“Komandanti hije” që ridimensionoi Lindjen e Mesme

anazapta

Perëndimi ka dëgjuar shumë pak për Qassem Suleiman, i cili mban postin e ministrit të Jashtëm në Iran dhe njëkohësisht është është shefi i forcave speciale iraniane “Quds”. Sot, me presidentin e moderuar Hassan Rouhani në pushtet, nuk është e qartë për askënd se si janë raportet e forcave të brendshme në Teheran, por një gjë dihet mirë në Lindjen e Mesme: Suleimani është një element kyç që dominon dhe drejton çështjet politike dhe ushtarake prej mëse 15 vjetësh në këtë rajon

Ndikon fuqishëm politikën e jashtme të Iranit, e cila kushtëzon të gjithë rajonin, nga Libani deri në Irak, me pasoja edhe mbi Shtetet e Bashkuara. Një njeri për të cilin flitet pak, po aq pak sa ç’dihet për njësinë e ushtrisë iraniane Quds, të cilën e drejton. Quhet Qassem Suleiman, në Iran është një lloj heroi kombëtar: i paprekshëm, mik i të gjithë politikanëve me peshë duke nisur që nga udhëheqësi suprem Ali Khamenei. Në fotot e pakta të tij që qarkullojnë në internet, duket si një njeri çfarëdo: buzëqesh shpesh, ndërthur uniformën ushtarake me veshjet civile dhe kur flet ka gjithnjë një ton zëri të ulët e të qetë.

Por në të kundërt të aparencës, Suleiman konsiderohet përgjegjës i drejtpërdrejtë i atentateve të shumta në Lindjen e Mesme dhe jashtë saj: midis të tjerave, ka organizuar dhe koordinuar milicitë shiite në Irak pas luftës, në vitin 2003, ndërsa tani po bashkëpunon me diktatorin sirian Bashar al Assad kundër rebelëve.

Richard Clarke, agjent i anti-terrorizmit amerikan gjatë administratave Clinton dhe Bush, shprehet për të: “Është si një lloj gjeniu i së keqes që qëndron pas gjithë aktivitetit të forcave Quds, si dhe në të gjithë influencën që Irani ka arritur në nivel ndërkombëtar”. Ndërsa një funksionar amerikan me mision në këtë shtet e përshkruan kështu: “Ai është gjithandej dhe askund… Mund të jenë dhjetë persona në një dhomë, por kur hyn Suleimani nuk ulet afër tyre. Shkon e gjen në mënyrë diskrete një vend ku të qëndrojë vetëm. Nuk flet, nuk komenton, rri i ulur dhe dëgjon. Pashmangshmërisht mendimet e të gjithëve në dhomë fokusohen te ai”. Revista “The New Yorker” ka publikuar një artikull të gjatë të Dexter Filkins (më të kompletuarin deri më sot), që mbledh bashkë gjithë sa dihet mbi Suleimanin, por shton edhe detaje të tjera të panjohura deri më sot.

Kush është Qassem Suleiman?

Një burrë i shkurtër e thinjosh me mjekër, ndonëse i vogël në staturë, kush e njeh, thotë se ai është i pajisur me atë cilësi që arabët e quajnë ‘khilib’, karizmë.

Suleimani, 56 vjeç, e ka përshkruar veten si “më të voglin e ushtarëve”: një ekzaltim i modestisë, thuajse teatral për një burrë me pozitë dhe pushtet të tillë, shkruan Filkins.

Ai ia detyron pasurinë e tij miqësisë me liderin suprem iranian, Ali Khamenei (figura politike më e rëndësishme në vend) dhe është një mbështetës i paepur i sistemit autoritar iranian. Në korrik të 1999-s, në momentin më të ndezur të protestave studentore anti-qeveritare, Suleimani ishte një nga komandantët revolucionarë që firmosën “një paralajmërim” për presidentin reformist në atë kohë Mohammad Khatami, i cili ftohej që të shtypte sa më parë çdolloj proteste: “Durimi ynë po mbaron”, shkruhej në atë shënim. Për këtë arsye dhe për angazhimin e tij në forcat revolucionare Quds, Khamenei e ka cilësuar Suleimanin si një “martir të gjallë të revolucionit”.

“Suleiman, – shkruan Filkins, – jeton në Teheran dhe duket sikur bën një jetë të qetë prej burokrati të moshës së mesme”. Duke mbledhur dëshmi të ndryshme nga njerëz që janë njohur me të përgjatë viteve, Filkins tregon: “Zgjohet çdo mëngjes në orën 4 dhe çdo mbrëmje shkon për të fjetur në orën 21:30. E respekton bashkëshorten dhe ndonjëherë e merr me vete në udhëtimet e tij. Ka 5 fëmijë, tre djem e dy vajza. Një nga vajzat e tij, Nargis, jeton në Malajzi, gjë që e shqetëson shumë sepse e bija po i largohet nga porositë e Islamit”.

Suleiman në luftë   2

Në vitin 1979, vit i revolucionit islamik i drejtuar nga Ruhollah Khomeini, Suleimani ishte 22 vjeç dhe vendosi t’i bashkohej “Gardës Revolucionare”, një forcë ushtarake e formuar nga lidershipi i ri fetar iranian për të parandaluar grushtet e shtetit, të cilat mund të risillnin në pushtet Shahun.
18 muaj pas fillimit të luftës midis Iranit dhe Irakut, Suleimani u dërgua në front me një mision të thjeshtë: të furnizonte me ujë ushtarët. “Hyra në luftë për të kryer një mision 15-ditor, por qëndrova  deri në fund të saj”, shprehej ai kohë më vonë. Përgjatë tetë viteve të konfliktit, islamikët në pushtet dërguan mijëra të rinj në fushat irakene, shpesh për të pastruar zonat e minuara dhe numri i të vdekurve iranianë, siç mund të imagjinohet, ishte shumë i lartë. Suleimani që ndërkohë kishte nisur të zbatonte misione komanduese, filloi të ndjente presionin për humbjen e jetëve njerëzore. Filkins shkruan: “Para se t’i dërgonte burrat e tij në betejë, i përqafoi një më një për t’iu dhënë lamtumirën. Në fjalimet e tij, qëndiste lëvdata për ushtarët që ishin kthyer në martirë dhe kërkonte ndjesë pse ai vetë nuk ishte mes tyre”.

Suleimani është shquar për aftësitë e tij luftarake. Ryan Crocker, ambasador i SHBA-së në Irak midis viteve 2007-2009, njëherë pyeti një nga liderët irakenë që e njihte mirë Suleimanin, nëse ky ishte veçanërisht i dhënë mbas fesë dhe përgjigja që mori ishte: “Jo shumë. Frekuenton xhaminë me intervale të rregullta, por nuk e udhëheq feja. E udhëheqin nacionalizmi dhe dashuria që ka për luftën”.

Nga fundi i viteve ’80, Suleimani u dërgua në kufirin lindor për të ndihmuar rebelët afganë në luftën e tyre kundër talebanëve. Edhe këtu ai krijoi një reputacion. Kufiri midis Iranit dhe Afganit ishte një territor shumë i frekuentuar nga trafikantët e drogës (problem i pranishëm ende sot) dhe shumë nga ushtarakët lokalë u përfshinë në punë të paligjshme dhe episode korruptimi. Suleimani u distancua nga ky grup njerëzish dhe u përpoq të frenonte aktivitetet ilegale, duke fituar vlerësim dhe respekt midis ushtarëve të tij.

Rreth 15 vjet më parë (më 1998-n ) mori komandën e forcave Quds, njësia elitë e Gardës Revolucionare: në arabisht termi “Quds” tregon “Jeruzalemin” që luftëtarët e kësaj njësie premtuan ta lironin. Gjatë 30 viteve të fundit kjo njësi ka qenë për Iranin ajo që CIA dhe forcat speciale bashkë kanë qenë për Shtetet e Bashkuara: një instrument inteligjence, forcë ushtarake dhe politikë e jashtme. Detyra e saj më e rëndësishme është të eksportojë revolucionin islamik iranian jashtë kufijve shtetërorë.

Suleimani ka përdorur ndikimin dhe pushtetin e Quds për të ndryshuar raportet në Lindjen e Mesme në favour të Iranit, duke përdorur mjetet që kishte në dispozicion: vrasje politike, mbështetje dhe furnizim armësh për aleatët, dhe për më shumë se një dekadë menaxhimin e një rrjeti grupesh përgjegjëse për vrasjet e qindra amerikanëve në Irak.

John Maguire, ish-funksionar i CIA-s në Irak e përshkruan si “agjentin operativ më të fuqishëm në të gjithë Lindjen e Mesme, edhe pse në Perëndim askush nuk ka dëgjuar për të”. Suleimani i ka shndërruar forcat që drejton në një organizatë me kapacitet veprimi të paprecedent, e aftë të kryejë operacione financiare, inteligjence dhe sabotazhe të llojeve të ndryshme. Mendohet se sot forcat Quds përfshijnë midis 10 dhe 20 mijë burrave, të ndarë midis atyre që luftojnë dhe atyre që stërvitin.

Pas 11 shtatorit, talebanët dhe Iraku

Ryan Crocker, në 2001-shin funksionar në departamentin e Shtetit amerikan, i tregoi Filkins se kishte pasur takime të ndryshme me iranianët para fillimit të luftës në Afganistan: Irani u tregua i gatshëm të bashkëpunonte me Amerikën për shkak të rivalitetit me talebanët afganë. Crocker tregon se gjatë bisedimeve pati përshtypjen se iranianët i jepnin llogari vetëm Suleimanit. Çfarë vijoi ishte një bashkëpunim frytdhënës midis amerikanëve dhe iranianëve, të paktën për pjesën e parë të luftës afgane.

Më 29 janar të vitit 2002 gjërat ndryshuan. Në fjalimin e tij tradicional presidenti George Ë. Bush, e përfshiu Iranin papritur në listën e vendeve të ashtuquajtura “Boshti i së Keqes”, në të cilin ishin gjithashtu Iraku dhe Koreja e Veriut. Shumë nga diplomatët amerikanë që po punonin me iranianët u kapën në befasi. Crocker tregon se të nesërmen u takua me një negociator iranian në selinë e OKB-së në Kabul dhe i tha atij se Suleimani ishte i tërbuar. Takimet midis Iranit dhe SHBA-së morën fund atje.

Vitin pasardhës Shtetet e Bashkuara sulmuan Irakun. Iranianët iu kundërvunë kësaj ndërhyrjeje: trupat amerikane ishin në Afganistan, po përparonin drejt Irakut dhe iranianët druheshin se afrimi i tyre do të sillte një sulm të drejtpërdrejtë mbi vendin e tyre.

Pasi u mposht Sadam Husseini dhe u krijua qeveria e parë provizore, Suleimani nisi në Irak një fushatë agresive të ngritur kryesisht mbi sabotazhet dhe atentatet. Dy milici shiite luftonin amerikanët në Irak, Brigate Badr dhe Ushtria Mahdi. Por, lëvizjet e tyre të paparashikueshme e shtynë Suleimanin të organizonte milici të tjera, të stërvitura në Iran, objektivat e të cilave ishin që të fitonin influencë dhe të vrisnin amerikanë. Duhet thënë që të dyja përgjatë viteve janë përmbushur me bollëk.

Mesazhi i Suleimanit për gjeneralin Petraus

Një nga frazat më të njohura të Suleimanit është ajo që ia drejtoi gjeneralit David Petraus në fillim të vitit 2008, ky i fundit në atë kohë drejtonte forcat e armatosura amerikane në Irak: “Gjeneral Petraus mësoni tani se unë, Qassem Suleimani, kontrolloj politikën e Iranit përsa i takon Irakut, Libanit, Gazës dhe Afganistanit”.

Dy vjet më vonë Petraus foli për betejën e tij kundër Suleimanit: “Nëse mendohet të përdoren me Iranin mjetet tradicionale që përdoren me ministritë e tjera të Jashtme, çështja ndërlikohet shumë. Ajo e Suleimanit nuk është thjesht një ministri, por një aparat i sigurisë së lartë”. Petraus i dha të drejtë: ishte ai që bënte politikën e diplomatike të Iranit nëpër Lindjen e Mesme.

Shumë vëzhgues ndajnë të njëjtin këndvështrim mbi faktin që pushteti i Suleimanit është shtuar përgjatë viteve: arritja e tij e fundit është marrëveshja për përdorimin e hapësirës ajrore irakene për të transportuar armë dhe luftëtarë në Siri.

Atentati më i madh që i është atribuuar forcave Quds është ai i vitit 1994, kur shpërthimi i një bombe në qendër të komunitetit hebraik të Buenos Aires në Argjentinë, vrau 85 persona. Në tetor të 2011-s departamenti i Thesarit amerikan imponoi disa sanksione mbi Suleiman për përfshirjen e tij të dyshimtë në projektimin e atentatit kundër ambasadës saudite në Uashington.

Dallimi nga amerikanët mbi Sirinë

Për Suleimanin mbijetesa e regjimit sirian të Assad-it është një çështje krenarie dhe miqësie. “Na tha se iranianët do të bëjnë çdo gjë që të jetë e nevojshme për të shpëtuar Assad-in”, raportoi një ish-funksionar iraken i cili shtoi se Suleimani kishte thënë: “Ne nuk jemi si amerikanët. Nuk i braktisim miqtë tanë”. Miku i Iranit në këtë rast regjimi i Assad është i vetmi aleat i mbetur në Lindjen e Mesme.

Në gusht të 2012-s, rebelët sirianë morën peng 48 iranianë në Siri. Qeveria e Teheranit tha se bëhej fjalë për pelegrinë por askush nuk e besoi, as rebelët as shërbimet e inteligjencave perëndimore: sipas tyre ishin luftëtarë të forcave Quds.

Sido që të ketë qenë, ata 48 iranianë “u vlerësuan” aq shumë sa Bashar al Assad vendosi t’i lironte në këmbim të më shumë se 2000 rebelëve të kapur nga ushtarët e tij. Siç shkruanin më vonë shumë gazetarë dhe ekspertë, 48 iranianët kishin qenë vërtet luftëtarë të njësisë Quds: misioni i tyre në Siri ishte pjesë e idesë së Suleimanit “për të mos i lënë vetëm miqtë”. Nga aty e më pas, gazeta të ndryshme shkruan për praninë e luftëtarëve Quds në Siri, bashkë me një sërë ndihmash  financiare dhe ushtarake, të dhëna nga Irani për ushtrinë e Assad-it.

Suleimani ka shkuar në Damask në raste të ndryshme. Një funksionar amerikan i tha Filkins se ai “po drejton një luftë për llogari të tij”: ka krijuar një bazë komande brenda një ndërtese anonime veçanërisht të mbrojtur, në të cilën mbledh herë pas here një sërë krerësh ushtarakë. Midis tyre funksionarë sirianë, komandantë të Hezbollahut dhe koordinatorë të milicive shiite irakene, të gatshme për të vazhduar luftën edhe në rastin e rënies së Assad-it.

Fitorja më e rëndësishme e arritur nga Suleimani ishte padyshim rimarrja e Qusayr para disa muajsh, qytet me rëndësi strategjike në afërsi të kufirit me Libanin, gjë që i lejoi Assad-it të zeronte avantazhin që deri në atë moment e kishin rebelët.

Në atë rast shkruan Filkins, Suleimani i kishte kërkuar drejtpërdrejt mikut të tij të vjetër, Hassan Nasrallah, kreut të lëvizjes shiite libaneze të Hezbollahut, për të dërguar në Qusayr mijëra militantë që të luftonin në krah të Assad-it. I gjithë operacioni u orkestrua nga Suleimani. Ishte një fitore e madhe për të.

Prej tre muajsh presidenti iranian Rouhani ka bërë një sërë hapjesh diplomatike drejt Shteteve të Bashkuara, veçanërisht mbi tema shumë delikate për perëndimorët si ajo bërthamore, por nëse qëllimet e tij janë serioze, kjo nuk dihet.

Rouhani ka pasur mbështetjen e liderit suprem Khamenei, i cili përfaqëson krahun më konservator të regjimit iranian: Pikërisht të shtunën e kaluar Khamenei pranoi publikisht se i mbështet hapjet diplomatike  të Rouhanit, duke shtuar se ka disa “rezerva “ mbi sjelljen e konsideruar si “shumë miqësore” ndaj Shteteve të Bashkuara. Janë të shumtë ata (mbi të gjithë amerikanët) që shpresojnë se në këtë proces edhe Suleimani, kurdoherë nga ana e Khamenei-t, të humbë një pjesë të pushtetit të tij./ Përgatiti: Dorina Gjuzi

Bazuar te “The New Yorker”. Titulli origjinal “The Shadow Commander”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *