka kurorën e Perandorit dhe tha se ishte  gati t’ia dorëzonte një tjetri barrën e tmerrshme të pushtetit.

Ky gjest habitërisht i shtangu rebelët.

Ra heshtja dhe në mënyrë  të pashpjegueshme dhe gati mistike rebelët u shpërndanë.

Kur i kaloi të tetëdhjetat, Anastasi i përpiktë në llogaritjet, ishte njohës i madh i matematikës dhe gjeometrisë, e kuptoi se koha e tij kishte mbaruar. Kishte shterur përgjithmonë.

Tani ishte ai që duhej të vendoste se kush do të bëhej Perandori i ardhshëm.

Anastasi kishte tri nipër nga e motra e tij.

Të tri kishin lindur në qytetin Epidamn, ku motra qe martuar me Dukën e këtij qyteti.

Anastasi i donte shumë nipërit, natyrat e tyre të pastra dhe naive.

Duke qenë bestyt në thelbin e tij, i ftoi të tri nipërit për drekë dhe për secilin përgatiti nga një shtrojë për të pushuar pas ngrënies.

Nën njërin nga tri jastëkët futi një pusullë ku kishte shkruar me dorën e  tij fjalën  Regnum.

Kush do të mbështeste kokën në atë jastëk ku fshihej shorti i paimagjinueshëm ai do të trashëgonte fronin.

Dreka e nipërve shkoi e gëzuar si asnjëherë.

Pastaj tri nipërit deshën të pushonin.

Dy nga nipërit, të lidhur ndoshta nga një ndjenjë e tepruar me njëri tjetrin, u shtrinë bashkë në një shtrojë dhe vunë kokën në një jastëk.

Nipi i tretë qëndroi në shtrojën dhe jastëkun e tij.

Shorti qe nën jastëkun ku s’kishte asnjëri.

Anastasi i drithëruar ra në gjunjë, ngriti duart dhe iu lut Zotit.

-Zot, Zoti im, ki mëshirë për mua.

T’u luta dikur, më dhe shortin e perandorit që nuk e desha, dëgjomë tani, Zoti im, dëgjomë deri në fund. Tri nipërit e mi iu shmangën shortit tim për ta.

Unë nuk mund të gënjej dhe as ta manipuloj këtë short. E di që qe dëshira jote e lartë që të ndodhte kështu o Zot.

O Zot, vetëm ti e di se ç’bën, ne vdekëtarët nuk e dimë. Përveç këtyre nipërve që unë besoja, nuk kam askënd tjetër që ta besoj.  Shorti të takon ty o Zot, jo mua.

Unë vetëm mund të lutem ty. Je ti që vendos. Dëgjoma lutjen o Zot, më në fund, po torturohem dhe nuk qetësi. Zot, Zoti im, le të bëhet perandor ai që do të shkelte i pari në dhomën perandorake të nesërmen në mëngjes.

Zot, Zoti im, u bëftë vullneti yt, jo vullneti im! Të lutem Zot, më dëgjo! Jam i pafuqishëm.

Nuk mund të vendos dot unë.

Shorti i Perandorit të ardhshëm është në duart e tua.

Është vetëm vullneti yt i shenjtë.

Të nesërmen në mëngjes në dhomën perandorake hyri Justini, Komandanti i rojave.

Anastasi uli kokën: ishte shorti i Zotit.

Justini ishte një  65-vjeçar, i lindur në një familje fshatare të humbur në Iliri, analfabet dhe i pagdhendur.

E shoqja, Lupicina, kishte një prejardhje edhe më të ulët: ish-skllave, dikur kishte qenë dhe konkubinë e një ish-guvernatori të provincës, të cilit ia bleu Justini

 

Justini e adhuronte si askush gruan e tij.

Ata qenë çifti më i paparashikueshëm dhe më i përputhshëm në botë si natyra.

Justini kishte ngjitur shkallët e hierarkisë ushtarake dhe qe bërë komandant i gardës për shkak të fuqisë së madhe fizike dhe dinakërisë së pagabueshme fshatare.

 

Kur Anastasi mbylli sytë atë e zëvendësoi Justini.

Ky Perandor nuk dinte të hidhte as firmën e tij.

Nënshkruante duke e lëvizur penën sipas germave të ravizuara dhe të prera në një karton paraprakisht.

Por ai kishte fuqinë ushtarake pas vetes.

Ky paradoks nuk duhet mitizuar.

 

Ai kishte një nip të quajtur Justinian, i cili ndërkohë ishte student dhe kishte treguar një zell të paparë për të përvetësuar dituritë, palcën dhe hollësitë e qytetërimeve dhe të kulturave.

Pikërisht ky ishte Perandori që do të vinte pas Justinit dhe do të quhej Justiniani i Madh, një nga emrat më të mëdhenj të historisë botërore.

 

Fatet e njerëzve dhe fatet e perandorëve ndoshta nuk kanë ndonjë ndryshim të madh midis tyre.

Duar të padukshme dhe vullnete të pakapshme janë ato që përcaktojnë shortin.

 

Shorti lëviz, krijon variante të ndryshme jetësh, pasurohet koleksioni i rrëfenjave, historia lëviz në mënyrë ciklike.

Kalojnë shekujt, ngrihen dhe rrëzohen perandoritë.

Por arketipi i shortit mbetet i përjetshëm.

Sepse shorti vetë nuk ka emër, por vendos mbi emrat, i ndriçon ose i errëson emrat dhe i bën kinse të rëndësishme këto emra .

 

Sepse në fund të fundit të gjithë emrat nuk janë aq të rëndësishëm sa duken, ose sesa pretendojnë që të jenë.  ( 1995)

Share This Article
6 Comments
  • Moikomin, ne kete rast, nuk e shoh as si historian, as si studjues, as si letrar.
    Duket sikur i intereson vetem firma e tij ne fund te shkrimit.
    Si historian, nuk jep burimin e meterialit historik.
    Si letrar, me mire ti permbahej struktures te “Kaloresve Daardane”
    Si studjues, ai, duhet te dale me nje apo disa perfundime, perndryshe ngelet thjeshte nje kopjues, siç ndodh rendom…
    Si perfundim, nje hallakatje mendore, psikologjike, mistike e supersticioze qe bie ndesh me te gjithe kategorite e shkencave te mendimit.
    Moikomi qenka konvertuar: nga ideolog materialist ne teolog idealist…

  • me gjithese kjo ngjarje i ka ndodhur para syve mokomit, ne rinine e tij te vone, une per vete jam i indinjuar, se anastasi i vertete, i kishte vjedhe ster ster …gjyshit tim, kotecin e pulave . dhe qe t’i shpetonte ndeshkimit, vajti te perandoreshe ariadna a adriadna (s’me kujtohet mire, si e kishte emrin ), perandoresha e admironte anastasin dhe kishte neps qe te bente seks me ‘te . sapo ky donte t’i fliste per hallin qe kishte, perandoresha e shtriu ne krevat dhe bene seks gjithe naten . te nesermen “perandoresha” i tha cfar’ kerkonte nga ajo per kenaqesine seksuale qe i dha . asgje i tha ai; vetem me bej perandor, qe te shpetoi nga ndeshkimi i gjyshit te nje ster ster nipi, komentues i gazetes dita, i viteve qe do vijne, qe me ka akuzuar se i kam vjedh pulat e kotecit . kollaj tha asiandra o ariadna . qe sot je perandor dhe do m’a besh per nate ate qe me bere …mbreme . mire i tha dhe anastasi, tashme perandor …dhe keshtu jetuan duke qeverisur deri vone per bukuri te dy, duke j’a hipur njeri tjetrit sipas….deshires .

    • @ “e verteta”. Per Tilemont, Gibbon,por dhe disa historiane te tjere, te cilet kane permbledhe ne detaje historine e perandorise bizantine, Anastasi nuk ishte senator, Moikomi e ben senator; Per ata Anastasi ishte pa mjeker, Moikomi i ve mjeker “te thinjur dhe te pakrehur”. (Pa mjeker e shohim edhe ne relievin ne Luver kushtuar Anastasit)
      Po cila eshte “e verteta”? E verteta eshte Moikomi. Thjeshte ka futur veten ne petkun e perandorit Anastas i l dhe pastaj…ka lundruar ne detin e boshit metafizik me raportet short-njeri.

  • Mos u merakosni shume e lagu s’e lagu me komente mediokre.
    Moikomi sa here shkruan na kenaq.
    Shikoni kulturen qe ka,tecilen e shperndan me ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *