Moikom Zeqo
Gardërobat pa trupa
Arti bizantin, duke qenë një art antropomorf, është njëkohësisht edhe një art i një abstraksioni të thellë.
Nuk është si abstraksioni i shpallur me bujë nga Kandinski, as gjeometrizimi i Modrianit, i cili ka qenë edhe teozofist. Nuk është prishje e përmasave të figurave, por ndërmjet ruajtjes së formave kinse pasionohet realja, qëllimi kushtimor i këtij arti është fryma e mbireales.
Pra abstraksioni për të cilin po flasim, është misticizëm.
Rrallëherë në historinë e njerëzimit ka pasur ndonjë art të tillë, ku hyjnorja të vishet me gardërobën e jetës tokësore, ku shpirtrat t’i konsiderojnë ngjyrat dhe vizatimet si ca kostume magjike, më tepër vulgare dhe të rënda, por që nuk mund të bëhet pa to.
Në artin bizantin nuk është parim kryesor nudizmi, siç është në artin antik.
Kështu që veshjet marrin rëndësi të shumëfishtë dhe gardëroba në vetvete është një hierarki e rreptë, një triumf i ceremonialit kishtar perandorak.
Këto janë të përcaktuara imtësisht sipas rregullave sekrete të piktorëve, të cilët ia kalonin brezave nga një shekull në tjetrin.
Përgjithësisht vetëm fytyrat dhe duart janë të zbuluara.
Çdo gjë tjetër e trupave është detyrimisht e mbuluar.
Ne nuk i shohim trupat, sepse veshjet e tyre janë përfaqësuesit e anatomisë, ose kundërshtuesit e saj. Fytyrat dhe duart janë për adhurimin e Zotit.
Fytyrat janë harta të vuajtjes dhe të ekstazës, janë komunikimi i të vdekshmes me të pavdekshmen.
Duart janë gjithmonë si balet i heshtur, i përvuajtur dhe herë-herë tekanjoz i gjesteve të lutjeve, të drejtuara gjithmonë drejt shëlbuesit, enigmës dhe që presin shpagimin e gjyqit të mbramë pas vdekjes.
Ndaj arti i Onufrit është arti i fytyrave dhe i duarve
Pa harruar atë që e kam theksuar kaq herë: sytë.(Durrës, 1988)
STILI
Gjuha fonetike duhet të mësojë nga gjuha matematike.
Si? Në matematikë çdo numër është një emër.
Matematika është gjuha e emrave.
Shenjat matematikore (-, +, x, :, =) janë foljet, që tregojnë veprimet me të cilat realizohen raportet sasiore.
Matematika është një shkencë e raporteve sasiore, por kjo s’do të thotë se është jashtë raporteve cilësore. Përkundrazi.
Në gjuhën e shkencës, (ligjërimi shkencor)racionalizmi është i pashmangshëm: çdo emër lidhet me emrin tjetër me folje kryesore, që mendimi të lëvizë drejtpërdrejt dhe jo ndërmjet shumë ndajfoljeve, derivateve foljore, mbiemërore, kundrina, parashtesa të tepërta, që fjalitë i bëjnë të stërzgjatura.
Stili lakonik është një kthim tek raportet e pastra dhe parake matematikore.
Ky është stili substancial.
Strukturor.
Çdo harlisje është një asimetri, prekje e kaosit.
Emri është sendi, folja dukuria.
Emri tregon hapësirën, folja kohën. Së bashku lëvizjen. Pra subjektin.
Subjekti është veprim.
Ajo që është mungesa e tij është lexim, subjektivizim i tekstit.(1987)
LUFTËRAT E NGJYRAVE
Simbolika e ngjyrave në Bizant ka pasur shpesh karakter antagonist, përjashtues.
Dy partitë kryesore politike të Bizantit, që e shfaqnin veprimtarinë e tyre të bujshme dhe kundërshtuese në Hipodromin e Kostandinopojës qenë: Prazinët (jeshilët) dhe Venetët (kaltëroshët).
Këto dy ngjyra përbënin opozitën e njëra-tjetrës me tërbim, fshehtësi, apo dhe marrëzi të pamendueshme dot.
Jeshilët përfaqësonin forcat e poshtme popullore, kurse kaltëroshët forcat e sipërme elitare. Herë-herë ngjyrat mbeteshin po ato, por ndryshonin pozicionet: e sipërmja bëhej e poshtme ose ndërsjelltas. Jeshilët kishin flamurët dhe emblemat e tyre, por edhe kaltëroshët gjithashtu.
Është gati një parlament fantazmagorik i Perandorisë autokrate Bizantine.
Jo pa ngjashmëri, me parlamentet e sotme moderne.
Roli i jeshilëve dhe i kaltëroshëve në historinë politike dhe kishtare të Bizantit, është shekullor, madje mijëvjeçar. Në të vërtetë këto dy ngjyra janë mospërfillëse dhe gati të huaja për pikturën ikonografike. Ato janë ngjyra të politikës, e jo të artit.
Ngjyrat kryesore të afreskeve dhe të miniaturave janë e kuqja dhe e arta.
Është e vërtetë që përdoret edhe ngjyra jeshile dhe disa nuanca të së kaltrës, por ato kanë role plotësuese të dorës së dytë dhe nuk janë ngjyra kryesore të estetikës bizantine.
Tek Onufri përdoret një ngjyrë jeshile e mbyllur, për të treguar p.sh. një grumbull engjëjsh, që janë në largësi.
Tek Onufri asnjëherë qielli nuk jepet i kaltër, por i artë.
Qielli është universi i Zotit, është lartësia apo infiniti transcendental.
Nga kjo pikëpamje, ndonëse Onufri e ndjek natyrën, refuzon një nga përbërësit më të mëdhenj të saj: Qiellin.
Ai me vetëdije jep qiellin si realitet teologjik dhe jo si natyrë. Kjo është e rëndësishme të kuptohet përtej dogmës së paracaktuar.
Tek politika moderne mbijeton bizantinizmi luftarak i ngjyrave.
Optika është pa kompromis, pa osmozë.
Ylberet shndërrohen kështu në samurajë vetëvrasës për këtë shkak papajtueshmërie fatale.
Ngjyrat tek pikturat e Van Gogut mund të paralajmërojnë shpërthimin bërthamor.
Epistemologji e vetëshfarosjes së ngjyrave.(Durrës, 1990)
MASKA E KRISHTIT
Në fshatin shqiptar Trebenisht, afër liqenit të Ohrit, u zbuluan në fillim të shekullit XX disa tuma ilire ku u gjetën maska mortore prej ari. Dukej si një ndikim mikenas.
Maskat qenë të shekullit VI para Krishtit.
Pamja e maskave qe tronditëse, mëtonin ngjashmëri befasuese.
Sidomos njëra nga maskat. Ajo kishte tipare kaq të ngjashme me ikonografinë klasike të Krishtit, saqë një mesjetarolog i njohur si Curtus, shpalli befas se ishte krejt i bindur që kjo ishte maska e vërtetë e Krishtit.
Buja qe e menjëhershme, e rrëmbyeshme, shkumëzuese.
Curtius i referohej faktit të Mandilit, të quajtur të Veronikës, që kishte fshirë fytyrën e Krishtit gjatë shkuarjes së tij në Golgota dhe tiparet e Krishtit kishin mbetur përjetë të fiksuara në mandil. Mandili ruhet edhe sot ashtu si dhe adhurimi për gruan e quajtur Veronika.
Shkencëtarët kanë vërtetuar tashmë se Mandili është një pëlhurë e prodhuar në shekullin X dhe se emri Veronika është një bashkim i fjalëve “Vera+icona” (“Ikona e vërtetë”).
Megjithatë, tiparet e mbetura në mandil të Krishtit kanë një ikonografi të përafërt me maskën e princit ilir nga Trebenishti i Ohrit, ndaj Curtius besonte në mënyrë të verbër te ngjashmëria, duke mos marrë parasysh faktin kokëfortë dhe sfidues se maska e arit ishte të paktën 6 shekuj para Krishtit.
Ndërkohë, disa teologë të shkathët dhe plot fantazi intelektuale, ngulmuan se kjo maskë mund të ishte vërtet e Krishtit, sepse Krishti ka vetinë e ubikuitetit, d.m.th. të kudohershmërisë, jo vetëm në hapësirë por edhe në kohë.
Ndoshta riti i varrosjes së formës së tij njerëzore ka ndodhur edhe para 6 shekujsh dhe më pas, kurse natyra e tij hyjnore është përpara kohës dhe aty ku nuk dihet nëse mbaron apo jo koha.
Gjithsesi kjo polemikë, që tronditi shkencëtarët dhe fetarët, lidhej me një princ të panjohur ilir, i cili në varrin e tij kish pasur të drejtën sipërore për të vënë maskën e arit.
Vetëkuptohet që kjo maskë nuk mund të ishte ajo e Krishtit të vërtetë, por gjithsesi polemika ushqeu imagjinatat e tendosura, pasionet, dhe kërshërinë e papërballueshme.
Fytyra e Zotit përfytyrohet nga ne vdekatarët dhe piktorët si Onufri. Ata besojnë se kanë të drejtë kur, në mënyrë emblematike, japin tiparet e tij.
Por fytyra e Zotit është gati e paperceptueshme, sepse shqisat tona nuk mundin ta kapin atë, sepse siç thuhet te “Libri i parë i mbretërve” (19-11): “Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet. Mbas tërmetit ra zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr”.
Ky konceptim është në kundërshtim me ikonografinë, madje e mohon fare atë.
Kjo është arsyeja që një dijetar i Mesjetës si Nikola i Kyzit, e quan Zotin, në mënyrë metaforike, si një sferë, qendra e të cilës është kudo, ide kjo që e ka tronditur dhe e ka vënë në mendime të thella Blez Paskalin.(Washington D.C. 10 Shkurt 1997)
SINOPS PËR REALITETET E PADUKSHME
Në një sinops, shkruar shumë vite më parë i kam edhe këto fjalë: “Letërsia është një keqkuptim i personazheve të saj. Duket sikur këto personazhe e kanë burimësuar letërsinë. Del se Hamleti është babai i Shekspirit, Don Kishoti ndoshta gjyshi i Servantesit, ndërsa Odiseu, akoma më zanafillor e ka Homerin një nga shumë fëmijët e tij të paligjshëm, ndoshta me magjistaren Kirkea, ose edhe nga një flirt me vetë Helenën e Trojës, mbas shkatërrimit të qytetit, që torturoi imagjinatat e shekujve.”
Shënimi i mësipërm mban datën 15 gusht 1987.
E rilexova në një mbrëmje në 1993.
Mendimet m’u tallazitën trishtueshëm.
Në fillim e konceptova si një përsiatje të lirë, nga ato përsiatjet që i tkurrin dhe i bëjnë të dyzuara të vërtetat rutinore, që janë gjithmonë më të besueshme se çdo absurditet.
U përqendrova. E shquajta një fill të padukshëm në labirintin mendor.
Gati si një arsyetim që sfidon gjërat e konsakruara dhe të pranueshme lehtësisht.
Më shkrepi (më vetëtimoi) në kokë se letërsia nuk ka të bëjë me gjërat e dukshme, që shfaqen, që lëvizin, por me gjërat e nënkuptuara, jashtë grafikës shkrimore
Ne nuk i dimë saktësinë biografike konkrete të Akilit të mirmidonëve. Dimë personazhin Akil. Por s’është e njëjta gjë.
Realiteti letrar është mitizues. Deformues.
Saktësia mbetet e papashme, gati e pakonceptualizuar.
Kështu personazhet letrarë janë një lloj sëmundjeje e shenjtë (në fakt aspak hyjnore) e ideve tona. Historia është dokument. Letërsia është shpirt
Akili që njohim është Akili i abstraguar i mijra Akilëve (ose që s’quheshin të tillë), që gjithsesi historizohen ndërmjet letrares dhe jo ndërmjet historikes.
Eposi homerik u mitizua në Mesjetë sipas këtij statusi të çuditshëm, duke shumëzuar (shkatërruar) çdo gjë origjinare.
Periudha midis Antikitetit dhe Mesjetës nuk është shumë e dallueshme, është shumë e lëvizshme, shumë e tretshme.
Janë bërë studime për të shpjeguar disa parametra, disa eksegjeza të eposeve në Mesjetë, por pa përmendur zbulimin tënd të hatashëm, shprehje e një intelekti të fuqishëm hulumtues.
Gjithsesi unë do të bëja ndonjë ndërlidhje.
Kjo ide më ka lindur gjatë kohës kur studioja në Dumbarton Oaks në Washington D.C. Libri i Richmond Lattimore “Themes in Greec and Latin epitaphs”, botuar nga Universiteti i Klinos në SHBA në 1962, ka disa epigrame përkujtimore të viseve ilire, sidomos në Dalmati, Solona, ishulli Apsarus (po në Dalmati), në Delminium (kryeqyteti i ilirëve dalmatë), si dhe në Dyrrakum.
Në faqen 289 të librit autori boton edhe një poezi epigramatike në latinisht të varrit përkujtimor të një iliri nga “brigjet e Panonisë”.
Epigrama i takon si kohë shekullit II të erës sonë, në periudhën e perandorit romak, që ishte i famshëm për kulturën e diturinë, Adrianit, që sipas Marin Barletit ka patur një statujë kolosale prej bronzi, deri në fillimin e shekullit XVI, në Portën Veriore të qytetit të Durrësit.
Poezia në hekzametër ka gjithsej 11 vargje dhe është e shqipëruar si më poshtë:
Unë jam burri i famshëm nga brigjet e Panonisë,
mes qindra burrave të fortë të Batavias,
dikur me Adrianin perandor të madh isha më i zoti,
me armët të çaja Danubin e thellë e të turbullt.
Unë hidhja shigjetën e me një të dytë e ndaja përgjysëm,
asnjë ushtar romak, ose barbar s’matej dot,
me mua me shpatën, asnjë parthian me harkun.
Nën gur i shtrirë ruaj rekordin e bëmave të mia,
do të shihet në të ardhmen nëse ndonjë tjetër
ka fatin të përsërisë gjestet e mia plot famë.
Por prap jam i vetmi – si i pari i bëmave të tilla.
Poezia është e një rëndësie absolutisht të posaçme shkencore.
Së pari, del qartë se ky hero luftëtar është nga Panonia e jo pa krenari etnike e përmend, qytetin e Batavisë panone e “burrat e fortë” të të njëjtit popull ilir.
Së dyti, ai ka qenë një kampion i notimit në ujë bashkë me armatimin dhe më i paarritshëm nga kohëtarët në përdorimin e shpatës e harkut, madje ai mund të copëtonte në dysh me një shigjetë të dytë shigjetën e parë me një shpejtësi të pabesueshme.
Së treti, nuk përdor në këtë mbishkrim varror formulat romake, as hyjnitë romake siç është rregulli për kohën.
Së katërti, poezia vë në dukje gjestet e bëmat me një krenari, që nuk kanë të bëjnë fare me pikëllimin e trishtimin ekzistencial të vdekjes, që shpërbën gjithçka.
Është tepër interesante, që dijetari Richmond Lattimore, që na e bën të njohur këtë poezi, shënon një vërejtje shkencore, duke thënë se kjo poezi e ndryshme nga poezitë e zakonshme funerore të kohës, shpreh personalitetin e fortë të heroit dhe thelbi i poezisë është egoizmi legjendar i tij që të kujton heronjtë e eposit më të vjetër poetik europian që njihet me emrin “Beowul” e shekullit X, mbas poezisë së antikës klasike.
Kjo vërejtje e klasit të parë na bën të arsyetojmë, se te kjo poezi e ilirit panon, që për fat të keq nuk i është ruajtur emri, i shekullit II të erës sonë, kemi gjenezën e parë në Europë e në Ballkan, të fillimit të epikës legjendare mesjetar, shumë më përpara “Nibelungëve”, ose “Këngës së Rolandit”.
Jo rastësisht, një iliri i takon nisma, shpalosja e një gjinie të tillë orale e legjendare, që tek shqiptarët, pasardhësit e ilirëve ka plazmuar kryeveprën e Eposit të Veriut.
Është një hulumtim i guximshëm shkencor, por i pjesshëm dhe jo tërësor.
Megjithatë e vërteta nuk mund të shkëputet nga ky informacion interesant. Kur flasim për eposet mesjetarë kemi parasysh më tepër paemërsinë e tyre se sa autorësinë e sigurtë.
Përherë autorësitë janë konvencionale.
Kurse letërsia kalorsiake ka autorësi më të përcaktuar, në të vërtetë kemi të bëjmë me përpunime të veprave të mëdha epike të përcaktuara nga paemërsitë.
Shkrimtarët kalorsiakë janë më shumë kronikanë, enciklopedistë, kompilues, rilexues dinakë, të mençur, apo budallenj të kujtesave të pashkruara, të kujtesave gojore.
Ajo, që mund ta mbështeste logjikën tonë, është shpikja e metrikës si një teknikë e lashtë, vërtet primitive, që ka lindur çdo letërsi dhe çdo kulturë.
Metrika ka lindur në një epokë kaq të muzgët, ku nuk kishte fare dallim midis poezisë, fesë, muzikës dhe magjisë, kur gjithçka ekzekutohej me një gjuhë rituale dhe të shenjtë, të dallueshme nga gjuha e përditshme, me anë të formës së saj metrike, të mrekullueshme.
Metrika është gjithashtu një teknologji parashkrimore, një mënyrë për ta bërë gjuhën, që të mbahet mend përpara shpikjes së shkrimit.
Poetë – këngëtarë të stërvitur i merrnin ngjarjet, idetë, që një kulturë donte që t’i ruante përjetësisht, bëmat dhe historitë fisnore, ceremonitë dhe ritualet magjike, frikën dhe animizimin e natyrës, tmerrin ekzistencial të vdekjes, heroizmin përherë të pafat dhe tragjik, si dhe i formulonin në metrikë, kështu, që i bënin ato formula të përsëritshme, për t’u thandruar në kujtesë.
Përpara shkrimit poeti dhe poemat ishin të pandashme, së bashku përfaqësonin kujtesën kolektive dhe individuale.
Metrika është një teknikë dëgjimore, që kërkon njëkohësisht një folës dhe një dëgjues, të cilët për sa kohë, që zgjat poezia janë të gërshetuar, madje edhe në kulturat letrare shumë të kultivuara të mëvonshme, metrika gjithmonë ka ngulur këmbë në përparësinë e tingullit fizik të gjuhës.
Metrika është një formë e muzikës linguistike, kështu poezia është njëkohësisht edhe muzikë, duke zhdukur dallimin midis vargjeve dhe kuptimeve të pentagrameve.
Ndoshta do ta vazhdoj njëherë tjetër këtë përsiatje, kur dhe unë do të jem një hije në Hadin tënd, o Homer!Gjithçka e shkruar më sipër ka diçka laboratorike. Është e vetëkuptueshme çdo mungesë, që e pengon mbylljen e përsosur.
Një lexues i vëmendshëm (jo unë) mund të vërejë se përmendet epigrama poetike kushtuar luftëtarit (ndoshta hero) ilir, por nuk përmendet emri.
Në fakt pjesa e sipërme mbishkrimore është gjetur e dëmtuar.
Por s’dyshohet konkretësia e njeriut (pa emër, si dhe pa eshtra).
Ai mund të ketë frymëzuar personazhe, por nuk është vetë personazh.
Asnjë përfytyrim inteligjent dhe vizionar nuk mund ta ribëjë prapë këtë njeri të harruar prej shekujsh, pa pamjen e tij fizike.
Por ekziston substanca e sinopsit letrar, diçka e përafërt me teoritë e astrofizikës moderne. Ndoshta me Bin Bengun.(Durrës, 29 Shtator 1999)
ANKTHI I VALLEVE
Si lindën vallet? Kultizim i bashkësisë së hershëme? Një harmoni me lëvizjet rrethore astronomike? Pasione të lëvizjeve me vorbuj?
Kush qe i pari, që i shkrepi në kokë një ide e tillë e pavdekshëme?
Nëse s’mund ta njohim valltarin e parë të njerëzimit, nuk mund të njohim as valltarin e fundit.
Vallet janë një zhanër, art i dallueshëm aq sa monumentet, librat, lokomotivat, nëndetëset apo raketat kozmike.
Nuk u zhdukën.
Megjithatë enigma e tyre është përherë e munguara.
Hamendjet nuk janë dot shteruese.
Te ilirët e vjetër varrimi me tuma përfaqësonte një veprimtari tepër të rëndësishme ceremoniale e kultike.
Vetë ndërtimi i këtij monumenti mortor në formë rrethi: praktika e varrimeve kishin karakter simbolik të pashkëputur nga mitet e botëkuptimi i lashtë pagan e ceremonitë e shoqëruara nga paleokoreografia e himnet pagane poetike.
Tumat ilire janë përdorur në shekuj, dhe botëkuptimi mitik ilir padyshim që shpjegonte e përligjte ekzistencën dhe vijimësinë e praktikave tumulare.
Shumë dijetarëve u kanë tërhequr vëmendjen pikërisht këto praktika shekullore. Kështu dijetari anglez N. G. Hammond shkruan për një lidhje midis tumave ilire dhe vetë origjinës së epikës gojore.
Ai thekson se “varrimi në tuma ka qenë i përbashkët si për pre-ilirët dhe pre-grekët. Do të vëmë në dukje këtu një pikë interesante. Varrimi me tuma ka pushuar në Greqinë mikenase, madje edhe në Kalofoni përpara vitit 1400 p.e.s.. Megjithatë kur Akili nderon Patroklin në “Iliadë”, ai përdor metodën e varrimit që në atë kohë përdorej vetëm në Shqipëri… Me sa duket Homeri këtu na zbulon origjinën e praktikës heroike dhe ka shumë të ngjarë, vetë origjinën e epikës gojore. Data dramatike e poemës ka qenë 200 vjet pas mbarimit të varrimit me tuma në Greqinë mikenase dhe vetë Homeri ka jetuar 600 ose 700 vjet pas kësaj kohe. Por ai ka shkuar me përpikëri drejt veriperëndimit për origjinën e Akilit, për varrimin me tuma dhe për praktikat heroike. Mbasi Shqipëria ka qenë dhe është atdheu i heronjve”.
Vallja dhe kënga e popullit ka jetuar në kohëra. Populli ka pasur nderim të vetëdijshëm për artin e tij. Ky art u ka qëndruar asimilimeve.
Për këtë flet qartë dhe një dokument i vitit 1617 (i fillimit të shekullit të 17-të) i quajtur “constitutione synodates”, artikulli i 12-të ku nënvizohet: “meqenëse është shtëpi lutjeje, është tepër e pahijshme, që kur bekohen martesat në kishë, gra e burra të marrin valle e të shqiptojnë këngë pak të ndershme. Prandaj këtë zakon të përdorur keq që në kohëra të lashta, lipset secili të kujdeset që ta ç’rrënjosë.”
Ky dokument kishtar është bërë posaçërisht për viset shqiptare.
Misionarët fetarë të shqetësuar nga zakonet e ceremonitë folklorike pagane të popullit në këtë mënyrë njëkohësisht na kanë lënë një dëshmi kuptimplote të valleve dhe këngëve të ritualit të dasmës si dhe të lashtësisë së kësaj praktike popullore.
Dëshmitë e mësipërme janë paradoksi midis paganizmit dhe krishterimit. Është dhe paradoks i fshehur artistik.
Hullia e meditimit më fut në të panjohurën, ku valltarët mund të ishin personazhe letrare. Mund të ishin, por ja që nuk janë. Letërsia ka kështu Saharat e saj të mbyllura.
Por Letërsia operon me simbole, ndonëse të mjegullta.
Vallëzimi i Akilit s’përmendet si heroizëm, por si pikëllim i pamatë.
Kur Davidi i Izraelit u bë mbret, u përfshi në një valle rrotullare krejt lakuriq.
Solomeja vallëzoi aq magjishëm, sa që i kërkoi Herodotit kokën e Gjon Pagëzorit.
Vallet e shqiptarëve janë të rënda, me fustanella të mëdha si në një ngërç. Balerini shqiptar Preglocaj sot është Princi i Baletit modern botëror në Paris.
Ai bën lëvizje hibride si të Davidit lakuriq dhe të Solomesë, e cila fare mirë mund të ishte një Ajkunë e idhtë e bjeshkëve, ose një Magna Mater.
Kapitalizmi i Video-klipeve është matriarkati i valleve.
Rendet e diktaturave janë patriarkalizëm kultik.
Befasisht më kujtohet një thënie paturpësisht e harruar e Jean-Pal Sartre-it: “Ajo që e quajmë liri, është parëndshmëria e rendit kulturor në rend natyror”.
Vallja e Akilit është njësimi me lëvizjen e Diellit dhe të Hënës. Por kjo natyrë shfaqjeje humbi më pas.
As astronomët dhe kozmonautët e NASA-s s’çajnë më kokën për këtë mungesë të patjetërsueshme. ( 1994)
