Mozaik metaforash

Ornela

Moikom Zeqo

Vdekja  e përsosur

 Tërë jetën përpiqem që vdekjen ta bëj sa më të përsosur.

Çdo ngjarje bën një tërthore dhe ikën nga koha ime e shpirtit. E tashmja prej shiu bëhet e kaluara prej qelqi.

Diku pezhishkën e shkrimeve end merimanga hyjnore James Joyce.

Qerthuj kerubinësh me kthetra shqiponjash.

Dhe Homeri këndon për vjeshtën që mblodhi tokës aq shumë gjethe të rëna sa të mbuloheshin tre burra të armatosur.

Ndoshta ky kaktus antik ndërron natyrë dhe bëhet Behemoth biblik.

Kujtesa është udha ku shpesh nuk mund të ecë askush. Dhe pagjumësia është plasaritje e shpirtit.

Kush i di rrugët e fjalëve në ajër?

Zoti mund të rrijë edhe në një tempull në erë, por që ka pullaze vetë detet.

Dhe zjarri mistik tymon hapësira të njëmijëfishta që zmadhohen pa kufi.

1999

SHEKSPIRI

Ti e dashur Ofeli e shpik një katedrale vetëm e vetëm që të futesh aty, duke shpëtuar nga shiu i beftë jashtë, përkulesh mbi altar përballë trupit tim të kryqëzuar.

Përtej kohës unë të shoh.

I pakuptueshëm është vështrimi im ironik.

Shekspiri ka vënë dhjamë në një kolltuk duke parë telenovelat e shekujve!

2006

DASMA E KANËS

Në Dasmën e Kanës Krishti dhe apostujt qenë të ftuar, mbase krushq hyjnor ose endacakë të panjohur.

Historia e rrethuar nga legjionet romake qe si grupi i xhirimit, i fotoreporterëve të lajmeve në TV, që ndjekin bëmat, gjestet, truket e VIP-ave, duke harruar atë që s’duhej harruar kurrsesi: nusen dhe dhëndrin.

Asnjë fjalë për vajzën e virgjër që do të zhvirgjërohej në mesnatë në dhomën martesore. Asnjë fjalë për dhëndrin e ri, pa përvojë, të hutuar, të heshtur, të djersitur nga mendimet përfytyruese, për aktin e orgazmës që do ta bënte burrë të vërtetë.

Askush s’i kushtoi vëmendje nuses me ankthin e së papriturës së madhe.

Apostujt prisnin mrekullinë e kthimit të ujit në verë dhe vetëm kaq.

Ah, Dasma e Kanës me nuse dhe dhëndër të harruar. Shekujt e së ardhmes s’i dinë emrat e tyre!

2008

MIT GLOBAL

Në një trevë ëndrrash bredhin kafshët e mia, toteme pagane.

S’do të jem në kohën që jam e mbas njëmijë shekujsh do të jem sërish në kohën që jam. Sekondat do t’i shpik tani vetëm nga pulsi i duarve të mia.

Dhe shpall një Libër të Ri si Fat-thëna e vjetër fatin mizor, vulgar për çdo qenie që lind fare kot ritualisht.

Dhe thyhet para meje një degë e lulëzuar kumbulle sikur thyhet vetë Zodiaku në një mit global kinez.

2000

FLATRA E GJALLË

Fjala pllenohet nga ëndërra.

Do ta hap librin tim të së ardhmes mbi tryezë si flatrën e gjallë të një zogu prehistorik.

1995

KUSH E DI?

 Kush e di ngulitjen nistore të një A-je, vorbullën tmerrndjellëse të një O-je, pabesinë zjarrndezëse të një Z-je, apo oturakun e një U-je, kompasin e një L-je kënddrejtë 900, dy malet e një M-je, P-në si një monokël teatri për të parë shtazët e Parajsës, S-në si një gjarpër bronzi përpara profetit Moisi dhe C-në si një drapër Perseu?

1989

KUAJTË E VEGIMIT

Një shamani hidian i fisit Ogalala Siu, kur ishte 8 vjeç i sëmurë në koma ju shfaq një vegim tronditës.

Ai pa katër tufa kuajsh të mrekullueshëm që i afroheshin nga të katër horizontet.

Kuajt ishin të bardhë, të kuq, blu dhe jeshilë.

Pastaj pa gjashtë pleq viganë që ishin shpirtrat e stërgjyshërve të tij.

Ata i dhanë (në vegim) gjashtë sende magjike për mjekimin e popullit dhe i treguan një rrugë jetësore të re.

Mbas kësaj kaluan shumë vite, lëvizën shumë yllësi në qiell.

Atij i ndodhte përherë një frikë shtazore nga rrufetë. Sa herë që shkrepte një rrufe “banorët e gjëmimit” qenie të epërme i bënin thirrje “për ta shpëtuar”. Kjo i kujtonte atij trokun e kuajve që kishte parë.

Kaq e madhe qe tronditja sa binte përmbys mbi tokë gati i vdekur.

Ja tha këtë gjë një shamani tepër të moshuar mbi njëqind vjeç.

Ai i shpjegoi se frika i lind dhe e kërcënon atë për shkak se e mban vegimin brenda vetes dhe se duhej t’ia tregonte haptas gjithë njerëzve të fisit, pa vegimin të formësonte  në ritual të drejtpërdrejtë. Dhe ashtu u bë.

Shamani i ri grumbullonte kuaj në pllaja dhe ndërsa kuajt vraponin të lirë ai mjekonte dhe shëronte nga vdekja njerëzit e fisit.

Pas valles rituale  edhe kuajt realë që mbartin shpirtrat e kuajve të vegimit dukeshin më të zhdërvjellët dhe më të lumtur.

2007

SHNDRIMI

Një gjahtar i ri e vrau një shqiponjë të jashtëzakonshme.

Shqiponja qe gjigante dhe me pendë të ylberta.

Gjahtari qau.

Kaq shumë u mahnit nga shqiponja, nga bukuria e saj sa e balsamosi dhe filloi ta adhurojë si një totem.

Falej dhe përgjërohej në heshtje në pendim të pafund.

Një ditë para tij u dukën dy njerëz me krahë të mëdhenj shqiponje. Njerëzit qenë gjigantë. Ata i thanë se janë të dërguar për ta shpënë në mbretërinë e shqiponjave.

Kur arritën aty gjahtari dëgjoi zhurma të shurdhëta daullesh, por daullet nuk dukeshin. Para tij erdhi një grua me përmasa të mëdha, e veshur me të zeza, i tha se ishte duke rrahur dhe gjëmuar zemra e shqiponjës së vdekur, që ishte djali i saj.

Zemra s’vdiste dot në amshim.

Që ta shpëtonte shpirtin e tij gjahtari duhej të bënte festën e shqiponjës kur të kthehej në vendin e tij. Kështu ndodhi.

Gjahtari u kthye i rraskapitur. Ai s’i tha askujt ç’kishte ngjarë.

Ai organizoi për popullin e tij festën e adhurimit të shqiponjës.

Kur i erdhi vdekja të gjithë u çuditën se si këtij njeriu në shtratin e ditës së fundit nisën t’i dalin pendë të ylberta dhe dy krahë shqiponje.

Dha frymën ndërsa befas rreth e qark ndiheshin zhurma të shurdhëta daullesh.

Në çastin e kalimit në vdekje brofi, u ngrit dhe me krahët e shqiponjës fluturoi dhe u zhduk për të mos u kthyer kurrë.

Tani qe shndruar në shqiponjën që kishte vrarë në rini.

Biri i ringjallur i gruas mbretërore të shqiponjave me përmasa të mëdha diku në askundin hyjnor.

2008

SËMUNDJA E PËRFYTYRIMIT

Në Mbretërinë Fantastika është Perandoresha Fëmijë. Pa emër. Befas ajo sëmuret në mënyrë enigmatike, zbehet, hollohet, zvogëlohet. Sëmundja e Perandoreshës Fëmijë ka pasoja misterioze. Rajone të tëra, dete, shpella, qytete me banorë të çuditshëm, pemët me gjethe bakri, pasqyrat prej ajri, kuajt me pendë papagajsh, lulet që marrin frymë e flasin dalëngadalë fillojnë të zhduken, humbasin në boshllëk, shndrrohen në hiç. Kështu Mbretëria Fantastika rrezikon dalëngadalë të zhbëhet, të mos jetë më. Por në botën reale të planetit njerëzit, sidomos të rriturit, nuk dinë gjë se kinse ekziston Mbretëria Fantastika.

Një fëmijë 11 vjeçar, Bastiani, jetim (i ka vdekur herët nëna) ka një jetë të vështirë, në shkollë nuk shkon dhe aq mirë, në gjimnastikë është përherë i fundit, është i ngathët. Por Bastiani është ëndërrimtar. Një ëndërrimtar i pabesueshëm.

Tek një shitës librash të vjetra ai vjedh një libër me lidhje misterioze, fshihet diku dhe zhytet në lexim. Ky libër i jashtëzakonshëm i hap portat e padukshme për te Mbretëria Fantastika. Ç’është realiteti? Ç’është iluzioni? Ç’është Perandoresha Fëmijë? Pse po vdes ajo? A duhet të vdesë? Si mund të mos vdesë? Ç’duhet bërë?

Tek Mbretëria Fantastika ka një alter ego të Bastianit, një kipc. Quhet Antreji e fluturon me Dragoin e Fatit, Fuhurin.

Antreji shkon tek Orakulli i Jugut, që i thotë se Perandoresha Fëmijë dhe Fantastika mund të shpëtohen vetëm nga një fëmijë njeriu, pra nga një fëmijë i vërtetë dhe real. Kjo ndodh për shkak se sëmundje shfarosëse e ka zanafillën pikërisht në botën e njerëzve, ata prej kohësh nuk përfytyrojnë më asgjë, sepse e kanë flijuar përfytyrimin e tyre dhe imagjinatën gjoja për hir të arsyes së vrazhdë abstrakte, të parasë dhe të gënjeshtrës së shumëfishtë, që është strukturuar si rregull, harmoni e paradoksit.

Ç’figurë jep një pasqyrë që pasqyrohet në një pasqyrë tjetër? Pse ka njerëz që nuk shkojnë kurrë në Fantastika? Pse ka njerëz që mund të shkojnë dhe mund të mbeten aty përgjithmonë? Ç’do të thotë të hysh dhe të mos dalësh? Po të mos hysh kurrë? Ata që s’e dinë (s’ka se si ta dinë, ose mos ta dinë fare) se është Mbretëria Fantastika pse duhet të interesohen, ose të preken?

Po Bastiani është i Vetmi.

Ai hyn tek Fantastika. Shpëtimtari. Sekreti i profecisë është të takojë Perëndeshën Fëmijë e t’i thotë pikërisht, përfundimisht emrin që i mungon “Bija e Hënës”. ajo do t’i japë hajmalinë me mbishkrimin “Bëj ç’të dëshirosh”. Po Bastiani e provon efektin e dykuptimtë të pushtetit që i është dhënë. Sepse në Fantastika nuk është e lejuar gjithçka. Duhet të dish të jesh realist. I vërtetë. Njerëzor. Jo magjik. Bastiani kthehet në botën reale. Kërkon ta kthejë librin e vjedhur, por libri s’është më.

Shkon tek shitësi i librave të vjetra dhe i thotë për librin. Ç’libër, i thotë shitësi plak (quhej Koreander) s’e kam parë kurrë një libër të tillë, një libër që s’ka ekzistuar asnjëherë. Ndoshta vërtet libri s’ka ekzistuar kurrë. Ndoshta.

Por njëfarë fëmije tjetër Mikael Ende, i lindur në 12 nëntor 1929 qe biri i piktorit surrealist gjerman Egdar Ende në Mynih. Dhe Mikael Ende qe ëndërrimtar dhe i shkujdesur. Kinse nisi të shkruajë letër si për fëmijë duke thënë: “unë nuk shkruaj për fëmijë, unë interesohem më shumë për disa mundësi të poezisë. Po të isha piktor do të pikturoja pak si Chagall-i”. E pra ai e shkroi librin “Historia pa mbarim”, brenda tij këtë libër e konceptoi fëmija i harruar Bastian.

Thuhet se Bastiani u zhduk duke mos u rritur dot. Se s’mund të rritej. Mbase shkoi në Mbretërinë Fantastika dhe u bë Perandori Fëmijë për të ndenjur në amëshim me Bijën e Hënës, Perandoreshën Fëmijë. Sëmundja e përfytyrimit e ka një terapi mendore. Të tjetërsohet, rafinohet.

Tek çdo subjekt janë të gjitha subjektet. Me gjeografinë e përtejme tek Fantastika Bastiani (pa një lindje konkrete, por me lindje si personazh) është Hamleti dhe Bija e Hënës Ofelia. Shekspiri s’do ta kundërshtonte me tërbim këtë variant, hulli kaq pllenuese, por edhe kontradiktore. Por edhe Romeo dhe Zhuljeta.

Vetë Shekspiri i pushtuar nga përfytyrimi i papërmbajtshëm i konverton lehtësisht dhe pa kujdes personazhet.

Pra edhe Bastiani ka të drejtë të jetë Romeo dhe Bija e Hënës Zhuljeta. Janë e njëjta gjë.

2009

GJYSMËMUSHKRIA

Shtëpia e Çabejt në Gjirokastër është gjysmëmushkria prej guri me të cilën frymëmerr ende Buzuku i harruar.

1972

BABAI

Babai iku i ri, diku në hapësirën e pas-jetës në një shkallare yjesh dhe resh, po pa shtëpi, në trajtat pa mure, pa çati, pa lundrim në det, pa dhimbje, ankth, pa gazeta, pa nikotinë, pa pagjumësi, pa fjalë. Ah, Babai!

1973

POETI

Poeti udhëton pa harta. Ka disa universe të printuar. Ai është vetë busulla. Fuqitë misterioze e refuzojnë. Lëvizja pa karburant, pa shkëndija elektrike, pa kuantikë. Zhduken formulat. Humbasin numrat. Dhe Ai është Ai që është. Sepse ka qenë dhe do të jetë. Dhe është i vdekshëm për të mos qenë! Dhe s’është i pavdekshëm pikërisht për të qenë!

2004

EGJIPTI I IMAGJINATËS

Pëlhura entuziaste të pikturës mbështillmëni!

I pabalsamosur jam mbi pëllëmbët e mëdha të shtrëngatave, jam s’e s’mundet të mos jem! Dhe hyu Anibus prej fildishi të zi klith përpara portës prej graniti dhe ëndrre, prej bronzi dhe tymi.

Egjipti i imagjinatës time është bërë një tjetër kozmos, që s’binjakëzohet dot.

As s’zhduket dot.

1989

100 VJESHTAT

Po i lëviz këtë vjeshta, më saktë 100 vjeshtat e shekullit XII si një zhvendosje tekstesh mistike nëpër libra të rëndomtë!

1090

SHTRËNGATA QIVUR

Deti i Currilave nga ndjesitë thyhet si qelq venecian.

Sytë m’u pikëzuan tek këta korale okër.

Në përmasat e dritës realiteti ikën e vendoset (zhvendoset) në një tjetër realitet.

Shtrëngata do të vijë si një qivur për mua!

1994

AMNEZIA KANIBALE

Heronjtë tradhtojnë vetë qytetërimin,

Heronjtë janë fjalët tona, tashmë të harruara.

Amnezia kanibale!

1995

MUND TË ISHA, PRO S’JAM

Midis malit dhe lumit mund të isha det, por ja që s’jam!

Midis pemës dhe zenitit mund të isha shqiponjë, por ja që s’jam!

Midis shekullit të Teutës ilire dhe kështjellës së Krujës mund të isha Skënderbe, por ja që s’jam!

1991

AUTOSTRADAT MENDORE

Krishti i tregon Thomait dyshues të trafikut plagët vezulluese të semaforëve.

Por aksidentet në autostradat mendore janë të pashmangshme. Ah!

2003

QYTETI I PËRJETSHËM

Vizatohet nga një teolog urbanist, apo urbanist teolog Qyteti i Përjetshëm, po pa maternitete, pa varreza!

1999

RATS=STAR

Është acar? Keni ftohtë? Po ju ofroj o shekuj për ngrohje qymyr nga trupi i shkrumbosur i Jan Husit. Ah, Jan Husi! Rrugë dhe peizazhe obskure. Kush e ka parë filmin e Fritz Lang-ut “Metropol” për një utopi negative në vitin 2026? Në anglisht emri Rats do të thotë Minjtë, mbrapsht është Star, dmth Yll.

2010

AKSIDENT

Malet për transcendentalët nuk kanë asnjë peshë, ata qeshin me Njutonin e rëndë, të plogët, të frikësuar nga rënia e mollës idiote nga pema pakuptim.

Misteri është kështu shpesh një aksident banal i një realiteti akoma më banal.

2010

KUJTESA E INTERNUAR

Poeti si alibi s’na e thotë kurrë vendin e kujtesës së tij të internuar. Perënditë kibernetike e urrejnë barin e gjelbër, të gjallë, të shkujdesur të Whitman-it. Gratacielat janë sarkofagë me ajër të kondicionuar. In saecula saecularum! Virtual reality!

Mbase dora e Lukianit i ka shkruar disa rreshta në librat e mi të botuar dhe të pabotuar.

Mbase unë i kam huazuar disa subjekte fantazmagorike vetë James Joyce-it!

2010

DRITA VJEN NGA FERRI

Mbretëresha angleze Elisabeta tha dikur në latinisht “Pauper ubique jacet” (« Të varfrit janë kudo ») O Engjëll i Errësirës i Ernesto Sabatos ! Varfëria është Ferri!

George Byron ka shkruar: “Wander stop e piss!” (“Udhëtar ndalu dhe shurro!”) Ah, Varfëria! Ah, Ferri!

Drita s’vjen nga Parajsa!

Vjen nga Ferri!

1989

FABURL

“Gruaja ime është engjëll” tha A.

“Qenke me fat”, ja ktheu B “e imja është ende gjallë”.

2011

NGUSHËLLIMI

 

Pinoku vajton tek varri i Arlekinit, por Princi i Vogël i Ekzyperisë e ngushëllon!

1971

THYJINI PASQYRAT

 

Pasqyra ndonëse është si dera e hapur është po aq e padepërtueshme si një mur i mbyllur.

Mes pasqyrave je brenda një piramide dhe jo jashtë saj.

Iluzioni i hapjes është mbyllja më fatale.

Thyejini pasqyrat! Pra iluzionet e palëndeshme!

1973

AKILI DHE ÇADRA

Ç’klithma korbash janë çadra ku vdiq Akili? Kaluan mijëvjeçarët Akili s’është më, s’ka më Akil, por klithmat i thurin në ajër çadrën, më të pavdekshme se vetë Akili.

1999

VETËM

Jam vetëm.

Vijnë të vdekurit të më ngushëllojnë.

Homeri më sjell një amforë me verë, Ana Komnena pak opium të Bizantit, Majakovski më këshillon të mos bëj vetëvrasje!

2012

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *