Moikom Zeqo
PROVERBI I EPIDAMNASVE
Diodori, historian romak i para 20 shekujve tregon për një histori absurde luftërash pa kuptim që bënë epidamnasit, në një kohë akoma më të hershme.
Nuk dihet shkaku i grindjes.
Populli i madh i qytetit Epidamn u nda në dy pjesë të papajtueshme.
Një pjesë e udhëhiqte Argani, tjetrën Arsani.
Pasuesit e Arganit për t’u dalluar i lyenin flokët me ngjyrë blu, ata të Arsanit me ngjyrë të gjelbër.
Përleshjet qenë të ashpra.
Shumë njerëz të mençur ndërhynë midis të dyve për t’i pajtuar.
Por qe e pamundur.
Edhe Argani dhe Arsani qenë betuar tek tempulli i Hyut Redon në akropolin e qytetit Epidamn.
Si provë të betimit të tyre të tmerrshëm ata kishin disa hekura të bërë inkandeshente nga zjarri i një farke.
Dhe betimi qe ky: do t’i jepnin fund armiqësisë vetëm nëse duke i hedhur hekurat e skuqur në det t’i nxirrnin nga ujërat vetëm të skuqura sërish.
Ata i hodhën hekurat e porsanxjerrë nga farka e ndezur. Kapën hekurat e skuqur me dara të mëdha dhe i zhytën në det. Kur i nxorën shkëlqimi dritësor, i zjarrtë i hekurave padyshim që qe shuar dhe zhdukur.
Vetëm një fuqi hyjnore, jo ajo natyrore, apo njerëzore do të mund t’i nxirrte hekurat e skuqura që nga thellësia e detit përsëri të skuqura.
Kështu që përçarja dhe përpjekjet vazhduan.
Epidamnasit, qoftë ata me flokë blu, qoftë ata me flokë të gjelbër, po shfarosnin njëri tjetrin.
Por kjo qe një katastrofë.
Ahere gratë e Epidamnit, të cilat nuk merrnin pjesë në radhët e luftëtarëve të tërbuar (të betuar) meshkuj shkuan tek altari i tempullit të hyut Redon.
Gratë i prenë flokët e tyre dhe ja kushtuan me lot në sy dhe dhimbje Redonit.
Ato ju lutën Redonit ta zgjidhte këtë katrahurë vetëvrasëse. Hyu Redon u prek.
Në hapësirat e tempullit statuja e hyut Redon foli me zë kumbues:
– Dëgjoni epidamnas !
Zgjidhja e kësaj çështje është e thjeshtë.
Vetëm një fjali (tri fjalë) : «Mos e tepro ».
Unë e kam fuqinë hyjnore t’i nxjerr hekurat e skuqur që nga fundi i detit sërish të skuqur dhe ju të habiteni. Juve s’ju duhet mrekullia, por bindja që s’duhet tepruar asgjë. Në mënyrë të veçantë s’duhet tepruar grindja, aq më tepër grindja pa kuptim.
Mos harroni ! Thënia « Mos e tepro » le të bëhet ndërgjegje dhe veprim. Lëreni hekurat e skuqur në fundin e detit dhe të ndryshken përgjithmonë !
Kuptoni se jeni njerëz të njëjtë, nuk ju bën të ndryshëm as ngjyra blu e flokëve, as ngjyra e gjelbër !
Kështu epidamnasit e dëgjuan hyun e madh Redon. Ndaluan luftën dhe gëzuan paqen.
Kështu thënia « Mos e tepro » u bë proverbi i shekujve !( 1989 )
ANTIGONEA
18 vjeç Pirroja i molosëve shkoi në Egjipt. Mbret i Egjiptit qe Ptolemeu, një nga gjeneralët më të shquar të Aleksandrit të Madh dhe mbretëreshë Veronika, një grua shumë e mençur.
Ajo kishte një vajzë, Antigonean, nga një martesë e mëparshme, përpara se sa Ptolemeu ta bënte mbretëreshën e tij. Pirroja u shqua në Egjipt.
Në stërvitjet ushtarake ai tregoi zhdërvjelltësi dhe aftësi të mëdha.
Në Egjipt Pirro u mahnit me elefantët.
Hera e parë që shihte elefantë.
Ai mendoi që t’i përfshinte edhe elefantët në formacionet ushtarake. Pirroja stërvitej, por edhe studionte në bibliotekën e Aleksandrisë që qe kryeqyteti i Egjiptit.
Në bibliotekë u njoh me princeshën Antigonea.
Ajo qe delikate dhe e mrekullueshme. U njohën dhe lexonin së bashku tekstet poetike të Homerit.
Ranë në dashuri me njëri-tjetrin.
Pirroja shkroi një poezi dashurie të zjarrtë dhe tepër të ndjerë për Antigonean (por ky dorëshkrim për fat të keq ka humbur).
Ahere Veronika dhe Ptolemeu vendosën t’ia jepnin për nuse Antigonean Pirros.
Mbas shumë vitesh në Egjipt Pirroja vendosi të kthehej në atdheun e tij, tek molosët.
U nis me anije nga porti i madh i Aleksandrisë.
Me vete kishte Antigonean por edhe dy elefantë, të dhuruar nga Ptolemeu dhe Veronika.
Kështu mëritën në Epirin e molosëve.
U lindi një djalë.
I vunë emrin Ptoleme për nder të mbretit të Egjiptit.
Befas Antigonea u sëmur. Pirro u shqetësua shumë.
Solli mjekë nga të tërë anët por Antigonea lëngonte në shtrat duke u zbehur dhe u mekur.
Pirroja shkoi tek orakujt e Dodonës dhe pyeti për të ardhmen e jetës së Antigoneas.
Orakujt befas i recituan vargjet e poezisë së dashurisë që dikur Pirroja ja kishte kushtuar Antigoneas së dashur.
Pirro qau kur i dëgjoi.
Pastaj orakujt i thanë që Antigonea do t’i kushtohet zotave, por Pirro duhej t’i kushtonte Antigonesë një qytet.
Antigonea vdiq një mëngjes.
Pirro vajtoi me zë të lartë, duke shkulur flokët dhe çjerrë fytyrën nga dhimbja e papërshkrueshme dot.
E futi në një sarkofag mermeri gruan e vdekur.
Këtë sarkofag e vuri mbi podium mbi shpinat e dy elefantëve që ecnin paralel.
Dhimbja qe kaq e rëndë sa edhe gratë dhe vajzat molose edhe burrat molosë i prenë flokët e tyre, madje edhe jelet e kuajve.
Elefantët e çuan sarkofagun mbi një kodër në luginën ku rridhte lumi Drinos.
E ulën sarkofagun dhe e mbuluan me dhe.
Mbi të Pirro urdhërohej të ngrihej tempulli i Antigonës si dhe të ndërtohej një qytet i tërë që e quajti Antigonea.
Pirroja ishte luftëtar, ai pushtonte dhe prishte qytete, me shpatën e tij vrau shumë kundërshtarë.
Shpata e tij i përkiste vdekjes.
Pirro konkurronte me vdekjen.
Por këtë herë ai bëri diçka tjetër që i shërbente jetës: një qytet të tërë, me rrugët dhe sheshet, ku vraponin fëmijët, burrat dhe gratë jeton dhe nderonin kujtimin e gruas së butë, të dhembshur dhe të mençur, Antigoneas së pavdekshme.
Skenat e ceremonisë mortore humbën nga kujtesa e njerëzve.
Dy elefantët u vranë në Itali kur Pirroja bëri një ekspeditë të tij kundër Romës.
Vetë eshtrat e Pirros nuk dihet se ku janë. Nuk u ndërtua kurrë një qytet me emrin e Pirros.
Por monumentet e qytetit Antigonea janë ende sot e gjithë ditën.
Antigonea është një qytet arkeologjik në afërsi të Gjirokastrës.
Në kodër ka qiparisa që lëshojnë kumbime të lashta kur i trazojnë erërat e vjeshtës.
Po të tendosesh për të dëgjuar diçka më shumë dhe më thellë mbase do të ndjesh recitimin e vargjeve që thuri dikur Pirroja djalosh për të bukurën dhe të papërsëritshmen Antigonea, një poemë dashurie që s’harrohet dhe rikrijon kujtesën e humbur të shekujve.
EMRI
Pirro i Madh i Epirit, Mbret i Molosëve, kishte ngritur fushimin e tij ushtarak përballë një qyteti të fortifikuar armik. Qyteti qe i madh dhe i fuqishëm.
Pirro nguronte ta sulmonte. Nuk kishte besim se ta pushtonte dot.
Një natë para sulmit Pirroja pa një ëndërr. Ëndrra qe e çuditshme.
Në ëndërr ju shfaq Aleksandri i Madh i Maqedonisë. Ndodhej i shtrirë në shtrat dhe i sëmurë për vdekje. Dihet se nga sëmundja Aleksandri vdiq në moshën 33 vjeçare në Babiloni. Pirro kishte lindur një shekull pas vdekjes së Aleksandrit.
Nëna e Aleksandrit, Olimbia qe molose, me të njëjtën origjinë me Pirron.
Pse ju shfaq Aleksandri në ëndërr Pirros ? Pirro ju afrua shtratit ku lëngonte Aleksandri
– Unë jam duke vdekur, i tha Aleksandri. E di që ti je plot një shekull pas meje. Por unë dua të të ndihmoj.
– Si mundet të më ndihmosh, ja ktheu Pirro. Ti ke vdekur shumë kohë përpara. Unë të shoh tani në ëndërr. Vetëm ëndrra na bashkoi. Në jetë s’jemi takuar kurrë. Por ëndrra është ëndërr. Dhe në ëndërr ka përherë çudira. Pra si mundet që të më ndihmosh ?
– Mund të të ndihmoj. Madje përtej vdekjes time. Po të jap emrin tim.
Dhe emri im mjafton.
Vetëm emri im.
A më kupton. Është më shumë se sa një ushtri e madhe. E di që ti nesër në mëngjes do ta sulmosh qytetin. Po pa ndihmën e emrit tim nuk mund të fitosh dot. Pra mos harro. Përdore emrin tim. Edhe në vdekje emri im është i pavdekshëm. Mos harro! Lamtumirë!
Pirro u zgjua. Ju kujtua ëndrra. Rreshtoi ushtrinë u tha ushtarëve se sulmin do ta udhëheqë jo ai Pirroja, por emri i Aleksandrit të Madh. Ushtarët e dëgjuan. E kuptuan. Sulmuan dhe fituan! ( 1987)
HYU AOS
Pesë kalorës u dukën përpara mureve rrethuese të Apolonisë.
Tek kulla e madhe e portës u ngjit prytani i Apolonisë, Parmenisku, i pari i qytetit të madh dhe hijerëndë.
– Cilët jeni ju, tha me zë të fortë nga sipër kullës Parmenisku.
– Jemi kalorës nga qyteti Epidamn, fqinjë me ju. Kemi ardhur të kërkojmë ndihmë.
– Ndihmë? Ç’ka ndodhur?
– Një ushtri fisesh nomade ka ardhur nga veriu. Janë të veshur me lëkurë kafshësh të egra, janë të hipur mbi kuaj të mëdhenj dhe përdorin në luftim në vend të shpatave sëpata të rënda dytehëshe. Janë të fuqishëm dhe të papërmbajtshëm. Duam të na ndihmoni me ushtarë.
– Ju kuptoj, tha Parmenisku. Parmenisku qe një burrë 50 vjeçar. I thinjur, ende mjaft i fortë dhe shumë i mençur. Dha urdhër të hapej porta e Apolonisë. Pesë kalorësit u futën brenda. Zbritën nga kuajt dhe u përshëndoshën me Parmeniskun dhe fisnikët e tjerë të qytetit.
Parmenisku i çoi kalorësit epidamnas te një tempull në qendër të Apolonisë. Tempulli ishte me kolona mermeri Brenda tempullit ishte skulptura e madhe e hyut lumë Aos. Ky ishte lumi i shenjtëruar që rridhte pranë mureve të Apolonisë.
– Ja, u tha të ardhurve Parmenisku. Ky është hyu jonë ilir, që i besojmë. Hyu Aos. Ky është fati dhe e ardhmja jonë. Ky është hyu që ujit dhe u jep jetë arave tona, drurëve, tërë gjelbërimit. Hyu i jetës dhe i përtëritjes. Unë po i lutem tani këtij hyu. Unë e di se jemi në situatë kritike. Të huajt e tmerrshëm po i afrohen qytetit tuaj, Epidamnit. Jeni të shqetësuar. E keni të tronditur besimin. Dyshoni se mund ta përballoni rrezikun e gjëmshëm. Jeni jashtëzakonisht të shqetësuar. Epidamnasit janë burra trima, luftëtarë të mëdhenj. Por ju ju është tronditur besimi. Duhet të keni besim. Ndaj unë ju afroj si ndihmë emrin e hyut Aos. Ky emër hyjnor do t’ua kthejë besimin. Do t’ju mbushë me shpresë dhe fuqi të jashtëzakonshme.
Pesë kalorësit epidamnas e pranuan këtë gjë. Ata u rikthyen në qytetin e madh Epidamn. Organizuan forcat e tyre ushtarake. Ata e bënë kryekomandant të tyre hyun e pamposhtshëm Aos. E vunë në krye t’u udhëhiqte në të tëra betejat. Dhe kështu ndodhi. Mizëritë e të huajve i sulmuan epidamnasit. Por mbrojtësit e Epidamnit ishin bërë me forca më të jashtëzakonshme se sa forcat normale njerëzore. Besimi i forcuar nga emri i hyut Aos i bëri ato shumëfish më të fuqishëm. Trupat e ardhur nga veriu u thyen dhe u kthyen mbrapsht.
Historinë e mësipërme e përmend dijetari romak i shekullit I para erës sonë në librin e tij “Factorum et dictorum memorabilium” (“Ngjarje dhe thënie të shënuara”).
Hyu Aos ka emrin antik të lumit Vjosa. Një skulpturë e këtij hyu është gjetur nga arkeologët dhe ruhet akoma edhe sot.( 1979 )
SOKRATI
Mendimtari i mençur, Sokrati i lashtësisë, nuk i duronte thashethemexhinjtë.
Një i tillë shkoi tek Sokrati dhe i tha:
– Mjeshtër, do t’ju them se ç’ka thënë një miku juaj…
– Ndalo, e ndërpreu Sokrati.
– Si?
– Mos fol. Nëse ke diçka për të më thënë a e ke kaluar në tri sita ?
– Tri sita?
– Po tri sita.
– Cilët janë këto tri sita ?
– E para është sita e së vërtetës. A e ke saktësuar atë që ke dëgjuar ? A është plotësisht e vërtetë?
– Jo, vetëm e kam dëgjuar që e thonë…
– Sita e dytë lidhet me mirësinë. Nëse nuk është e vërtetë ajo që do të më thuash a është të paktën diçka e mirë?
– Që të jemi i sinqertë, nuk është dhe aq e pëlqyeshme…
– Ahere kalojmë tek sita e tretë, në sitën e domosdoshmërisë. Ajo që do të thuash është e domosdoshme, dhe për rrjedhojë e dobishme?
– Në fakt nuk është dhe aq e rëndësishme.
– Ahere mos më thuaj asgjë. Se nuk ja vlen.( 1975 )
KËSULKUQJA FLUTURUESE
Përralla e Kësulëkuqes është tepër e njohur.
Po ju tregoj një variant tjetër, krejt të çuditshëm të përrallës.
Kësulëkuqja po ecte në shtegun e pyllit tek shtëpia e gjyshes. Aty e priste ujku i veshur me rrobat e gjyshes. Dhe Kësulëkuqja s’dinte asgjë. I del përpara një shtojzovalle. E pyeti:
– Ku po shkon kështu moj Kësulëkuqe?
– Te shtëpia e gjyshes.
– Mos nxito. Kam diçka për ty. Merri erë kësaj luleje të kaltër.
Shtojzovallja i dha lulen Kësulëkuqes. Lulja e kaltër lëshonte një aromë marramendëse.
– Ç’aromë e mirë, tha Kësulëkuqja.
– Aromë magjike, ja ktheu shtojzovallja dhe qeshi me gjithë zemër.
– Magjike?
– Po. Ai që thith aromën e kësaj luleje të kaltër mund të fluturojë. Tani edhe ti mund të fluturosh.
– Të fluturoj? Sa qejf!
Kësulëkuqja e ndjeu veten të lehtë, shumë të lehtë. Aq e lehtë si të qe një formë a një qenie prej ajri. Ndjeu se dalëngadalë po ngjitej nga toka. U ngrit mbi majat e drurëve. Lëvizi krahët. Flokët i valëviteshin pas kësulës së kuqe. Po fluturonte. Tani ajo ishte Kësulëkuqja Fluturuese. Pa fushat, detin në largësi dhe malet. Pa mbi një luginë gërmadhat e një tempulli antik me kolona e statuja mermeri. Pa në luginë kuajt që vraponin mes pishave dhe kaktuseve të mëdhenj. Dhe u gëzua pa masë. Ç’mrekulli është të fluturosh! Pranë vetes e ndjeu diçka të bardhë. Qe një pelikan.
– Ç’kemi, e pyeti pelikani, çfarë je ti. Kam gjithë jetën që fluturoj në qiell por kurrë nuk kam parë një gjë si ti. Mos je një vajzë e vogël njeriu ? Unë e di se vajzat nuk fluturojnë. Ti qenke ndryshe. Krejt ndryshe.
– Unë jam Kësulëkuqja. Me anën e një luleje magjike tani mund të më quash një Kësulëkuqe Fluturuese.
– Jam një pelikan i moshuar. Por asnjëherë nuk kam parë një gjë të tillë. Bota po ndryshon. Po ndryshon kaq shumë sa unë gati s’po kuptoj asgjë. Nëse vajzat e vogla si ti kanë mësuar të fluturojnë, ahere as ne pelikanët dhe zogjtë e tjerë s’kemi më asgjë të veçantë.
– Mos u mërzit o pelikan zemërmirë.
– Jo nuk po mërzitem, por për t’u habitur po habitem. Qenke një vajzë e bukur dhe e këndshme. Sidoqoftë më vjen mirë që të takova në ajër. Ndoshta një ditë do të fluturojnë edhe sorkadhet, lepujt dhe kuajt kështu si ti. Ku e gjete lulen magjike ?
– Ma dha një shtojzovalle.
– Ah, një shtojzovalle. Kjo ndoshta ka kuptim. Shtojzovallet janë të botës së përrallave. Mbase edhe ti je e botës së përrallave.
– S’e di pelikan. Ndoshta jam.
– E kuptoj. Lamtumirë Kësulëkuqe Fluturuese. Po nxitoj se kam punë. Ndoshta takohemi përsëri njëherë tjetër. Të uroj fat të mbarë !
– Lamtumirë pelikan dhe faleminderit !
– Nuk mërzitem jo. U kënaqa që u takova me ty. Edhe njëherë lamtumirë.
Kësulëkuqja fluturoi mbi qytetet e mëdhenj, njohu balenat e bardha në oqean, pa pinguinët në akujt polarë, zebrat dhe elefantët në xhunglat afrikane. Fluturonte me shpejtësi. Njohu miliona shpendë të tjerë, por edhe aeroplanët e mëdhenj. Befas e pa një anije fluturuese me vela që lëvizte sipër mjegullave dhe reve. Ju afrua anijes. Ishte një anije e lashtë e kohërave të dikurshme. Mbi kuvertën e anijes ishte një djalosh me fytyrën e mbuluar me një maskë të artë.
– Përshëndetje, i tha Kësulëkuqja.
– Përshëndetje, ja ktheu djaloshi.
Kësulëkuqja ndaloi mbi kuvertën e anijes së çuditshme. Dhe djaloshi me maskë të artë i tregoi historinë e tij.
– Pse e mban maskën mbi fytyrë, e pyeti Kësulëkuqja.
– Eh, psherëtiu djaloshi. Kam lindur para shumë shekujve në qytetin Epidamn të Ilirisë. Jam nga fisi i famshëm i taulantëve. Që fëmijë u dashurova me detin. Me detin e madh. Emri im është Detran. U rrita si detar mbi këtë anije ku po qëndron tani edhe ti. Mes vetëtimave të shtrëngatave e njoha një sirenë të bukur, një nga vajzat e thellësive të Hyut ilir të detrave, Redonit. Të dy u dashuruam. Por Redoni i plotfuqishëm nuk e meritoi këtë dashuri. S’donte që vajza e tij të dashuronte një bir njeriu. Kjo e tronditi sirenën e cila vajtoi e mbas vajtimit të dhimbshëm u vetëvra. Por edhe Redoni u trondit shumë. Në kulmin e pezmatimit dhe të zemërimit të tij Redoni më mallkoi. Mallkimi i tij qe i tmerrshëm. Unë u mallkova ta mbaj këtë maskë të artë në fytyrë se për shkak të inatit të Redonit fytyra ime u deformua, u bë e shëmtuar dhe e llahtarshme. Që nga çasti i mallkimit u dënova të fluturoj me këtë anije qiejve pa zbritur asnjëherë më në tokë. Por mosha ime mbeti megjithatë mosha që kisha më parë. Jam një djalosh ende ndonëse kanë kaluar 30 shekuj.
– Ç’tmerr i vërtetë, ofshau Kësulëkuqja. Kësulëkuqja nisi të qante. Lotët e saj pikonin papushim. Ju dhimbs djaloshi Detran. Djaloshi shtangu. Ju kujtuan lotët e sirenës fatkeqe. S’dinte ç’të bënte. Ahere Kësulëkuqja ju afrua dhe e përqafoi plot dhembshuri. Pastaj e puthi Detranin në fytyrën e maskuar. Ahere ndodhi diçka. Shkreptiu mbi anijen një rrufe. Dhe u dëgjua një zë kumbues, krejt i veçantë.
– Jam unë hyu Redon që po flas. Unë ta bëra mallkimin e rëndë. Unë të dënova djalosh. Ka kaluar kaq kohë. Dhe ti nuk e di se mbasi të mallkova malli për vajzën time sirenën, që s’është më, m’u bë më i fortë, më përvëlues. U pendova që të mallkova. Më ishin errur sytë. Por ama shqiptova edhe fjalët hyjnore se ti do të vërtitesh i dënuar në qiell përderisa një tjetër vajzë do të tregonte dashuri për ty dhe do të qante për ty. Vetëm një dashuri e tillë do ta hiqte dhe do ta shfuqizonte mallkimin e rëndë.
Kësulëkuqja pa se si u zhduk maska e artë e Detranit. Dhe mbas 30 shekujsh pa fytyrën e parë, origjinale të djaloshit. Detrani qe i bukur dhe njeri i jashtëzakonshëm. Tani ai mund ta ulte anijen në tokë. Kësulëkuqja dhe Detrani gjatë udhëtimit nisin t’i tregonin njëri-tjetrit historitë e tyre. Ajo i tha edhe për lulen magjike të shtojzovalles dhe për gjyshen e saj. Ju afruan tokës. Panë pyllin ku ishte shtëpia e gjyshes. Një shtëpi druri me tjegulla të kuqe. Anija ndali pranë shtëpisë. Te porta e panë ujkun e madh. Ai po trokiste në portë dhe duke ndryshuar zërin i thonte gjyshes që t’ia hapte se ishte Kësulëkuqja.
– Po çohem të ta hap portën Kësulëkuqe e dashur, u dëgjua nga brenda shtëpisë zëri i gjyshes së shkretë. Djaloshi Detran e nxori shpatën e tij ilire dhe ju turr ujkut të pabesë. Ujku klithi dhe u zhduk nëpër pyll përgjithmonë. Gjyshja e hapi portën. E pa Kësulëkuqen dhe djaloshin e panjohur. Dhe u gëzua shumë.
– Ejani, ejani brenda, tha gjyshja. Sapo u futën Kësulëkuqja dhe Detrani se si gjyshja plakë ndryshoi formën e saj dhe u bë shtojzovallja. Ajo qeshi dhe i përqafoi të dy. I çoi tek dhoma e gjumit ku gjyshja e vërtetë lëngonte e shtrirë në shtrat. Të tërë u lumturuan. Më pas shtojzovallja e tregoi historinë e saj. Ajo e kishte njohur sirenën që para se sa ta vriste veten i kishte lënë një amanet shtojzovalles mike. I ishte lutur që të bënte çmos për ta shpëtuar Detranin e pafajshëm nga mallkimi i egër dhe pa asnjë kuptim. Duhet vetëm që vajza që do ta dojë Detranin të më ngjajë mua, i kishte lënë porosi sirena. Shtojzovallja kur e takoi Kësulëkuqen pa se ajo i ngjante pikërisht sirenës. Sa histori e ngatërruar dhe megjithatë madhështore. Anija Fluturuese e ulur më në fund në tokë u bë shtëpia e Detranit dhe Kësulëkuqes. Ata u martuan dhe u bënë me shumë fëmijë. Të gjithë njerëzit e mësuan çfarë kishte ndodhur. Dhe që nga ajo kohë ata e thërrisnin Kësulëkuqen si Kësulëkuqja Fluturuese. Dhe vërtet jo kishte fluturuar jo vetëm në hapësirat e qiellit por edhe nëpër kohëra të ndryshme e të pafundme. (1989 )
