Në vitin 1985, në Korçë u krijua Muzeu Arkeologjik, brenda të cilit qëndrojnë plot 1.200 objekte, të cilat datojnë prej epokës së Neolitit të hershëm, e deri në epokën e Hekurit.
Vegla pune, stoli, enë qeramike, por edhe objekte të tjera janë ekspozuar në stendat e këtij muzeu, i cili është i veçantë në llojin e vet, pasi përqëndrohet në prehistorinë e zonës juglindore.
“Është një muze unik në Shqipëri, sepse fokusohet kryesisht te prehistoria. Por ka edhe periudhën qytetare, Antikitetin e vonë dhe Mesjetën. Kemi objekte unike, që nuk i gjen në asnjë zonë tjetër, qeramika tipike të kësaj zone, sikurse disa objekte shumë të veçanta”, thotë Dorian Kallanxhi, pergjegjës i muzeut.
Ndërkohë, ndërtesa nuk njeh prej vitesh dorën e ndërhyrjeve, çka e bën këtë muze tejet të amortizuar.
Të paktën 200 turistë vendas apo të huaj i drejtohen këtij muzeu, për t’u njohur nga afër me vlerat arkeologjike që qëndrojnë këtu. E pavarësisht rëndësisë së këtyre objekteve tejet të veçanta, ndërtesa është tepër e amortizuar, me mure të degraduara, çati të dëmtuar, por edhe dysheme që rrezikon të shembet duke ulur numrin e vizitorëve kureshtarë.

e.t./dita
