Nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, propozon që të gjitha partitë e opozitës të shkrihen në një parti të vetme.
“Unë kam thënë se z.Berisha është lideri historik i së djathtës, ndërsa z.Basha po përpiqet të shkojë përtej kryetarit vetëm të PD-së. Përveç mbledhjeve të grupit të deputetëve demokratë , kemi parë që ai vazhdimisht ka mbledhur edhe krerët e partive të djathta, gjë që tregon se ai përfaqëson jo vetëm PD-në, por krejt të djathtën. E djathta, si hap të parë duhet të ketë shkrirjen në një parti të vetme, në një grup të vetëm parlamentar, dhe ky proces të mbyllet brenda dy viteve me qëllim që në zgjedhjet e reja lokale e djathta të jetë e bashkuar si një e vetme. Nuk ka rëndësi se si quhet partia që do të bashkojë të gjitha partitë e djathta, Demokratike apo Republikane, apo thjesht Partia e Djathtë, kjo s’ka rëndësi”, tha Alibali për GSH.
Sipas Alibalit, programet e partive të djathta përafrojnë me njëra-tjetrën dhe kjo e bën më të lehtë procesin e shkrirjes në një program të vetëm si e djathtë e bashkuar.
“Partitë e djathta kanë programe të përafërta me njëra– tjetrën. Madje shumë të ngjashme. Në rastin e PR-së, Partia Demokratike ka marrë shumë nga programi ynë për pronat dhe ky është një tregues shumë i mirë”, shprehet ai.
