21 milionë turistë në 4 vite/ Të huajt: Rikthehemi për shkak të çmimeve

Bora Basholli

Shtetasit e huaj që vizitojnë Shqipërinë, referuar të dhënave të Institutit të Statistikave për vitin 2018, qëndrojnë mesatarisht 4 netë, kryesisht në hotele, dhe udhëtojnë me makinat e tyre private.

Shpenzimet ditore të turistëve shkojnë mesatarisht në 52 euro. Ndërkohë që turistët besnikë që zgjedhin vendin tonë për të pushuar mbeten kosovarët, por edhe hyrjet e shtetasve të huaj nga rajoni i Europës janë rritur përgjatë 2018-s.

15,8% më shumë turistë se në 2017 ka pasur vitin e kaluar, si dhe shpenzimet e shtetasve të huaj janë rritur me 12.5%. Kosovarët, maqedonasit dhe malazezët harxhojnë nga 40 euro deri në 60 euro në ditë, ndërsa italianët janë ata që tregohen të pakursyer në shpenzime, 81 euro dita.

Për shkak të çmimeve të lira në Shqipëri, turistët rikthehen për të pushuar në vendin tonë.

“Kjo është hera e tretë që vij në Tiranë, vizitën e parë e bëra për të kuruar dhëmbët e më pas për të takuar miqtë e mi. Se ju shqiptarët jeni shumë të sjellshëm me ne italianët, si dhe krahasuar me Italinë çmimet këtu janë shumë të lira”, thotë një turist.

“Unë jam një guidë turistike dhe e vizitoj shpesh Shqipërinë, por për grupin këtu është hera e parë sepse izraelitët tani kanë filluar ta zbulojnë vendin tuaj. Dhe do të kthehen sërish sepse për ne këtu është shumë lirë. Ne kemi të përfshirë mëngjesin dhe darkën në hotel që e paguajmë vetëm 25 euro”, tregon guida.

Për 5 vjet, nga 2014 deri në 2018, numri i turistëve me netë qëndrimi është rreth 21 milionë, duke u rritur me 10.7% gjatë 2018-s. Ndërsa numri i turistëve ditorë në këtë hark kohor shënon 1.7 milionë.

 

b.b/dita

Share This Article
1 Comment
  • Ky qe thote vetem 25 euro cfare haka vetem bar se me 25 euro nuk kalon gjithe dita. Italianet po 81 euro eshte e pranueshme. Bejini reportazh turizmit po me mend e pa fryrje. Vendi jone gjeografikisht eshte i bekuar por asnjhere nuk ka patur udheheqje te mire. Nuk ka me shume se ne Zvicra por ka patur qeveri qe ka menduar per vendin ne te mire te popullit te tij dhe ka punuar per popullin jo si qeveritaret tane qe gjithmone kane punuar per xhepin e tyre dhe popullin e kane lene ne mizerabilitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *