Gjon Buzuku dhe misteri i leximit

Leda Hysa

MOIKOM ZEQO

Një nga librat më të famshëm dhe tronditës biblikë është Libri i Ezekielit.

Marramendëse dhe shokuese është fillimi i tekstit profetik : “Fjala e Zotit ju drejtua shprehimisht priftit Ezekiel, birit të Buzit, në vendin e Kaldeasve, pranë lumit Kebar dhe atje lart dora e Zotit qe mbi të” (1-3).

Sipas një thirrnaje plot pathos ne mund të perifrazojmë diçka të afrueshme dhe gati të ngjashme për vetë Buzukun. Afërsisht mund të them “Fjala e Zotit ju drejtua shprehimisht Gjonit të Bdekë Buzukut në vendin e arbërve, pranë lumit Buna dhe atje lart dora e Zotit qe mbi të.”

Nuk kam ndërmend të krijoj paradokse të zmadhuara dhe fishekziarë krahasimesh ,-që tretin dhe humbasin me shpejtësi. Kjo paralele kuptimesh është deri diku e dobishme, më tepër na qartëson se sa na turbullon, më tepër na ndihmon se sa na mashtron.

Dua të tërheq vëmendjen tek emri i Buzit, i cili qe i jati i Ezekielit. Sipas disa etimologëve eruditë dhe të thekur emri Buzë, Buzi është një fjalë, që lidhet me shqipen “Buzë”. Aq sa është e pakuptueshme pse ky emër përmendet pikërisht në këtë formë në tekstin biblik aq e kuptueshme dhe gati e pamohueshme është sekreti etimologjik.

Për një rastësi të hatashme dhe për një ndërthurrje shumëkuptimëshe, të cilës nuk mund t’i shmangemi dhe t’i shpëtojmë dot edhe vetë emri i Buzukut nis në kompozimin e vet me emrin parak “Buzë”.

Askush nuk dyshon se emri Buzuk është një emër i përbërë nga dy emra, që përcaktojnë shprehimisht njeri tjetrin nga “Buzë + Ujk”.

Një mënyrë e tillë të emërtuari tepër ekzotike dhe ndoshta totemike, është e shpeshtë tek shqiptarët, ndoshta edhe tek ilirët paraardhës.

Fjala “Buzë” ka zanafilluar shumë fjalë të përbëra, vetë kjo fjalë është e motshme dhe mundet të ketë patur një përdorim në një hapësirë gjeografike të pamatë.

Kaq e vërtetë është kjo që po shpreh tani saqë nuk mund të rri pa përmendur një dijetar skrupuloz, i cili nuk ka vuajtur nga fantazia e tepër as nga haluçinacionet etimologjike si Paul Kretçmen, i cili ka shprehur idenë se dhe emri i Bizantit në brigjet e Bosforit, që më vonë u mbiquajt nga Perandori ilir krishtërimprurës dhe krishtërimshpallës, Konstandini i Madh me emrin Konstandinopojë, pikërisht pra emri Bizant është formëzuar nga fjala shqipe “Buzë”, çka përbën një logjikë kuptimore të brendshme dhe një logjikë emërtuese të përcaktuar kaq në mënyrë substanciale nga mjedisi dhe natyra gjeografike e vendosjes së qytetit buzë ujrave detare.

Ndoshta ka debate dhe refuzime të vrullshme, madje tejet të ashpëra dhe qesëndisëse për këtë etimologji kryesore.

Betejat midis etmologjistëve janë nga më të egrat, janë nga më apokaliptiket.

Etimologjistët përgjithësisht kanë instiktin e papërmbajtshëm dhe shpesh të zmadhuar të krahasimit dhe të barazive tingëllore dhe mendore.

Ka kapërcime dhe deformime të paimagjinueshme, krenare dhe të kota ashtu si ka identitete të dhunshme dhe marrëzisht të papranueshme.

Me të drejtë unë jam krejt i padenjë ndonëse nuk jam një frikacak analfabet për të ndërhyrë në lëvizjet dhe manovrat për jetë a vdekje të strategëve pa shpata ushta dhe gjak të etimologjive interesante dhe bujëshpërthyese të planetit.

Ngjallja e kërshërisë është një sekret që më pëlqen, nuk më pëlqen loja e pokerit dhe shndrrimi i saj në një kaledoiskop shpjegimesh tunduese dhe arbitrare.

Por nuk mund të shkruhet për një njeri historik siç është Gjon Buzuku pa ngacmuar dhe prekur epidermat e trupit të shekujve ashtu si në agopunturën e lashtë kineze, me maja gjilpërash të holla për të rigjallëruar pika nevralgjike që mund të na risjellin situata jetike, subjekte kohorë, të panjohur më parë, duke na bërë që mësheftësitë e zhutura thellë dhe tëpagjetshme të zbulohen dhe të dritësohen papritur.

Kurse stili profetik i paraqitjes së frymëzimit dhe Dorës së Djathtë të Zotit mbi kokat plot flokë të thinjura apo dhe fare pa flokë të profetëve është një ngjizje dhe një grishje botëthurrëse dhe ndriçimi mendor vërtet tepër i rrallë por i tillë që himnizon botën vulgare, gurët e myshkur dhe sendet e pandjenja në një realitet fluturues, pa përmasa dhe të pafutshëm dot në guacka, lëvozhga apo sëndukë hekuri, që shpesh i quajmë konvencionalisht edhe libra, qoftë libra madhështorë qoftë libra të harrueshëm në çast.

***

Misteri i Rileximit.

Teksti buzukian mund të peceptohet nëpërmjet disa leximeve alternative.

Këto lexime nisen nga barazimshmëria e të njejtit tekst të fiksuar tipografikisht në jetë të jetëve.

Kështu tekstin as nuk mund ta ndryshosh as nuk mund ta fallcifikosh dhe as nuk mund ta deformosh.

Ky tekst i dhënë është ai që është dhe nuk mund të jetë ai që nuk është.

Ky tekst është i përcaktuar si një skalitje përfundimtare e një epigrami me një monument arkeologjik.

Teksti mund të jetë i dëmtuar nga thyerjet, nga humbja e pjesëve, që kanë qenë dikur.

Ajo që nuk humbet është pikërisht ajo që ka mbetur.

Në epokën e stërlodhëshme të një helenizmi aleksandrinas filologjik të ri, ne përjetojmë bëmat e mëdha dhe vetëmburrëse të strukturalistëve, apo skepticizmin elegant dhe të rrezikshëm të bihoveristëve.

Roland Barthes dhe Umberto Eko pa harruar këtu dhe Zhak Derridan janë mjeshtrit famëmëdhenj dhe përbuzje përhapës të çelsave të koduar të zbërthimeve, që nuk t’i rrok as mendja mbi tekstet e qarta dhe të shpëtuara por dhe mbi tekstet e gjymtuara, koleksione të invaliditetit të kohërave dhe të ideve.

E kuptoj që ky mjedis mua më kanoset si ethet e një sëmundjeje të artë të inlektualizmit të tepruar.

E kuptoj që ka një rishtjellim dhe një ripohim të kulturës gnostike të motshmërisë.

Jam i bindur se teksti buzukian mund të rilexohet në disa rrafshe madje dhe pavarësisht nga njeri tjetri.

Deri tani janë bërë disa rilexime, më tepër qartësuese, gjë që e sfidon kotësinë dhe plogështinë e njohur të vdekëtarëve të zakonshëm.

Kështu leximi filologjik, që merr parasyssh një cak kohor të zhvillimit të gjuhës shqipe, mund të themi se sapo ka nisur të institucionalizohet.

Numërimi dhe paraqitja e fjalëve si koleksioni apo inventari i prekshëm dhe i dukshëm i teksti buzukian ka informatizuar leksikun e librit.

Leximi morfologjik dhe sintaktik është disi më i vonuar, por ende ka shpresa të një ecjeje përpara më me kurajo, gjë që përcaktohet nga niveli diturak i studjuesve.

Leximi etimologjik është më i vështirë dhe gati një portë e gurtë, ku ka trokitur herë pas here një shtegëtar i madh dhe i fuqishëm i mistereve të origjinave të fjalëve siç është Eqrem Çabej.

Leximi i librit të Buzukut në rrafshin e mirëfilltë doktrinor teologjik është marrë si një botë e mirëqënë, madje e gatëshme dhe vetëkuptohet e pacënueshme.

Me të vërtetë leximi teologjik i librit mund të na zbulojë mrekullira, jo vetëm për kohën e ngjizjes shkrimore dhe të fiksimit tekstor, por dhe në shumë kuptime të tjera të shndrimeve dhe të dogmatikës teologjike në përgjithësi por sidomos në shekullin XVI të përplasjeve vigane dhe të paimagjinueshme të shpërthimeve heretike dhe të mbijetesës me forma të reja të dogmave.

**

Ekzistojnë edhe disa lexime shumë të rëndësishme, por që për to nuk kujtohet askush.

Kështu leximi në rrafshin muzikor i meshtarisë buzukiane në shqip do të sillte një dituri shekullore të muzikës kishtare, që ka harmonizuar fjalët me tinguj në një unitet do të thoja jo vetëm te koreve gregorianë, por edhe të traditave lokale gjysëm kalotike dhe bizantine të psalltësve dhe meshtarëve shqiptarë të mesjetës.

Kaq shumë të dhëna do na rishfaqeshin, duke dalë nga mugëtirat, ashtu siç dalin statujat antike nga thellësitë e gërmadhave saqë ne do të përjetonim vërtet një këngëzim të universit, do të sqaronim enigmën e përballimit të lidhjes midis shqipërimeve të vargjeve, të fjalive, të lutjeve, të thirrjeve kishtare në shqip me muzikën, pra një përputhje gati heraklitiane, të vështirë plot kontradikta të brendshme dhe të përjetëshme të identifikimit të alfabetit shkrimor me solfexhin muzikor.

***

Ka dhe një lexim të një lloji tjetër, që lidhet me paraqitjen pamore tipografike apo të studimit gravurologjist të librit buzukian.

Por në shumë kuptime është harruar leximi apo rileximi më kryesor, më i përjetshëm dhe më i patjetërsueshëm dot.

E kam fjalën për leximin letrar të tekstit buzukian.

Gjithmonë kam qenë i tmerruar dhe itorturuar nga një bezdi e terrëshme dhe e rëndë që libri i Buzukut, por dhe të tjerë libra të Budit, të Bogdanit, të Bardhit etj.

Janë quajtur si tekste të Letërsisë së Vjetër Shqipe me karakter fetar.

Është bërë kështu diçka që të kujton mbylljen ne indeks, madje një karantinë e neveritëshme e teksteve të letërsisë sonë të disa shekujve, duke i kufizuar, duke i mbështjellë, duke i mbuluar me cilësimin e pasaktë si letërsi fetare.

Çdo të thotë letërsi fetare? Për studjuesit shqiptarë të gati dy shekujve, që janë marrë më tepër tërthorazi dhe shumë rrallë me këtë periudhë nga më të lavdishme dhe më një nivel shumë të lartë, që quhet Letërsia e Vjetër Shqipe, studimi i teksteve të mirëfillta të shkrimeve gati janë quajtur si dokumente kishtare, që nuk kanë patur asnjë lloj jete të brendshme dhe të jashtme, një strukturë vërtet në shqip dhe me interes për gjuhëtarët por gati rreptësisht dhe konservatorisht e palejueshme dhe pa asnjë interes për shkrimtarët.

Ky kufizim i llahtarshëm herë herë ka marrë nuanca inkuzicioniste brenda për brenda kulturës letrare shqiptare.

Një mospërfillje e egër, që më tepër buron nga injoranca, një fondamentalizëm ateist i poletizuar deri në kriminalitet, ka bërë që të harrohet shpesh lexueshmëria artistike e pazakontë e teksteve të Letërsisë së Vjetër Shqipe.

Shqetësimi im nuk është një artikulim vetiak as poza krenare dhe mazoiste e një heretiku të paqenë.

Jam i zhveshur nga iluzionet mitike dhe bjerrëse plot vetëkënaqësi të vdekshme të lavdive të pamerituara dhe të alibive vetëvrasëse të shumë krijuesve gjenialë apo pa talent të shqiptarëve.

As nuk më tremb tundja e skeprit anamemues të akademikëve të lavdishëm por që nuk kanë vepra dhe mungesën e librave e kthejnë në një ritual mbretëror si në përrallën e mbretit lakuriq të Andërsenit.

Jam i sigurtë vetëm se rileximi më i madh i tekstit buzukian është dhe mund të jetë në të ardhmen pikërisht rileximi letrar.

Me rilexim letrar kuptoj jo vetëm burimshmërinë universale të temave dhe frymëzimeve nga subjektet arketipale biblike, por kryesisht estetikën shpesh magjike të të shkruarit shqip me një nivel të lartë dhe dritëpërhapës të teksteve që vetë ne të paditurit dhe të mjerët i ekmi lënë në një errësirë egjiptiane, sipas një thënie biblike.

Rileximi letrar i tekstit buzukian do të na çonte ne tek një labirinth i labirinteve të krejt letërsisë shqipe të asaj që është shkruar dhe madje dhe të asaj që do të shkruhet.

Mos kujtoni se kjo është një deklaratë e marrëzishme dhe një triumf i megalamonisë.

E kam shprehur dhe e shpreh përbuzjen time për deliret letrare apo edhe për shkrimtarokracinë si mitologji politike dhe paranojë vetiake.

Ideja ime ka të bëjë jo vetëm me një rilexim letrar të tekstit buzukian por të ndërlidhjes së pamohueshme kohore dhe hapësinore me të gjitha rileximet e të gjithë teksteve të shkrimtarëve shqiptarë të vdekur dhe të gjallë, të porsalindur dhe që do të lindin në të ardhmen.

Po të shihet me kujdes me një optikë të tillë teksti buzukian është jo vetëm i vetmjaftueshëm siç është një botë e mbyllur, por është dhe një tekst potencial burimor për çdo gjë që mund të shkruhet më pas siç është një botë e hapur

Bota e mbyllur dhe bota e hapur  ne dialektike janë e njëjta gjë.

Tekstet subjektorë në shqip të Buzukut janë parabola të përjetëshme, që shpërndajnë dhe përhapin, që mbjellin dhe rritin simbolika të panumërta dhe tërë Metaforat që janë Princesha të Infinitit.

Pikërisht kryetemën e rileximeve do të mundohem ta shtjelloj edhe më tej.

(Vijon ne numurin e ardhshem )

Share This Article
4 Comments
  • e shkelqyer
    CABEI UN INJORAT E KRIMINEL I SHQIPES
    MOIKOM ZEQO I SHKELQYER E I SAKTE
    POPULLI JONE ,POPULL HYJNORE ME GJUHE HYJNORE,,..GJUHA JONE VJEN NGA KRIJUSI VETE
    JEMI POPULLI I PERZGJEDHUR I ZOTIT..CDO GJE NE BOTE FLET SHQIP..DONI APO NUK DONI..URIME MOIKON.FALEMINDERIT PER SHKRIMIN E SHKELQYER

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *