Mbahet Ceremonia e Pestë e Diplomimit në “Marin Barleti”

anazapta

Teksa një viti i ri akademik fillon, një brez i ri nis udhëtimin e gjatë në karrierë.

 

Universiteti Marin Barleti mbajti pasditen e së premtes, 4 Tetor 2013, ceremoninë e pestë të diplomimit të studentëve Bachelor dhe Master, për vitin akademik 2013. Ceremonia, e cila u zhvillua në oborrin e Kampusit 1 – pranë Liqenit Artificial, u drejtua nga pedagogu i këtij universiteti, aktivisti i njohur i shoqërisë civile, Z. Erion Kristo. Veç studentëve dhe familjarëve të pranishëm, ceremonia u nderua nga të  ftuar që shërbejnë momentalisht si deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, ministra të kabinetit të qeverisë së re, politikanë si dhe pjesëtarë të trupit diplomatik në vend – të gjithë miq e dashamirës të këtij institucioni elitar. Të ftuar nderi në ceremoni ishin Ministri i Mirëqenies Sociale & Rinisë, z. Erion Veliaj, dhe Ministre e Turizmit dhe Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni.

 

Rektori i universitetit, Prof. Dr. Marenglen Spiro ishte i pari që me fjalët e tij të ngrohta përcolli arritjet e këtij institucioni tek të ftuarit, si dhe veçoritë e disa studentëve të spikatur gjatë periudhës në UMB.  Prof. Dr. Rexhep Meidani, ish-president i Republikës dhe kryetar i Bordit të të Besuarve në Universitetin Marin Barleti, përshëndeti studentët duke ju kujtuar kësisoj se ka disa standarde për suksesin, ndër të tjera, përkushtimi e cilësia në mësimdhënie, elementë që zotërohen nga stafi i UMB. Ministri Veliaj, duke u përcjellë falënderimet e para prindërve, si mbështetësit kryesorë të arsimit të secilit prej studentëve, ju kujtoi se rruga e sapo nisur është e gjatë dhe e mbushur me sfida, por suksesi asnjëherë nuk vihet në dyshim kur procesi mësimor ka qenë i rregullt dhe i plotë, e dëshira për dije e cilësi nuk ka reshtur kurrë. Të pranishmit, u përshëndetën dhe frymëzuan nga një Alumni e UMB-së, e cila falë arsimit që mori, sot gëzon sukses në punën e saj si trajnuese ndërkombëtare në rajon. Të mirët e më të mirëve, tre studentë të përzgjedhura nga studimet Bachelor dhe Master treguan rrugëtimin e përshkuar në këtë institucion dhe përshëndetën shokët e tyre, duke i uruar suksese në karrierën.

 

Prania e shumë personaliteteve gjatë këtij aktiviteti, ju kujtoi edhe një herë studentëve se me përkushtim, punë, e mbi të gjitha integritet e humanizëm, siç kujton çdo ditë i madhi Marin Barleti, rruga e mundimshme e karrierës mund të sjellë arritje të mëdha dhe emërime në pozicione që japin mundësi për të lënë gjurmë në historinë e vendit tonë.

 

Ceremonia kulmoi me lëshimin e tullumbaceve, si simbol i rrugëtimit të secilit prej të diplomuarve drejt të ardhmes. Fishekzjarrë dhe një koktej në nder të studentëve, familjarëve dhe të ftuarve përcollën festimet e Barletasve.
Share This Article
1 Comment
  • Mbase eshte dallendyshja e pare ne universitet e pa fund. Une nuk e njoh punen e atjeshme. Do zoti te jete i vertete se na mbyti injoranca. Per universitete te tjere duhet pare se e kane kthyer ne biznes te ndyre. Shesin diploma pa qene fare studente. Ata dhe po te kontrollohen nuk kapen dot se punojne me dy pale dokumente e regjistra. Kane din e iman Çilet me shoke?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *