Viktima e Rinasit, ç’u tha në pretencën e Prokurorisë në janar (video)

Bora Basholli

Admir Murataj, i vrarë një ditë më parë gjatë grabitjes së 10 milion eurove në Rinas nuk është një emër i panjohur as për policinë por as për publikun.

Në pretencën e Prokurorisë dhënë më 18 janar të këtij viti për bandën e akuzuar për tri grabitje të ndodhura në autostradë gjatë transportimit të parave të bankave nga Tirana në Rinas, (si dhe një grabitje banke në Greqi), Prokurori i çështjes në total kërkoi 127 vite burg për 8 të akuzuarit, ndërsa në kërkim rezultonte Murataj.

Ngjarja e parë për të cilën akuzohet grupi, ndodhi në vitin 2015 pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro.

Pak muaj më vonë rreth 2 mln paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute u vodhën pranë kthesës së Kasharit.

Ngjarja e tretë për të cilën akuzohen të pandehurit ndodhi pranë Rinasit gjatë transportimit të parave me makinën e policisë private, ku u rrëmbyen në automjet thasët me 2 mln e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera.

Zbulimi i serisë së autorësisë së grabitjeve u bë në shkurt të 2017, ku policia dhe Prokuroria arrestuan anëtarët e bandës, të cilëve iu gjetën edhe një pjesë të shumave të vjedhura.

Kartëmonedhat ishin groposur në tenxhere, por edhe ishin fshehur në mënyrë origjinale në vende të tjera, duke u futur me qese në frigorifer.

Murataj posedon një shtëpi në kodrat e Fushë-Prezës dhe një servis familjar në Vorë. Nga një shtëpi e rrënuar që Murataj kishte blerë këtu e 10 vjet më parë, sot shtëpia e tij në Fushë-Prezë është një nga vilat që bie menjëherë në sy.

Godina është e sofistikuar jo vetëm në ndërtim, por edhe në siguri, që nga rrethimi me gardh hekuri të lartë e deri te kamerat dhe sistemet e alarmit.

Kjo vilë sipas hetuesve ka patur edhe një funksion tjetër, madje thelbësor në realizimin e dy grabitjeve të mëparshme, atë të vitit 2015 dhe 2017.

Duke qenë se është e ndërtuar në një lartësi të konsiderueshme dhe me fushëpamje shumë të qartë, nga aty janë vëzhguar me dylbi të dyja ngjarjet e ndodhura në rrugën e Rinasit pak vite më parë.

 

b.b/dita

Share This Article
3 Comments
  • Po, ça priste policia që se mbante nen pergjim shtepine e ketij banditi, apo kishin ndruar role ky mbante nen pergjim policine. Pastaj policise duhej ti shkonte mendja edhe per faktin se gjittje keto kamera sigurie, perse, edhe ku ne nje fshat ku njerezit e njohin njeri tjetrin

  • Duket qe aktivitetet jane realizuar nga shtepia, por qe vetem krimineli qe bredh autostradave dhe aeroporteve nuk kapej dot. As Lesh gjenerali nuk e kapi dot. Behen gjenerale e police, me spaleta dhe medalje dhe tallin menderen gjithe diten me paret e popullit.
    Shtet o shtet, per lezet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *