Fryma e Re Demokratike ka zhvilluar sot një takim me mbështetësit e saj në Kavajë. Qyteti që është njohur për vite me radhë si bastion i Partisë Demokratike, një traditë që u prish në zgjedhjet lokale të vitit 2011, mesa duket është parë nga FRD-ja si një nga zonat që mund t’i japë vota në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm. Gjatë fjalës së tij, kryetari i FRD-së, Bamir Topi, tha se Kavaja është keqpërdorur nga politika dhe për këtë ka nevojë t’i rikthehet dinjiteti.
“Ky qytet është keqpërdorur nga politika. Kavaja është abuzuar nga politikanë që nuk kanë asnjë lidhje me këtë qytet. Kavaja si gjithë Shqipëria, është përballë një muri zhvillimor. Në 2013, FRD-ja do të ketë fitore spektakolare, do jetë forca e parë politike në Kavajën që meriton vëmendjen e mohuar dhe kjo jo si tendencë për të transformuar historinë, por përpjekje për t’i rikthyer dinjitetin Kavajës”, tha Topi.
Topi shtoi se dështimi i statusit erdhi për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të qeverisë dhe për këtë maxhoranca nuk mund të justifikohet duke akuzuar për mosmiratimin e ligjeve.
