Sot në SHBA festohet Dita në respekt të mjekëve
Duket si e pabesueshme, por kështu ka ndodhur. Të magjepsur pas teknologjisë së barnave të reja, pas ndërhyrjeve spektakolare në trupin e të sëmurëve deri zëvendësimin e organeve të tyre, politik-bërësit, vendimmarrësit, menaxherët, financuesit dhe vetë mjekët (madje këta më me zell se sa të tjerët) patën besuar se mund ta krijojnë mrekullinë mjekësore vetëm me to. Prandaj i patën fetishizuar si determinuese për performancën e lartë të sistemit shëndetësor. Mirëpo ato përbëjnë pjesë të së vërtetës. Pjesa tjetër e harruar për performancën e suksesshme lidhet me një faktor tjetërthelbësor; me mjekun si njeri, mjekun si person dhe qytetar.
Fjala është për aspektet multidimensionale të mjekut jo vetëm ato teknokratike, profesionale dhe burokratike të lidhura me diplomën, certifikatat e titujt, por edhe ato të padukshmeqë kanë të bëjnë me botën e brendshme emocionale, sociale, etike, psikologjike dhe shpirtërore të tij.
Ajo që duket me interes në këtë drejtim është lidhja e ndikimi i mundshëm i këtyre faktorëve mbi performancën profesionale të mjekëve. Në këtë kontekst pyetjet që dalin janë: në ç’masë ky ndikim është real si mbi performancën individuale, ashtu dhe atë institucionale? Si është raporti mes zotësisë profesionale të mjekut dhe cilësive, vlerave personale të tij si individ e njeri? A janë të ndërvarura zotësia, mirësia dhe përkushtimi në punë tek ta dhe sa ndikon secila prej tyre mbi performancën e kujdesjeve që ofrojnë? A disponohen mekanizma për monitorimin dhe përmirësimin e pandërprerë të këtyre faktorëve njerëzorë ekstraprofesionalë në nivel institucional dhe sistemor? Dhe së fundi, si konkretisht mund të ndikojmë mbi to?
Një parullë dhe një paradoks
Për herë të parë me raportin “zotësi-mirësi” tek mjekët jam ndeshur kur isha student në fakultetin tonë të mjekësisë. Në murin e tij aso kohe qe varur një parullë: “Pa qenë njeri i mirë, nuk bëhesh dot mjek i mirë”. Ajo atëherë m’u pat dukur paradoksale, sepse në fakultet ne mësonim si të bëheshim mjekë të zotë, ndërkohë që asnjë lëndë apo provim nuk jepej për të na formuar e testuar si njerëz të mirë. Veç kësaj koncepti i zotësisë qe më i lehtë të kuptohej, kurse ai i mirësisë qe jo specifk, por i përgjithshëm, predikuese moralizues sipër të gjithë njerëzit e tjerë.
Në fakt ëndrra jonë ishte të bëheshim mjekë të zotë. Miti romantik atraktiv i mjekut super të aftë në kuptimin e kalorësit “shpëtimtarit të jetës njerëzore nga thonjtë e vdekjes”, apo hetuesit pasionantë, zbulues të diagnozave të vështira enigmatike të sëmundjeve dhe zotërues i shkëlqyer i mënyrave bashkëkohore të suksesshme të mjekimit përbënte idealin tonë. Në këtë vështrim kushti “njeri i mirë” për t’u bërë mjek i zoti dukej pa sens. Shumë vite më pas, tek lexoja librin “Murtaja” të Albert Camy-së do të kthjellohesha nga utopia dehëse e superlativave për zotësinë profesionale mjekësore.“Misioni i mjekut është pashmangshmërisht i dështuar, – shkruante ai aty, -përderisa vdekja që ai përpiqet të mposhtë është në fund të fundit për të gjithë njerëzit e paevitueshme”. Po atëherë për çka vlente zotësia?.
“I zoti jo i mirë” dhe “I miri i pazotë”
Edhe në jetë ekuacioni “zotësi – mirësi“ nuk rezultonte gjithmonë ashtu. Mjeku profesionalisht i zotë mund të mos shpalosë tipare nga ato që sipas pacientëve dhe qytetarëve karakterizojnë njeriun e mirë. Dhe e kundërta: mjeku i vlerësuar idealisht si “njeri i mirë (shpirt njeriu) mund të mos jetë profesionalisht aq i zoti. Interesant është që të dy palëve, për hir të njërës vlerë, ndodh t’u falet nga pacientët mungesa e tjetrës. Mjekut të zotë, por krenar e prepotent deri arrogant, i falen këto me justifikimin “është ca i rëndë e i sertë, por për zotësi nuk ke ç’t’i thuash. Është t’i pishë dollinë”. Justifikim i ngjashëm bëhet qoftë edhe pas një dështimi edhe për mjekun e pazot, por të devotshëm e të mirësjelltë “Nuk e shpëtoi dot, por u bë copë, i shkreti, bëri çmos. Si njeri është i mrekullueshëm”.
Pra sipas pacientëve dhe familjarëve “shërimi” mund që gjykohet i barazvlefshëm me “mirësjelljen”. Prandaj dhe asociimi i tyre për cilësinë e kujdesit duket sipas tyre jo i domosdoshëm. Mirëpo vetë profesionistët dhe drejtuesit e institucioneve mjekësore nuk vlerësojnë kështu. Zotësia sipas tyre është përparësi. Kurse mirësia aksesore. Zotësia është kërkesë dhe produkt institucional. Ajo përftohet së pari në shkollë dhe, më pas, shtohet e pasurohet në institucione falë programeve dhe eksperiencës në punë. “Mirësia”, përkundrazi, ka karakter etik, shpirtëror dhe edukativ. Ajo trashëgohet dhe formohet kryesisht në familje dhe, më pas, modelohet në ambientin shoqëror e deri diku brenda bashkësisë profesionale. Prandaj institucionet zakonisht nuk e quajnë kultivimin e saj detyrë të tyre dhe as e llogaritin si të barasvlershme për performancën.
Fate të ndryshme
As në praktikën klinike zotësia dhe mirësia e mjekëve nuk kanë të njëjtin fat. Zotësia krijon famë, aureolë dhe “pushtet profesional”. Por edhe xhelozi, rivalitet e ambicie tek kolegët si edhe komplekse inferioriteti dhe zili tek të pazotët. Më të zotët shndërrohen në ikona e figura publike. Pushtetet administrative e politike në aparencë sillen ndaj tyre me respekt, por përgjithësisht ata i mbajnë me droje larg vetes. Më të preferuar për ta janë mjekët jo aq të zotë, por të bindur e të mirësjellë. Këta janë më të suksesshëm për karriere e poste në institucione. Aty ndodh t’i kenë vartësat më të zotët. Natyrisht dhe asociimi i të dyjave nuk përjashtohet. E përbashkëta e zotësisë dhe mirësisë së mjekëve është se janë të dyja vulnerabile. Të dyja mund të ndryshojnë, të dëmtohen të “ndryshken”, madje dhe ta humbasin vlerën dhe shkëlqimin. Kjo kryesisht për shkak të pakënaqësive nga keqtrajtimi dhe të mos mirëqenies së tyre. Jo vetëm nga ana materiale dhe financiare, por, sidomos, në aspektet emocionale, psikologjike e shpirtërore.
E harruara e madhe
Për mundësinë e humbjes së zotësisë profesionale, mjekët janë prej kohësh koshientë. Po ashtu instancat administrative e drejtuese tyre.
Dekualifikimi krijon impakt negativ në performancën e vetë atyre dhe të institucioneve. Prandaj janë krijuar dhe funksionojnë struktura dhe mekanizma për ruajtjen, dhe zhvillimin e vazhdueshëm të afttësive profesionale të mjekëve gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit. Kurse impakti i “mirësisë“ i vlerave njerëzore dhe shpirtërore në performancën profesionale të mjekëve është pak i njohur. Atë e ndjejnë dhe e vlerësojnë më saktë vetë pacientët dhe familjarët e tyre, kryesisht në formën e devotshmërisë dhe mirësjelljes së mjekëve. Por sytë e administratës si edhe të vetë mjekëve janë të fiksuar kryesisht tek diplomat, certifikatat, kreditet, artikujt e botimet shkencore, gradat e titujt e mjekëve si dëshmuese tëzotësisë. Dhe jo aq tek vlerësimi i cilësive njerëzoredhe nevojat e satisfaksionit e mirëqeniessëmjekëve si individë” Hapi i parë në këtë drejtim qe ai ipresidentit Bush (sinjor), i cili në vitin 1990 zyrtarizoi në SHBA ”Ditën e Mjekut“, në 30 Mars të çdo viti si festë nacionale dhe ditëpushimi në respekt të 30 Marsit 1842 kur falë anestezisë u krye e para ndërhyrja kirurgjikale pa dhimbje te një pacient. Që atëherë mjekët kanë kryer “mrekullira” të tjera të mëdha, por ndikimi i stimujve të tillë moralë mbi performancën e tyre profesionale pat mbetur, nuk dihet pse, i nënvlerësuar .
Tre apo katër objektiva?
Një debati hapur pak muaj me parë on line nga “Instituti Amerikan i Përmirësimit të Kujdesit Shëndetësor” lidhur me objektivat madhore të sistemeve shëndetësore, fatmirësisht e solli në rend të ditës edhe këtë subjekt. Prof. Don Berwick, një nga korifejtë amerikanë të sotëm përcilësinë e sistemeve shëndetësore pati propozuar në vitin 2008 një platformë universale për përmirësimin e saj të quajtur:“Triple aim”(Qëllim i trefishtë ). Tre qëllimet e tij konsistojnë në përmirësimin e shëndetit të popullatës së përgjithshëme, rritjen e kënaqësisë së pacientëve dhe paksimin e kostos. Qindra autorë kanë sjellë në këtë debat mendimet pozitive, por dhe pengesat e dështimet në arritjen e tyre. Veçanërisht interesant e sfidues ishte reagimi i Thomas Bodenheimer, i cili publikoi, në Shkurt 2015, artikullin me titull :“From Triple to Quadruple: Care of Patient Require Care of Provider” (Nga tre në katër qëllime: Kujdesi për pacientin kërkon kujdes edhe për ofruesin). Autori konkretisht propozon një objektiv të katërt të harruar: atë të kujdesit jo vetëm ndaj të sëmurëve, por edhe ndaj vetë mjekëve. Kjo në kuptimin e kushteve të punës, të trajtimit e të mirëqenies së tyre, si faktor i domosdoshëm përarritjen e tre objektivave të më sipërme.
Sipas argumenteve të tij moskonsiderimi i këtij objektivi rrezikon dështimin e tre objektivave të tjerë. Pakënaqësitë e mjekëve në punë rezultojnë më të dëmshme për performancën, se sa mangësitë e mjeteve dhe teknologjisë (mjekët e pasionuar e kreativë ia dalin edhe pa to..!). Mjekët e deziluzionuar e të keqtrajtuar prodhojnë, sipas autorit, më pak shëndet për popullatën, më pak kënaqësi për pacientët dhe kosto më të lartë të shërbimeve. Propozimi i tij, në dukje si veza e Kolombit, krijoi një valë të gjerë përkrahësish që në sinkron argumentojnë se shumë nga dështimet e performancës mjekësore nuk lidhen aq me elementet teknokratikë, teknologjikë e profesionalë sesa me qëndrimet e sjelljen e personelit mjekësor gjatë procesit të ofrimit të kujdesit. Këto kryesisht për shkak të hendeqeve ekzistuese apo të mosmirëkuptimit nga administrata, nga popullata, apo edhe vetë mes tyre në aspektet shpirtërore, njerëzore dhe intelektuale ndikuese mbi punën dhe produktivitetin.
Fenomeni “Burnt –out “ose i fashitjes së“zjarrit”
Termi i mësipërm hyri në fjalorin mjekësor i huazuar nga novela “A Burnt–out Case” e Graham Grënit. Në të personazhit kryesor, një profesionist dikur mjaft i suksesshëm iu fashit deri në shuarje, nga monotonia e rutinës së punës, “zjarri” i pasionit profesional. Në rastin e mjekëve fjala është për “zjarrin idealist”, të entuziazmit dhe përkushtimit profesional, që i ka sjellë ata vullnetarisht në përballjet me sfidat e rrreziqet e shëndetit dhe jetës njerëzore. Flaka e këtij zjarri qëndron e ndezur tek ata për dekada me radhë si faktor nxitës, tonizues, por dhe tepër stresant, i pashmangshëm në mjekësi ku ofrohet ndihmë dhe kujdes ndaj njerëzve në vuajtje, në fatkeqësi dhe në jetërrezik. Por një zjarr i tillë humanist e përkushtues nëse lihet ”pa ajër e pa oksigjen” të mjaftueshëm nis gradualisht të paket e të fashitet derisa dhe shuhet. Ç’ka lë pas edhe hi, edhe tym të zi…! Fatkeqësisht profesionistëve të mjekësisë kjo u ndodhë jo rrallë. Mirëpo kujdesi mjekësor nuk është aq teknologjik sesa empatik dhe afeksional. Ai ofrohet nga njeriu tek njeriu, çka kërkon dije, ndjenjë e altruizëmi. Ai duhet të kryhet me vështrim sy në sy, buzëqeshur, fjalë ëmbël dhe me dorë të ngrohtë. Këto kërkojnë veç zotësive profesionale edhe një burim mirësie, mirëqenie, dhe kënaqësie shpirtërore të personelit mjekësor. Nëç’masë vallë i promovojmë e ua sigurojmë atyre sot ato? Sa e vështirë është p.sh.: të festohej “Dita e Mjekut” edhe tek ne si në disa vende të tjera (qoftë dhe jo si ditë pushimi) dedikur respektit ndaj tyre si stimul moral shoqëror pa ndonjë kosto, por me interes për një performancë më të lartë nga ta ?
Vyshkja e entuziazmit dhe e dëshirës për punë
Efektet e mërzitjes, lodhjes, shterimit emocional, të demobilizimit, e pakësimit më pas të ndjeshmërisë deri në moskokëçarje të stafit për punën, në fusha të tjera ekstramedikale janë të njohura shkencërisht që në vitin 1970. Christine Maslach me shkrimin “Understending Job Burnt–out”, në 2006, solli një studim të këtij problemi edhe për menaxhimin e burimeve njerëzore në mjekësi. “Pakënaqësia e personelit mjekësor, –sipas saj dhe autorëve të tjerë,- është shenja e parë paralajmëruese e dështimit dhe një nga pengesat e mëdha për cilësinë dhe performancën e dëshëruar të kujdesit në institucione”. Mjekët e pakënaqur, të dekurajuar të diziluzionuar me rutinën e monotoninë, me shpërfilljen nga eprorët, me mosqartësim të detyrës, me ndërhyrjet në çështje të kompetencës së tyre, me mospërfshirjen në vendimmarrjet, me ngarkesë pune burokratike me shkresa dhe modularë pa fund, me pasigurinë e mos mbrojtjen e tyre nga ofezat dhe dhuna, dhe mos respektimin e të drejtave dhe autonomisë profesionale rezultojnë me minimum standarde, minimum performance, minimum cilësie, me maksimum gabime mjekësore dhe me abstentizëm të lartë në punë. Në fakt fenomeni “Burn-out” në mjekësi përbën problem global. Ai haset tek mjekët në shumë vende të botës. Si i tillë është shqetësim që duhet adresuar në mënyrë shkencore për të rivendosur balancat e duhura mes pushtetit administrativ e qeveritar dhe atij autonom profesional, mes kërkesave shëndetësore të pacientëve dhe popullatës nga një anë dhe ngarkesës, mundësive të përballimit dhe të shpërblimit të personelit mjekësor nga ana tjetër.
Mjekët: një “racë” e veçantë ?
Balancat relacionale dhe të hierarkisë duhen vendosur edhe mes grupimeve brenda vetë profesionistëve mjekësorë: atyre elitarë me poste komanduese, me grada e tituj dhe atyre të thjeshtë, pa to, mjekëve spitalorë dhe atyre në shërbimin parësor e në rrethe, mes më të moshuarve me eksperiencë pune të gjatë dhe më të rinjve që ziejnë nga padurimi i suksesit, mes mjekëve të përgjithshëm e atyre specialistë dhe mes mjekëve dhe infermierëve apo stafit tjetër bashkëpunues. Brenda labirinteve të këtyre raporteve lindin, fshihen, akumulohen dhe shpërthejnë herëpasherë ankesa, zhgënjime e revolta të mjekëve, ndaj pengueseve apo shpërdoruesve gjithfarësh, apo edhe ato mes atyre vetë. Mjekët ose ndryshe ”Homo Medicus”, falë relacioneve dhe statusi social mund që përbëjnë një “racë” autentike profesionistësh dhe intelektualësh; sa e përkëdhelur me favore, sa e fryrë me mite dhe lëvdata, aq edhe me ose pa dashje e keqpërdorur, e keqpërfolur dhe e keqkuptuar. Por pavarësisht nga këto edhe ata janë njerëz. Janë qytetarë me nevoja, dëshira, virtute dhe vese si të tjerët. Nuk janë as shenjtorë, as djaj.
Dhe as prestigjatorë çudibërës. Në “ADN profesionale“ të tyre kanë disa gene ”specifike”, të karakterit etik, emocional, shpirtëror si: krenari, sedër e përkushtim si edhe eklektizëm kulturor, eufori, vanitet apo narsicizëm, të cilat i mbartin tradicionalisht nga brezi në brez, por që edhe ndryshohen sipas kohës dhe ambientit institucional e shoqëror. Sa të njohur e mirëkuptues janë administratorët, pacientët, mediat, qytetarët e ata vetë me to? Vetëm një ”racë“ tjetër po aq e veçantë intelektualësh: ajo e shkrimtarëve i ka kuptuar më mirë ata. Jo rastësisht një numër i tyre kanë përdorur njëherëshi me sukses si stetoskopin, edhe penën. Sepse të dy palët munden të depërtojnë në hapësirat shpirtërore, ku krijohen ndjenjat, vuajtjet, dhimbjet sëmundjet, dashuritë dhe dramat njerëzore. Dhe përjetojnë njësoj vonesën fatkeqe për t’u dëgjuar, mirëkuptuar dhe besuar në kohën e duhur nga njerëzit dhe autoritetet për çka u paralajmërojnë atyre me dashamirësi. Prandaj Erik Segali në librin “Mjekët” i përshkruan me aq përpikmëri, admirim e në solidaritet me ta kur shkruan: “Në asnjë rast s’duhet të harrojmë se mjekët kanë sakrifikuar pranverën e jetës për të siguruar aftësinë në dobi të njerëzve…. Nëse argumentojmë se bota u detyrohet mjekëve një farë kompensimi, në formën e pasurisë, respektit apo statusit shoqëror, kjo s’është aspak pa shkak. Më shumë respekt për mjekët…!”- bën thirrje ai.
Koha për veprim
Fashitja e entuziazmit, venitja e idealizmit profesional mjekësor prej defekteve relacionale, organizative apo prej pakënaqësive dhe demotivimit të stafit në punë, kërkojnë studime dhe reagim energjik në nivelin institucional dhe organizativ, sepse përbëjnë arsye me pasoja penguese për produktivitetin e personelit tonë mjekësor. “Burnt-out” si fenomen e krijon sistemi, por e vuajnë individët. Ndërsa pasojat negative i ndjejnë institucionet, pacientët dhe e gjithë shoqëria. Vetëm profesionistët entuziastë, të motivuar, të stimuluar, të respektuar e të mirëkuptuar, të përfshirë në iniciativa krijuese e novatore, me detyra e përgjegjësi të qarta, me të drejta të siguruara dhe me zë e mendim të lirë, janë garanci për performancën dhe cilësinë e lartë të kujdesit mjekësor. A nuk është koha edhe tek ne që të reflektojmë dhe të veprojmë për to?
*Marr nga libri “Shëndetësia jonë siç do e doja” e Prof. Isuf Kalo aktualisht Dekan në Universitetin Evropian të Tiranës
