Instituti i Sigurimeve Shoqërore është keqmenaxhuar. Ky është konstatimi që vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas përfundimit të auditimit në gusht me objekt: “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare, për periudhën 1/1/2012 deri më 31/12/2012”. Të gjitha problemet e evidentuara në raportin e auditit, kanë ndikuar dhe ndikojnë në përkeqësimin e rezultatit financiar të sistemit të sigurimeve shoqërore i cili për vitin 2012 paraqitet me humbje në shumën 928.1 milion lekë dhe në veçanti ndikojnë direkt ne thellimin e deficitit të degës së pensioneve. Kështu, deficiti faktik i vitit 2012 i degës se pensioneve i cili mbulohet me subvencione buxhetor është 20,707 milionë lekë. Dhe vetëm për vitin ushtrimor 2012, ky deficit është tejkaluar me 928.1 milionë lekë mbi deficitin fillestar të miratuar me ligjin për buxhetin e shtetit të vitit 2012, i cili ishte planifikuar me 19,779 milion lekë. Ky raport konstaton se deficiti i degës se pensioneve nga viti në vit është rritur me ritme të shpejta dhe vetëm për vitin 2012, krahasuar me PBB zë 1,49 % të tij dhe krahasuar me vitin 2009 ky deficit është rritur me rreth 14.3 miliardë lekë, i cili në këtë vit zinte rreth 0.9 % të PBB. Kjo diferencë, ky deficit rritet nga viti në vit për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve, duke e tensionuar buxhetin duke e bërë emergjente reformën. Politikisht, reforma në sistemin e pensioneve duhet të bëhet përmes një formule të përkrahur nga të gjitha palët. Ky ka qenë mendimi i përfaqësuesve të Bankës Botërore për Shqipërinë. Konstatimet e raportit bëjnë të qartë se skema e pensioneve mund të konsiderohet tashmë një dështim dhe drejtuesit e këtij institucioni nuk po e menaxhojnë dot këtë institucion. Sigurimet Shoqërore sipas sistemit që zbaton Shqipëria sot, në të gjithë botën kritikohen si një mekanizëm që transferon paratë nga të varfrit te të pasurit, për shkak se të varfrit jetojnë më pak dhe me moshën aktuale të daljes në pension prej 65 vjetësh, shumica e tyre nuk përfitojnë asgjë nga kontributet e paguara. Sistemi i sigurimeve shoqërore shqiptare financohet sot në masën rreth 40 për qind nga buxheti i shtetit dhe kjo duket se u ka dhënë mundësi drejtuesve të këtij institucioni të krijojnë evazion fiskal me skemat e sigurimeve, fakt që përmendet në raportin e KLSH-së, sidomos kjo me pensionet e fshatit. Për këtë rast KLSH ka kërkuar të merren një sërë reformash që lidhen me shtatë pika kryesore: Nivelin i personave të siguruar, formulën aktuale të pensionit, pasi formula aktuale nuk ofron nxitje të mjaftueshme për pjesëmarrje, evazionin fiskal, pasi evazioni është shume i lartë si pasojë e informalitetit dhe të deklarimit të të ardhurat më të vogla se sa janë në realitet, me mënyrën dhe rregullat e indeksimit të pensioneve, pasi shkalla e zëvendësimit të pagës me pensionin në momentin kur punonjësit dalin në pension pleqërie është e ulet për punonjësit me paga mesatare dhe paga të larta, trajtimet e favorshme për banorët ruralë, pasi konstatohen trajtime të favorshme si në sistemin e kontributeve ashtu edhe të pensioneve, skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare, pasi konstatohen, mbulime me subvencione buxhetore edhe për skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare, shpenzimet për përfitimet e të cilave vazhdojnë të rriten nga viti në vit si dhe sistemin e pensioneve, pasi dega e pensioneve është me deficit i cili ka kaluar mbi 1% të PBB, edhe pse 55 % e kontributeve rurale financohen nga buxheti i shtetit.
Ja shkeljet e ISSH-së
Gazeta “Dita” ka zbardhur të gjithë abuzimet e vërjetura nga KLSH për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Këto abuzime konstatojnë si në mbledhjen e të ardhurave ashtu dhe në shpenzimet për përfitime
Në mbledhjen ardhurave:
1. Mos realizimi të ardhurave të programuara nga shmangia e pagesës së kontributeve nga të punësuarit në subjektet privat, ka sjell një nivel mjaft të ulët të numrit të kontribuesve që mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Nga ky evazion fiskal plani vjetor fillestar i të ardhurave prej 48,604 milion lekë është realizuar 95.55 % duke krijuar një deficit prej 2,166 milionë lekë.
2. Gjendja e detyrimeve të kontributeve të pa paguara nga subjektet private në fund të vitit 2012 është 8,054,030 mijë lekë dhe vetëm në këtë vit janë shtuar këto detyrime me 320,089 mijë lekë. Këto detyrime zënë rreth 8.9 % të totalit të të ardhurave të planifikuara të vitit 2012 dhe vetëm detyrimet e krijuar në këtë vit zënë, rreth 34 % te deficitit të krijuar të po këtij viti.
3. Në mbledhjen e kontributeve është konstatuar problem shqetësues edhe mosdorëzimi i listëpagesave nga subjektet e biznesit të vogël e të madh, sidomos të listëpagesave tremujore të biznesit të vogël. Në fund të vitit 2012, rezulton se mungojnë gjithsej 268,930 listëpagesa.
4. Të ardhurat nga të vetëpunësuari në bujqësi janë programuar 2,550,000 mijë lekë dhe janë realizuar 2,163,686 mijë lekë ose 84.9%, me një mosrealizim prej 386,314 mijë lekë.
5. Është konstatuar një numër mjaft i lartë i personave që nuk përfshihen në skemën e Sigurimeve Shoqërore në fshat. Numri fizik i personave që nuk kanë paguar kontribute si persona të vetëpunësuar në bujqësi për viti 2012 është rrethe 111, 709 persona. Nga mospagesa e këtyre kontributeve llogaritet një evazion ne fushën e sigurimeve në shumën 2,319 milionë lekë.
6. Të ardhurat nga sigurimi vullnetar janë realizuar 93.9 %, me një mos realizim prej 23,331 mijë lekë. Mos realizimi i të ardhurave ka ardhur ne mënyre te drejtpërdrejt nga mos realizimi i numrit te personave te siguruar. Për vitin 2012 numri fizik i kontribuuesve të siguruar vullnetarisht u realizua 4,484 persona, por në krahasim me vitin 2011 kemi 793 persona më pak.
Në shpenzimet për përfitime:
1. Në disa raste është konstatuar se sigurimi i barrëlindjeve bëhet paslindjes me qëllimin e përfitimit të raportit mjekësor.
2. Shpenzimet për “Pensione” në total janë programuar në vlerën 71,707.9 milion lekë dhe në fakt janë shpenzuar në vlerën 71.631.6 milionë lekë, ose në masën 99 %. Por në krahasim me realizimin e vitit 2011, programi i vitit 2012 është rritur në vlerën 4,240 milion lekë.
3. Janë konstatuar probleme në vendimmarrjet e KMCAP, Rajonale dhe Eprore, të cilat kanë sjellë raste të shumta informaliteti në dhënien e pensioneve të invaliditetit.
4. Në vitin 2012 shuma e shpenzimeve për komisione të pagesave të përfituar nga Posta Shqiptare për shërbimin e pagesave të pensioneve janë në vlerën 499.3 milionë lekë. Te krahasuar me vitin 2006 këto janë rritur rreth 200 milionë leke ose 70% me tepër.
5. Nga rritja e inflacionit të vitit 2012, shpenzimet për pensione u shtuan për 4,476.4 milionë leke ose 5.4 %, më shumë se viti 2011. Rritja e pensioneve nuk ka ardhur në raport të drejtë me rritjen e inflacionit të këtij viti, pasi pensionet janë rritur 5.4 %, ndërsa inflacioni sipas INSTAT është 3 deri në 4 %.
6. Gjatë vitit 2012, ka pasur shtesë të shpenzimeve edhe nga rritja e numrit të përfituesve në skemat e pensioneve në krahasim me vitin 2011, por rritja nuk është shoqëruar me rritje të numrit të kontribuesve.
7. Për vitin 2012 numri i personave të mbuluar me kontribute të buxhetit të shtetit për kategoritë të veçanta personash është 33,394 persona dhe rreth 50 % e këtij numri e përbejnë, ushtarakët dhe ish punonjës të nëntokës. Këto kategori trajtohen me përfitim duke filluar nga mosha 42 vjeç deri ne moshën 60-65 vjeç.
Rrofsh moj Dita,por na ler rehat me me keta hajdutet e Idriz plehres,prokuroria le te merret me keta. Njeri nga ata qe vidhte me Kseren dhe u arrestua dje eshte perseri nga keta mjeshtrat e PDIU. Duhet te jete rastesi se Camet nuk jane degjuar per te tilla procka. Tung