Email në adresën
Përshëndetje DITA! Nuk mjafton që Policia vetëm të rikthehet në punë, por duhet edhe një dorë e hekurt për të goditur krimin e “madh”, krimin e pushtetit, ekonomik apo politik qoftë. Do të jetë një sfidë më vete për Policinë e shtetit goditja pa kompromis e këtyre gangsterëve që vijnë vërdallë nëpër rrugët e Shqipërisë me makina super të shtrenjta, por që nuk dihet kurrë me çfarë parash i kanë blerë, do të jetë sfidë e madhe për Policinë, të godasë ata që e ndiejnë veten të paprekshëm, por që në sytë e qytetarëve shqiptarë janë të dukshëm si drita e diellit.
Nëse ka një reformë ku duhet me të vërtetë një dorë e hekurt, ajo është në Policinë e Shtetit, fatkeqësisht e kthyer në qendër strehimi të militantëve të pushtetit të kaluar dhe padyshim cilësia dhe rezultatet ishin këto që pamë, ku vendi u kthye në kasaphanë dhe qendër rehabilitimi për kriminelët.
Nisja e punës padyshim që është plot me detyra të vështira, por për Policinë do të jetë një sfidë më vete edhe goditja e të gjitha atyre që lëvizin rrugëve me makina me tabela të Shtetit, me emra si: Policia, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, Drejtoria e Burgjeve, Gjykata, Prokuroria e gjithfarë tabelash të tilla, të cilat ju kanë dhënë imunitet deri më sot këtij kontigjenti që padyshim është problematik për shoqërinë.
Është nevojë emergjente që përpara uniformës së Policisë së Shtetit, të gjithë qytetarët ta ndiejnë veten të barabartë, në një shoqëri që në jetë nuk është aspak e barabartë.
