Rama: Në dhjetor presim statusin, testin e zgjedhjeve e kaluam

redaktor

Rama dhe Bushati kanë takuar dje ministrat e jashtëm të Lituanisë që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe atë të Rumanisë që mban Presidencën e radhës së Nismës së Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Kryeministri Edi Rama i ka deklaruar kreut të diplomacisë lituaneze, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe atij rumun,vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Nismës së Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, se Shqipëria pret përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat në dhjetor. Gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Lituanisë dhe Rumanisë, kryeministri Rama u shpreh se me zgjedhjet e fundit, të lira e të ndershme dhe transferimin paqësor të pushtetit, Shqipëria ka përmbushur një nga kushtet kryesore për marrjen e statusit të vendit kandidat, për të cilin shpresojmë një përgjigje pozitive në dhjetor ka theksuar ai. Ai gjithashtu i ka përsëritur pritshmërinë se Shqipëria pret statusin në dhjetor, gjë që është parë e arritshme brenda këtij viti nga ministri lituanez dhe ai rumun. Njëkohësisht ata theksuan rëndësinë për të vazhduar me reformat, veçanërisht për sa i përket shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, citon njoftimi  i kryeministrisë.

Takimi i ministrave
E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa bashkëpunimi rajonal përshpejton integrimin në strukturat evropiane. Kështu  ka deklaruar Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, gjatë një takimi që ka zhvilluar me Ministrin e Jashtëm të Lituanisë dhe atë të Rumanisë të cilët po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Shqipëri.  Të dy ministrat thanë se Shqipëria ka arritur progres dhe shprehën bindjen e tyre se statusi kandidat është i arritshëm brenda këtij viti. ”Bashkëpunimi rajonal e ndihmon dhe përshpejton integrimin në BE. Patëm një diskutim të hapur dhe i falënderoj të dy homologët për ndihmën që i japin Shqipërisë”, deklaroi  Bushati.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *