“The Balkan Line”, apo Kufiri i Ballkanit, një produksion filmik ruso-serb që pritej të prezantohej në kinemanë e Bujanovcit është anulluar.
Shkak për të mbyllur dyert e Shtëpisë së Kulturës nuk është bërë origjina e filmit, por ajo çka propagandon filmi.
Në këtë produksion rrëfehet se çfarë kanë bërë trupat ruse në Aeroportin e Prishtinës pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s. E mendohet se në të ka jo pak propaganda, e cila do të shtonte tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, edhe me anulimin e shfaqjes së filmit situata është acaruar.
Ministri serb i Kulturës, Vladan Bukosavljevic ka reaguar menjëherë.
Ai ka thënë se ky akt tregon se politika po ndikon edhe në kulturë, duke censuruar dhe manipulime të tilla politike s’janë të mira.
Pas kësaj, ka reaguar edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc, Jetmir Ismaili, i cili kishte vendosur që në institucionin që udhëheq të mos shfaqet filmi për luftën në Kosovë.
Sipas tij edhe kritika ndërkombëtare e ka cilësuar si propagandistik.
“Arsyeja e vetme e ndalimit të shfaqjes së filmit është që të mos ketë urrejtje midis shqiptarëve dhe serbëve. Urrejtja është e pranishme, por nuk duam që ajo të ringjallet më shumë. Në bazë të kritikave që kemi lexuar, në atë film nuk ka të vërteta. Keqpërdoret edhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit. Madje edhe mediat ndërkombëtare e kanë cekur që është një film që nxit urrejtje”, ka thënë Ismaili.
“The Balkan line” pritej që të shfaqej këtë të diel në Bujanovc.

j.l./ dita
