Si bëhet kërkesa për pension invaliditeti për herë të parë

Ornela

Me pension invaliditeti trajtohet çdo person që bëhet i paaftë për punë dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike, duke përfshirë edhe verbimin.

Këto përfitime mund të jenë të plota, të reduktuara, si dhe të pjesshme. Pensionet e invaliditetit të të gjitha llojeve caktohen në bazë të kërkesës me shkrim që duhet të plotësojë personi përkatës, pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij.

Kërkesa plotësohet në tre kopje, nga të cilat kopja e parë shoqëron dosjen e pensionit, kopja e dytë i jepet personit dhe kopja e tretë ngelet në këtë institucion, ku do të ruhet për një periudhë kohore deri në një vit.

Kërkesa, së bashku me dokumentet e përcaktuara për këtë kategori duhet të paraqiten në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore sipas gjendjes civile të personit që kërkon të dalë në pension invaliditeti.

Procedura e pranimit dhe regjistrimit të kërkesës për pension invaliditeti nuk fillon nëse nuk paraqiten dokumentet përjashtuese, të cilat janë: certifikatat e gjendjes civile, të lindjes, familjare, të martesës, fletëdrejtimi për në KMCAP (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë), epikriza dhe dokumentet mjekësore, sipas diagnozës për të cilën kërkohet pension invaliditeti.

Pas dorëzimit të kërkesës dhe dokumenteve, inspektori pritës mban përgjegjësi për pajisjen e aplikuesit me listën e dokumenteve mjekësore, e cila është e veçantë sipas diagnozës për të cilën pretendohet pension invaliditeti, informimin dhe sqarimin e të interesuarit se kur i lind e drejta për pension, si dhe procedurën që do të ndiqet me dokumentet për pension, kontrollin nëse dokumentet e paraqitura janë të plota, nëse kanë ose jo korrigjime, të meta, mangësi, etj, nëse janë të gjitha dokumentet mjekësore sipas diagnozës për të cilën kërkohet pension invaliditeti, teksa bën edhe sqarimin e të interesuarit, kur dokumentet kanë të meta, apo kur dokumentet nuk janë të plota.

Pas kryerjes së këtyre procedurave, inspektori pritës dorëzon në fund të ditës dokumentet për pension invaliditeti te përgjegjësi i Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, i cili kontrollon procedurat, regjistron kërkesën në regjistrin e kërkesave për pension dhe me postë ose protokoll, i dërgon në DRSSH ku i adreson dokumentet te kryetari i degës së përfitimeve.

Ky i fundit i kalon dokumentet tek inspektori përpunues, ndërsa dokumentet mjekësore te mjeku i ekspertizës. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e sigurimeve shoqërore, mjeku i ekspertizës mjekësore shprehet me shkrim për bazueshmërinë ligjore dhe shkakun nëse është aksident në punë, sëmundje profesionale apo sëmundje e përgjithshme, nëpërmjet formularit tip (bashkëlidhur).

Mjeku i ekspertizës bën të gjitha verifikimet që nevojiten për dokumentacionin mjekësor, ballafaqon fletëdrejtimin me kartelën klinike të shtrimit apo shërbimit ambulator, cakton datën e paraqitjes për në KMCAP, ose përgatit shkresën zyrtare, nëse personi nuk plotëson kushtet për pension invaliditeti.

Dosja i dorëzohet kryetarit të degës së përfitimeve, brenda 5 ditëve kalendarike nga dita e marrjes në dorëzim. Kryetari i degës së përfitimeve njofton këkuesin për datën e paraqitjes për në KMCAP, ose për refuzimin e kërkesës për pension invaliditeti.

Rregullat për kontrollin e radhës

Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se kërkesa për rikontroll bëhet po në agjencinë lokale të sigurimeve ku paraqitet edhe vendimi i mëparshëm i KMCAP, në të cilin është përcaktuar data e paraqitjes për rikontroll dhe lista e dokumenteve mjekësore për rikontroll.

Personat në pension invaliditeti të pjesshëm duhet të paraqesin edhe vërtetim për llojin dhe natyrën e punës që kryejnë.

Në rastin e kërkesës për rikontroll, inspektori pritës është i detyruar dhe përgjegjës për zbatimin e të gjitha rregullave të parashikuara në këtë rregullore për rishqyrtimin e pensioneve, deri sa dosja të shkojë në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore.

Kryetari i degës së përfitimeve ia dorëzon mjekut të ekspertizës dosjen e pensionit, duke bërë shënimet përkatëse te fleta shoqëruese e dosjes.

Mjeku, pasi verifikon dokumentacionin mjekësor, përcakton datën e paraqitjes në KMCAP. Procedura për lëvizjen e dokumentacionit të dosjes është e njëjtë me atë që ndiqet kur kërkohet për herë të parë pension invaliditeti.

Caktimi i shkallës së invaliditetit

Në vartësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, invaliditeti klasifikohet në tri grupe: i pjesshëm kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it, i plotë kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë, si dhe invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari.

Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit të plotë nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi. Kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas përcaktimit të KMCAP-it, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësueshme.

Një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti të plotë, si dhe ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit bazë, por jo më shumë së 30 për qind e tij.

Dokumentet që duhen për pension invaliditeti

  • Certifikatë lindjeje me fotografi.
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Vërtetim i periudhës së sigurimit (është i njëjtë si për pensionin e pleqërisë).
  • Vërtetim për profesionin apo natyrën e punës (për punëmarrësin).
  • Dokument mjekësor për gjendjen shëndetësore (para fillimit të punësimit).
  • Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që
  • bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.
  • Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë shkaktuar nga aksidenti në punë/sëmundje
  • profesionale ose sëmundje të përgjithshme (për punëmarrësin).
  • Fletë-drejtimi për në KMCAP nga institucioni shëndetësor me shtretër, fletëdalje nga
  • spitali dhe ekzaminimet e dokumente të tjera.
  • Vërtetim i mesatares së bazës së vlerësueshme nga 1.1.1994 deri në ditën e lënies së punës.
  • Procesverbal i aksidentit në punë.
  • Vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës, për rastet kur kërkohet të përfitohet nga dekreti nr.758, datë 1.4.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”.
  • Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.

Përfitimet e reduktuara dhe të pjesshme

Personi që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin), ka të drejtë të marrë pension invaliditeti të reduktuar, ose të pjesshëm.

Masa e pensionit të invaliditetit të reduktuar llogaritet duke shumëzuar masën e llogaritur të invaliditetit të plotë me koeficientin që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti.

Ndërsa pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit.

p.k/DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *