Çakejt e revanshizmit, kontingjente të borgjezisë së re

Ornela

Fitim Caushi

Studiuesi Jovan Jano i ka dhënë lexuesit shqiptar tri monografi të suksesshme: “Çe Guevara – Heroi i mitologjisë revolucionare”, “Antonio Gramshi” dhe “Niko Bellojani – Njeriu me Karafil”. Të tre monografitë janë punuar me shumë talent, frymëzim dhe vërtetësi historike. Të tre protagonistët me idealet e larta komuniste, janë asgjësuar nga fashizmi, sepse guxuan të luftojnë për çlirimin e popujve nga pushtimi fashist: Çe Guevara nga pushtimi amerikan në Kubë, Antonio Gramshi dhe Niko Bellojani nga pushtimi nazifashist i Luftës së Dytë Botërore.

Ç’e nxiti autorin të marrë për objekt të krijimtarisë së tij tri figura komunistësh revolucionarë të vetëdijshëm për sakrificën e tyre? Frymëzimi për këtë, duhet të ketë qenë jo vetëm konstrukti shpirtëror i autorit me bindje komuniste, por veçanërisht situata e sotme tejet e ndezur nga çakejtë e revanshizmit që për 30 vjet ulërijnë për “krime” të  komunizmit.

Cila është përkatësia klasore e këtyre çakejve revanshistë? Këtë e ka përcaktuar përfundimisht agjenti i shërbimit strategjik amerikan Harri Fulc, në raportin që i dërgon Uashingtonit në shtator 1944: “…duke qenë tepër feudal në pikëpamjet e tyre i përziejnë ato me metodat fashiste dhe nazizmin gjerman…Këto gërshetohen mirë prandaj nuk është e rastit që anëtarët e një grupi të tillë përkrahën planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë, ata nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant dhe primitiv, ndërsa në të njëjtën kohë adaptojnë masa të cilat e mbajnë në kushte injorance, varfërie dhe primitiviteti…Ata preferojnë që njerëzit të jenë të nënshtruar…nuk kanë hezituar dhe nuk hezitojnë të përdorin mjetet më vicioze dhe më të ashpra për ta mbajtur popullin në kushtet e nënshtrimit dhe frikës. Anëtarët e këtij grupi me pozita shtetërore, nuk kanë hezituar t’i venë emrin komuniste, çdo shfaqjeje të pakënaqësisë, apo çdo shprehjeje të dëshirës për kushte më të mira, elementë të këtij grupi janë:

  1. Bejlerët, pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme dhe të jugut: Vërlacët, Vlorat, Libohovat, Vrionët etj.
  2. Bajraktarët, dhe kapedanët mysliman të Matit, Dibrës, Lumës: Dinet, Elezët.
  3. Katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit: Markagjonajt, Krujat, Bushatët, Çobat, Harapët.
  4. Elementët ballistë, shumica e të cilëve, ka dalë nga grupet e mësipërme dhe shtresa e bejlerëve të mesëm e të vegjël, kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë dhe xhandërmarisë, zyrtarët profesionistë dhe tregtarët e pasur, doktorët dhe gjykatësit e privilegjuar, me ndonjë përjashtim të vogël shumica janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”( Departamenti i Shtetit Amerikan: A. M 1211/16/875.01/9-2244)

Do të mjaftonte të lexohen dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Arkivin Qendror të Shtetit, për të parë veprimtarinë konkrete antikomuniste dhe pro fashiste të elementëve të mësipërm, paraardhësve të çakejve të sotëm, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe s’mund të ndodhte ndryshme, sepse ishin komunistët dhe vetëm ata, që i dolën ballë për ballë fashizmit në luftën e madhe botërore, pasi qeveritë përkatëse në shtetet Europiane e braktisën popullin, sikundër Ahmet Zogu në Shqipëri, mbreti i Greqisë, i Rumanisë, Gjenerali Peten në Francë, Kuislingu në Norvegji etj.

Kriza e re ekonomike në fund të viteve ’30 të shek të XX, shpuri në një ashpërsim të madh të luftës imperialiste. Kërkohej rindarja e botës, të sferave të influencës dhe kolonive me operacione lufte. Japonia e grisi traktatin e 9 fuqive, Italia dhe Gjermania e grisën traktatin e Versajës dhe për të patur duart e lira, të tri shtetet agresore dolën nga Lidhja e Kombeve. Luftës i duhej një justifikim për të përgatitur opinionin publik, kështu zotërinjtë agresor shpallën se po luftonin kundër Kominternit dhe jo kundër shteteve, çka nuk është zor të kuptohej  se e gjithë kjo lodër trashanike dhe tepër qesharake, të kërkonte “vatrat” e Kominternit në shkretëtirat e Mongolisë, në malet e Abisinisë,  në derpet e Marokut Spanjoll, ku shtetet agresore Japonia, Italia dhe Gjermania kishin hyrë ushtarakisht. Po bëhej një rindarje e botës duke cenuar interesat e vendeve jo agresore, Anglisë, Francës dhe SHBA, të cilat u bënë agresorëve koncesione sistematike, ndonëse këto ishin më të forta se shtetet fashiste si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga pikëpamja ushtarake. Kjo ishte prapaskena e politikës së mosndërhyrjes, e cila shpjegohej me frikën e revolucionit. Nëse shtetet jo agresore do të hynin në luftë, ajo do të merrte karakter të përbotshëm, sikundër Lufta e Parë Botërore, e cila solli fitoren e revolucionit në një nga vendet më të mëdha, Rusisë Sovjetike.

Në këtë kontekst, fuqitë jo agresore ia lanë barrën e luftës Rusisë socialiste kundër të cilës u përpoqën të ndërsejnë agresorët. Me Ushtrinë e Kuqe u bashkuan edhe forcat patriotike të Europës të frymëzuara nga komunistët, u bashkua edhe populli shqiptar për ta çliruar Shqipërinë nga fashizmi. Nëse “baballarët e kombit” shqiptar, do të hynin në luftë menjëherë pas agresionit fashist, populli do të shkonte me ta, por kur e pa se të ashtuquajtur nacionalistë që përmend Fulci, nuk u kujtuan për rezistencë, por shumë vonë u bashkuan me fashizmin, populli u shkoi pas komunistëve dhe sakrifikoi për t’i kthyer Shqipërisë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin.

Pikërisht kundër komunistëve dhe antifashistëve heroik shqiptarë, ngrihen pasardhësit e mercenarëve dhe shërbëtorëve të fashizmit, për të shfarosur dëshminë më të madhe, ku vërtetohet si në pasqyrë, tradhtia kombëtare e ballisto-zogistëve dhe të atyre që i pasuan, në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Si mana për trahana, ata kanë përdorur Mbledhjen e Mukjes:  Vjen miza te elefanti dhe me kokën përpjetë i thotë: “Ah vëlla i dashur, sa më vjen keq për ty…ti s’ke as eksperiencë dhe as kulturë për të ndërtuar shtet, si mund të rrosh pa bejlerë, pa kapitalistë, pa gjerarkë fashistë..jetë është kjo? Për ty nuk ka shpëtim, përveçse bashkimit me mua”! (ballisto-zogistët). Dhe meqenëse mizës nuk i shkoi hileja, për inat të së vjehrrës, fjeti me millonanë! U bashkua me fashizmin, duke luftuar bijtë e popullit shqiptar dhe udhëheqësit e tij komunistë. Sikur Enver Hoxha të kishte pranuar kompromisin e Mukjes, në Shqipëri do të bëhej kasaphanë, sepse paraardhësit e këtyre çakejve, ballisto zogistët, do të mbështeteshin tek anglo-amerikanët dhe ata e dinin zanatin e tyre kundër komunistëve. Do t’i kishin asgjësuar antifashistët shqiptarë, sikurse i asgjësuan në Greqi pas Varkizës, jo se ishin të fortë, porse logjika e tyre ishte krimi.

Nuk mund të pajtohen realisht dy të kundërta: Partia komuniste dhe Fonti Antifashist Nacionalçlirimtar ishin për pronën shoqërore mbi mjetet e prodhimit, sepse për atë luftuan, ndërsa bejlerët, tregtarët dhe bajraktarët, që zotëronin organizatën e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, ishin për pronën private mbi mjetet e prodhimit. Ka vetëm dy pushtete: pushteti i borgjezisë kundër popullit dhe pushteti i popullit kundër borgjezisë. Dy të kundërta antagoniste që nuk do të pajtohen kurrë, e që pas çlirimit do të sillte një luftë të egër klasash.

Ka mercenarë të fjalës që kërkojnë ta falsifikojnë historinë dhe të “dënojnë” krimet e komunizmit për të justifikuar tradhtinë kombëtare të bashkëpunëtorëve të fashizmit. Mendojnë se  këtë falsifikim do ta ndihmojë lufta kundër Enver Hoxhës, ndërkohë që ishte Enver Hoxha që e ka shpëtuar disa herë Shqipërinë nga Lufta Civile që tentuan të realizonin anglo-amerikanët dhe Tito.

Më 31 korrik Forca Ajrore Ballkanike i raporton Departamentit të Shtetit Amerikan: “Kupi ka deklaruar se do t’i rezistojë çdo lëvizjeje partizane drejt Veriut, afër zonës së tij të Matit dhe në veri të Tiranës, ai ka siguruar ndihmë gjermane në transport, municione dhe furnizime ushtarake”(A M1211/16/875.01/7-3144). Kemi një provë se Abaz Kupi me armatimet e siguruara nga nazistët gjermanë, ishte përgatitur për luftën civile në Shqipëri.

Në memorandumin mbi gjendjen politike në Shqipëri, të Ministrisë së Jashtme britanike, 13 gusht 1944, thuhet: “Nuk është në interesat tona politike të perspektivës, që Lëvizja Nacionalçlirimtare të ketë nën kontrollin e vet të gjithë Shqipërinë”(Pro-F0 /371/43551, AIH, Tiranë)  Agjenti i Gestapos gjermane Helmut Mouth në deklaratën e tij dëshmon: “Majori Nill i shkruante një letër Korparmatës së XXI: “Qeveria britanike i lutet ushtrisë gjermane të qëndrojë në Shqipëri në luftë kundër partizanëve, derisa trupat angleze të kenë zbarkuar brenda.”

Ndërsa H. Noibeker në librin e tij shkruan: “Shefi i Inteligjent-Servisit kërkoi që të merret vesh që trupat gjermane, të qëndronin më tej në Shqipëri, ndonëse Gjermania e kishte humbur luftën” (H. Noibekerit, “Sonderauftrag Sudost 1940-1944) Këto përpjekje ishin në përputhje me planet strategjike të Britanisë së Madhe, e cila e kishin parashikuar Shqipërinë brenda Greqisë:

Në Memorandumin e datës 30 mars 1943, paraqitur Ministrisë së Jashtme, Dikson theksonte: “Porsa Greqia dhe Jugosllavia do të fitojnë pavarësinë e tyre, forcat greke dhe jugosllave do të marshojnë brenda Shqipërisë dhe do të zënë pjesë nga territori i saj”.(W.Bland – J.Price, vep. e cit. f. 104).

Kalimi i Divizionit të I në Veri me urdhër të Enver Hoxhës, i dha mundësinë Ushtrisë NÇL t’i vinte përpara mercenarët e Abas Kupit dhe të shkatërronte planet britanike për të ndezur luftën civile  në Shqipëri. Gjenerali Uillson nxitoi të marrë në mbrojtje mercenarët e Kupit, duke “mos toleruar që partizanët shqiptarë të ndërhyjnë në qëllimet e tij strategjike me anën e luftës civile dhe se Lëvizja NÇL nuk mund të kontrollojë gjithë Shqipërinë dhe t’u bëjë ballë gjermanëve pa ndihmën e aleatëve” (Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të UANCLSH, V II, f. 10-11.)

Përgjigja e Enver Hoxhës drejtuar gjeneralit Uillson ishte politika e Frontit NÇL: “Grindje të brendshme në Shqipëri, dhe ca më pak luftë civile, nuk ka, ka vetëm një grindje, një luftë, luftë kundër okupatorit në radhë të parë, dhe kundër veglave të tij tradhtare…Në Shqipëri nuk ka grupe ose parti politike jashtë Frontit NÇL që të luftojmë okupatorin. Në bashkëpunim direkt me komandën ushtarake gjermane në Shqipëri dhe mbështetje kryesore e qeverisë kuislinge në Tiranë, si “Balli Kombëtar”, si Legaliteti me Abaz Kupin në krye, si bandat e Shefqet Vërlacit dhe krerët e Dibrës, janë këto organizata dhe këta njerëz që bëjnë pjesë integrale në tradhtinë e kuislingëve dhe po luftojnë krah për krah me gjermanët kundër Lëvizjes NÇL në Shqipëri, pra edhe kundër aleatëve” (Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të UANCLSH, V II, f. 10-11).

Enver Hoxha shpartalloi një kolaboracionizëm që do t’i jepte argumente Greqisë për ta paraqitur Shqipërinë si aleate të Boshtit, si shtet të mundur në luftë, dhe kjo do të ishte fundi i Shqipërisë si shtet në hartën e botës. Situata ishte tepër e favorizuar për Greqinë, po të mos ishte rezistenca aktive kundër okupatorit italian, gjerman dhe synimeve britanike, të udhëhequr me mençuri nga Enver Hoxha. Ç’ndryshim ka fakti, se ballisto–zogistët gjatë luftës, u bashkuan me pushtuesin fashist dhe nazist, ndërsa pas luftës do të bashkoheshin me pushtuesin britanik? A nuk do të ishin të dy palët pushtues?!

Më 9 tetor 1944, Ministri i Jashtëm Britanik, Iden, i paraqiste Çurçillit në Jaltë, katastrofën përfundimtare të ballisto-zogistëve: “Në këto rrethana nuk ka asnjë alternativë tjetër veç njohjes së plotë të Frontit NCL, që të mund të mbajmë nën kontroll Shqipërinë pas luftës dhe të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar një lidhje të plotë si kundërpeshë e influencës ruse”(FO 371/43555/71/R16104)

Britanikë detyrohen të dorëzohen, dhe shumë vjet më vonë, Tomi Bler pranon: “Inteligjenc Servisi në Shqipëri dështoi”.

Urrejtjen antinjerëzore të ballisto-zogistëve dhe mercenarëve të fashizmit dhe agjenturave të huaja kundër komunistëve, e vazhdojnë edhe çakejtë e sotëm! Prandaj të gjithë pasardhësit e komunistëve dhe partizanëve të Luftës së Dytë Botërore, duhet t’i ngrenë një monument floriri Enver Hoxhsë që u shpëtoi baballarët nga lufta civile, prej të cilëve dolën në jetë edhe ata vetë, sepse paraardhësit e çakejve të sotëm, do t’i kishin asgjësuar dhe masakruar barbarisht. Këta kërkojnë të dënojnë të vdekurit, mendoni çfarë urrejtje antinjerëzore kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre.

Libri për Bellojanin na dëshmon fare qartë barbarizmat e borgjezisë greke pas kompromisit, kundër komunistëve dhe antifashistëve që luftuan për një botë të re. Qindra mijëra prej tyre u asgjësuan ose u internuan në ishuj të lagët, ku lanë kockat përgjithmonë. Autori, Jovan Jano, ka sjellë dëshmi rrëqethëse për këto krime të nxitura edhe nga anglo-amerikanët, vetëm e vetëm për të mos u vendosur sistemi socialist në Greqi.

Po i sjellim lexuesit dy nga letrat e Niko Bellojanit që ka botuar autori: letra që i dërgon Stalinit: “Ju drejtohemi juve, luftëtarit të paepur të paqes në botë. Dënojmë qëllimet e luftënxitësve me dënime me vdekje, duke ndezur urrejtjen në këtë vend të vuajtur e të mbysin në gjakun tonë dëshirën e popullit tonë dhe popujve të tjerë për paqe, demokraci dhe liri.”

Letra dërguar Gazetës “Humanite”: “Miq të dashur të mëdhenj! Nuk do ta harrojmë kurrë sa bëtë për ne. Përpjekjet tuaja mallëngjyese për të na hequr nga vdekja , janë një nga shfaqjet më të bukura të historisë së njerëzimit që luftojnë për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme  pa frikën e luftërave dhe të urisë” .

Në Kongresin e II të PPSH, më 1952, Enver Hoxha e ftoi kongresin të mbajë një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e paharruar të revolucionarit komunist Niko Bellojanit dhe dënoi në vazhdimësi krimet e Titos ndaj komunistëve jugosllavë. Është e njohur tragjedia jugosllave pas vitit 1948, kur Tito ndërron kursin e politikës drejt Perëndimit: u torturuan dhe u asgjësuan dhjetëra mijëra komunistë. Gazeta “Figaro”, 22 tetor 1949, shkruante: “Konflikti me kominformin i vuri komunistët jugosllavë, përpara një dileme. Kur gjenerali Ivanoviç u vra në kufirin rumun, shoku i tij i arratisjes, gjenerali Petroviç, me urdhër të Titos u dënua me vdekje. Gjenerali Kuzuiç, kryetari kësaj gjykate refuzoi ta ekzekutonte vendimin. “Nuk mund të gjykoj një shok, faji i vetëm  i të cilit, është pse do Stalinin”, ndihmësin i tij Stepanoviç dhe gjenerali  Zhizhiç, prokuror pranë kësj gjykate e përkrahën këtë refuzim. Me urdhër të padronëve të tyre u arrestuan që të tre. Burgjet ushtarake janë mbushur plot, edhe kazermat ushtarake janë kthyer në burgje.”(Reno De Zhuvenel. “Tito Marshalli i tradhëtarëve”, Paris, f. 86) .

Çakejtë ankohen për dënime të kolaboracionistëve dhe shërbëtorëve të  borgjezisë ndërkombëtare nga Enver Hoxha! Sharl De Goli dënoi me gjyq ushtarak 12 mijë kolaboracionistë të Luftës së Dytë Botërore dhe askush nuk e përgjegjësoi për këtë dënim të merituar. Çakejtë kanë të drejtë të ulërijnë, sepse qeveritë e ndryshme në Shqipëri pas viteve ‘90, për oportunitet, apo për urrejtje kundër socializmit, i kanë mbushur muzeumet me pavijone të luftës kundër komunizmit, duke falsifikuar të vërtetën historike, e duke nxitur erë revanshiste.

Borgjezia e re me rivendosjen e sistemit ekonomik kapitalist (çka e maskojnë me sistem demokratik), synon intensifikimin e diktaturës borgjeze dhe zhvillimin e sistemit politik më të përshtatshëm në mënyrë që ta forcojë pozitën e saj sunduese. Po të shtojmë këtu edhe synimet e bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe tentativat anglo-amerikane për ta kthyer drejtimin politik të Shqipërisë pas vitit 1945, kuptojmë motivet e rishikimit të Luftës Antifashiste dhe qëndrimet që mbahen ndaj udhëheqësit të saj të lavdishëm Enver Hoxhës.

Çakejtë e sotëm janë tellallët e qeverive antikomuniste, sepse ata mendojnë se klasën e tyre e rrezikon më shumë komunizmi se sa konkurrenca kapitaliste, prandaj për të siguruar kapitalet e tyre në vazhdimësi, përdor metodat e borgjezisë ndërkombëtare, luftën kundër komunizmit.

Spekulohet shumë me dosjet që u ka hapur kuadrove sigurimi i shtetit, por nuk theksojnë, se cila pjesë e sigurimit të shtetit e ka pasur këtë mision famëkeq? Pse ngatërrojnë qëllimet kriminale të Koçi Xoxes, Mehmet Shehut, Feçor Shehut, Kadri Hazbiut e grupit të tyre kriminal, me bijtë e punëtorëve e fshatarëve që i shërbyen me devocion dhe besnikëri popullit për ta shpëtuar atë nga diversantët dhe kriminelët, sikundër ndodh sot? Si nuk shkruajnë edhe për dosjet që i përgatisnin Enver Hoxhës kriminelët, për ta asgjësuar fizikisht, nën nxitjen e asfalisë greke (Stefo Petro), UDB- jugosllave, Inteligjent servisit, KGB dhe CIA-s.

Share This Article
1 Comment
  • Respekte per gazeten DITA e cila pasqyron punen e krijuesve te shquar sic eshte shkrimtari Jovan Jano. Ne keto kohe te turbullta ku bijte e koleboracionisteve kane ngritur kry, po tregohen te “forte” per te baltosur Luften Nacionalclirimtare. E pergezoj Jovan Janon dhe autorin e shkrimit, Fitim Caushin, per punen e mire qe bejne per t’i thene ndalasja Tufe qe kerkojne te shuajne frymen aq te bukur te idealistve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *