Telefonata Trump-Erdogan, tension pas planit turk për të blerë mbrojtjen ajrore nga Rusia

Nela

Sipas një deklarate për shtyp nga zyra e presidentit turk Erdogan, Presidenti amerikan Trump telefonoi homologun e tij turk për të negociuar situatën e tensionuar pas planit të Turqisë për të blerë S-400, një sistem mbrojtjeje ajror nga Rusia.

Po sipas deklaratës, gjatë telefonatës, Erdogan ka propozuar krijimin e një komisioni të përbashkët në lidhje me blerjen e sistemit mbrojtës nga Rusia.

Megjithëse përgjigjia e Trump nuk është bërë publike, Washingtoni nuk e ka pritur kërkesën me entuziazëm, bën me dije VOA.

Shumë analistë besojnë se kriza e S-400 mund të zgjidhet vetëm nëse Trump dhe Erdogan negociojnë dhe bashkëpunojnë, por koha për këtë po mbaron meqë Turqia pritet ta marrë sistemin mbrojtës në korrik.

Duhet theksuar se kriza me Turqinë është multidimensionale. Nëse Turqia i blen armët, kongresi i Shteteve të Bashkuara duket i gatshëm të implementojë sanksionet financiare të kërkuara nga ligji për kundërvënie ndaj kundërshtarëve të Amerikës me sanksione.

Ndër të tjera, kjo nismë e Ankarasë rrezikon dorëzimin e avionëve S-35 nga Shtetet e Bashkuara, si dhe  pjesëmarrjen e Turqisë në projektin për ndërtimin e tyre.

Megjithëse Erdogani ka deklaruar se SHBA nuk do guxonte ta nxirrte Turqinë nga projekti meqë kjo do të thoshte ndërprerja e vetë projektit, analistët nuk e shohin rolin e Turqisë aq esencial dhe mendojnë se presidenti turk po bën bllof, meqë prodhues të tjerë janë të lehtëgjindshëm.

Nuk duhet harruar as deklarata e zëvendës presidentit amerikan Pence, i cili pati thënë se vetë anëtarsia e Turqisë në NATO ishte për tu rivlerësuar.

Padyshim, të gjitha këto kanë pasë ndikim domethënës në zhvlerësimin e lirës turke.

Një prej temave gjithashtu të rëndësishme të diskutuara nga Trump dhe Erdogan është Siria dhe siguria e Turqisë. Ka kohë që Ankaraja zyrtare kërcënon se do të sulmojë ushtrinë kurde të Sirisë, YPG, të cilën ajo e konsideron një grupim terrorist të lidhur me një grup kurd rebel brenda kufirit turk.

YPG, në të njëjtën kohë është një ndër aleatët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër shtetit islamik.

Të gjitha këto duket se do të çojnë drejt një negocimi konkret mes Ankarasë dhe Uashingtonit, sidomos tani që Rusia ka kërcënuar dhe po bëhet gati të sulmojë qytetin e Idlibit, çfarë do të thotë dhjetëra mijëra emigrantë të tjerë sirian drejt Turqisë që tashmë zyrtarisht  numëron mbi 3.5 milion të tillë, raporton Dita.

e.ll. / dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *