“Masterin” e duan të gjithë, fiton kush ka mesataren mbi 8

redaktor

Fluksi i lartë i kërkesave vendos mesataren si kusht në përzgjedhjen e fituesve. “Marrëdhëniet ndërkombëtare”, “ Arkeologjia”, “Trashëgimia kulturore”, “Historia”, “Gazetari e komunikim” rezultojnë të jenë ndër programet më të kërkuara nga studentët për të vijuar studimet e nivelit master. Shumë prej të diplomuarve në privat i janë drejtuar shtetit për të vijuar studimet e nivelit të dytë.

Pavarësisht rezultateve të dëshmuara gjatë ciklit 3-vjeçar “bachelor”, studentët e diplomuar si në fakultetet publike, ashtu edhe në ato private duan që të vijojnë studimet e mëtejshme në programet e studimit master. Besueshmëria më e madhe në diplomat e lëshuara, si dhe në pjesën dërrmuese të rasteve pamundësia për të përballuar faturat e kripura të privatit ka bërë që edhe këtë vit fakultetet publike të përballen me një dyndje të madhe kërkesash për studimet në programet master. Periudha e aplikimeve ka treguar se fluksi i kërkesave për të vijuar studimet e ciklit të dytë në programet e “Masterit profesional” dhe “Masterit shkencor”, është shumë herë më i lartë se sa kuotat e miratuara nga Qeveria për pranimet gjatë vitit të ri akademik 2013-2014. Çka do të thotë se gara është tepër e fortë dhe se për përzgjedhjen e fituesve po aplikohen kritere të veçanta, ku një ndër to është edhe nota mesatare. Programet e Universitetit të Tiranës raportojnë edhe fluksin më të lartë të kërkesave për studime master, ku ndër fakultetet më të preferuara raportohet të jetë Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë. Ndër programet më të kërkuara pranë këtij fakulteti rezultojnë të jenë programet për “Marrëdhënie ndërkombëtare”, “Arkeologji”, “Trashëgimi kulturore”, “Histori”, “Gazetari e komunikim”. Si rrjedhojë e këtij fluksi të lartë kërkesash, fituesit do të përzgjidhen nëpërmjet kriterit të mesatares dhe institucionit në të cilin ka mbaruar studimet e ciklit 3-vjeçar. Në këto kushte kandidatët që kanë notën mesatare mbi 8, kanë më shumë shanse për të qenë pjesë e listës së kandidatëve fitues, emrat e të cilëve do të shpallen brenda kësaj jave. Si rrjedhojë e këtij fluksi kërkesash është vendosur që në shumë prej fakulteteve nisja e studimeve të larta për vitin e ri akademik të mos fillojë gjatë ditës së sotme, sikundër e përcakton udhëzimi zyrtar i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por të shtyhet me një javë. Duke u ndalur tek ky detaj, dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë Shezai Rrokaj bën me dije se si pasojë e këtyre kushteve, por edhe sezonit të vjeshtës (mbyllja e të cilit do të realizohet gjatë këtyre ditëve), është vendosur që nisja e vitit të ri akademik të shtyhet me një javë. Studimet në ciklin master do të çelen në datën 14tetor. “Studentët që mbarojnë bachelor në fakultetin tonë automatikisht fitojnë të drejtën me kërkesën e tyre, të pranohen në master kurse për studentët që vijnë nga fakultete të tjera homologe apo të përafërta për ta kriteri i pranimit do të jetë mesatarja. Ka shumë kërkesa për “Marrëdhëniet ndërkombëtare” për “Histori”, “Arkeologji”, “Gjuhësi“, e sidomos për “Gazetari”, deklaron dekani Rrokaj.

Hapen edhe dy degë të reja
Ndryshe nga një vit më parë pranë këtij fakulteti do të funksionojnë edhe dy degë të reja, që në ciklin 3-vjeçar “bachelor”. Konkretisht bëhet fjalë për hapjen e degës së “Arkeologjisë” dhe “Trashëgimisë kulturore” që në tre vitet e para të studimeve. Degë të cilat deri më sot janë ndjekur vetëm nga kandidatët e pranuar në ciklin e dytë të studimeve master. Hapja e këtyre degëve sipas dekanit Rrokaj, shton mundësitë e përzgjedhjes së preferencave që u vihen në dispozicion maturantëve. Gjatë kësaj në këtë fakultetet mësimi do të vijojë vetëm për nivelin 3-vjeçar. Ndërkohë që paralelisht me të do të ecë edhe regjistrimi i kandidatëve që vijojnë studimet për herë të parë, si të përzgjedhurit e Maturës Shtetërore 2013.

Fakulteti Ekonomik shtyn nisjen e vitit të ri akademik
Ndonëse në fakultetet e tjera shtyrja e vitit të ri akademik është bërë për studimet master, Ekonomiku ka vendosur që për të gjitha ciklet e studimeve nisjen e vitit të ri akademik ta zhvillojë një javë më pas. Në një njoftim të bërë publik nga zyrtarët e këtij fakulteti bëhet me dije se studimet do të fillojnë për të gjitha ciklet e studimit një javë më pas, nga data e përcaktuara në udhëzimin zyrtar të Ministrisë së Arsimit. “Bëjmë me dije të gjithë studentëve të ciklit të parë të studimeve “bachelor” të sistemit me kohë të plotë (studentë të vitit I-II-III) që viti i ri akademik 2013-2014 do të fillojë në datën 14 Tetor 2013 (shtyhet me 1-javë). Ndërkohë prej datës 7-13 Tetor 2013 do të vazhdojë procesi normal i regjistrimit përfundimtar të studentëve të vitit të Parë pranë sekretarive mësimore sipas udhëzimit të dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit”, bëjnë të ditur zyrtarët e fakultetit.

Pagesa e studimeve me disa këste
Pagesa e tarifës për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, me kohë të plotë, “Master profesional” dhe “Master i shkencave” bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Pas përfundimit të kohëzgjatjes normale të programit të studimit, kandidatët të cilët nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës, paguajnë vetëm tarifën për kredit, sipas tarifës së vitit në të cilin zhvillon provimin (apo provimet nëse ka më shumë) në lëndët e prapambetura. Ndërsa për kategoritë e klasifikuara si në nevojë është menduar që këtë vit 50 për qind e kostos totale të studimit të mbulohet nga shteti. Sipas udhëzimit zyrtar të Ministrisë së Arsimit, konkretisht bëhet fjalë për kandidatët që fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë, me kohë të plotë, “Master profesional” dhe “Master i shkencave” e që u përkasin shtresave sociale, si: “personat që nuk shikojnë/personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, studentët të cilëve njeri nga prindërit i është ndarë nga jeta dhe familjet e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore si “familje në nevojë”, fëmijët romë, ballkano – egjiptiane, fëmijët nga prindër të dënuar politike me heqje lirie, fëmijë të policëve të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, të prekurit nga sëmundja HIVAIDS”. Këto kategori do të paguajnë studimet në masën 50 për qind, të tarifës së shkollimit.

Pranimet
Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ofron studime “Master shkencor” në 4 degë. Konkretisht për vitin e ri akademik janë miratuar si të drejta studimi në total plot 420 të ndara sipas programeve në vijim:
Gjuhësi e sotme 30 kuota,
Gjuhësi historike 30 kuota,
Studime letrare 90 kuota për tre drejtimet,
Histori 40 kuota,
Marrëdhënie ndërkombëtare 40 kuota,
Trashëgimi kulturore 20 kuota,
Arkeologji 20 kuota,
Gjeografi 50 kuota,
Gazetari e komunikim 100 kuota.

Mundësitë e studimit janë më të shumta për kandidatët që do të vijojnë “Masterin Profesional”. Konkretisht për këtë fakultetet për këtë cikël studimesh do pranohen rreth 500 kandidatë. Konkretisht në degën Mësuesi për lëndët gjuhësi-letërsi do të vijojnë studimet 130 kandidatë, për histori 130 kandidatë, po kaq do të jetë edhe numri i kandidatëve që do të pranohen tek gjeografia. Për arkivistë janë përcaktuar 50 kuota pranimi, teksa në degën “Redaktim” 60 kuota.

 

Share This Article
3 Comments
  • Po pse njelloj eshte 8 tek publiku dhe 8 tek privati? Tek privati kane marre 8 edhe ata qe kane ardhur me 5-6 nga gjimanzi…

  • Edhe per mbledhjen e udhinjve dhe nderrimin e pelenave do duhen njerez me shkolle dhe me master…162 mije studente ne kete vit te ri akademik jane ca si shume dhe me 37 universitete private ne tirane do ja kalojme dhe Italise me 65 milione banore ,nga 40 farmacista qe dilnin ne kohen e xhaxhit tani dalin 500 cdo vit…Niveli i shkollave ka rene pertoke..ka nxenes qe 2 muaj para mbarimit te shkolles se mesme ngelnin ne trecerekun e lendeve dhe tani jane ne universitet …Ka nxenes qe ne provimet e fundit jane kapur me telefona duke kopjuar dhe jane rregjistruar ne fakultet,Gjithe pedagoget e shteterorit i jane turrur universiteteve private..Nje shok partie i atij qe keni nxjerre ne foto ka master te marre ne struge kurse studentet nga struga studjojne ne shkup,suedi,gjermani,itali e australi…

  • Si nuk na u ndane keto zakone prapanike.C’jane keto mastera leshi qe genjejne veten njerezia.
    Niveli shkolles shqiptare eshte bernut perjashto arsimin parauniversitar niveli i dijeve ne te cilin eshte i njejte me vendet e zhvilluara pak a shume.Kurrikulat e masterave jane skandaloze,”pedagoget” krejt te paafte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *