Pas 13 ditësh nga grabitja në aeroportin e Rinasit, arrestohet vëllai i Klement Çalës, të konsideruarit krahu i djathtë i Admir Muratajt, të vrarë pas grabitjes së 9 prillit.
Eldi Çala rezulton të ketë marrë me qira një furgon me të cilin u krye grabitja e 5.7 milionë eurove në aeroportin e Rinasit.
Çështja është konsideruar “top sekret” për shkak se hetimet ende vijojnë për të kapur bashkëpunëtorët e grabitjes së miliona eurove më 9 prill në aeroportin e Rinasit, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj.
Aksionet më masive të policisë janë bërë në qytetin e Elbasanit, aty ku një ditë më parë u zbulua servisi ku ishte modifikuar furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” me të cilin grabitësit u futën deri në pistë dhe u arratisën më tej me paratë.
Dyshohet se tre prej personave që kanë rënë në prangat e policisë, kanë qenë bashkëpunëtorë në role të ndryshme, ndërsa njëri prej tyre dyshohet të jetë një prej autorëve të cilët kryen grabitjen e 9 prillit. Të arrestuar janë nga Elbasani dhe nga Fushë-Kruja.
Përfshirja totale në grabitjen dhe realizimin e saj mendohet të jetë e 12 personave.
Masat e sigurisë për të arrestuarit do të jepen ditën e nesërme në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Policia ka ushtruar kontrolle në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Fushë-Krujës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje edhe për gjetjen e personit të konsideruar përgjegjës pas Admir Muratajt i cili mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat e policisë.
Forcat RENEA kanë kontrolluar ditën e sotme shtëpinë në pronësi të Saimir Çelës, i njohur ndryshe si Tale Çela. Kjo banesë ndodhet rreth 100 metra pranë servisit ku u modifikua furgoni i grabitjes së Rinasit.
Në vilën tre katëshe nuk jeton njeri, por dëshmitarë thonë e në këtë vilë shihet shpesh një djalë i ri, pavarësisht se ajo është një shtëpi e pabanuar. Dyshimet e policisë janë se ai mund të ketë lidhje me personat që kanë kryer modifikimin e furgonit.
Policia ka sekuestruar edhe serverin e kamerave të sigurisë të kësaj banese dhe një kompjuter.

b.b/dita

Vetem paret mos gjinden,se paret i lirojne te gjithe per sjellje te mire,shembullore.
kunati i shokut xhemal vellai i shokut perikli perndryshe baxhanaku i ish kryetarit te shoqates “fshati macukull”