Libohovitët e Myzeqesë

Leda Hysa

Në krahun e duhur të histories, kanë bërë histori. Nga komisari zemërzjarrtë, Skënder Libohova, Hasan Gina, Xhevdet Nepravishta e të tjerë…

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Aty nga fillimi i shekullit të kaluar shkuan dhe u ngulën në Lushnje disa familje nga fise të mirënjohura të Libohovës. Dhe konkretisht ishin familje nga fisi Ismailati (Libohova), Gina, Ruli dhe Nepravishta. Natyrisht, me vete sollën një mentalitet më të lartë falë kulturës që kishin sidomos disa nga pjesëtarët e këtyre familjeve.

Mjafton të themi, se disa nga të ardhurit rishtaz në këtë qytet ishin shkolluar në Greqi, Stamboll, Romë e deri në Austri.

Tashmë kanë mbetur figura të nderuara mjaft njërëz të këtyre fiseve, midis të cilëve juristi Mustafa Libohova, avoketët Dervish Gina e Kamber Ruli, dëshmori i atdheut Skënder Libohova, këshilltari antifashist Xhevdet Nepravishta e të tjerë.

Libohovasit, shkolluar në Greqi, Turqi dhe Romë

Familjet Ismailati, ose Libohova (siç nisën e vazhduan të njiheshin në Lushnje) në vitin 1885 qenë vendosur në Berat, ndërsa aty nga viti 1903 lëvizën e u ngulën në Lushnjë. Ndërtuan shtëpi në qytet, por edhe në fshat, në Gramsh, ku patën blerë disa prona.

Pjesëtarë të famijes Libohova kanë qënë me shkollim të lartë për kohën.  Haliti pat mbaruar në Greqi, Mustafaj – në Turqi, ndërsa Izeti – në Romë.

Që në fillimet e veprimtarisë së tyre pjesëtarët e kësaj familjeje morën  krahun e duhur të historisë. Juristi Halit Libohova është një nga organizatorët e demonstratës antiosmane të vitit 1906. Ishte edhe ky që priti Ismail Qemalin në Çermë, ndërsa i biri, Tekiu, e shoqëroi Plakun e urtë për në Vlorë. Djali tjetër i Halitit, mjeku Mustafa Libohova, në vitin 1921 e pat vënë kandidaturën për deputet në emër të popullit të thjeshtë, paçka se nuk fitoi.

Në gusht të vitit 1935 të tre djemtë e Halitit; Mustafaj, Izeti e Tekiu u arrestuan nga regjimi i Zogut, sepse ishin pjesëmarrës në Kryengritjen e Fierit.

Fryma e atdhetarizmit vazhdoi edhe më tej: Tre djemtë e Tekiut, Aqifi, Skënderi e Gëzimi kanë qënë pjesëmarrës me armë në dorë në formacionet e rregullta partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve të huaj. Dy të parët, Aqifi e Skënderi, ranë e mbetën dëshmorë të atdheut.

Në konakët e Tekiut në fshatin Gramsh gjenin strehim dhe kushte pune ilegalë militantë të shquar, si Spiro Bakalli, Hasan Gina, Xhorxhi Robo dhe deri edhe Miho Xhani e Temo Vasi – Heronj të Popullit.

Siç thamë pak më sipër, dy nga djemtë e Teki Libohovës mbetën bijë të pavdekshëm të atdheut. Aqifi pat qënë një veprimtar i shquar antifashist dhe, për këtë shkak, qe arrestuar nga fashistët. E patën futur në burgun e Lushnjës, pastaj në atë Tiranës. Mbas daljes prej qelisë Aqifi e vazhdoi veprimtarinë e vet si antifashist. Në vazhdim – partizan në Batalionin e Myzeqesë e, më pastaj, në atë të Grupit të parë Partizan të Myzeqesë. Marshoi e luftoi trimërisht në malet e Beratit, të Skraparit e deri të Korçës. Dhe ra trimërisht diku në zonën e Oparit më 14 janar të vitit 1944.

Por le të ndalemi edhe te djali tjetër i Tekiut, Skënderi, një nga figurat më të shquara të periudhës së LANÇ në rrethin e Lushnjës.

Skënder Libohova pat lindur më 7 maj të vitit 1920 në Lushnjë. I mbetur jetim që kur ishte disamuajsh, u rrit keq e më keq. Pasi mbaroi filloren në Vlorë dhe uniken në Lushnjë, shkoi në Gjimnazin e Tiranës. Një vit më pas shkoi te vëllai i madh, Rexhaiu, në Elbasan, ku vazhdoi Normalen, por nuk e mbaroi. E përjashtuan për ide antifashiste. Shkon në Vlorë dhe futet në Shkollën Tregtare, por edhe këtu nuk e lanë gjatë. U desh një shkresë e dërguar prej Ministrisë së Brendshme që Skënderi të përjashtohej nga të gjitha shkollat e Shqipërisë.

Tashmë Skënderi do t’i përkushtohej tërësisht luftës për çlirim. Sikundër vëllezërit, Skënderi hodhi në veprim edhe të motrën, Fatbardhën.

Më 27 janar të vitit 1943 Skënderi mban një fjalim të zjarrtë gjatë një demonstrate masive antifashiste në Lushnje. Në shtator të vitit 1943 është kuadër në Grupin Partizan të Myzeqesë. Pak më pas – komisar i një batalioni në Grupin Partizan të Shpiragut. Në mars të vitit 1944 emrohet komisar i batalionit të parë të Brigadës VII Sulmuese Partizane. Shtatë plagë pat marrë gjatë periudhës së Luftës, por nuk qe dhënë. Plagën e fundit, që i pat shkaktuar vdekjen, e pat marrë më 16 dhjetor të vitit 1944 teksa luftohej kundër nazistëve gjermanë në afërsi të Medunit të Malit të Zi.

Dhe mbeti yll i përflakur i lirisë.

Në Lushnjë një nga lagjet e qytetit dhe një nga shkollat nëntëvjeçare mbajnë emrin e tij.

Gëzimi, një nga figurat e shquara të kulturës në Lushnje

Djali tjetër i Teki Libohovës, Gëzimi, edhe pse i ri në moshë u aktivizua në Rininë Antifashiste të qytetit. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Tërë pjesëtarët e familjes së tij ishin të lidhur me fatet e atdheut.

Në fillim u aktivizua në terren, më pas shkoi e u bë pjesëtar i Brigadës së Parë Sulmuese Partizane – Heroinë e Popullit. Dhe marshoi me vendosmëri e luftoi me trimëri në mjaft përpjekje kundër pushtuesve nazistë gjermanë.

Mbas çlirimit të Atdheut Gëzim Libohova u mbajt në Tiranë për të kryer detyra të ndryshme në fushë të kulturës, por pak më pas, me kërkesën e vet, dërgohet në vendlindje. Edhe këtu do të caktohej të kontribuonte në lëmin e kulturës. Ai do të ishte tashmë një nga kontribuesit e shquar të Shtëpisë së Kulturës, më pas – i estradës profesioniste të qytetit dhe, në fund, i Ndërmarjes së Librit.

Kontributi i Gëzim Libohovës për zhvillimin e kulturës në rrethin e Lushnjës është i njohur. Dhe është kjo një nga arsyet, që këtij ish punonjësi të hershëm e të palodhur të frontit të kulturës iu dha një Fletë Mirënjohjeje nga ana e kryetarit të Bashkisë së Lushnjes, zoti Fatos Tushe.

Nuk ka fshat të këtij rrethi ku të mos ketë shkelur këmba e ku të mos jetë dëgjuar fjala e ngrohtë e këtij ish kuadri të përkushtuar. Artistja e Popullit, Margarita Xhepa flet me shumë respekt për punën e bërë prej Gëzim Libohovës, të këtij njëriu që nuk i përtoi asnjë detyre që iu caktua të kryente në qytet dhe në fshatra.

I martuar me Ferziletin, vajzë e dalë nga Bahollët e Elbasanit, Gëzimi ka lënë mbas dy djem të mbarë, te të cilët ka përtërirë emrin e të atit dhe atë të vëllait, Teki e Skënder.

Hasan Gina, i ati – avokat Dervishi dhe Ginët e tjerë libohovitë

Brezi i moshuar e ka kujtuar dhe vazhdon ta kujtojë me shumë respekt Hasan Ginën, duke e konsideruar si një nga figurat më të shquara të Lushnjës. I lindur në vitin 1921 në gjirin e një familjeje intelektuale, ai e vuri jetën e vet në shërbim të popullit të thjeshtë. I ati, Dervishi, mbaruar për jurist në Stamboll, pat qënë vazhdimisht në krahun e vegjëlisë.

Shkollën fillore e atë unike Hasani i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e mbaroi në Shkollën Bujqësore të Kavajës. Këtu mundi të mësojë edhe anglishten. Kthehet në Lushnjë, por nuk gjen punë, prandaj detyrohet të punojë në zdrukthtarinë e Ali Dumës. I pushtuar nga idetë më progresiste të kohës, tërheq me vete edhe mjaft antifashistë, si Shyqyri Dervishin, Halim Haxhiun e të tjerë.

Më 26 dhjetor të vitit 1941 në shtëpinë e atdhetarit të flaktë Sedat Ruli organizohet mbledhja e parë e celulës komuniste. I këshilluar edhe nga Hajdar Dushi – sekretar politik i Qarkorit të Durrësit, Hasani pranon të jetë sekretar i kësaj celule në Lushnjë. Në mbledhjen themeluese të celulës patën qënë të pranishëm të deleguar nga Qëndra Tuk Jakova dhe nga Qarkori i Durrësit, Sejdin Avdija.

Tanimë veprimtaria e Hasan Ginës do të ishte e gjërë dhe tepër intensive. Drejtues i njësitit gueril në Lushnje, zëvendëskomisar i Çetës së parë Partizane të Myzeqesë, krijuar në Kolonjë më 27 dhjetor 1942, zëvendëskomisar i Batalionit të parë Partizan të Myzeqesë, komisar batalioni në Grupin e parë Partizan të Myzeqesë dhe, së fundi, komandant i Vendit në Berat.

Mbas çlirimitt të atdheut Hasan Gina zgjidhet Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Lushnjës. Por… nuk do të vononte shumë dhe, mjerisht, ai do të ishte viktimë e vorbullës së luftës absurde të klasave!

I ati, juristi Dervish Gina, do t’i nënshtrohej torturave shnjerëzore të bashkëpunëtorëve të pushtuesve të huaj. Dhe për këtë shkak do të vdiste, duke mbetur dëshmor i atdheut.

Edhe e ëma e Hasanit, Razija, si dhe i vëllaj Mehmeti, kushëriri – Masari e të tjerë Ginë do të ishin antifashistë të vendosur. Tërë Ginët e Lushnjës – të lidhur me fatet e atdheut.

Sedat Ruli, djali i avokatit të njohur Kamber Ruli, antifashist i orëve të para.

Një nga familjet e nderuara libohovite të ngulura në Lushnjë ishte edhe ajo e Kamber Rulit, e këtij avokati të njohur dhe me shumë autoritet në Lushnjë e më gjërë. Edhe pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje u orientuan drejt gjatë periudhave të ndryshme të historisë. Antizogistë gjatë periudhës së para vitit 1939 dhe antifashistë të betuar mbas këtij viti.

Kur erdhi puna për të gjetur një banesë të përshtatshme e të sigurtë për të zhvilluar mbledhjen themeluese të celulës së Partisë Komuniste, Sedati nuk nguroi. Mori parasysh edhe ndonjë reprezalje të mundshme të armiqve dhe e la shtëpinë në shërbim të militantëve komunistë.

Sikundër e cekëm edhe diku më lartë, sekretar i celulës u zgjodh antifashisti i orëve të para, libohoviti Hasan Gina, ndërsa pak muaj më pas kjo detyrë iu dha antifashistit tjetër të orëve të para, studentit Normalist Xhorxhi Robo.

Sedat Ruli do të ishte një antifashist i vendosur, fjala dhe veprimi i të cilit bëri për vete edhe mjaft të tjerë. Ai do të ishte kuadër i përkushtuar edhe në vitet e pasçlirimit.

Nga kjo familje dëgjon të thuhen fjalët më të mira për Besimin, Astritin,  Virgjilin dhe Neshetin. Secili me fizionominë e pastër të personalitetit të tij. Secili me fragmentin e tij të denjë në historikun e lavdishëm të familjes e të fisit të tyre.

Këshilltari i pavdekshëm antifashist, dëshmori Xhevdet Nepravishta

I lindur në vitin 1895 në fshatin Nepravishtë të Libohovës, shkolluar në Gjimnazin e Janinës për ekonomi dhe ardhur herët me banim në Lushnjë si taksidar, Xhevdeti do të bëhej një “myzeqar” i urtë, tepër i dashur me vendasit, i orientuar drejt në jetën e tij shpirtërore dhe sociale.

Kur erdhi koha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Xhevdeti dhe e shoqja – Nurija, nuk u menduan dy herë. Çdo gjë ia kushtuan çështjes së popullit dhe atdheut. Shtëpinë e vunë në shërbim të militantëve antifashistë. Aty mblidheshin e zhvillonin mbledhje ilegalë edhe kuadro që i ishin kushtuar luftës për çlirim. Edhe pse e patën kërcënuar, ai nuk pat ndryshuar mendim e qendrim.

Më 2 nëntor të vitit 1942, domethënë pak kohë mbas Konferencës së Pezës, në shtëpinë e tij qe krijuar Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i qytetit, ku  kryetar qe zgjedhur Spiro Moisiu, ndërsa nënkryetar – Xhevdeti. Më 20 mars të vitit 1943 në Krutje qe zhvilluar mbledhja themeluese e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të rrethitt, ku nënkryetar qe zgjedhur po Xhevdet Nepravishta.

Edhe pse i moshuar, Xhevdet Nepravishta nuk qendroi thjesht ilegal në qytet. Doli edhe në front të hapur, atje ku luftohej. Dhe bie heroikisht në Mollas të Elbasanit teksa luftonte kundër bashkëpunëtorëve të nazistëve gjermanë, duke mbetur dëshmor i atdheut.

Një lagje e qytetit të Lushnjes mban emrin e tij.

Kur shqiptojmë mbiemrin e Xhevdetit, Nepravishta, në mëndje na vijnë edhe emra të tjerë të nderuar të këtij fisi. Na vjen emri i Lavdie Nepravishtës (Leka) shkrimtare, ish kryeredaktore e denjë e gazetës “Shqiptarja e re”’, na vjen ai i Reshat Nepravishtës – shkrimtar, i Ajete Nepravishtës (Brahimi) soliste e talentuar e këngës popullore, e Myzejen Nepravishtës – ish regjisore e mirënjohur në Televizionin Publik Shqiptar, i Bujar Nepravishtës – intelektual i njohur e të tjerë.

 

*     *    *

 

Qytetarët lushnjarë dhe, në përgjithësi, tërë myzeqarët e bashkisë së Lushnjës i kanë pas respektuar dhe vazhdojnë t’i respektojnë libohovitët atdhetarë. I respektojnë, sepse kanë parë dhe vazhdojnë të shohin te ata njerëz me shumë edukatë e kulturë; kanë parë dhe vazhdojnë të shohin te ata njerëz që rrezatojnë moral të lartë njerëzor e atdhetar.

Të integruar së bashku, tashmë libohovitët e Myzeqesë janë së toku jo vetëm në një realitet konkret dhe në të njëjtin muze historik, por janë të tillë, së toku, edhe në komunitet teksa ndihen të lidhur edhe me krushqira të shumta.

 

 

Share This Article
18 Comments
  • Sa mire eshte bere qe eshte shkruar per keto kater familje vertet dinjitoze. Libohovite te ndershem, te shkrire e te bere njesh me myzeqaret qe gjate Luftes kane qene vertet ne krahun e duhur te historise. Urime edhe autorit qe ka qemtuar keto familje te mrekullueshme.

  • Me kete krahun e duhur te historise,po lini nam.
    Tradhetaret e atdheut Esad pashe Toptani,enver hoxha, kane qeNe ne krahun e fitimtareve ne luften e pare dhe te dyte boterore,por nuk KANE QENE NE KRAHUN E INTERESAVE TE ATDHEUT.Nuk kane qene per nje Shqiperi ne kufijte e saj NATYRALE,ME KOSOVE DHE CAMERI.

    • Aman, more Demo, si mund t”i vesh ne nje plan tradhetarin Esat Toptani me antifashistin me te madh qe ka njohur Kombi shqiptar, Enver Hoxha! Enver Hoxha e rreshtoi Shqiperine ne krahun e fitimtareve, duke e shpetuar nga coptimi fatal mbas Luftes II Boterore. Nje çik më shqiptar, more Demo vellaj.

      • HAHAHAHAH o demokoti !!!!
        “Enver Hoxha! Enver Hoxha e rreshtoi Shqiperine ne krahun e fitimtareve, …” HAHAHAHAHAH
        Po me 1946 kur u larguan ambasadat amerikane dhe britanike, ku e rrehtoi? HAHAHAHAHAH

  • Ne vitin 1935, ato u arrestuan nga policia e shtetit shqiptar, sepse ato ngriten krye nen keshillat e agjenteve te Kominternit kunder shtetiti shqiptar. Edhe gjate L2B ato u futen ne formacionet sllavo-komuniste qedrejtoheshin nga jugosllavet.

    • Qenkeni i pashkolle o Muzaka. Te keshilloj te lexosh pak me shume qe te jesh ne gjendje te flasesh per Kryengritjen e vitit 1935 dhe per formacionet partizane te UNÇSH. Shkurt muhabeti, je pakez analfabet ne histori, prandaj ule koken mbi libra e lexo me shume.

      • Drugo historian Kapllan Resul Begoviçi.
        Ndonese je shqipfoles nuk je i shtetit dhe kombit shqiptar.

  • Zoti Dhimiter.
    Sa per dijeni dhe korektese dokumentare historike ju bej me dije se: Hajdar Dushi ishte sekretar organizativ I Qarkori Te Durresit, ndersa Spiro Bakalli ishte sekretar politik I Qarkorit Durresit emeruar ne kete funksion nga mbledhja themeluese e PKSh. Mbledhje e cila emeroi edhe sekretaret politik e Ata organizativ Te Qarkoreve Te Tiranes , Vlores, Korces, Shkodtes…. .
    Urimet me Te Mira z.Dimiter per ndihmesen tuaj ne pasqyrimin e historise atdhetare Te Myzeqareve.

    • Po, i dashur fshatari pa fshat; keni te drejte. Ashtu ka qene: sekretar i Qarkorit. Ju kerkoj ndjese. Nderime!

  • I nderuar artikullshkrues,
    Bujar Nepravishta eshte nje intelektual shume i mire, por ai ne te vertete mbiemrin e ka Carcani. Ai eshte rritur tek Nepravishtet, keshtu po !

  • Faleminderit penes suaj atdhetare,i nderuari Dhimiter Shtembari.Ditet NJEMIJE te urojme ne kete 75 vjetor clirimit, sjelle; herronjte LIBPHOVITE te LIBOHOVES…
    Tirana 29=04-2019 “Pasuesi veteran” Guri Naimit D.

  • Na cate trapin me keto emertime familjet , familjet.Gjirokastritet dhe libohovitet jane bere ne shek 20 si shushunja per gjithe shqiptaret njerez perverse u duket vetja si kur cfare jane.
    keto jane mendesi raciste.Iknin nga vendet e tyre tere gure dhe jo pjellore dhe dyndeshin ne Myzeqe e qytete me det.Pastaj i braktisnin ato.Thjesht mosmirenjohes dhe mendjellinj.

  • Humanizmi shpaloset hapur dhe qartas tek gazetari, z. Dhimiter Shtembari! Ç’e detyron kete njeri te evidentoj vlera njerezore pozitive?! Pra, dashuria per njerezit, per vendlindjen. Mendoj se kjo perben dhe esencen e te gjitha shkrimeve te ketij gazetari.

  • Nje analize e mire deri diku sepse ka nje doze te vogel ose me mire nje kend veshtrim komunisti. Kur flet per Nepravishtat haron te permendesh nje nga te medhenjte e saj, vellane e Xhevdetit, Abedin Nepravishten, njeriu qe I dha Tiranes pamjen e nje qyteti modern, njeriu qe vuajti internimin fashist po ashtu dhe burgun e Burelit nga ko0munistet. Nese flet per dicka mos vazhdo luften e klases akoma.

  • I dashur Roni, siç Jua thash, une kisha asnje informacion per kete qe me thoni, se nuk kishte asnje arsye pse te mos e vendosja ne shkrim. Gjithesesi, kete qe nuk e paskam shkruar une, e plotesuat ju. Nderime!

  • Gjithe se kush eshte i lire te shprehi mendimin e tij perreth nje familje apo ngjarje historike.Por kur lexoj mendimin e personit me pseudon imin Dori me vjen keq se nuk di per cilet njerez flitet.Dori i nenes keta burra te familjeve me siper dhane gjithcka per te miren e vendit pasuri shtepi e katandi edhe njerez te vrare.Mbas clirimit nje ose dy pjestar te cdo familjeve me siper i fyten ne burg.Kur keta studionin ne universitetet jashte vendit besoj ata te tute DORI FLININ ME LOPEN DHE KUR ATA FLISNIN NGA 5 GJUHE TE HUAJA ATA TE TUTE ISHIN ANALFABETE. Ka materiale me shumice ne arkiva ka dhe njerez te gjalle qe e dine mire historine e tyre.Mos te flasi goja perpara mendjes.

  • I nderuar Z.Dhimiter.
    Ju falenderoj per kete shkrim.
    Jam pjestare e njeres prej familjeve libohovite te permendura me lart.
    Te gjithe ata qe permenden ne shkrim kane qene njerez intelektuale me shkolla te mbaruara jashte Shqiperise.
    Ata u emeruan ne Lushnje apsi mbaruan shkollat dhe me pas zgjodhen ta japin kontributin e tyre atje.
    Ju i permendni te gjithe si njerez me kontribute ne luften anti-zogiste dhe antifashiste .
    Per fat te keq nje pjese e tyre u bene pre e luftes se klasave por vazhduan te jene dinjitoze edhe ne vuajtje.
    Pjesen me te madhe te tyre i kam njohur dhe vertet ishin njerez te edukuar,kulturuar dhe mbi te gjitha modeste.
    Desha te plotesoj shkrimin tuaj dhe me nje informacion te vogel.
    Avokati i nderuar Kamber Ruli , me pasuri te vetme nje shtepi, i cili mori pjese ne kryengritjen e Fierit dhe me pas lejoi femijet e tij te krijonin celulen e pare anti-fashiste ne shtepine e tij , vdiq ne burg nga torturat nje muaj pasi u arrestua, ne 31 dhjetor 1946.U fut ne burg vetem se si njeri i lire shprehu mendimet e tij per qellimet e Serbise ndaj Shqiperise.
    Me pas djemte e tij u perjashtuan nga Partia e me pas historia eshte ajo e te gjithe shqipetareve.
    Ju falenderoj shume per shkrimin.

    • I nderuar ani. Une jam myzeqar, por m^ kane bere pershtypje per mire familjet libohovite ne Lushnje per kontribuitn e tyre ne Myzeqe. Une nuk e kam bere shkrimin per ndonje honorar, sepse edhe te duash te tille, sot nuk te jep kush. Kam harxhuar kater – pese ore pune dhe e kam bere kete shkrim thjesht per respektin qe kam pasur e kam per keto familje. Kuptohet, une shkrim kam bere; nuk kame bere novele, keshtu qe nuk mund t”i shtjelloja te gjitha. Sidoqofte nderhyrjet tuaja, besoj se e ploresuan shkrimin. Ju pershendes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *