Çrregullimet e pamjes janë ndër problemet e shpeshta që manifestohen edhe tek fëmijët shqiptarë. Urdhri i nxjerrë nga Ministria e Arsimit, (nëpërmjet të cilit për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë, një ndër dokumentet që duhej dorëzuar nga prindërit ishte edhe raporti okulistit), cilësohet si një hap pozitiv që ka ndihmuar në evidentimin e qindra rasteve, ku fëmijët raportonin probleme me shikimin.
Moszbulimi në kohë i këtyre probleme, për vite me radhë ka bërë që shumë prej çrregullimeve që prekin shikimin të mos marrin trajtimin e duhur në kohë, dhe për pasojë të lënë gjurmë të rënda në shikimin e fëmijëve (çka reflektohet në rastet e shumta kur vendosja e syzeve bëhet në mosha të mëdha). Me marrjen e kësaj nisme, jo vetëm që parandalohen problematikat e rënduara që mund të çojnë deri në humbje të shikimit, por shqetësimet që mund të kenë fëmijët në shikim mund të korrigjohen plotësisht.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Adrian Hoxha, në një intervistë për gazetën “Dita” tregon se cilat janë çrregullimet më të shpeshta që shfaqen, si dhe rolin që ka depistimi i hershëm në trajtimin e këtyre rasteve. Sipas tij, kontrollet për këto kategori duhet të nisin sa më herët që të jetë e mundur. “Kontrolli i syve duhet të nisë sa më parë, e me këtë gjë fare mirë mund të merret edhe mjeku i familjes. Kjo me qëllim parandalimin në kohë të problemeve, të cilat në një moshë më të rritur mund të jenë të pariparueshme. Diagnostikimi në kohën e duhur, siguron trajtimin e duhur dhe efikas”, shprehet Hoxha.
Si paraqitet situata aktuale e këtyre çrregullimeve ?
Çrregullimet e pamjes tek moshat shkollore dhe ato më të vogla janë një problem i shëndetit publik në vend. Urdhri i marrë nga Ministria e Arsimit, na ka diktuar një sërë çrregullimesh të konstatuara në këtë drejtim. Ka një prevalencë 9 deri 10 për qind përhapjes së këtyre çrregullimeve. Nëse flasim pikërisht për kontrollet që duhen bërë, ato duhet të nisin që në moshën parashkollore. Kjo pasi fenomene të tilla siç mund të jetë ambliopia, humbja e shikimit dhe pamjes nga një sy, për arsye të mosfunksionimit të tij, është një proces që korrigjohet deri në moshën 5-6 vjeç. Pas kësaj kohe korrigjimi është i vështirë dhe pothuajse i pamundur. Ndër çrregullimet më të shpeshta të shfaqura tek fëmijët e moshave shkollore mund të përmendim raste të tilla si miopia (në ketë rast fëmijët shohin qartazi vetëm objektet që janë afër, kurse ato që i kanë larg nuk i shohin qartë meqë rrezet e dritës priten përpara retinës), hipermetropia (nuk shohin qartë objektet e afërta ndërsa vështrimi në largësi është normal), ambliopia, strabizmi (njihet ndryshe si te shikuarit vëngër), si dhe vështirësia në të dalluarit e ngjyrave (daltonizmi). Studime të kryera nga ana e një grupi specialistësh të Klinikës së Okulistikës dhe të Departamentit të Shëndetit Publik të Fakultetit të Mjekësisë, në nxënësit e klasave të para të qytetit të Tiranës, treguan se një pjesë e mirë e tyre vuajnë nga çrregullimet e pamjes, në njërin ose të dy sytë. Pjesa dërrmuese e atyre që kanë këto patologji nëse nuk i trajtojnë mund të komplikohen deri në humbje të shikimit. Kjo pasi kalojnë në humbjen dytësore të shikimit (ambliopi) të lidhur me rrugët nervore të parit deri në invalidizim, çka do të thotë humbje totale e shikimit.
Deri në ç’moshë është i korrigjueshëm sistemi i pamjes tek fëmijët?
Sistemi i pamjes tek fëmijët që janë kryesisht të moshës 6 – 9 vjeçare, është ende i pa konsoliduar, çka do të thotë se me ofrimin e ndihmës që në këtë stad, disa çrregullime mund të cilësohen si ende të korrigjueshme dhe të kthyeshme. Kështu nëse ne i evidentojmë në kohë mund të ndihmojnë në korrigjimin e tyre, duke synuar kështu një trajtim efikas dhe të plotë. Më pas ato marrin një karakter të qëndrueshëm. Për këto arsye zbulimi i hershëm i çrregullimeve të mprehtësisë të pamjes (miopisë, hipermetropisë), i astigmatizmit, ambliopisë, strabizmit dhe çrregullimeve të perceptimit të ngjyrave, ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Parë nga këndvështrimi i ISHP-së ai jo vetëm mund të shmangë verbimin dhe invalidizimin, por ndikon edhe në uljen e kostove dhe vuajtjeve psikologjike të fëmijëve dhe familjarëve, kostove sociale dhe atyre ekonomike që duhen për trajtimin e këtyre rasteve.
Nëse nuk merret ndihma mjekësore në stadet e hershme, çfarë ndërlikimesh shfaqen?
Në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme të theksohet edhe një herë tjetër fakti se në këto mosha që ne i përmendëm pak më lar (deri në 6 vjeç), është ende i mundur korrigjimi i pamjes dhe shmangia e pasojave që më pas mund të bëhen të pakthyeshme. Përpjekjet për korrigjimet e nevojshme, pas kësaj moshe, nuk janë të efektshme sepse dëmtimet mund të thellohen dhe të shfaqen pasoja të rënda (për shembull ambliopia) ku përpjekjet për ndërhyrje mjekësore, janë me një kosto – efektivitet dhe kosto – përfitim shumë të ulët.
Si mund të zbulojmë në kohë këto çrregullime të pamjes tek fëmijët?
Depistimi i çrregullimeve që kanë të bëjnë me çështjen komplekse të shikimit tek fëmijët përbën një problem të rëndësishëm të parandalimit që konsiston në identifikimin e hershëm të faktorëve të riskut ose të gjendjeve patologjike dhe trajtimin e tyre nëpërmjet ndërmarrjes së veprimeve (ndërhyrjeve të thjeshta) që shmangin përparimin, kufizojnë ose ngadalësojnë ecurinë dhe ndërlikimet e patologjive okulare. Një moment i rëndësishëm që duhet vënë në dukje, është fakti se identifikimi i problemit, në këto grupmosha, është teknikisht plotësisht i arritshëm. Kjo mundëson jo vetëm evidentimin e të gjitha problemeve të lidhura me shikimin por edhe ndërhyrjet në kohë dhe me mjetet e duhura.
Si mund t’i dallojnë prindërit këto çrregullime?
Prindërit e fëmijëve janë të parët që mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të këtyre çrregullimeve. Janë pikërisht ata që mund të dallojnë edhe simptomat e para, siç mund të jenë rastet kur fëmijët mbajnë pozicione të detyruara të pamjes karshi objekteve të caktuara, rastet në të cilat fëmijët nuk respektojnë distancat në të lexuarit e librit apo kur shikohet televizor. Në të tilla raste fëmijët kanë tendencë t’u afrohen gjithnjë e më shumë objekteve, pasi nuk mund t’i kapin që nga larg. Vështirësia në të përqendruar gjatë orëve të mësimit,që vjen nga lodhja e shpejtë e syve etj, cilësohen si ndër simptomat që mund t’i orientojnë prindërit drejt mjekut. Po ashtu edhe mësuesit kanë një rol të rëndësishëm në zbulimin e këtyre rasteve. Kjo pasi në moshën shkollore problemet me shikimin shoqërohen me simptoma më të dukshme.
Cila është mosha e përshtatshme për nisjen e vizitave?
Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm që t’i ndihmojnë sa më herët fëmijët e tyre. Është këshillueshme që vizita tek okulisti të nisë që në moshë të vogël, pasi në këtë kohë mund t’i zbulojmë me herët problemet. Për të zbuluar rastet me miopi, ambiopi, strabizëm rekomandohet që fëmijët të vizitohen para se të hyjnë në shkollë, mundësisht mes moshave 3 dhe 4 vjeç?
Cili është roli i mjekut të familjes në zbulimin e këtyre çrregullimeve?
Një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe kontrollin e çrregullimeve të pamjes mund të luajnë mjekët e familjes, ata të shkollave, mësuesit, si edhe edukatorët. Parandalimi i çrregullimeve të pamjes presupozon një rol të rëndësishëm të mjekut të familjes ose të mjekut të shkollës të cilët, në mjaft raste, mund të jenë të parët që vejnë re çrregullimet e të parit të fëmijëve. Gjithashtu duhet të theksojmë se dhe mësuesit dhe edukatoret e kopshteve, pas një trajnimi me disa njohuri të thjeshta e të nevojshme, mund të angazhohen në zbulimin e hershëm të këtyre patologjive. Zbulimi i hershëm nëpërmjet ekzaminimit oftalmologji rutine të fëmijëve, me risk të lartë (histori familjare me sëmundje të syve, dëmtime të dëgjimit, çregullime neurologjike. Ekzaminimi dhe menaxhimi i fëmijëve me humbje serioze të shikimit bëhet nëpërmjet ekipeve multidisiplinare. Duke iu referuar këtyre rasteve ne duhet që konceptim e parandalimit ta zgjerojmë me mjekun e familjes, duke e futur si një indikator matës të punës së tij. Përfshirja e këtij treguesi si një indikator i matshëm i punës së mjekut të familjes në mënyrë që kontrolli për çrregullimet e pamjes të bëhet jo vetëm një herë, jo vetëm kur fëmija të hyjë në klasat e para, por të bëhet në mënyrë të vazhdueshme. Kjo më pas ndihmon edhe okulistët të cilët nuk mbingarkohen duke u marrë me të gjitha rastet por, duke trajtuar vetëm rastet më të rënda. Gjithashtu duhet të theksojmë se edhe mësuesit dhe edukatoret e kopshteve, pas një trajnimi me disa njohuri të thjeshta e të nevojshme, mund të angazhohen në zbulimin e hershëm të këtyre patologjive.
A kanë mjekët e familjes njohuritë e duhura për ta bërë këtë?
Po kanë të gjitha kapacitetet e duhura për ta bërë këtë gjë. Krahas trajnimit që mund t’i bëhet kësaj kategorie me një investim fare të vogël sa i takon bazës materiale që duhet për kryerjen e vizitave mund të arrihet edhe zbulimi i hershëm i këtyre rasteve.
Efektet pozitive të parandalimit
Të gjithë e kanë kuptuar sot se parandalimi jo vetëm është më i lehtë për tu vënë në jetë por është dhe shumë më i efektshëm dhe ekonomik në krahasimin me trajtimin apo kurimin e sëmundjeve dhe dëmtimet e tjera të shëndetit. Zbulimi i hershëm i çrregullimeve të mprehtësisë të pamjes, si dhe patologjive të tjera si për shembull strabizmi, ka një rëndësi të jashtëzakonshëm tek fëmijët sepse do të shmangte pasojat e parikuperueshme që do të vinin nga mungesa e trajtimit në kohën e duhur. Sistemi viziv i fëmijës është i pa konsoliduar para moshës 9-vjeçare, kështu që çdo anomali ose patologji tjetër mund të bëjë që fëmija të mbetet me një sistem të pamjes jo normal, dhe të ketë probleme të rënda me shikimin gjatë rritjes. E kundërta do të ndodhte me ndërmarrjen e disa masave të thjeshta që do të konsistonin në përvetësimin e mënyrave të identifikimit dhe përdorimin eficent të mjeteve terapeutike. Në këto grupmosha është plotësisht i mundur identifikimi i problemit duke mundësuar në të njëjtën kohë dhe korrigjime të pamjes, si dhe shmangien e pasojave të parikthyeshme. Duhet të kuptohet dhe të bëhet e qartë gjithashtu se nënvleftësimi i identifikimit të problemeve të pamjes tek këta fëmije do të çonte në pasoja të padëshirueshme, ku përpjekjet për një ndërhyrje mjekësore do të konsideroheshin jo rezultative. Është e rëndësishme të ritheksojmë, se korrigjimet e nevojshme për një serë çrregullimesh të kësaj moshe jo gjithmonë kanë efekte pozitive të rëndësishme.
