Selia e Kongresit amerikan, Kapitoli, u vu përkohësisht nën masa të shtuara sigurie të enjten pasdite pas njoftimeve se jashtë ndërtesës ishin dëgjuar të shtëna me armë.
Policia që ruan Kapitolin, njoftoi për të paktën një të plagosur. Viktima u identifikua më vonë si oficer policie.
Ende nuk është e qartë se çfarë i shkaktoi të shtënat por sipas disa njoftimeve, policia ishte duke ndjekur një makinë nga një vend pranë Shtëpisë së Bardhë deri në rrugët afër Kapitolit.
Njoftimet vijnë ndërkohë që qeveria është pjesërisht e mbyllur, për shkak të mosmarrëveshjeve mes ligjvënësve të Kongresit rreth shpenzimeve buxhetore.
Në një njoftim të shpërndarë me e-mail, policia e Kapitolit i këshillonte njerëzit të mos qëndronin pranë dyerve ose dritareve të jashtme të ndërtesës.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine tha se disa anëtarë të Kongresit u mbyllën përkohësisht brenda sallës së Dhomës së Përfaqësuesve gjatë incidentit.
Edhe Senati ndërpreu punimet ndërkohë që shërbimi i fshehtë mori masa për heqjen e njerëzve nga Bulevardi Pensilvania përpara Shtëpisë së Bardhë.
