Interesat e obligacioneve afatgjata, me maturim 3, 5 dhe 7 vjeçar janë duke rënë me shpejtësi.
Në ankandin e datës 28 mars obligacioni 5 vjeçar me interes fiks u shit nga qeveria kundrejt 2.90 për qind me një rënie prej 0.90 pikë përqindje në krahasim me ankandin paraardhës të datës 28 shkurt.
Në krahasim me një vit më parë interesi i obligacionit pesëvjeçar gati është përgjysmuar, duke rënë me 2.55 %.
Në përmasa të ngjashme ka rënë edhe interesi i obligacionit 7 vjeçar. Ankandi u zhvillua me 13 mars kundrejt një interesi fiks prej 3.75 %, me një rënie 1.27 pikë përqindje në raport me ankandin e mëparshëm, që u zhvillua në dhjetor të 2018-ës. Interesi i obligacionit 7-vjecar ju afrua nivelit të bondit 7 vjeçar në euro (3.55%). Në raport me një vit më parë interesat në këtë maturim kanë rënë në 2.11 pike përqindje.
Ekspertët nga bankat tregtare në vend shpjegojnë se shkak për këtë rënie drastike të interesit u bë oferta e pazakonte e bankave.
Raporti i mbulimit për obligacionin 5-vjecar ishte 1,5, çka do të thotë se bankat ofruan në ankand 50 për qind më shumë likuiditet se sa qeveria kërkonte. Ndërsa për obligacionin 7 vjeçar, qeveria kërkoi 3 miliardë lekë financime, teksa bankat ofruan 8.1 miliardë lekë, me një raport mbulimi 2.7.
Ekspertët pohojnë se nxitja e bankave për të investuar në borxhin e qeverisë lajmëron projeksionet e tyre të zymta për të kredituar ekonominë.
Drejtimet kryesore ku bankat shqiptare i investojnë kursimet e qytetarëve janë huaja për ekonominë dhe blerja e borxhit të qeverisë. Për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme dhe kërkesës së vakët të ekonomisë për kredi bankat kanë limituar huanë teksa kanë rritur interesin për të blerë borxhin e qeverisë.
Rritja e ofertës në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë ka shkaktuar uljen e interesave. Ekspertët e bankave vlerësojnë me mjaft risk blerjen e një obligacioni 7 vjeçar me interes fiks 3.75%.
Në pritje të uljes së mëtejshme te normave të interesit, bankat po nxitojnë të investojnë duke ndikuar të përshpejtojnë në uljen e mëtejshme të interesave në letrat me vlerë të qeverisë.
Sipas një analize të Ministrisë së Financave në tregun primar të titujve shtetërorë, normat e interesit për pothuajse të gjithë titujt shtetërorë kanë ndjekur një trajektore rënëse përgjatë vitit 2018. Në periudhën afatmesme parashikimet e normave të interesit flasin për një rritje graduale duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 2019.
n.s. / dita

