Njeriu dhe vendlindja, dy skaje të të njëjtit fat

Leda Hysa

Mbi veprat hulumtuese shkencore të studiuesit Nuri Dragoi për trevën e Përmetit

Mihal Gjergji

Projektuar si një model parajse, Përmeti ose qyteti i trëndafilave, i shquar për bujari e mikpritje, mban të varura si medalione gravurat e plagëve të tij. Kohë pas kohe i përndjekur dhe i përgjakur.

Ndaloni një çast në brigjet e Vjosës, dëgjoni rënkimin e lumit të trazuar. Aty do ndjeni se si frymojnë mushkëritë e Frashallinjve bashkë me stërkalat e valëve. “Tre vëllezërit Frashëri/ Sa për tre Tomorrë/ Në tre kontinente/ Shkelin për një Vlorë”.

Do dëgjoni edhe rënkimin e të martirizuarit nga kryqtarët e ordodoksisë fqinje, At Stath Melani, i cili meritoi vlerësimet e larta të Fan Stilian Nolit.

S’besoj se ka shqiptarë, i cili të mos ketë dëgjuar vajtimin e klarinetës së Laver Bariut, shoqëruar me zërin-violinë të Vaskë Currit. Brenda atij pikëllimi ka ngarkuar dhimbjen e një race të tërë, e njerëzve të gjakut, doemos edhe të dheut që e mban në prehërin e tij…

Në të majtë lartësohet Trebeshina, muza e Lame Kodrës, djathtas Nemërçka me malet e tjera. Mes tyre lugina dhe krahinat e shtrira krah njëra-tjetrës (Mezhgorani, Këlcyra, Malëshova, Dëshnica, Çarçova, Frashëri…etj). Natyrë piktoreske, që të josh e të çlodh, sikur një dorë mjeshtri ka përzgjedhur ngjyrat dhe ka hedhur në telajo imazhet e një ëndrre të bukur.

Ja, këtu ka lindur historiani Nuri Dragoi, i njohur për disa nga veprat e tij, e për të cilat guxuan ta kryqëzojnë, sigurisht jo në moshën e Krishtit (“Shqiptarët dhe Grekët”, “Rreziku i shkombtarizimit”, “Eshtrat që akuzojnë”), mandej i është kushtuar tërësisht Përmetit, qytetit dhe krahinave përreth, pra, një treve të Toskërisë.

Po cilat “tabu” ka guxuar të prekë autori në fjalë? Pushtuesit që zëvëndësojnë njeri-tjetrin, barbarët që djegin shtëpi, shkretojnë fshatra, presin koka fëmijësh, përdhunojnë gra, puset e ujit i mbushin me kufomat e viktimave të pafajshme, çvarrosin dhe tregtojnë eshtrat tona stërgjyshore. Në kohën tonë, s’është bërë e mundur të ndërtohet asnjë parajsë tokësore. Ende jo!

E dini pse? Sepse bashkëbiseduesi që keni përballë, ai që keni pranuar mbi krye, atë që keni zgjedhur si bashkëudhëtar, gjithmonë është me maskë, rrallë ndodh të jetë njeri dhe shpeshherë bëhet gjarpër, zvarritet nën këmbë sundimtarësh; bëhet ujk, sepse përvëlohet nga dëshira e shfrenuar e makutërisë; bëhet vrasës, sepse egërsia dhe ndjenja e hakmarrjes qëndrojnë zgjuar, paçka se rrinë të fashitura thellë subkoshiencës së tij. Ndryshe ndodh me botën shtazore. Shqiponja s’mund të shndërrohet në korb të zi, dallandyshja në kukuvajkë, harabeli në shpend grabiqar…

Kështu ka ndodhur edhe me Përmetin. E përsëri, sipër atij shkretimi kanë shpërthyer lastarët e jetës, njerëzit kanë veshur blerimin e stinëve, bëhen dasma dhe këndohet. Përmetaret e bukura, hijeshuar me nur perëndie, atë bardhësi që kanë brenda shpirtit e rezatojnë edhe te vellua që hedhin mbi krye.

Një përzierje e çuditshme gjaku ka krijuar rracën vitale që popullon këtë trevë. Burrat janë bujq dhe luftëtarë. Kur lënë parmëndën marrin armët për të ruajtur sinoret, pa braktisur dashurinë për dije…

Lexova librin e Nuriut, për historinë e kësaj lugine kaq të lakmuar (1912-1944). Njeriu dhe vendlindja janë dy skajet e të njëjtit fat. Ajo dorë që gdhend djepin, të afron dhe arkivolin. Andaj vendlindja herë-herë shfaqet në trajtën e ylberit vezullues e herë-herë në formën e kryqit të mallkimit. Të gjithē mbetemi pengje të dashurisë dhe robër të saj. Në këto kushte, Nuri Dragoi ka  publikuar tetë libra kushtuar Përmetit dhe rrethinave të tij, Grykës së Këlcyrës dhe luginës që zgjatet nën këmbët e Tendës së Qypit e deri në malin e Tomorrit.

Pastaj tenton të hyjë thellë në historinë  e kësaj treve, mbështetur nga hulumtimet e shumta të studiuesve, për lashtësinë e  banorëve dhe traditën e tyre, gjuhën dhe zakonet. Mandej guxon të bëjë objekt gjykimi edhe Dodonën pellazgjike. Mes autorëve që ka cituar, kryesisht të antikitetit, që janë marrë me parahistorinë, ka edhe të tillë, që mitet dhe gjurmët e pakta arkeologjike si pjesë esenciale e shkencës së historisë, i kanë shndërruar në ideologji nacionaliste, të tjerë kanë bërë trajtesa me ngjyra adhurimi në mungesë të fakteve. Prej autorëve shqiptarë u është referuar edhe I. Cenollari (“Profecitë e zotit të Tomorrit”) dhe K. Mateli (“Dodona ndodhet në Dëshnicë”).

Autori i parë, Iliri afron një punim skematik dhe sipërfaqësor, si një vandak kashte në të cilin me vështirësi mund të gjesh 4-5 kokrra gruri. Na tregon vëndvendosjen e fiseve pellazge në trojet ilire dhe më gjerë, për të cilat edhe nxënësit e gjimnazit kanë njohuri minimale. Ëndrrat e bukura s’mund të zëvëndësojnë asnjëherë argumentet. Kësisoj, na vijnë në mëndje fabulat e La Fontenit. Kur fëmijët grindeshin për gjyshin, se cilit i përkiste, atëherë secili thoshte “është imi”, ndërsa babazoti ishte i të gjithëve.

Autori i dytë Kujtimi, megjithse paraqet një studim serioz dhe të thelluar, i drejtohet lexuesit (qysh me titullin e librit) në mënyrë urdhërore si te shkrimet biblike, të cilat mbulohen nga misteret. Dodona pellazge ose mali i Tomorrit, është aq i madh sa s’mund ta nxejë brenda veprës së tij asnjë autor i vetëm, as brenda krahinës, edhe në kushtet e kufizimit të fushëpamjes historike.

Dua të theksoj se jemi më shumë se 2000 vjet para Krishtit, në kushtet kur historia dhe legjenda kanë ushqyer kujtesën kolektive të Pellazgjisë (më vonë Mbretëria Ilire), grekëve dhe popujve të tjerë të Gadishullit Ilirik. Gjithmonë kultura i tejkalon kufijtë shtetërorë, atëherë përse duhet të merremi aq shumë me vendndodhjen, për të cilën edhe autorët e protohistorisë hamendësojnë?

Ja pra, që duhet të trajtojmë rrezatimin e Dodonës pellazgjike, mitet dhe pushtetin e saj të padikutueshëm shpirtëror. Mandej, pikërisht përmes miteve, legjendave, të dhënave të kursyera që afron antikiteti, mund të mbrijmë te themelet e Dodonës.

Nuri Dragoi s’ka mundur të shfrytëzojë referencat e shkencëtarit tonë Dr. A.Spahiu, i cili ka publikuar studime dhe prurje interesante (nga biblotekat parizene) për shtetin epirot, pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër, për nomizmatikën e përdorur në trojet e Pellazgjisë, etj. Po çfarë thotë N.Dragoi?

Pellazgët kanë qenë “pronarë” të qytetit dhe tempullit të famshëm të Dodonës. Te Iliada, Dodona përmendet dy herë në lutjen e Akilit: Zeusi, Mbret i Pellazgëve nga Dodona që ndodhet larg / dhe mbretëron në Dodonën e acartë, dhe Sellojtë / fatthënës të jenë pranë, por këmbët s’i lajnë e flenë përdhe. Për rreth Dodonës, Hammond vendos fiset dorë, enian, dryop, etik, perrebe, dolopë etj. Fiset që kanë populluar trevën e Përmetit nuk mund t’i veçojmë nga Epiri në tërësi, pasi territoret e banuara prej tyre s’kanë qenë të kufizuara qartë.

Bukur deri këtu. Edhe autorë të tjerë i referohen Homerit. Disa historianë të antikitetit mendojnë se termat “pellazgë” dhe “ilirë” mund të jenë përdorur njëkohësisht për të njëjtin popull, epirotët, që përbëjnë një degëzim të rëndësishëm të ilirëve të jugut, sikurse janë përdorur prej disa shekujsh për të njëjtin popull, emërtimet “arbër” dhe “shqiptarë”. Ndërsa të tjerë autorë shprehen se krahina përreth Dodonës dikur është quajtur “Pellazgia” (Schol. Ven. (B) II-233; Synag. Lex. Chres. S). Në kushtet që kërkimet e gjuhësisë s’janë të plota dhe asnjëherë s’mund të quhen të shterura, kërkimet e arkeologjisë po ashtu, (D. Evangelidis komenton dy dekrete “politie” të gdhendura në një pllakë guri, v-368 p.e.s -ku percaktohen emrat e fiseve dhe nënshkruesit; mbreti, prostati i molosëve dhe sekretari), historianët si “pushtues” të dorës së tretë të kësaj humbëtire shekullore, s’mund të afrojnë veçse interpretime referencash nga autorë të lashtësisë. Askush nuk e di vitin e saktë të shkrimit të veprave madhore; “Iliada” dhe “Odisea”. Askush nuk e di se në ç’gjuhë i ka shkruar Homeri. Nëse vërtet ka ekzistuar, mos vallë i ka shkruar me shkonjat hieroglife të qytetërimit të Kretës apo atij mikenas? Grekët, të parin poet dhe më të madhin që njeh historia e kulturës botërore, pra Homerin, nxitojnë ta quajnë të tyre. Ose do ti pranosh gjërat siç janë ose do marrësh përgjegjësinë për ti ndryshuar ato. Pikërisht këtë gjë kanë realizuar kolonët grekë që bënë vend në teritoret pellazge, pra në trojet e “barbarëve”. Gjithsesi, në poemat homerike s’gjejmë as edhe një fjalë të vetme fyese ndaj trojanëve, dhe kjo është shumë domethënëse. Është thirrja e gjakut, apo jo?

Po le të vazhdojmë me N.Dragoin. Ai vijon mendimin e tij duke shtuar: Nga të dhënat e Strabonit dhe të Anacharsis dalin disa probleme që kanë nevojë për shqyrtim më të thelluar, për t’i harmonizuar të dhënat e autorëve të ndryshëm dhe për të sheshuar mospërputhjet midis tyre. Sipas mendimit tim, athamanët që Mateli i vendos në rrethinat e Ballabanit, në lindje të lumit të Dëshnicës, fqinjë me atintanët e luginës së përroit të Mezhgoranit të sotëm, mbase duhen analizuar më me kujdes. Thuhet që ata janë dëbuar prej fushës dodonase nga lapathët, të cilët Mateli i njëjton me labët e sotëm, duke përjashtuar mundësinë që të jenë lapitët e lashtë mitologjikë të Thesalisë. Prania e tyre në veri të Këlcyrës injoron athamanët e shpatit perëndimor të maleve të Pindit, në lindje të qytetit të Janinës…

Edhe Nuriu duhet ta dijë se,të dhënat për gjeografinë humane, ato epigrafike dhe etnografike qartësojnë se fiset kryesore epirote janë kaonët, molosët dhe thesprotët, por jo të vetmit, sepse fise të tjera ilire kanë qënë fqinjë të tyre.

Nga poemat homerike deri te Stefan Bizantini, vështirë se mund të qartësojmë se cilat fise pellazgjike kanë populluar saktësisht Epirin dhe ku kanë krijuar vendbanime të reja nga lëvizjet e tyre kohë pas kohe. Shikoni Shqipërinë e 30 viteve të fundit. Lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë, zaptimet e teritoreve, ndërtimet sipas grupimeve krahinore dhe lidhjeve të gjakut, na kthejnë tek ajo traditë mijëvjeçare.I pari historian që përdor fjalën “Ilir-Hyllirus” është Herodoti (VIII, 137). Iliri është heroi sipëror i ilirëve (i biri i Kadmit dhe Harmonisë). Dardani është i biri i Ilirit dhe vendoset në lindje të malit të Sharit, ku formoi edhe mbretërinë e tij. (N.G.L. Hamond, 1981, f 381).J.Ëillkes(1992, f 145)thotë se Dardani është themeluesi i familjes mbretërore të Trojës. Më shumë sesa faktet, mitet dhe legjendat tregojnë se varri i Kadmit dhe Harmonisë ndodhet afër Aoos-it në jug të Ilirisë, të tjerë e vendosin në qytetin e panjohur të Kylikut.

S’mund të guxoj të heq paralele mes këtij të fundit dhe qytetit të Këlcyrës, apo të hamendësoj se Këlcyra mund të trashëgojë emërin e ndonjë mbreti epirot. Vallë, Peialët (fis epirot) e kanë populluar të parët atë që sot njihet si qyteti i Përmetit?  Homeri e quan Zeusin – pellazg, sepse është i tillë. Emrat e hyjnive dhe të heronjve greqishtja i ka huazuar nga gjuha ilire. M.Hoëatson (Dictionnarie d’Oxford, 1993, f 393) shpjegon se etruskët quhen tyrrhenë nga grekët, tuskë (toskë-M.Gj) ose etruskë nga latinët, pra pellazgët janë stërgjyshërit e etruskëve historikë. Madje, të tjerë studiues pranojnë faktin se kolonët trojanë (pas përfundimit të luftës) të mbritur në Italinë qendrore, u shkrinë me popullsinë vendase dhe krijuan popullin latin. Ndërsa grekët vazhduan kolonizimin e teritoreve pellazge, ndoshta të pranuar nga këta të fundit për arsye që s’mund t’i spjegojmë, si p.sh, Arkadia, Peloponezi, Thesalia, Qipro, Korfuzi etj. P.sh, banorët e Kretës krijuan qytetërimin e parë evropian para se grekët të mbrinin atje, shekuj më vonë. “Vetë autorët e Greqisë së Vjetër dëshmojnë që emrat Akil dhe Pirro lidhen me Epirin, pellazgjishten, me ilirishten (pse jo dhe me shqipen?). Plutarku thotë se Neoptolemi, bir i Akilit, pushtoi vendin dhe la pas tij një dinasti mbretërish, që u quajtën pirridë…”(A.Spahiu, “Shteti Epirot”, 2011, f 20).Po ne nuk e njohim poezinë epike, e cila ka ekzistuar para Homerit, sikurse njohim legjendat e qëmotshme derdhur në vargjet rapsodike për Mujin dhe Halilin apo Gjergj Elez Alinë. Pjesë të kësaj epike rrëfejnë bëmat e Herkulit, por jo të heronjve të tjerë. Ku janë zhdukur ato?

Vetëm grekërit kanë mundur të ruajnë trashgiminë e tyre kulturore, shkrimet e lashta, edhe pse historinë e kanë falsifikuar aq sa kanë mundur. Kështu merr përgjigje edhe pyetja: Kemi të bëjmë me një Epir të helenizuar, apo me një helenizim epirot? Lidhjet gjithmonë të fuqishme mes maqedonasve dhe epirotëve, falë afërsisë së tyre gjenetike (rracore) spjegojnë edhe hakmarrjen e përbashkët (v – 219 p.e.s) ndaj Etolëve grekë, të cilët dogjën dhe shkatërruan Dodonën dhe Dionin.

Shikoni me ç’guxim e mbrojnë qytetërimin pellazgjik, fenë dhe panteonin e tyre fiset epirote, të cilët s’i lidh asgjë me kolonët grekë. Grekët i ndërtojnë tempujt e adhurimit në qëndra urabane, pellazgët apo ilirët i ndërtojnë në male. Druri i lisit s’përdoret nga grekët, ndërsa ilirët e cilësojnë të shenjtëruar.

Por, le ta lëmë Dodonën (arkivin e saj të pazbuluar apo të grabitur, thesarin, ligjësitë dhe normat zakonore mbi të cilat funksiononte) e të merremi me historinë e nënprefekturës së Përmetit për periudhën njëqindvjeçare që trajton autori N. Dragoi.

Autori nxjerr nga arkivat dokumentacionin qartësues për organizimin shoqëror, besimin fetar, arsimin, mjekësinë, administratën shtetërore, bashkitë, komunat, organizimin e rendit publik-xhandarmërinë, organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor etj. Na afron gjithashtu shënime udhëtimi të konsujve, vizitorëve apo misionarëve që kanë njohur apo hulumtuar këtë trevë. Në këto kushte, Dragoi ka merituar vëmëndjen e këtyre banorëve, por edhe vlerësimin e studiuesve, të cilët, me siguri do t’i përdorin këto prurje të reja si burim reference në punimet e tyre, sikurse lektorët në auditoret e mësimdhënies.

Share This Article
3 Comments
  • Nje tablo poetike qe te ben t’i therrasesh mendjes, te shkundesh e reflektosh; nje peisazh romantik, historik dhe qe te ben ta duash, te krenohesh per vendlindjen, por edhe per guret e varrit te te pareve
    Nje urim edhe per N.Dragojn qe poeti dhe studiuesi M.Gjergji, me dashuri dhe objektivitet i ben nje dedikim me se domethenes. Te lumte pena M.Gjergji!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *