Si duhet përkujtuar Enver Hoxha?

Leda Hysa

 

Xhevdet Shehu

Sot është 34 vjetori i vdekjes së ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhës. Mund të mos shkruanim në këtë datë, pasi nuk është një përvjetor i plotë. Por ne kemi shkruar herë pas here në gazetë për Enverin, kemi shkruar vazhdimisht për luftën antifashiste, për shokët e Enverit, për ato që kanë ndodhur gjatë sundimit të tij. Na u duk normale që të shkruajmë edhe sot, pasi kemi parë një revansh të sinkronizuar që është ndërmarrë kundër luftës antifashiste dhe historisë sonë më dinjitoze. Kemi parë e dëgjuar t’i thuren lavde pafund kolaboracionistëve të pushtuesve nazi-fashistë me në krye Mit’hat Frashërin…

Enveri e sundoi me dorë të hekurt Shqipërinë për gjysmë shekulli dhe në një periudhë kaq të gjatë sundimi ka shumë dritë-hije.

Por sivjet jemi në përvjetorin jubilar të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Një nga faktet që nuk mund ta mohojë askush është se Enveri ishte udhëheqësi i asaj lufte antifashiste. Dhe ajo luftë e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm. Kjo është e padyshimtë. Enverin mund ta kritikosh për shumëçka, por jo për atë luftë që e radhiti Shqipërinë e vogël në krahun e aleatëve të mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë që ishin fitimtarët e asaj lufte.

Edhe gjatë asaj lufte janë bërë gabime. Por padyshim që krimi më i madh është ta fshish atë luftë si inekzistente, të ulësh heronjtë nga piedestalet dhe të ngresh antiheronjtë, pra kolaboracionistët me në krye Mit’hat Frashërin sikurse po ndodh kohët e fundit.

Enver Hoxha është figura historike ndaj të cilit është hedhur shumë baltë nga ish-kundërshtarët e tij politikë që morën pushtetin pas vitit 1990. Dhe ata me pinjollët e tyre e sulmojnë Enverin për luftën antifashiste, por më shumë për shtetin që ndërtoi më pas. Dhe përmendin pambarimisht burgjet, diktaturën, luftën e klasave… A kanë të drejtë këta? Disa kanë të drejtë.

Enver Hoxha vdiq më 1985. Por në të vërtetë vdekja e regjimit të tij kishte filluar të ndihej kohë më përpara… Dhe këtu analistët përmendin disa faktorë lehtësisht të dallueshëm që kishin ndikuar në dobësimin e organizmit të regjimit totalitar si luftën e klasave, përqendrimin e gjithçkaje në duart e shtetit, izolimin e thellë ndaj botës,  infrastrukturën e amortizuar etj., etj., të cilat kishin shfaqur botërisht shenjat klinike të vdekjes së sistemit. Ashtu si në vdekjen e organizmave njerëzorë, vdekja e regjimit komunist në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera, ishte paralajmëruar me ftohjen e gjymtyrëve të veçantë të tij, që kishin filluar të mos funksiononin, pra që kishin vdekur paraprakisht.

Duke e parë nga distanca rrokullimën e viteve ’80, duke i marrë faktorët që çuan në tatëpjetën e thepisur një nga një, nuk është e vështirë të konstatohet se komunizmi në Shqipëri vdiq për një gotë qumësht, për një kile mish dhe për një kokërr vezë! Nga mungesa e theksuar e këtyre elementeve bazë të ushqimit të përditshëm, populli filloi ftohjen e madhe e të pakthyeshme me regjimin komunist, ose thënë më qartë, filloi ta vdiste çikë e nga një çikë, duke i kthyer krahët me kujdes dhe duke zhvilluar me të në heshtje një luftë për jetë a vdekje. Në kushtet e shtetëzimit total, të mungesës së pronës private, të oborrit që ngushtohej dita-ditës, në kushtet e mungesës së bagëtive dhe të shpendëve, individi u vu përballë shtetit duke mbajtur për gjithçka sytë nga ai.

E, megjithatë, erdhi një kohë që edhe regjimit komunist në Shqipëri i erdhi fundi…

Për t’i dhënë plotësisht përgjigje pyetjes pse në Shqipëri regjimi komunist jetoi më gjatë se në vendet e tjera euro-lindore, mund të sillen plot argumente. Periudha e sundimit komunist në Shqipëri mendoj se do të përbëjë edhe për shumë kohë një objekt interesant për analistët e politikës, shkrimtarët dhe studiuesit, duke e vështruar atë në shumanshmërinë me të cilën tashmë është fiksuar përfundimisht. Deri më tani, analistët kanë dhënë e japin për këtë plot arsye, kanë radhitur një sërë faktorësh.

Por të gjithë ndoshta bashkohen në një pikë, nuk mund të mohojnë një fakt: ai sistem mori dhe mbeti i fiksuar me fytyrën dhe emrin e Enver Hoxhës. Sa më tepër po kalojnë vitet, aq më tepër analistët po binden për këtë. Madje është e habitshme se si ka filluar të ringjallet edhe nostalgjia për Enverin. Nuk janë të paktë ata që e kujtojnë atë kohë, duke kujtuar kapërcimin epokal që u bë në emancipimin shoqëror, me arsimimin, elektrifikimin, industrializimin, zhdukjen e gjakmarrjes etj., etj. A kanë të drejtë këta dhe a mund t’i ndalosh të flasësh? Jo. Pasi do të përsëritet e njëjta histori nga fillimi, por në kahun e kundërt.

I bukur, elegant, hijerëndë, tërheqës, elokuent dhe orator i pashoq, i ndjeshëm dhe i pamëshirshëm, i magjishëm dhe tmerrues, Enver Hoxha dinte të qeshte dhe të vrenjtej, dinte të imponohej dhe t’i bënte për vete ose t’i nënshtronte përfundimisht të tjerët. E kanë quajtur aktor të lindur, por, më shumë se aktor, ai ishte një mjeshtër virtuoz i pushtetit, që e vërtiste atë me lehtësinë më të madhe dhe nuk kursente askënd për të.

“Enver Hoxha kishte një kujtesë të gjatë dhe të pamëshirshme” – nënvizon Reginald Hibbert te “Fitorja e hidhur”.

Më 1988 u kremtua me madhështi 80-vjetori i lindjes së Enver Hoxhës dhe me këtë rast u përurua muzeu madhështor në formë piramide në kryeqytet si dhe disa statuja gjigante të tij në Tiranë, Gjirokastër dhe Korçë, ia shumëfishuan emrin nëpër shkolla, rrugë, kooperativa dhe uzina. Ndërsa Ramiz Alia botoi librin panegjirik Enveri ynë.

Të gjitha këto bëheshin në një kohë që socializmit i ishte mbaruar karburanti. Por, ndërsa vazhdonin të mbaheshin me kujtimin e Enverit, ish-udhëheqësit e atëhershëm nuk po e kuptonin se kështu po tregonin haptas paaftësinë e tyre qeverisëse dhe se duke mos patur asgjë të re, krijuese dhe shpresëdhënëse në veprimtarinë e mëpastajme, po zhvlerësoheshin në sytë e popullit. Akrepat e orës së tyre në mos ecnin mbrapsht, kishin ngelur më 1985.

Ndaj u thirr me urgjencë  në muajin Qershor, gati gjashtë muaj para afatit, Kongresi i 10-të i Partisë së Punës. Kongresi i 10-të i Partisë së Punës u konsiderua Kongresi Themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në këtë parti do të mungonin gati të gjithë emrat e gardës së vjetër, të njohur si bashkëluftëtarë dhe besnikë të Enver Hoxhës.

Komunizmi klasik që u aplikua në Shqipëri për afro gjysmë shekulli kishte perënduar njëherë e përgjithmonë në emër të progresit, në emër të demokracisë që aspironin shqiptarët. Por kjo nuk do të thotë të fshihet kujtesa jonë historike, qoftë edhe filozofie e një regjimi që e ka mbyllur kapitullin e tij. Kjo mendoj se është edhe mënyra më e mirë për ta analizuar figurën e Enverit në kontekstin e një kohe dhe për t’i dhënë vendin që i takon në historinë tonë.

Një nga miqtë e gazetës na solli dje kujtimet Kristaq Ramës, babait të kryeministrit aktual, të botuara në vitin 1988,në vëllimin e parë të kujtimeve për Enverin që u botuan me rastin e 80-vjetorit të lindjes së ish-udhëheqësit komunist (Kujtime për Enverin, 1988, f.387-391). Kristaqi ishte një artist i madh i skulpturës monumentale dhe është autor i shumë veprave të rëndësishme, përfshi edhe monumente të Enverit. Këto kujtime që ai i ka botuar 31 vite më parë tregojnë integritetin e tij si artist dhe njeri publik. Pas kaq shumë vitesh mendoj se ai do të mbante të njëjtin qëndrim, pasi ai e ka njohur nga afër Enverin dhe kishte miqësi me të. Pavarësisht se i biri i tij, Edi kryeministër, ka mendim krejt të kundërt me të.

Share This Article
2 Comments
  • Nuk ka dritehije regjimi enverist dhe enveri jot ,o Xhevo!
    Eshte i gjithe i zi,hale qe ne fillim.
    Enveri jot ishte nje FALLCO,nje FASADE dhe nje fallco nuk mund te ndertoje nje ngrehine te qendrueshme.
    Me mire se i ati askush ne bote nuk e ka psikologjisur enverin tend: “Kete timin,Kush e sheh,coc i duket,kush e ka cirret e nduket”
    Nje person qe nuk i hyri jetes nga dera,por nga dritarja.Ky person nuk justifikoi kurre sakrificen e shrtetit te varfer shqiptar qe e paisi dy here me burse studimi.Ky kerkoi nepunesira me nderhyrje,me haterlluqe,me poshterime,me sherbime te fshehta,me spiunime prapa kraheve,me vjedhje.
    Enveri nuk reagoi qekur Italia fashiste suprimoi pavaresine e Shqiperise ne 7 prill 1939,;nuk doli ta priste ne Durres si Abas Kupi,as ju bashkua demostrates se rinise korcare te organizuar nga Abas Ermenji..Enveri ishte nje rufjan pa atdhe,qe luante komedianin,sepse nuk luante dot vrasesin ne ate kohe.
    Te gjithe organizatoret e Demostrates se Korces perfunduan ne Burgjet e Italise,,Abaz Ermenji,Enver Sazani,Zai Fundo,ndersa enveri rrinte kembe mbi
    kembe ne kafene dhe tallej me ta.
    Por pas tre vjet tregetar dhe kontrabandist i suksesshem,,si u be ky person antifashist?
    Ky nuk ka qene as antifashist,as komunist,Ky nuk ka pasur ideale.
    Ky ka qene thjesht RUFJAN.
    Ashtu si u vetofrua ne sherbim te bejlereve te Libohoves,ne sherbim te Zogut,ne sherbim te fashisteve,ky birbo u vetofrua ne SHERBIM TE SERBEVE.Serbia u tmerrua kur Kosova dhe viset shqiptare nen Jugosllavi,ju bashkuan Shqiperise,ndaj dergoi korieret e saj komuniste te organizonin kollonen e peste brenda rradheve,,nje kollone qe ka egzistuar qe me Esad Pashen,Myslym Pezen,Haxhi Lleshin,qe paguheshin nga Mbreteria Jugosllave.Dy korieret serbo-malazes Miladin Popovic dhe Dushan Mugosha rivendosen Lidhjet e vjetra dhe gjeten Enverin,nje gjetje e shkelqyer per te realizuar qellimin e tyre,.RIPUSHTIMIN E KOSOVES,.I gjithe organizimi i luftes se quajtur nac-cl,u ngrit si reparte terrori per te vrare dhe cdukur nacionalistet shqiptare,qe ideal kishin Shqipnine ethnike.Lufta kunder fashizmit dhe nazizmit ishte thjesht demagogji,SEPSE LUFTA PARTIZANE KISHTE OBJEKTIV TE VETEM SHQIPTARIZMIN.
    Kjo demagogji kishte si precedent,luften Ballkanike,kur ushtrite e Serbise,Greqise,Malazise sulmuan Shqiperine,kafshuan toka shqiptare,masakruan popullsine shqiptare,poor ne Deklarata thuhej se po luftonin kunder Turqise.

  • Enver Hoxha duhet kujtuar per rolin historik ne luften nacional çlirimtare, duhet respektuar per edukimin e ruajtjen e virtuteve te dashurine ndaj vendit dhe popullit, ne emancipimin e thelle historik te shoqerise shqiptare, duhet nderuar si prind i devotshem. Nen udheheqjen e tij populli yne nga 80 perqind analfabet ne 1944 arriti ne hapjen e universiteteve, Akademise te shkencave dhe instituteve kerkimore shkencore. Nen udheheqjen e tij u ndertua industria mekanike, kimike, metalurgjike, ushqimore, hidrocentrale, hekurudha, tokat u vune nen uje, u mbollen me miliona rrenje ullij e agrume, shendetesia falas, etj. etj. E tere kjo ne saje te punes te rinise qe ai nuk e lejoi te braktisi vendin. Por vendi u kthye si nje kamp perqendrimi. I izoluar nga bota. Enver Hoxha, e sidomos keshilltaret e tij, nuk e kuptonin sistemin financiar boteror, forcen e dollarit, derivatet dhe opcionet financiare, vendosjen nga te tjeret te çmimeve qesharake te lendeve te para te naftes, te kromit, bakrit e te tjera mallrave qe ne eksportonim. Me ata qe drejtonin tere jeten financiare te planetit vendi yne, per arsye ideologjike e parimore kishte prishur tere lidhjet . Ananliza e mesiperme ven ne dukje disa fakte por Enver Hoxha dhe Partia e Punes duhen analizuar shume me thelle per rolin historik qe kane luajtur ne zhvillimin e vendit dhe nuk duhen lene ne doren e militanteve te njeres apo tjetres pale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *