Pasioni si udhërrëfim

DITA Online

Profil i shkurtër për anëtarin më të ri të jurisë së Tirana Photo Contest 2019 dhe Miss Universe Albania 2019. Olsi Beci është fotograf, videograf dhe drejtor fotografie në projekte të ndryshme filmike të zhanreve të ndryshme. Një personazh tërësisht i dhënë pas pasionit të tij për të përmirësuar vazhdimisht veten.

 Nga Albatros Rexhaj

Olsi Beçi

Këto ditë më ka rastis të shoh emrin e Olsi Beçit si një nga antarët e jurisë përzgjedhëse te Tirana Photo Contest 2019, por edhe si anëtar i jurisë përzgjedhëse te Miss Universe Albania 2019. Olsin e njihja pak si emër, për mua ishte veç një fytyrë e parë te “La Rosa Negra”, klubi ekzotik në bllokun argëtues të Tiranës, ku me shumë të tjerë e ndaj pasionin tim për kërcime latine. Të qenit përnjëherësh në jurinë e dy kompeticioneve jo të vogla në Tiranë, më intrigoi që të hulumtoja më tepër për këtë pjesë, për mua, të panjohur të Olsit. Dhe mund të them që nuk u zhgënjeva

Të merresh me botën e fotografisë, videografisë, si një zhanër i ri të shprehurit vizual, si dhe të merresh edhe me film është dhunti, ide, por mbi të gjitha është pasion. Një analizë e punës së Olsit, qoftë kjo edhe njëkalim krejtësisht sipërfaqësor mbi të gjitha projektet që kanë kaluar nëpër dorën e tij, përfshirë edhe pjesën komerciale të veprimtarisë, të nxit të mendosh që lokomotiva vepruese e Olsi Beçit ecën duke djegur dromca pasioni për punën dhe projektin, por edhe dëshirë të pastër për të mësuar gjëra të reja si dhe, për mua mjaft e rëndësishme, shtytja për të përmirësuar veten vazhdimisht.

Suksesi i filmit të shkurtër shqiptar “Fytyra tjetër”, i vlerësuar nga kritika e vendit dhe ajo ndërkombëtare, ku Olsi ishte drejtor i fotografisë, pos për idenë e veçantë prapa rrëfimit të këtij filmi, në një masë jo të vogël i dedikohet edhe mënyrës si Olsi ka ditur të menaxhojë fotografinë e këtij filmi. Narracioni vizual i filmit “Fytyra tjetër”, që në pak minuta i përmbledh ëndrrat e një jete të tërë të një vajze të hendikepuar, të ngujuar në një karrocë invalidi, vështirë se do të mund të ishte i zbërthyeshëm në aspektin kuptimor sikur fotografia e filmit të mos ishte ndërtuar mbi parimin e precizitetit dhe planeve të thjeshta, por gjithsesi të pastra.

Një shpjegim i ngjashëm vlen edhe për filmin dokumentar “Fëmijëria peng”, të gazetares Donika Mustafaj, që u vlerësua nga profesionistët e botës së filmit gjatë edicionit të vitit 2010 të festivalit “Dokufest”. Duhet thënë që “Dokufest” është festivali më i madh i filmit dokumentar në Evropën jugore dhe një nga festivalet më të rëndësishme të ditëve të sotme në Evropë.

Angazhimi i Olsit për të dokumentuar, gjithnjë me një sens interesant të narracionit vizual, dashurinë ndaj jetës, si një veçanti e fëmijëve të prekur me sindromin Down, një projekt që është prezantuar nëpërmjet një ekspozite tëveçantë, është një tjetër tregues i dhuntisë për të ndërlidhur idenë, pasionin, por edhe nevojën që fotografia të shërbejë si medium komunikimi përtej kategorish të ndryshme të shoqërisë, përfshirë edhe kategoritë e ndjeshme, por edhe si një urë ku botët tona të ndryshme takohen. Ky projekt, bashkë edhe me projekte të tjera në dobi të komunitetit, janë tregues se kushdo që synon mjeshtërinë në fotografi, videografi apo film duhet të ketë dhe vazhdimisht të kultivojë edhe ndjesi të theksuara shpirtërore.

Dhe, si nërrëfimet e kohëve të shkuara, duhet të kthehem në fillim të këtij shënimi. Tani që e njoha këtë pjesë disi të fshehur të Olsit, nuk habitem më për praninë e tij në dy juri përzgjedhëse. Përkundrazi, mendoj që kjo është një zgjedhje e duhur, sidomos për “Miss Universe Albania” që në dy vitet e fundit sikur ka nevojë për rifreskim shijesh, por edhe për të marrë pak nga dhuntia e Olsit për të mësuar gjëra të reja dhe për të përmirësuar vazhdimisht veten.

Ritmi i shpejtë i jetës moderne, jo rrallë herë, ka treguar që gjërat e mira dinë të vijnë nga ata që nuk bëjnë shumë zhurmë dhe që punojnë në heshtje. Ashtu siç paska bërë edhe Olsi!

(ky reflektim është krejtësisht personal)

Share This Article
1 Comment
  • Gjithe te mirat djalit Olti Beci.nga une gjysh nje jete me aparat ne dore pa ato arritie mjeshteritArtiste, lindin si Olsi…
    I uroj gjithe te mirat Olsi Becit sa ju i nderuar autor i shkrimit “Pasion si udherrefim,une 83 vjecari enderat mbetur enderra…
    Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *