Ndërsa prokuroria është përgatitur me akuzë, Ada Musaraj nuk gjendet. Ish-bashkëjetuesja e Elton Deliut, i vrarë në banesë bashkë me nënën e tij në dhjetor të vitit 2008 akuzohet për “Pastrim të parave”. Por edhe pse është thirrur zyrtarisht nga organi i akuzës, Musaraj nuk është paraqitur. Madje edhe inspektori i policisë në zonën ku ajo jeton, nuk e ka gjetur. Ka dyshime që ajo të jetë larguar jashtë kufijve, por për prokurorinë kjo nuk përbën problem, sepse Musaraj në një refuzim të dytë, mund të shpallet person në kërkim. Pas vrasjes së Elton Deliut, pronat dhe pasuria e tij që kapnin vlerën e 3 milion eurove ishin bllokuar nga gjykata me argumentin se ishin vënë nga aktivitete të paligjshme. Por prokuroria e Tiranës ka dyshime se pikërisht këto prona kanë vazhduar të shfrytëzohen nga ish-gruaja e tij me gjithë aktin e bllokimit. Në këtë pikë Task-Force e prokurorisë së Tiranës ka ngritur akuzën e pastrimit të parave ndaj Ada Musarajt. Pronat u bllokuan në dhjetor të 2012 me vendim gjykate, pasi dyshohet se janë ngritur dhe siguruar nga të ardhurat e trafikut të drogës. Pas vrasjes, të ardhurat e siguruara nga kjo pasuri janë përvetësuar nga bashkëshortja, e cila ka investuar në blerjen e pronave në qarkun e Tiranës.
Nga verifikimi i kryer, ka rezultuar se Musaraj përveç pronave të sekuestruara vjel të ardhura edhe nga një vilë që ndodhet në afërsi të Vaqarit, e cila është dhënë me qera. Përveç kësaj, prokuroria ka konstatuar se Musaraj ka dhënë hua një shumë prej 800 mijë eurosh, e cila mendohet se ka ardhur nga qiratë dhe pronat që janë në pronësi të të ndjerit Deliu. Vetë të afërmit e viktimës, pasi janë pyetur nga prokurorët, kanë pohuar se pronat e nipit të tyre, janë shfrytëzuar vetëm nga ish-bashkëjetuesja, Ada Musaraj.
Me vendim gjykate, tashmë janë të bllokuara mbi 20 llogari bankare, lokale, apartamente dhe troje me vlerë 3 milionë euro. Mes pasurive të shumta janë disa apartamente, një vilë në plazhin e Durrësit, një furgon i blinduar, disa sipërfaqe toke në Tiranë dhe Durrës, si dhe disa lokale në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Dibrës dhe në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.
Çfarë zbuluan hetimet për transferta bankare
Në pasurinë e trashëguar prej Elton Deliut, është përfshirë dhe vajza e tij nga bashkëjetesa me Ada Musaraj. Pas vdekjes së biznesmenit kjo e drejtë iu dha me vendim të Gjykatës së Apelit. Por nga hetimet për disa ngjarje që u pasuan pas vrasjes së Deliut, u zbulua se Musaraj ka bërë transferta të ndryshme bankare. Ajo ka tërhequr shuma të konsiderueshme nga një llogari bankare që përfshihet në pasuritë e lëna nga i ndjeri. Bëhet fjalë për një llogari, e cila është hapur më 15 tetor 2008, në një bankë të nivelit të dytë nga F.Deliu, e afërme e Elton Deliut. Në ditën e parë të hapjes së llogarisë, në të janë depozituar 500 mijë dollarë, kur Elton Deliu ishte ende gjallë. Në dhjetor 2008, në këtë llogari shtetasja Ada Musaraj ka hedhur 700 mijë dollarë. Kjo e fundit ka tërhequr më pas në mars 2009 plot 400 mijë dollarë njëherësh. Tërheqja e shumave nga llogaria në fjalë ka vazhduar, konkretisht në prill 2009, 135 mijë e 350 USD. Brenda atij muaji edhe 113 mijë e 912 dollarë dhe në tetor 2009 është tërhequr shuma 225 mijë dollarë. Po kështu ka vazhduar tërheqja e shumave në këtë llogari në datën 20 maj 2011, në shumën 290 mijë dollarë. Për policinë është e paqartë se si palët kanë marrë akses në këtë llogari bankare, ndërkohë që burimi i shumave të lëvizura dyshohet se ka qenë pikërisht Elton Deliu, i afërm i gruas që hapi llogarinë dhe ish-bashkëjetues i gruas tjetër që ka derdhur e më pas ka tërhequr shuma nga kjo llogari. Në total shuma e lëvizur nga llogaria në fjalë është 1.1 milion dollarë.
Vrasja e Elton dhe Flutura Deliut
Elton Deliu dhe nëna tij Flutura Deliu u ekzekutuan me 11 plumba në banesën e tyre më 27 dhjetor 2008. Vrasja ndodhi rreth orës 15.00, në ambientet e brendshme të apartamentit në katin e gjashtë, në pallatin mbrapa Presidencës, në rrugën “Perlat Rexhepi”. Fillimisht autorët e krimit mafioz mendohet se goditën me një plumb në kokë të ëmën Flutura Deliu, 52 vjeçe dhe më pas masakruan me plumba 32-vjeçarin. Vrasësit, dy vetë, e qëlluan 11 herë, ku gjashtë plumba e kanë zënë në kokë dhe pesë në trup. Atëherë policia mori në pyetje të fejuarën e Elton Deliut e cila mendohet se ka qenë njeriu i fundit që e pa gjallë. Ajo tha se ishte kthyer me makinë për në shtëpi dhe pasi e kanë parkuar mjetin, Eltoni është ngjitur lart me ashensor, kurse ajo duke qenë se ashensori ishte i bllokuar është ngjitur nga shkallët. Në momentin që ajo ka qenë përballë derës së apartamentit të tyre ka parë Eltonin, që po mbahej në derë dhe që i dilte gjak nga qafa. Elton Delia njihej në zonë me emrin “Kuqi”, i identifikuar nga policia si i dyshuar për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike. Viktima disa muaj para se të ekzekutohej ishte ndaluar nën dyshimet për trafik droge, por ishte lënë i lirë më vonë. Para ekzekutimit Deliu i kishte shpëtuar për mrekulli dy atentateve të tjera.
