Dëshpërimi i dhimbshëm

Ornela

Nga Bedri Islami

Një histori me Frederik Reshpjen

Rrallë Shqipëria ka pasur një poet të tillë, me fatin e tij të çuditshëm dhe tragjik; rebel në gen dhe paqtues në shpirt; i rënë në humnerë nga shpirti i tij dhe i ngritur në qiell përkohësisht, për të rënë edhe një herë në humnerën e tij, kësaj here përfundimisht; mjeshtër i fjalës dhe arrakat i pandreqshëm; i adhuruar dhe i mallkuar në të njëjtën kohë; me kokën e shkërleshur si një demon Lermontovian dhe i gatshëm për të qenë një duelist i kohës së shkuar; i butë si një fëmijë i rënë në prehrin e nënës dhe diellor në fjalët për miqtë.

Kam qenë tepër i ri kur e kam takuar për herë të parë dhe, së bashku me poetin e ndjerë Tonin Shtjefni, na ftoi në shtëpinë e tij, në njërën nga kthesat e para të rrugicës së Gjuhadolit, njëra nga më të vjetrat e qytetit të Shkodrës, gjysmë përdhese, me oborrin e vogël, mbushur me lule, ku trëndafilat ishin të harlisur dhe për të cilat kujdesej nëna e Frederikut, me të njëjtin mall si edhe për të birin rebel, të shkujdesur, që aso kohe ishte mësues dhe që e dinte vetëm ai dhe zemra e saj se ky ishte vetëm një çast i prehjes.

Në dhomën e vogël të tij, me dritaret e rrethuar nga ornamentet e hekurt, ishte rrëmuja e një poeti që sapo kishte nisur për botim librin e tij të parë poetik, “Rapsodi shqiptare”.

Tek ai, çuditshëm, të dyfishohej dhimbja, e befas, të krijohej iluzioni i qetësisë së përkohshme, trishtimi i jepte ngjyrë, ndërsa drita pluskuese e mëngjesit mund të ishte vetëm një dalje nga shpirti i tij.

Shpesh herë, si i kthyer nga një kohë tjetër, fliste me fjalë të mëdha, përmende gjuhët e shumta që dinte…e në fakt aso kohe fliste vetëm shqipen e tij të mrekullueshme, plot alegori, dritë, netë të brishta dhe shpirt kopshtor; të tregonte për dashuritë e tij të mbetura buzë gremine dhe nuk e dinim nëse kishte diçka të vërtetë në këtë ëndërr rrjedhëse dashurore.

Ai ishte dhe mbeti deri në fund një mikpritës besnik. Për miqtë e tij, shumë nga të cilët e tradhtuan, i dolën dëshmitarë të rremë, e përgjuan, e shanë, e flakën, e trajtuan si një të huaj, të padenjë për qytetin e lindjes, kur ishte një vazhdim i Migjenit, i cili kishte jetuar në po atë lagje, vetëm në kahun e kundërt të saj, ai, edhe kur u përmbysën kohët dhe figura e tij tani mund të ishte mitike, mbeti një portë e hapur.

Në fakt, nuk mund të ishte ndryshe. Ai mbeti, në vetveten e tij, një kristian idealist, por edhe një përjetues i dhimbjes njerëzore dhe, duke e ditur se trasnia kishte qenë më e fortë në disa nga miqtë e tij se sa dëshira për të qëndruar, i falte.

Në pas vitin 1990, kur ai tani mund të ecte i qetë rrugëve të qytetit, pra, të kalonte nga rrugicat në mbrëmje apo netëve të heshtura, kur nuk donte të rëndonte askënd me takimet e tij, në mesin e Piacës, kishte mjaft njerëz që i shmangeshin, tashmë nga ndjenja e fajit.

Në njërën nga këto ditë ne ecnim në rrugën kryesore, dhe pastaj, ashtu si ecte ai, me duar të hapura që i lëvizte rrëmujshëm, kaluam para Kafes së Madhe, në sheshin para së cilës, ishin ulur shumë njerëz, duke e shijuar pranverën.

Befas, krejt afër, atij i zuri syri njërin nga denoncuesit e tij, gazetar dhe botues, i cili, ndoshta me të njëjtin kostum që kishte veshur solemnisht kur kishte vajtur për të shpallur dëshminë e tij, po rrinte dhe bisedonte gjallërisht.

Frederiku e pa dhe u ndal. Tjetri ndali fjalën, uli kokën, do të kishte dashur të zhdukej në atë çast, në buzë i ngriu fjala që kishte dashur të thoshte, shpupurishi flokët e shumtë, si do të donte të krijonte një perde.

Frederiku i thirri në emër.

Ai ngriti kokën dhe shikoi me ankth.

-Përse nuk më flet?-i tha Frederiku. Përse? Të mos të të flas unë, kjo kuptohet, por të mos më flasësh ti…?

Tjetri kishte mbetur si shtatore e ngrirë dhe vetëm pak, në njërin cep të buzës, buzëqeshi duke ngrirë.

-Unë e kam harruar atë që më ke bërë ti dhe nuk e di nëse kam bërë mirë që e kam harruar apo jam i gabuar. Ti, mos e harro të keqen dhe përmendu, se burrat përmenden!

Mbeti deri në fund me shpirt kristian të padukur dhe askush, ose më saktë, pak kush, mendoi për shpirtin e tij.

I habitshëm dhe ndryshe nga gjithçka. Ashtu i kishte edhe ditët e fundit. U largua si ato drerët e plagosur që mbajnë në brirët e tyre dritën e hënës, me mallin për nënën dhe vetminë e tij legjendare.

Nga bota e shkrimtarëve ishin në largimin e tij të fundit tre vetë, Skënder Drini, Moikom Zeqo dhe Arben Bllaci.

Të tjerët, duke e pranuar heshtjen e tij si një falje, nuk kishin guximin të shkonin dhe t’i kërkonin faljen e tyre njeriut shpirtmadh, që, gjithë jetën kishte qenë në mjerimin e harresën e tij.

Lulja dhe mali!

Në kujtim të poetit të shquar, Vehbi Skënderi

Sot, duke udhëtuar buzë një mali, disi larg vendit tim, pashë se si kishin çelur në rrëpirat e tij disa nga lulet e para të pranverës, në atë morinë e ngjyrave, të cilat, sido që t’i përcaktosh, nuk je kurrë i saktë. Në fakt, është katarakti i mrekullisë së natyrës.

Lulet e rrëpirave dhe të luginave malore më kanë ngjarë gjithnjë si kopshtet angleze, në të cilat mbisundon vullneti i natyrës dhe jo i pronarit, ku pemët e egra, shkurret, mali e ujërat, pyjet e mëtejshme, harbimi i luleve në një shkuarje fantazmagorike, të cilat mezi kanë pritur ditën e parë të pranverës, atë 21 marsin e shenjtë, krijojnë të pabesueshmen dhe të papërsëritshmen.

Lulet e para të rrëpirave malore më sollën ndër mendje një njeri të veçantë.

Më është kujtuar, si nuk më ka ndodhur rrallë, një mik i hershëm, i cili nuk jeton prej shumë viteve dhe të cilin, edhe para largimit të tij, kisha vite pa e parë. Largësia i ka gjithnjë huqet e mungesat e saj.

Poetin e shquar Vehbi Skënderi, ndoshta më të shquarin në elegjitë që ka thurur për Kosovën, krejt befas, shumë e shumë vite të shkuara e gjeta në hidrocentralin e Vaut të Dejës, që sapo kishte nisur të ndërtohej.

Do të rrija disa muaj në këtë hidrocentral, ku sapo kishte nisur të botohej gazeta “Drita e Drinit”, dhe ku do të kishte, edhe asaj dite, edhe më pas, një staf të vogël, por të mrekullueshëm.

Në kantierin e Zadejës, ku drejtonte Napoleon Qendro, një ndër specialistët më të shquar në të gjithë vitet e hidrocentraleve dhe ku ishte sekretar partie Avni Destani, dorën në zemër një njeri i lexuar dhe i qetë, takova Vehbi Skënderin.

Nuk e kisha njohur deri asaj dite. Poezitë ia lexoja me dëshirën e të rinjve që kërkonin romantikën dhe ai e kishte atë së bashku me heroiken.

Ishte një poet i çuditshëm, ku njeriu kishte përparësi dhe poezia ishte mveshje e shpirtit.

E kishin dërguar në atë kantier të ftohtë, sidomos kur vajta unë, shkurti kishte ardhur me borëra, pasi e kishin përjashtuar nga Partia, gjë që nuk e kishte ndjerë dhe nuk do e përmendte kurrë.

Flinte në kantier dhe, meqenëse nuk mund të kthehesha çdo natë në shtëpi, zura një dhomë pranë tij, dhe, shpesh herë, kur ai nuk ishte në turnin e natës, tek sondat, ku punonte si kolektor, që do të thotë, me sa mbaj mend, matës i thellësisë së shpimit të nëntokës, bisedonim për letërsinë.

Ai ishte i gjithëditur, unë isha i gjithë uritur.

Fliste ngadalë, me zërin e qetë, të butë dhe dashamirës. Flokët i kishin rënë, ballit i kishin dalë rrudhat, sytë i qeshnin ngazëllueshëm, dhe zemërimin e kishte terratisur. Nuk mund të zemëroheshe me të, edhe në çastet kur mund të mendoje se hidhërimi i tij mund të kishte lidhje me gjëra rreth e rrotull.

Netëve shkruante vëllimin e tij poetik, “Vjershat dhe poemat e Drinit”, ku, mes të tjerave do të botonte dy poema të shkëlqyera, njërën për Heroin e Popullit, Manush Alimani dhe tjetrën për Heroin e Kosovës, Isë Boletini. Ende, edhe sot, janë ndër poemat elegjike më shprehëse dhe poetike.

Përgjithësisht ishte melankolikë dhe shumë vite më vonë, ndesha në një thënie të Aristotelit, sipas Ciceronit, se “Gjithë mendjendriturit janë melankolikë”, dhe e besova menjëherë.

Vehbi Skënderi ishte njeri mendjendritur, i paqtë dhe nuk mund ta mendoja se cilin kishte zemëruar paqëtia e tij.

Nuk erdhi asnjëherë në Shkodër. Megjithëse e ftoja, e jo vetëm unë, ai nuk erdhi dhe të shumtën e kohës së lirë, ashtu fillikat, dilte e shëtiste rrugëve të rrëpirëta të kantierit buzë malit dhe meditonte atë që ai vetëm ai e dinte.

Në fillimin e pranverës, kështu si tani, dhe ai fillim pranvere quante 21 marsin, ashtu si edhe unë, kishim dalë së bashku dhe as nuk flisnim. Dielli ishte i ngrohtë dhe rropatja ishte e këndshme.

Befas, buzë një rrëpira , vura re se kishin dalë lulet e para dhe ia tregova i ngazëllyer :

-Ndalu, shiko, lulet e para të malit. Kanë mbirë mes gurëve!

Ai ngriti kokën, i shikoi një copë here dhe pastaj më tha:

-Nuk është mali që i mban lulet, është lulja që e mban malin. Një mal, edhe mund të shembet, nëse nuk ka lulet e tij, ashtu të çelura mes gurëve, me rrënjëzat mes të çarave.

Në këtë jetë, e mira, e bukura, e brishta, ndjellësja është ajo që mban kohën; ndërsa vetë koha, nëse nuk mbështetet tek këto grimasa jete, atëherë është e humbur.

Më është kujtuar se si një natë, kur ende po shembeshin kishat apo xhamitë e fundit..kishin shkuar disa vite nga fillesa e shembjes së tyre, ai, befas, si nga një humbësirë, filloi t fliste për budizmin, jetëgjatësinë e tij, ndërsa unë, ende pa qenë 20 vjeçar, as nuk kisha dëgjuar për të.

Ai vazhdoi të më fliste se si, pikërisht ato lule të egra, ashtu inatçore, kundër çdo rrjedhe normale, të pabindura ndaj ligjit të natyrës dhe shpërthyese, ishin që mbanin malin dhe, në të vërtetë nuk ishte mali që mund të mburrej se u kishte bërë vend luleve të egra, por peshën e tij e mbanin pikërisht këto lule.

Si çdo gjënë botë, edhe në natyrë, do të ketë ngjarje të tilla, pa bindje të tilla, të cilat duken si fatale në momentin kur ndodhin, por që janë fatbardhat e së ardhmes.

Disa muaj më pas u ndava me poetin e shquar, Vehbi Skënderi.

U takuam rishtas në Tiranë, jo shumë herë. Ai ishte rikthyer në botën e tij, e cila nuk ishte më si kishte qenë dhe hapat i ishin bërë më të avashtë, zëri më i ngadaltë, heshtja më e gjatë dhe pasioni për jetën i ishte thyer në gjysmë.

Lulet që mbajnë malin nuk i kemi folur më.

Në një qytet të madh ke pak kohë për të kujtuar lulet e brishta, të egra dhe kryeneçe.

E megjithatë i kam kujtuar gjithnjë…ja kështu si sot, pas 50 viteve.

Shkodër, mars 2019

 

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *