Linde djalë? Respekte!

redaktor

Norma botërore është 105 lindje djemsh për 100 lindje vajzash. Në Shqipëri, për periudhën 2008-2010, raporti i lindjes së meshkujve shënon mesataren 111.7 për 100 lindje vajzash. Ky ekuilibër në vendin tonë është prishur për shkak të shtimit të rasteve të abortit. Një udhëtim në zona të ndryshmet të Shqipërisë, mentaliteti dhe dëshmi konkrete.

“Familja e tim shoqi u mërzit… jam ndier inferiore dhe e tërhequr sepse kam lindur vajza”, shprehet një nënë nga Bathorja. Në Shqipëri po lindin më shumë meshkuj sesa femra. Aborti selektiv është njëri nga shkaqet kryesore, edhe pse ai është ndaluar me ligj. Në vendin tonë, për periudhën 2008-2010, raporti i lindjes së meshkujve shënon një mesatare prej 111.7 për 100 lindje vajzash. Ndërkaq, norma botërore është 105 lindje djemsh për 100 lindje vajzash dhe studimi vërteton se ky ekuilibër në Shqipëri është prishur pikërisht për shkak të shtimit të rasteve të abortit selektiv. Këto janë disa nga përfundimet e studimit “Raporti i paekuilibruar midis sekseve në lindje në Shqipëri”, i prezantuar disa muaj më parë nga Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e organizatave “UNFPA” dhe “World Vision”.  Teksa e shfletojmë atë dëshmitë janë nga më rrëngjethset.

Dëshira për të pasur të paktën një pasardhës mashkull në familje është shkaku kryesor i aborteve të qëllimshme të foshnjave vajza. Në pellgun e Ballkanit Shqipëria zë vendin e parë për këtë tregues, ndjekur nga Maqedonia Veriperëndimore. Këtë situatë vërtetojnë rezultatet e raportit, duke konfirmuar një gjendje të paekuilibruar në lindje midis dy sekseve.
Pohimi i gruas nga Bathorja na bën të mendojmë se nëse lind djalë, respektohesh më shumë brenda familjes sesa kur lind vajzë. Duket se në disa raste, të rrisësh djem nuk është vetëm çështje që ka të bëjë me krenarinë, por edhe me një çështje nderi dhe dinjiteti familjar. Arjan Gjonça, demograf, pohoi se, “aktualisht, raporti i lindjes femra-meshkuj ka shkuar në 100 femra të lindura kundrejt 111 meshkujve. Nëse do të vazhdohet me këto ritme, pritet që në 20 vitet e ardhshëm të kemi mbi 11 për qind meshkuj më shumë se femra”.

Ndërsa kalojmë fletët e këtij raporti shohim aty mentalitetin e zonave të ndryshme të vendit. Një infermiere në Vlorë tregon: “Burrat duan djem, kurse gratë nuk kanë ndonjë preferencë të veçantë. Në Vlorë është koncepti i “egos”, unë jam baba i një djali dhe jo i një vajze. Ndonjëherë janë gjyshet ato që mërziten më shumë sesa baballarët, kur fëmija që lind është vajzë. Në dëshirën e prindërve për të pasur djem ndikon edhe fisi”. Po pasojat? Ne kontaktuam me Arjan Gjonçën, demograf, i cili na tregoi se “pasoja e parë demografike është që do të ketë një tkurrje të tregut të martesës, nëse mund ta quajmë kështu. Ka një tjetër pasojë, që mund të jetë pasojë në emigracion. Këtë emigracion që është tani mund ta shtyjë akoma më shumë”. Zërat e të anketuarve në Shqipëri kanë treguar se ekziston një preferencë e prindërve për të pasur fëmijë meshkuj. Por të dhëna nga censusi i publikuar po ashtu muaj më parë vërteton në të njëjtën kohë këtë fakt, rritjen e lindshmërisë së meshkujve. Nga ana tjetër kjo tregon gjithashtu se preferenca për të lindur djem ndikon në lindshmërinë e mëvonshme. Faktori kërkesë i ka çuar prindërit që të përdorin teknikat e përzgjedhjes së seksit të fëmijës të shfaqur në vend gjatë viteve ‘90. Çekuilibri gjinor në lindje tregon se përzgjedhja e seksit u shndërrua në atë kohë në një mjetë të përbashkët për të “mundur gjasat biologjike” duke shmangur lindjen e vajzave.
Sipas këtij raporti duket se prindërit nga zonat urbane kanë kryer më shpesh përzgjedhjen e seksit të fëmijës se prindërit në zonat rurale, të cilët thjesht preferojnë të lindin më shumë fëmijë. Konstatimet tregojnë se si fëmijët meshkuj, ashtu edhe femra perceptohen si të vlefshëm në familje. “Nuk do të ndryshonin shumë gjëra, por dua një djalë, thjesht ta kem një djalë”, pohon një nënë nga Bathorja. Këtu dalin në përfundimin se faktorët kulturorë që ndikojnë tek nevoja për të pasur djem lidhet me trashëgiminë e linjës familjare dhe mbrojtjen e familjes. Në studimet evidentohet edhe fakti se kërkesa për djem rrjedh nga rëndësia e përçimit të mbiemrit dhe identitetit të familjes në brezat pasues. Nga ana tjetër djemtë kanë më shumë avantazhe ekonomike sesa vajzat, pasi mund të punojnë dhe emigrojnë për të mbajtur familjen. Më pas vijmë te presioni i komunitetit i cili pranon më shumë mungesën e një femre sesa mospranimin e një djali.

Studimi
Sipas studimit, përzgjedhja e seksit të fëmijës është një veprim tipik, i parë nga njerëzit si në të mirë të interesave të tyre të çastit, por kjo është në të vërtetë një shkelje e të drejtave të njeriut dhe si e tillë mund të lërë pasoja afatgjata serioze në nivel shoqëror. Studimi rekomandon që para futjes së çfarëdolloj rregulloreje, nevojitet përhapja gjerësisht e informacioneve dhe e njohurive mbi shtrirjen e sjelljeve diskriminuese, pasojat e tyre të ardhshme për përbërjen demografike të shoqërisë. Ai rekomandon fort ndërgjegjësimin e njerëzve dhe zhvillimin e fushatave advokuese drejt një barazie më të madhe gjinore, duke theksuar se media ka një rol të pazëvendësueshëm për këtë.

Krahasimi
Shqipëria nuk është e vetmja, por e para në Ballkan.
Përzgjedhja e seksit pra lindjes është një fenomen më i përhapur globalisht nga sa njihet, i vënë re në disa kontinente. Kina mbetet sot kontribuuesi në rritjen e mungesës së ekuilibrit midis sekseve në lindje. Në Azinë Juglindore, vendi më i prekur është India, ku përzgjedhja e seksit para lindjes u raportua  për herë të parë në vitet 80’. Nivel mi 110 vihen re në Shqipëri  dhe në Malin e Zi, si edhe Azerbajxhan, Armeni dhe Gjeorgji. Edhe pse statistikat e këtyre vendeve janë shpesh jo të sakta, mungesa e ekuilibrit  midis sekseve janë konfirmuar nga shifrat e regjistrimit të popullsisë dhe vlerësimit të pyetësorëve të tjerë. Shqipëria, ku niveli i mashkullorisë në lindje është shumë më i lartë se niveli biologjik, duket se është pjesë  një grupi të gjerë rajonal me raste selektimi lindshmërie të lartë, ku përfshihet Mali i Zi, Kosova dhe pjesa e Maqedonisë.

Kemi shkëputur disa zëra nga “Raporti i paekuilibruar në lindje midis dy sekseve në Shqipëri”, nëpërmjet tyre kuptojmë më shumë çfarë ka ndodhur më këtë fenomen gjatë viteve të fundit në vendin tonë.

Gjinekolog, Dibër
“Shumë shpesh vijnë e na kërkojnë këshilla edhe neve dhe ne u japim disa këshilla edhe pse u themi se nuk ka garanci për sukses. Për shembull, një këshillë ka të bëjë me periudhën  e ciklit menstrual gjatë të cilës duhet të konceptohet fëmija. Bazuar tek literatura, besohet se nëse foshnja konceptohet gjatë gjysmës së parë të ciklit menstrual, atëherë ka më shumë mundësi që fëmija të jetë djalë”.

Nënë, Vlorë
Disa njerëz shohin shenjat në kokën e fëmijës paraardhës dhe e gjejnë çdo të jetë fëmija  tjetër. Unë pash një ëndërr para se të mbetesha shtatzënë për seksin e fëmijës dhe më doli”.

Informator në Vlorë
Një burrë, i cili erdhi në klinikë me gruan e tij para disa ditësh, pasi dëgjojë se fëmija që prisnin ishte vajzë… ishte shtatzënia e 3-të  pas dy vajzave, iku nga klinika de e la gruan atje. Ka raste si ky po jo shumë. Kurse një rast tjetër, burri u kthye në klinikë vetëm për të pyetur mjekun  nëse ishte i sigurt se fëmija ishte djalë, sepse donte t’ia u bënte të ditur të afërmeve”.

Gjinekolog, Tiranë
“Gjatë periudhës 1996-97, ky ishte një fenomen i shpeshtë. Shtatzënitë ndërpriteshin shumë lirshëm thjeshtë nga që donin djalë dhe fëmija që prisnin ishte vajzë. Mund të merrnin një raport të falsifikuar mjekësor nga mjekët e zonës së banimit dhe ndonëse i dinin shumë  mirë arsyet reale dhe se nuk do të kishte komplikacione  të  tjera e megjithatë kishte të paktën dy aborte në ditë. Sot, abortet në bazë të seksit janë më të rralla, të paktën nuk kryhen në spital

Grua, zonë urbane, Dibër
‘Kunata ime kishte dy vajza dhe ngeli shtatëzën për herë të tretë, por abortoi kur ishte katër muajsh, pasi priste vajzë. E bëri për shkak të presionit të  të shoqit, pasi ai i tha: “nëse nuk më bën me djalë, ktheu të prindërit”

“Shumica e grave sot abortojnë nëse kanë 2 ose 3 vajza. Askush nuk do të donte të kishte 3 fëmijë të të njëjtit seks, por nëse janë 2 apo 3 djem, ato vazhdojnë të lindin”- diskutim me një grup burrash në një zonë rurale në Dibër.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *