Nga Moikom Zeqo
1-ÇELËSI
Kontit Atol në natën e martesës gjatë seksit me nusen i ndodh tragjedia.
Nusja i vdes pikërisht në tendosjen hyjnore të pakufishme të shqisave gjatë aktit bashkues.
Konti Atol gati u çmend.
E vendosi trupin e mrekullueshëm të gruas së bukur në kriptën e familjes, pastaj e hedh në det çelësin që mbyll varrin.
Kalon koha, konti s’harron dot asgjë.
Një natë sheh në ëndërr të bashkohet prapë me nusen e vdekur, si një bashkim seksual të fundit.
Kur zgjohet, gjen pranë vetes një objekt: është çelësi i varrit të nuses fatale.
Një çelës?
Ç’është kjo metaforë mistike?
Çelësi që nuk e dinte Frojdi pedant?
Çelësi femëror që hapte një bravë mashkullore?
Apo e kundërta?
Çelësi Parajsor i shën Pjetrit?
Apo çelësi i burgjeve Skëterrorë të shpirtit?
1998 / Ribotuar në Dita
*****
2-REFUZIMI
Aleksandri i Madh u zemërua me arkitektin që i premtoi (a thua?) që malin e Athosit ta kthente në një statujë të tij e në pëllëmbën e hapur të mbante një qytet.
Pse?
A s’ishte ky projekt ambicioz një përshtatshmëri imazhore e ambicieve të vetë Aleksandrit të Madh?
Arkitekti i demonizoi skajet e çdo ambicie të pamundshme.
Sfidant i klientelizuar me një lloj poezie prej guri të artit si metamorfozë pushteti e natyrës së virgjër!
Po pse u zemërua Aleksandri i Madh?
Dihet narcizmi i tij grotesk në dukje i përkorë.
Ndoshta arsyetoi se skulpturimi i qenies së tij të dukshme do të krijonte një idhujtari të kopjes dhe origjinali do të harrohej.
Misteri mbeti pa kumt brenda trurit (kafka mbas vdekjes së tij nuk u gjend kurrë!)
Aleksandri i Madh mëtonte një plotfuqishmëri të qenies së padukshme.
Si kujtesë e mijëvjeçarëve.
Askush nuk ka një ekuacion shpjegimi mbushamendës.
Shekuj më pas murgjit e krishterë e paepur e zotëruan gadishullin detar të Athosit.
Ata bënë ikonat, gjithashtu kopje magjepsëse të origjinaleve të Krishtit, Marisë dhe asketëve të mëdhenj.
Ata nuk e kuptuan refuzimin e rreptë pagan të Aleksandrit të Madh, herezi teologjike e pashmangshme.
Ç’neurozë!
1988 – Ribotuar në Dita

bukur …
s’ka si Letersia & Femra