Të dhënat e fundit të disponueshme nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për 1 milion copë kartëmonedha në qarkullim, 5.7 prej tyre janë të falsifikuara.
Sipas të njëjtave të dhëna, kartëmonedha prerjen 1000 lekë zë pjesën më të madhe të totalit të kartëmonedhave false, e pasuar nga prerjet 500 lekë dhe 2000 lekë.
Nga ana teknike, kartëmonedhat kombëtare të falsifikuara riprodhohen me teknikë bazë printimi digjital me ngjyra, të shoqëruara me aplikimin e metodave artizanale shtesë për imitimin e disa elementëve të sigurisë.
Por, ndonëse të dhënat për vitin 2018 nuk janë publikuar ende, tregtarët e kryeqytetit, që janë në kontakt të vazhdueshëm me paratë, i kanë jo të panjohura eksperiencat me paratë e falsifikuara. Madje njëri prej tyre tregon rastin e fundit e ka pasur vetëm para pak ditësh.
Megjithatë, ata thonë se janë pak të informuar mbi elementët e sigurisë së një kartmonedhë dhe metodat që përdorin për identifikimin e tyre janë të thjeshta, duke u fokusuar te prekja me dorë apo edhe përdorimi i stilolapsëve specifikë, që lënë gjurmë në kartëmonedhë, shkruan Skan.
Elementët e sigurisë
Kartëmonedhat aktuale në qarkullim kanë 7 elementë sigurie. Shtypi i ngritur, që prodhon në efekt relievi në bojën e përdorur mbi kartëmonedhë është njëri prej tyre.
Me rrëshqitjen e gishtave përgjatë sipërfaqes së kartëmonedhës, prania e shtypit të ngritur mund të perceptohet tek imazhet kryesore në të dy anët e kartëmonedhës. Një tjetër element është filli i sigurisë i thurur në letrën e kartëmonedhës.
Me shikim të lirë, në anën e përparme të kartëmonedhës filli shfaqet në sipërfaqe si vijë e gjerë dhe ndërprerë në ngjyrë argjendi, në të cilën shkruhet vlera nominale e kartëmonedhës.
Nga ana tjetër filigrama është një element sigurie i realizuar në letrën e kartëmonedhës. Duke e mbajtur kartëmonedhën kundrejt dritës, rishfaqet portreti i kartëmonedhës.
Një tjetër tregues është elementi i regjistrimit që në kartëmonedhat shqiptare përfaqësohet nga një figurë e stilizuar e shqiponjës. Ky element është i shtypur në të dyja anët e saj dhe kur shihet kundrejt dritës duhet që të dyja figurat të përputhen saktësisht mbi njëra-tjetrën, duke formuar një imazh të vetëm.
Nga ana tjetër, imazhi i fshehur është një element sigurie i cili bazohet në efekte optike të shtypit të ngritur kundrejt dritës, ndërsa mikroteksti është shkrim me përmasa të vogla, qartësisht i lexueshëm me një lente zmadhimi.
Në kartëmonedhat e vërteta, ky tekst duhet të duket i konfiguruar qartë. Kartëmonedhat shqiptare përmbajnë edhe elemente për të ndihmuar të verbërit t’i dallojnë ato nga njëra tjetra.
Ndërkaq, përveç tregtarëve, pikat e këmbimit valutor, gjithashtu janë kontakt të vazhdueshëm me kartëmonedhat vendase dhe ato të huaja.
Punonjësit e tyre thonë se rastet e parave të falsifikuara janë të shpeshta, ndërsa shtojnë se monedha vendase është më problematike.
Megjithatë, ndryshe nga tregtarët e zakonshëm, këto pika disponojnë pajisje më të specializuara për identifikimin e kartëmonedhave të falsifikuara, duke dalluar në këtë mënyrë edhe falsifikime më të sofistikuara.
Por, me identifikimin e tyre ata thonë se mjaftohen me ‘mospranimin’ e tyre, duke mos ndjekur hapa të mëtejshëm për denoncimin e rasteve.
Ndërkaq, edhe institucionet bankare thonë se përballja me këto lloj kartëmonedhash është e shpeshtë, por metodat që përdoren për identifikimin e tyre, padiskutim janë tejet të sofistikuara.
Kujdes me paratë ‘CASH’!
Përgjithësisht klientët nuk janë në dijeni, që janë duke futur një kartëmonedhë të falsifikuar në bankë.
Por, individët duhet të shmangin transaksionet me vlera të mëdha në institucione jobankare, pasi mundësitë për të rënë në kontakt me kartëmonedha të falsifikuara janë më të mëdha.
Trajnime për sigurinë
Tregtarët e kryeqytetit thonë se trajnimet mbi elementët e sigurisë së kartëmonedhave do të ishin të domosdoshme, por këto trajnime duhet të financohen nga institucionet shtetërore. “Nuk diskutohet, që nevojiten trajnime nga institucione të specializuar. Por kush i paguan këto trajnime?! Nëse ato sponsorizohen, pra nuk paguhen nga ne, pse jo”
Në fakt, edhe Banka e Shqipërisë në Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit 2019-2021 planifikon disa masa për mbrojtjen nga falsifikimi, duke synuar ruajtjen dhe rritjen e besimit të publikut te monedha kombëtare.
Sipas Bankës, ky objektiv sigurohet nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të elementeve të sigurisë së kartëmonedhës shqiptare; përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve dhe aftësive njerëzore të personelit, nëpërmjet trajnimeve, kualifikimeve dhe pjesëmarrjes në seminare dhe workshop-e.
Gjithashtu, banka qendrore parashikon organizimin e seminareve me punonjës të sistemit financiar, për t’i informuar, orientuar dhe trajnuar ata, lidhur me elementet e sigurisë të kartëmonedhave shqiptare, si dhe të faktorëve që sjellin minimizimin e falsifikimit të tyre.
b.b/dita
