Shqipëria ndër vendet me normën më të lartë të aksidenteve me vdekje

Leda Hysa

Ndonëse aksidentet rrugore me pasojë humbjen e jetës kanë qenë në rënie, Shqipëria renditet e shtata në Europë për numrin më të lartë të tyre.

Në 2018-n raporti i aksidenteve me pasojë jetën në Shqipëri ishte 75 për 1 milionë banorë, sipas përllogaritjeve të Monitor bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT.  Në raport me vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria renditet ndër vendet me normën më të lartë, së bashku me Maqedoninë e cila për vitin që lamë pas shënoi rritje të aksidenteve fatale.

Sipas Eurostat, Rumania është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve për shkak të aksidenteve rrugore për 1 milionë banorë, ndonëse ky raport u ul me 4 për qind në krahasim me një vit më parë.

Në vend të dytë renditet Bullgaria me 88 vdekje për 1 milionë banorë. Edhe në Bullgari aksidentet fatale ranë me 9%.  Në vend të tretë renditet Maqedonia, me rreth 80 vdekje/ 1 milion banorë, ku ishin rritur me 11%. Po ashtu, në krye të klasifikimit renditet Letonia, me 78 vdekje/1 milion banorë, Kroacia me 77 dhe Polonia me 76.

Serbia renditet në vend të tetë pas Shqipërisë, ku në 2018-n atje raporti ishte 69 vdekje për 1 milionë banorë, rreth 7% më pak krahasuar me një vit më parë.

Bazuar në këtë renditje është e dukshme se rrugët në Europën Lindore janë më të rrezikshme në krahasim me pjesën tjetër të kontinentit europian.

Për 2018-n Mbretëria e Bashkuar shënoi vendin me numrin më të ulët të vdekjeve si pasojë e aksidenteve rrugore, me 28 vdekje për çdo 1 milionë banorë, rreth 2.6 herë më pak se në Shqipëri.

Edhe në vendet si Danimarka, Irlanda dhe Norvegjia, numri i aksidenteve me humbje jete për 1 milionë banorë varionte nga 30-32.

Në të gjithë Bashkimin Europian sipas Eurostat numri i vdekjeve si pasojë e aksidenteve rrugore për 1 milion banorë ishte 49. Për fat të mirë numri i tyre ka qenë në rënie, ku në krahasim me 1 vit më parë ishin 1% më pak, ndërsa nga 2010, vdekjes si pasojë e aksidenteve rrugore ranë me 21%.

l.h/ dita

Share This Article
2 Comments
  • do ishte mire per te nxjerre nje vleresim tjeter ti referoheshin nr te vdekjeve per nr e makinave (psh njeqind mije makina), sepse nr makinave ne vendet e pasqyruara eshte me i madh se ne Shqiperi, besoj. Keshtu keto shifra ka rrezik dalin edhe me dramatike per ne. Mund te zeme vendin e pare.

  • Ne Shqiperi behen vetem rruge qe nuk perfundojne asnjehere, ndersa sinjalistika lihet ne ndergjegjen e qytetarit. Po i mbushet mendja, kalon.
    Sidomos rrethrrotullimet ta rrotullojne koken fare. Kalojne te paret ata qe nuk jane ne rreth, ndersa nga korsia e jashtme ka te drejte te te leshohet nje ose me shume makina per te hyre ne kthese. Cudi po cfare cudie qe nuk vdesin me shume.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *