Nagoro quhet fshati i vogël në luginën e Shikokut, Japoni, i cili është i populluar nga kukullat.
Fshati është i gjithi i braktisur. Banorët e lanë fshatin në kërkim të punësimit dhe pjesa e atyre që qëndruan, nuk jetojnë më.
E megjithatë, rrugët sërish duken të “ngarkuara” për shkak të mbushjes së tyre me kukulla me përmasa reale njeriu, që tejkalojnë me 10-fish numrin e banorëve.
Gjithçka, si pasojë e punës një një gruaje të vetme që po përpiqet të luftojë boshllëkun dhe vetminë që ndihet në Nagoro, sikurse edhe në shumë fshatra të tjera të Japonisë të shkatërruara nga shpopullimi.
Nagoro, rreth 550 km në jugperëndim të Tokios, po bëhet i njohur tashmë si “lugina e kukullave”, pasi banorja lokale Tsukimi Ayano nisi të vendoste kukulla nëpër rrugë, për të injektuar “jetë” në fshatin e shpopulluar.
“Vetëm 27 banorë jetojnë në këtë fshat, ndërsa numri i kukullave është 10-fish, gati 270”, thotë prodhuesja 69-vjeçare e tyre për agjencinë e lajmeve “AFP”.
E gjitha nisi 16 vite më parë, kur Ayano krijoi një kukull të veshur me rrobat e babait të saj për të ndaluar zogjtë të hanin farat që kishte mbjellë në kopshtin e saj.
“Një punonjës që e pa në kopsht kujtoi se ishte realisht babai im. E kishte përshëndetur madje, por ishte vetëm një kukull. Histori për të qeshur apo jo?”, kujton Ayano.
Që prej atëherë, ajo nuk është ndalur së krijuar kukulla me përmasa reale, të bëra me shkopinj druri, të mbushura me copa gazetash, pëlhura elastike për lëkurën dhe thurrje leshi për flokët.
Sekreti që i bën kukullat të duken si qenie njerëzore? Aplikimi i ngjyrës rozë në buzë dhe në faqe, përmes një furçe “make up”-i, zbulon ajo.
Në një shkollë të fshatit, ajo ka vendosur 12 kukulla me ngjyra nëpër banka, të pozicionuar sikur të ishin një klasë e gjallëruar e hedhur mbi librat e tyre.
Poshtë rrugës, një “familje” kukullash gjenden përpara një dyqani ushqimor të braktisur, ndërsa një tjetër i veshur si një fermer i vjetër duket sikur blen diçka nga xhami i dyqanit.


j.l./ dita

hahaha